Kur
po ecja nëpër faqet e internetit në gjuhën ruse, më ra në sy një
material mjaft interesant i një qyetari rus, të cilin vendosa t’ua
përcjell edhe bashkatdhetarëve të mi, në mënyrë që ata të njihen me ca
të vërteta tronditëse për realitetin që karakterizon Rusinë putiane.
Kur
e mbarova së lexuari këtë material, m’u kujtua një bisedë që pata në
vitin 1999 me ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, zotin Soprikin. Ishte muaji mars. Sapo ishte larguar nga vendi ynë një delegacion i parlamentit rus, i kryesuar nga zoti Sergej Baburin, zëvendëskryetar
i parlamentit, i cili kreu një vizitë zyrtare në vendin tonë më 17-19
mars dhe unë e pata shoqëruar në cilësinë e përkthyesit. Kur zoti
ambasador erdhi për një vizitë në shtëpinë time, në bisedë e sipër ra
fjala edhe për zhvillimet në Rusi pas vendosjes së pluralizmit.
Pasi më foli për zhvillimin e ngjarjeve në vendin e vet, zoti Soprikin më tha:
“Në Rusi përsëri ka për të shpërthyer revolucioni”.
Kur
u njoha me përmbajtjen e këtij materiali, e kuptova që ambasadori paska
pasur të drejtë kur m’i tha ato fjalë. Varfërimi i shkallëshkallshëm
dhe i pandalshëm i popullit rus dhe humnera e krijuar, nga njëra anë,
mes kastës sunduese dhe pasanikëve që grabisin pa mëshirë pasuritë
kombëtare të vendit, dhe popullit të thjeshtë, nga ana tjetër, me siguri
që një ditë të caktuar do të pjellë një situatë shpërthyese.
Faktet historike dëshmojnë se ai popull i madh
kurrë nuk është lejuar t’i shijojë vlerat e demokracisë së vërtetë. Për
fatin e tij të keq, populli i thjeshtë vazhdon të mbetet “i bujkrobëruar”. Etapa
e parë e shndërrimit të fshatarëve rusë në bujkrobë, ka pas filluar që
në vitin 946. Gjatë viteve 1237-1480, populli hoqi mbi kurriz sundimin e
rëndë të zgjedhës tataro-mongole. Në vitin 1601, në kohën e sundimit të
carit Boris Godunov, u përmbyll njëherë e mirë etapa e fundit e
shndërrimit të fshatarëve në bujkrobë, domethënë në pronë të
çifligarëve. Kjo ka qenë periudha e quajtur “e drejta e bujkrobërisë”, e
cila u shfuqizua në vitin 1861. Koha që kaloi deri në vitin 1917, e
cila mund të quhet si periudha e çlirimit zyrtar të fshatarësisë nga
sistemi i bujkrobërisë, faktikisht, përfaqëson në vetvete kohën kur ajo u
gjend ballë përballë me vetveten dhe me pamundësi vetëzhvillimi
ekonomik, meqenëse ishte mësuar të jetonte në pronësi të çifligarëve
rusë. Periudha e sundimit komunist prej vitit 1917 dhe deri në vitin
1991, si edhe në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste, ishte koha e
shtypjes së egër të lirive demokratike. Por, sipas autorit të materialit
të mëposhtëm, rezulton se edhe sot, pas njëzet vjetësh pluralizëm
politik, vlerat e demokracisë në Federatën Ruse vazhdojnë të mbeten të
diskutueshme. Dhe ma do mendja se ato të tilla do të vazhdojnë të mbeten
ende gjatë, përderisa
Putini, siç tregojnë shenjat, po përgatitet për t’u rikthyer përsëri në
postin e presidentit të vendit, me një mandat dymbëdhjetëvjeçar.
Prof.dr.Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
18 qershor 2011
Vladimir Garmatjuk
Rusi, qyteti Vollogda
27.07. 2010
“Do t’ju shërbeja me dëshirë plot,por t’ju lëpihem do të më vinte ndot”
Këto janë fjalë të shkrimtarit dhe të poetit të njohur rus Aleksandër Sergejeviç Gribojedov (1795-1829 - E.Y.), të shkruara pothuajse dyqind vjet më parë. Por ato janë aktuale edhe sot e gjithë ditën në fillim të shek. XXI.
Po
çfarë po na tregon ky aktualitet befasues? Ai po na tregon se dyqind
vitet e kaluara të përsosjes së marrëdhënieve mes shtetit dhe individit,
të përpunuara prej mendjeve përparimtare të Rusisë, si Gribojedovi,
Pushkini, Lermontovi, Çernjishevski, Çehovi, Tolstoji, prej të tjerëve
klasikë dhe mendimtarë të vendit tonë, shkuan për dhjamë qeni.
I bëni një pyetje vetes se cilën nga figurat e lartpërmendura ju do ta pikasnit në radhët e partisë së tanishme në pushtet “Rusia e Bashkuar”. Dhe atëherë do të merrni përgjigjen se kush ndodhet atje dhe kush po e drejton vendin.
Apo mos vallë brezit të sotëm nuk i paskan ardhur mendtë, nuk paska shtuar “asnjë gram” zhvillimi
mendor? Apo, për shkak të shpirtvogëlsisë, i ka tradhtuar pararendësit e
vet, duke e përfshirë veten në listën e skllevërve të një sistemi të
sakatuar?
Po t’i shikojmë gjërat faktikisht, në shoqërinë e sotme janë të pranishme edhe ndjenjat e shpirtnënshtrimit, edhe marrëzia, edhe egërsia e neveritshme prej skllavi në qëndrimin ndaj njerëzve të varfër.
Ku janë, na i tregoni t’atdheut baballarë, / që neve për model na duhet për t’i marrë? / Mos vallë qenkan këta që me vjedhje janë pasuruar? / që mbrojtjen nga ligji mes miqsh, farefisi dhe paudhësish kanë siguruar?/ Pallate madhështore ndërtuan me nxitim, / ku shkrihen mes gostirash deri në shfrenim . / Kujt në Moskë të flasë nuk ia kanë ndaluar? (A.S. Gribojedov, Vargje nga komedia “Mjerë ai që di” (apo “Mjerë kush ka mend”, botuar në vitin 1824 - E. Y.).
Më thoni tani se sa aktuale tingëllon kjo vepër e A.S. Gribojedovit, sa tragjikomike është ajo sot, në shek. XXI?
Cila është mbështetja e armatës së burokratëve në ditët tona? Janë interesat e monopoleve dhe të oligarkëve. Nga
ana tjetër, janë qëndrimet e pamëshirshme ndaj mendimit të kundërt me
politikën e autoriteteve. Dhe shtypja materiale e fakirfukarasë nga ana e
makinës represive shtetërore.
Ku e gjen shprehjen e vet mbështetja që qeveria u jep monopoleve dhe oligarkisë?
Në nivelin prej 13% të tatimeve mbi të ardhurat, nivel ky që është “drejtësisht i barabartë”
për oligarkët dhe për popullsinë e mjerë të vendit. Një nivel ky i
barabartë për blerjen e një jahti prej një pasaniku dhe të një buke për
një varfanjak. Po se mos vetëm këtu qëndron “drejtësia sociale”!
Shikoni
përkrahjen që u jepet monopoleve për grabitjen e vendit dhe të
popullsisë përmes tarifave në fushën e energjetikës. Në Rusinë
varfanjake që noton në naftë deri në vesh, benzina është më e shtrenjtë
sesa në Amerikë që importon naftë. Dhe çmimet e lëndëve djegëse
vazhdojnë të rriten, të rriten dhe të rriten.
Deri kur kështu? Deri në cakun e durimit tonë.
Në
vitin 2009, që ishte një vit krize, në Rusi u rrit dyfish numri i
dollaromiliarderëve, kurse 15-20% e popullsisë, me rublat e së cilës ata
u bënë edhe më të pasur, u katandis në një varfëri të skajshme, me një
minimum jetese deri në 50-100 rubla (2-4 dollarë) në ditë.
Ku
shprehet qëndrimi i egër ndaj pjesës më të mjeruar të popullsisë? Siç
është bërë e ditur nga mjetet e informimit masiv, minimumi mesatar i
jetesës arrin në 5518 rubla, ndërkohë që paga minimale që marrin
qytetarët arrin në 4430 rubla.
Pa
e vrarë fare mendjen, me një të zhgrapsur të lapsit të një burokrati
qeveritar, ngrihen si pa gjë të keqe çmimet e elektroshtëpijakeve. Kjo
çon në rritjen e qirasë së banesave, në rritjen e çmimeve të mallrave
ushqimore, të produkteve të konsumit. Popullit i shkurtohen si pa gjë të
keqe mjetet e jetesës, por nuk ekziston ndonjë mekanizëm për
zëvendësimin e rezervave të shkurtuara. Vazhdon grabitja e popullit që
bëhet në një mënyrë të planifikuar.
Pasanikët sa vijnë e bëhen gjithnjë e më të pasur, kurse varfanjakët gjithnjë e më të varfër.
Këtu qëndron tërë thelbi i politikës.
Cili
është numri i njerëzve varfanjakë? Të dhënat e statistikës nuk janë për
t’u lëvduar, por, sipas disa shifrave të tërthorta, ky numër arrin deri
në 15-20% të popullsisë së aftë për punë, shto këtu edhe të papunët që
nuk gëzojnë përkrahje sociale, plus invalidët dhe pensionistët. Sipas
një informacioni që ka mundur të dalë nga Fondi i Pensioneve të
Federatës Ruse për mjetet e informimit masiv, 17% e popullsisë së aftë
për punë, merr një pagë zyrtare që arrin në më pak se 1000 rubla në
muaj.
Mendoj
se një gjë e tillë nuk vjen nga të ardhurat e larta. Njerëzit janë jo
dhe aq budallenj që të mos mendojnë për të ardhmen, sesa të varfër për
të mos qenë të uritur në ditët e sotme.
Nga
të ardhurat e pakta të popullsisë, shteti, me duart e monopoleve të
energjetikës, zhvat mjetet e fundit të jetesës në formën e pagesave për
blerje banesash. Apartamentet, të cilat në kohën e Bashkimit Sovjetik
jepeshin falas, për pronarët e tyre tani janë kthyer në një lak që po u
merr frymën gjithnjë e më shumë. Me politikën e privatizimit, njerëzit
ranë “në grep”, si puna e peshkut. Nëpër fshatra dhe
qytete të vogla, apartamentet nuk mund të shiten se s’ka se kush t’i
blejë, njerëzit s’kanë para. Qiraja e banesave ka arritur nivelin e
pagës minimale. Për popullsinë varfanjake kanë mbetur vetëm dy
alternative: ose të mbetet
në mëshirën e urisë, duke paguar qiranë e banesës, ose të flaket jashtë
dhe të vdesë rrugëve. Qindra mijë familje në mbarë vendin kanë borxhe
me shtyrje afati për të paguar për banesën e tyre.
Atëherë
lind pyetja: në rastin konkret, me çfarë po merren strukturat e
shërbimit shtetëror? Mos po ju shkon gjë mendja se ato po përkujdesen se
si të shtojnë të ardhurat e popullit, të ulin qiranë e banesave apo të
pakësojnë tarifat e energjetikës? Jo.
Ato
merren me inventarizimin e pasurisë së shtresës së varfër, ndërpresin
furnizimin me gaz, me energji elektrike të apartamenteve dhe rrinë e
vrasin mendjen se ku t’i degdisin varfanjakët e gjorë pasi t’u kenë
marrë banesën e tyre. Mos ndoshta duhen ngritur kampe përqendrimi dhe
krematoriume për fakirfukaranë? Një gjë e tillë, për çdo rast, do të
ishte më “humane” (që varfanjakët të mos torturohen) dhe
më e sigurt për luksin e autoriteteve shtetërore. Se njerëzit e gjallë,
të uritur dhe pa një çati mbi kokë, në fund të fundit, mund të
strehohen nëpër pallatet e vetë oligarkëve dhe të burokratëve që mbajnë
poste të larta, të
cilët sot vazhdojnë t’i grabitin me politikën e çmimeve.
Dihet se historia, duke u zhvilluar sipas një spiraleje të caktuar, ka prirjen për t’u përsëritur.
Në
qytetin e Vollogdës është hapur një dyqan për shitjen e pasurisë së
konfiskuar. Mos ndoshta ju shkon mendja se atje po shiten jahte,
pallate, makina të shtrenjta, restorane, vila, prona këto të të
korruptuarve? Në asnjë mënyrë. Atje shiten vjetërsira të jetës së
përditshme të atyre njerëzve, kundër të cilëve është drejtuar makina
represive shtetërore, pra, të njerëzve të pambrojtur. Me këta hesapet
mund të qërohen më thjesht. Duke iu rrëmbyer atyre vjetërsirën e fundit,
ju, autoritetet e vendit, me këtë poshtërim moral, jeni duke i zhdukur
ata edhe fizikisht. Nga vuajtjet dhe gjendja pa rrugëdalje, njerëzit
detyrohen t’u kthehen pijeve alkoolike, drogës, fillojnë e
degradojnë, sëmuren nga insultet, nga goditjet në zemër dhe vdesin para
kohe. Se i thonë një fjale, “njeriu nuk rron vetëm për të ngrënë”.
Në
ditët tona, në shumë rajone të Siberisë dhe të pjesës evropiane të
Rusisë, popullsia është pakësuar deri në 10%. Mjerimi dhe problemet e
përhershme, të cilat ia krijon popullit “partia e punëve konkrete”, sa
vjen e po i kosit njerëzit, si puna e murtajës, si puna e vërshimit të
ujërave pranverore që gërryejnë dhe mbulojnë brigjet e lumenjve, duke
shembur gjithnjë e më shumë shtresat e reja të shoqërisë.
Sipas
parashikimeve të disa analistëve, pas pesëdhjetë vjetësh, numri i
popullsisë ruse do të pakësohet trefish. Dhe një fakt i tillë ka të
ngjarë që të mos ngjallë shqetësime. Për më tepër, po vazhdon presioni
që ushtrohet mbi popullin me anë të politikës së çmimeve. Kush do të
përkujdeset për popullsinë e Rusisë, të zhveshur nga të drejtat dhe që
është në zhdukje e sipër?
Në
Kushtetutën e Rusisë (ligjin themeltar të shtetit), të aprovuar pas një
votimi mbarëpopullor më 12 dhjetor 1993, është shkruar:
Neni
2. Njeriu, të drejtat dhe liritë e tij përfaqësojnë vlerën më supreme.
Njohja, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të
qytetarit janë detyrë e shtetit.
Neni
7. Federata Ruse është një shtet social, politika e të cilit ka për
qëllim krijimin e kushteve që sigurojnë një jetesë dinjitoze dhe
zhvillimin e lirë të njeriut.
A po ndodh kështu në të vërtetë? A është duke u respektuar Kushtetuta, ligji themeltar?
Që
të respektohet ligji, ai duhet njohur. Me siguri që faktin se vlera më
supreme na qenka Njeriu, shumë nga përfaqësuesit e autoriteteve
shtetërore nuk e njohin. Nuk e njohin, nuk duan ta njohin se vetë ata
jetojnë në kurriz të popullit dhe janë të detyruar t’u
shërbejnë interesave të tij. T’i shërbesh, do të thotë ta ndihmosh, jo
ta shtypësh me anë të çmimeve dhe të taksave, dhe jo t’ia kufizosh të
drejtat me “ligje” të paligjshme.
Prej
pagës minimale prej 4 mijë rublash (që është poshte minimumit të
jetesës), zbriten paratë që i grabiten popullatës me anë të qirasë së
lartë të banesave, e cila është vazhdimisht në rritje, me anë të çmimeve
të produkteve, ç’ka çon në konfiskimin e sendeve të përdorimit të
përditshëm.
Kryetari i qeverisë Vladimir Putin, i cili është burimi i politikës së brendshme ruse, jep këtë përgjigje:
“Ne nuk mund të vjelim nga të pasurit një tatim progresiv”.
Po
si nuk mundkeni? Për të shtypur popullin forcat ju mjaftuakan, kurse
për të kontrolluar të ardhurat e pasanikëve nuk na qenkeni në gjendje?
Pushteti
është i detyruar t’u sigurojë qytetarëve një minimum jetik të
paprekshëm. Në të kundërt, një shtet i tillë na shërbyeka si një makinë
që përdoret për asgjësimin e popullit. Në qoftë se nuk na qenkeni në
gjendje për të siguruar një drejtësi shoqërore, atëherë pyesni se si
duhet bërë një gjë e tillë. Nuk na qenkeni në gjendje për të mbrojtur
vlerën më supreme, popullin? Atëherë lironi vendin për ata që janë në
gjendje!
Në
SHBA, në Evropë, janë në gjendje që t’ua vjelin oligarkëve tatimin
progresiv. Pse atje qenkan në gjendje ta mbrojnë popullsinë nga grabitja
e monopoleve, të paguajnë të ardhura të mjaftueshme për jetesën, kurse
në vendin tonë jo? Pse, mos vallë organet tona të mbrojtjes së të
drejtave të njeriut na qenkan më të pazonja, nuk qenkan të afta për të
ushtruar kontroll? Janë të afta! Janë dhe kanë shumë dëshirë të vendosin
rregull dhe drejtësi dhe, në radhë të parë, në sferat e larta. Por
pikërisht sferat e larta nuk i lejojnë që ta bëjnë një gjë të tillë. Për
më tepër, nuk i lejojnë të shprehin publikisht as mendimin e tyre, të
kundërt me mendimin zyrtar.
Nuk u ardhka ndot, ore “zotërinj të mirë”, që
t’i shërbeni zhdukjes së popullit? Mua më vjen ndot kur shikoj se si
lahen hesapet me fakirfukaranë. Sipas Kushtetutës, kush na e paska të
drejtën për t’i ndaluar zgjedhësit të votojnë “kundër partive”? Askush.
Zgjedhjet e lira janë pushteti më suprem. Dhe askush nuk ka të drejtë
t’i kufizojë zgjedhjet, me çfarëdolloj mënyre qoftë
Kur
vëren se si njerëzve, të zhveshur nga të drejtat, u mohohet mundësia
për të zgjedhur përfaqësuesit e vet deputetë, nuk u lejohet të votojnë
kundër një sistemi që i imponohet shoqërisë (vota kundër nuk lejohet),
të vjen të vësh ulërimën për popullin e mashtruar rus që është në
rrallim e sipër.
Me
heqjen e pragut të poshtëm të daljes në votime, është shmangur kësisoj
edhe niveli i ulët i pranimit të legjitimitetit të pushtetit. Pushteti i
siguroi vetes të drejtën për t’u vetëzgjedhur.
Populli nuk mund të drejtohet vetëm me “kërbaç”, ky duhet të shërbejë si mjet i skajshëm dhe vetëm në “një dorë” që mban drejtësi.
Është
e domosdoshme që pushteti ekzekutiv të jetë nën kontrollin e përhershëm
të ligjvënësve. Kurse pushteti legjislativ, pushteti i deputetëve,
duhet kompletuar (jo me udhëheqës partish, poshtë vetes), por, sipas
Kushtetutës, përmes zgjedhjeve të lira dhe të pavarura.
Duke
mos i shërbyer popullit ndershmërisht, duhet larguar nga pushteti
ndërgjegjësisht. Se do të vijë dita të gjykoheni për mungesë
ndershmërie. Festja do t’u vihet sipas kokës. Me kutin që po matni,
ashtu edhe do t’ju masin.