“Varroseni trupin tim dhe mos ndërtoni asnjë monument për mua. M’i lini duart jashtë varrit, që njerëzit të kuptojnë, se, ai që fitoi botën, vdiq duarthatë!” (Aleksandri i Madh)
(Thëngjilli, edhe kur s’është gacë, prapë nxin)
Shkruan: Riza GREIÇEVCI
Fshehtësia e fatkeqësive tona është, sepse ne humbim bukur shumë kohë të lirë për të mësuar:
A jemi të pasur apo nuk jemi të pasur? A jemi miliarderë, a nuk jemi miliarderë? Nëse jemi miliarderë si të mbrohemi nga falimentimi (humbja). Nëse nuk jemi miliarderë, pa tjetër duhet me gjetë metoda e mjete për të arritur këtë “meritë”. Po de po: Ne humbim shumë kohë dhe djegim mjete materiale për të ditur: Nëse nuk jemi te fuqishëm duhet shqyrtuar gjendjen: Pse nuk jemi, dhe nëse duhet të jemi, kur do të jemi? Atëherë njeriu i kapërthyer me halle e telashe e skamje e papunësi, sikur bën një vepër për lakmi, një vepër që ka peshën e gjykimit të drejtë dhe proteston dhe pyet: O ligje, o drejtësi: Kot u shpallni luftë njerëzve të këqij, po s’e luftoni shkakun që i bën njerëzit të këqij. Nëse do ta kuptosh karakterin (moralin) e dikujt, shikoja sjelljet e tija me personat që nuk i nevojiten me.” Natyrisht: “Mos i jep njeriut çdo ditë peshk për të ngrënë, por mësoje ai vetë të zërë peshk“
Kush luan me zjarr, digjet vetë!
Në vend të dashurisë, në vend të pasurisë, në vend të famës prej perandori, mbreti o sheiku, ma jepni të vërtetën! Mik, mos harro: Hija jote nuk vritet pas teje, duke u përplasur nëpër shkallë. Lëre hijen tënde të bjerë, ajo nuk vdes pa vdekur edhe ti, ajo nuk laget pa u lagur edhe ti, ajo nuk digjet pa u djegur edhe ti, mos e çaj kokën, dhe vetë qëndro në jetë gjithmonë pip e me dinjitet, në daç të te përngjajë ty hija jote! Jeni lajthitur, o mik, kur përpiqeni dhe harxhoni çastet më të mira të jetës me u matë jo me hijen tënde, por me u matë me njerëzit e tjerë, që populli, Evropa, bota perëndimore njeh vlerat e tij paqësore, intelektuale, ia njohin mundësitë, aftësitë politike, demokratike. Mos i lakmo vetëm hijes tënde, sepse: Të tjerët, duke parë hijen tënde krejt ndryshe të shohin brendapërbrenda dhe jashtë teje, ata mund të kenë për ty opinione krejt të kundërta me ato që ke ti për veten tënde. Nëse ke halle, skamje, mos ke mërzi, ato kalojnë, ikin si ujët nën urë, vijnë çaste më të mira, por nëse ke telashe me vetveten, të lëpiu maçorri: S’ke kujt t’i ankohesh! Kot e ke! Nëse ke telashe me vetveten, ilaçin kërkoje vetëm brenda vetvetes. Ka ilaç, ka, të pranosh se je një torollak, i dështuar, mëkatar je edhe ti si ata që i fajëson...Do të bindesh, ani, ti vazhdo të mos i besosh askujt që nuk flet e nuk mendon e nuk kërkon sikur ju, por, njerëzore është së paku të pranosh përvojën e hidhur të popullit: “Vetëm soji i maces i ha këlyshët e vet!”.
Miqtë jobesnikë janë si orët e diellit
Unë që s'të vrava kam pjesën tënde të vdekur,
kurse ti që më vrave mua, ke pjesën time të gjallë....
Ta kesh në kujtesën tënde, pse jo, të bën mirë, të ndihmon të dish: Lakmia, mburrja, janë si thëngjilli, që, edhe kur nuk është gacë, prapë nxin. Mos u fsheh pas Zotit! Mos u bë tebdil para popullit. Zoti vonon, por s’harron. Populli fal, por s’harron. Ata që përpiqen me u fshehë pas Zotit, me u bërë tebdil dhe shpëtimtar para popullit, i ngjasojnë asaj popullores: Miqtë jobesnikë janë si orët e diellit: Të japin dritë vetëm për sa kohë ka diell! Prandaj, o miku im, mendtari u ka dhuruar brezave të njerëzimit porosinë: “Të lindesh njeri është ligj, të jetosh njeri është art, të vdesësh njeri është pavdekësi!”. Populli bën me dije: “Një palë njerëzish e fitojnë lumturinë me luftë, disa me dije dhe sakrificë, kur disave vetë u bie në dorë ajo!”
“Gozhdët i hoqe, budallakun e poqe!”
Ni babë kish pasun veç ni djalë. Trupin e kish sa plepi, zemrën prej lepri. Punë të mbara s’bante kurrë, sepse, thoshte: Po tutna po m’hanë kallukanxhat! Krejt çka prekte dora e tij, e prishte. Krejt çka fliste goja e tij, e fëlliqte. E, budalla marre s’ka! Baba i tij kish ra n’hall. Ni djalë firifiq, edhe atë ma mirë hiç. E gjeti nji ngushëllim: Për secilin budallak që e bante biri i tij, mbi ni dërrasë ngulte nga ni gozhdë. Djali ish zotue ka me i hequn me punë të mbara krejt këto gozhda. Edhe, për habi, ashtu ndodhi. Qe, bre babë, tash djalin e ki t’meçum...Gozhdat e budallakut i hoqa. Po, bir, gozhdat i hoqe, budallakun e poqe! Medet, për jetë e mot s’do të mbyllen birat e budallakut tonë!