SHEZAI RROKAJ
Integrimi i shoqërisë shqiptare në botën globale sjell ipso facto një larmi marrëdhëniesh komunikimi shumëplanëshe, ndër të cilat, si rrjedhojë e kësaj hapjeje, ato gjuhësore zënë një vend të posaçëm. Në mënyrë të përgjithshme, volendo dolendo edhe gjuha hyn në një marrëdhënie kërkesë-ofertë për t’iu përgjigjur nevojave të shoqërisë.
Në mënyrë të veçantë kjo duhet kuptuar se individët u drejtohen fjalëve dhe strukturave të huaja në varësi edhe të nivelit individual të njohjes dhe zotërimit aktiv a pasiv të gjuhës amtare. Krahas kësaj, qasjen gjuhësore ndaj së huajës e kushtëzojnë edhe një sërë faktorësh psikologjikë, pragmatikë, etikë e shoqërorë, që shfaqen përmes ndjenjave të egocentrizmit, snobizmit, të ashtuquajturit prestigj a regjistër i lartë komunikimi a kulturimi, që sjellin si efekt krijimin e një distance a veçimi ndërmjet individëve. Fakt është se në këtë përballje midis gjuhës së huaj dhe gjuhës amtare hyjnë në lojë si niveli vetëdijes për gjuhën amtare dhe gjuhën e huaj, nga njëra anë, ashtu dhe utilitarizmi kontekstual, rrethanor, nga ana tjetër.
Për gjuhën shqipe ngjarjet e viteve ’90 shënuan lëvizje gjeopolitike dhe demografike, të cilat doemos do të kishin pasojat përkatëse në fushë të shqipes në tërësi dhe të standardit të saj në veçanti. Lëvizja e brendshme gjuhësore në arealin shqipfolës eci krahas trysnisë së gjuhëve të huaja, kryesisht anglishtes. Këta faktorë e kanë vënë shqipen në një situatë “përzierjeje gjuhësore”, ku konceptet klasike mbi dialektin, të folmen, sociolektin, gjithëgjuhën, standardin, regjistrat e komunikimit kërkojnë një përkufizim të ri brenda arealit gjuhësor shqipfolës dhe ku marrëdhëniet midis tyre duhet të kundrohen nga pikëpamja e gjuhës në përdorim. Si dhe në raste të tjera, për gjuhë e popuj të ndryshëm në fazën e parë të “goditjes gjuhësore” (p.sh. situata mbas Luftës së Dytë Botërore me depërtimin e anglishtes në disa gjuhë të Europës nëpërmjet zbatimit të planit “Marshall”), trysnia e gjuhës ardhëse (në rastin konkret të anglicizmave) është më e fortë sesa aftësia qëndrestare e gjuhës pritëse. Nga ana tjetër, këto dy parametra lëvizin pozitivisht ose negativisht në funksion të drejtë me disa faktorë, ndër të cilët përmbledhtazi mund të përmendim:
a) Frekuencën dhe forcën e trysnisë së gjuhës ardhëse, nga njëra anë, dhe të qëndresës së gjuhës pritëse, nga ana tjetër;
b) kohëzgjatjen e përballjes së ndërsjellë të tyre;
c) synimin e folësve të gjuhëve përkatëse;
d) shkallën e zotërimit të gjuhës pritëse nga folësit në gjithë shtrirjen e arealit gjuhësor;
e) nevojën shoqërore të gjuhës pritëse për lëndë gjuhësore të gjuhës ardhëse për t’iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë ndaj hapjes globale;
f) nivelin e njësimit të standardit të gjuhës pritëse për të mënjanuar kakofoninë gjuhësore që krijohet midis këtij të fundit dhe prurjeve dialektore, e të dyja bashkë ndaj huazimeve në ekspansion;
g) përkujdesjen e institucioneve që merren me mësimin, pasurimin dhe ruajtjen e gjuhës, letërsisë dhe të kulturës kombëtare etj.
Të gjithë këta faktorë veprojnë, diku më shumë diku më pak, herë të gjithë bashkë e herë në mënyrë të grupuar. Në ndonjë studim të veçantë ata meritojnë të analizohen rast pas rasti dhe konkretisht lidhur me efektin e tyre mbi gjuhën shqipe. Pa dashur të hyjmë në këtë analizë, është fakt se, ashtu si edhe në rastet për gjuhë të tjera, në periudha politiko-shoqërore kalimtare faktorët që lidhen me trysninë janë dominues dhe faktorët që lidhen me qëndresën janë në tërheqje. Në këtë fazë, folësit e gjuhës, të përballur me realitete të papritura, që veprojnë me frekuencë të lartë dhe që lëkundin status quo-në e tyre në kufijtë e mbijetesës, nuk mund të kenë vetëdije të qetë gjuhësore në mbrojtje të gjuhës amtare. Pragmatizmi për mbijetesë rrit nevojën për një komunikim global utilitar që shtrihet përtej caqeve të idiomës kombëtare.
Në kushtet e sotme të shoqërisë shqiptare trysnia e gjuhëve të vendeve të fuqishme politikisht dhe ekonomikisht me të cilat jemi në kontakt, është shumë e fuqishme. Kjo trysni është e pashmangshme në fazat e para të hapjes ndaj botës. Fjalët dhe strukturat e huaja vërshojnë nga të gjitha anët, aq sa të krijohet përshtypja se po ia marrin frymën gjuhës. Mirëpo, hap pas hapi, folësit do të fillojnë të reagojnë me vetëdijen e vetëmbrojtjes, do të shtien në punë kujtesën e përbashkët për të kërkuar brenda gjuhës që përdorin gjegjëset e tyre dhe, vetëm kur bëhet i pamundur zëvendësimi, atëherë do të pranojnë t’i përdorin, duke ua nënshtruar sistemit të gjuhës së tyre. Sa më i plotë të jetë standardi i një gjuhe nga pikëpamja e gjithëpërfshirjes gjuhësore anekënd dhe masës së folësve që e përdorin, aq më shumë rritet qëndresa ndaj trysnisë së huazimeve.
Është e drejtë të shqetësohemi kur përditë veshët na dëgjojnë dhe sytë na shohin përçudnime të tilla në shtyp, si: kishin mundur të fitonin duke aplikuar me emrin e firmës (duke përdorur emrin e ndërmarrjes), çamët do të diskutohen në Athinë (çështja çame do të diskutohet), bëj mjekun, bëj mësuesin (është mjek, mësues), konvertoj paratë (këmbej), bord (kryesi, komision), integritet (tërësi), krucial (i qenësishëm), kredibilitet (besim), fazë tranzicioni (kalimtare), takoi Bush (Bushin), debolesë (dobësi), axhendë (rend dite), demilitarizim (çmilitarizim), handikap (pengesë, paaftësi), konfrontimi (ballafaqimi), Aa! (Ëë), Aha (Ëhë), bla-bla-bla (llaka-llaka, dërr-dërr, gam-gam), jeni të mirëpritur (mirardhshi), kontaktoni me numrat (lidhuni me), i avancuar (i përparuar), divergjencë (papajtueshmëri), konfidencë (mirëbesim), novacion (risi) Ok! (Po!, mirë), i dha ok (i dha pëlqimin), salutoj (përshëndes), përfitoj nga rasti t’Ju shpreh komplimentet e mia (përgëzimet), komunitet (bashkësi), abonohem (pajtohem), aprovoj (miratoj), publicitet (reklamë), gelateria (akullore), pastiçeria (ëmbëltore), pizzeria (piceri), adoptoj (birësoj), adaptoj (përshtas); primar (parësor), seleksionoj (përzgjedh), intermediar (ndërmjetës), përtej kësaj (pavarësisht nga kjo), premio (çmim), nacionale (kombëtare), pankinë (stol), GDP (PPB), Shërbimi Inteligjent (Shërbimi Informativ), komision bipartizan (dypartiak), akomodohem (rehatohem), i agravuar (i rënduar), i relaksuar (i çlodhur), puntatë (seri), involvoj (përfshij), mostër (përbindësh), bravo (të lumtë), selektoj (përzgjedh), shokues (tronditës), ortograf (drejtshkrim), dimension (përmasë), inspirim (frymëzim), show (shfaqje), kreativ (krijues), konkluzion (përfundim), dedikoj (kushtoj), koincidencë (rastësi), inauguroj (përuroj), iniciativë (nismë), kauzë (çështje), evitoj (shmang/mënjanoj), kuroj (kujdesem), starton (fillon), kualitet (cilësi), konto (ulje çmimesh), konstatoj (vërej), civilizim (qytetërim), indiferent (mospërfillës), violencë (dhunë), ambient (mjedis), kuantitet (sasi), sensibilizim (ndërgjegjësim), interaktiv (bashkëveprues), destinacion (vendmbërritje), preferoj (parapëlqej), imagjinoj (përfytyroj), fans (adhurues), predominon (mbizotëron), eksperiencë (përvojë), downlodoj (shkarkoj), uplodoj (ngarkoj), net (rrjet), risk (rrezik), spostoj (zhvendos), suportoj (duroj/mbështes), posedoj (zotëroj), i limituar (i kufizuar), spiker (folës/drejtues), infinit (pafundësi), improvizuar (i sajuar), vakant (i lirë), look (pamje), barrierë (pengesë) etj.
Mirëpo edhe teoritë a qëndrimet e ndryshme për purizëm gjuhësor a për një prirje të skajshme në kulturën e gjuhës janë vetëm ideale teorike, sepse gjuha reflekton lëvizjet shoqërore, të cilat kushtëzojnë sjelljen e saj. Si edhe gjuhët tjera, edhe shqipja ka huazuar dhe do të huazojë nga gjuhët e tjera, sot kryesisht nga anglishtja. Për aq kohë sa huazimi shihet si nevojë apo si mjet pasurimi i gjuhës amtare, që vjen nga kërkesat e shoqërisë në marrëdhëniet e saj më shoqëri të tjera, mund të themi se ai duhet parë pozitivisht. Shoqëritë, gjuhët e kulturat e tyre nuk mund të mbijetojnë duke u mbyllur e izoluar, përkundrazi, hapja dhe përballja midis tyre rrit aftësinë konkurruese e rezistencën për mbijetesë. Nga ana tjetër, kur huazimi bëhet i dhunshëm (luftërat, kolonializmi etj.) dhe është rezultat i politikave asimiluese me qëllim vendosjen e një superstrati të ri mbi substratin ekzistues, atëherë bashkësia gjuhësore duhet të reagojë në mbrojtje të identitetit të saj dhe gjuhës si mishërim shpirtëror e material të saj.
Në gjendjen e sotme të gjuhës shqipe mendoj se duhet të mbahen këto qëndrime ndaj huazimeve:
1. Të marrim vetëm atë që është e nevojshme dhe që i shërben funksionimit të jetës në bashkësinë shqipfolëse.
2. Të vendosim rregulla të qarta për zbatimin e parimit fonetik në drejtshkrim.
3. Të vendosim rregulla të qarta për zbatimin e parimit gramatikor.
4. Institucionet e shtetit (administrata, shkollat, qendrat kërkimore, mediat dhe letërsia, aktet normative etj.) duhet të mbrojnë me përgjegjësi kombëtare gjuhën amtare.
5. Vetë shoqëria duhet të nxitë vetëdijen gjuhësore shqipfolëse nëpërmjet kulturimit të përhershëm në gjuhën amtare,
6. Të vazhdohet me zgjerimin e standardit me prurje dialektore për të hapur edhe më bazën e tij gjuhësore e për të rritur në këtë mënyrë aftësinë e tij qëndrestare.
Në përfundim mund të themi se gjuha shqipe po kalon këto dy dekadat e fundit një fazë shumë të rëndësishme të jetës së saj.
Së pari, duhet kuptuar se dukuri të kësaj natyre kanë ndodhur e do të ndodhin, si për shqipen, ashtu edhe për gjuhë të tjera. Dhe kjo varet nga rëndësia që marrin faktorët jashtëgjuhësorë, të cilët kushtëzojnë lëvizje të shpejta në gjuhë. Huazimet janë edhe rrugë pasurimi për gjuhët kur huazohen njësi a struktura fjalëformuese për të cilat ka nevojë shoqëria dhe që i përshtaten sistemit të gjuhës amtare gjatë procesit të asimilimit të tyre. Kjo ka ndodhur për shqipen dhe për gjuhë të tjera. Mirëpo, gjuha shqipe u ka bërë ballë huazimeve, duke e ruajtur identitetin e saj, edhe kur i mungonin institucionet e kur shteti ishte thuajse i paqenë dhe kjo, falë përpjekjeve të folësve e të korifenjve të fjalës shqipe, që i shndërruan këto përpjekje në simbol të qëndresës për ruajtjen e qenësisë shqiptare. Sot situata është krejt ndryshe: kemi dy shtete, dhjetëra institucione kërkimore e shkollore, një media të fuqishme dhe një popull të arsimuar. Ndaj nuk ka vend për t’u alarmuar, por për t’u shqetësuar dhe për të shtuar përpjekjet për rritjen e vetëdijes kombëtare, të vlerave shpirtërore e materiale, të historisë e territorit, traditave e zakoneve tona të mrekullueshme, me të cilat lidhet e identifikohet vetë qenia jonë.
Së dyti, duhet studiuar mirë se çfarë po i ndodh gjuhës shqipe në qasjen ndaj saj prej grupmoshave që kanë jetuar realitete shoqërore të ndryshme, të cilat kanë reflektuar në gjuhë një larmi perceptimesh e kuptimesh në kufijtë formalë të shënjuesve. Duhet studiuar më mirë se çfarë po ndodh në arealin gjithëshqiptar. Duhet kundruar më nga afër gjuha në kapërcyellin e brezave dhe të sistemeve ideologjike e politike dhe të hapjes së saj drejt shoqërisë globale. Këto ndryshime sjellin ndryshime në vizionin tonë ndaj botës, në perceptimin e saj, që reflektohet detyrimisht në gjuhë.
Sidoqoftë, gjeopolitika e re ka krijuar gjasa reale që gjuha shqipe të lëvizë pa kurrfarë pengese në të gjitha arteriet e saj. Ajo po merr frymë lirisht: hapi i parë i kësaj lirie është kur çdo shqiptar ndërgjegjësohet për tërësinë e vlerave që i përkasin. Ndër to ajo më e madhja, më e vyera është gjuha shqipe, një amanet i të parëve, pjesë e vetëqenies sonë, e identitetit kombëtar dhe e vetë shqiptarësisë.