Driçim Çaka
Çfarë do të thotë të jetosh në Qytetin Studenti, flasin të rinjtë. Jeta ndryshe me lokalet, qendrat e internetit dhe “Play Station”-at.
Një rrugë me gropa dhe një tabelë e vjetër me mbishkrimin “Mirë se vini në Qytetin Studenti”, nuk do të thotë asgjë përballë fytyrave të qeshura të mijëra të rinjve që hyjnë dhe dalin nga vendi ku lindi demokracia në Shqipëri. Është Qyteti Studenti, një qytet brenda kryeqytetit! Vendi ku kanë studiuar breza të tërë shqiptarësh. Sapo futesh, dallohet një zonë mbushur me të rinj dhe të reja. Dikush nxiton të arrijë orën e parë të mësimit, të tjerë vijnë rreth e rrotull për t’u njohur me zonën dhe dallohen qartë që janë studentët e rinj që sapo kanë mbërritur. Duke hyrë, dallojmë godinat njëra pas tjetrës që duket sikur kanë vetëm një synim: Të strehojnë sa më shumë studentë! Dhe ja ku dalim përballë sheshit “Demokracia”! Në momentin që e shikon, të vijnë ndërmend pamjet nga protestat e studentëve të vitit 1990. Pemët dhe gjelbërimi i japin më shumë kuptim një ndër vendeve që është simboli i rënies së diktaturës. Vazhdojmë rrugën për në qendrën e Qytetit Studenti. Dy policë në hyrje nuk na lejojnë të futemi me makinë dhe rrugën duhet ta vazhdojmë në këmbë. Diçka ka ndryshuar nga herët e tjera! Ka më shumë hapësira, rrugët janë zgjeruar dhe menjëherë na vjen ndërmend aksioni i policisë pak ditë më parë për të çliruar hapësirat publike. Nuk ka më lokale, me tenda të cilat arrinin deri në rrugë dhe nuk ka më kioska përballë godinave.
Studentët
Studentët mbushin çdo ditë rrugët e Qytetit Studenti, pavarësisht se në ndonjë cep qëndrojnë të moshuar që luajnë domino, por para tyre kalojnë dhjetëra të rinj dhe të reja. U drejtohemi godinave të strehimit. Menjëherë roja na del përpara, duke na u drejtuar me zë të lartë: “Nuk lejohet hyrja”. Do të duhet ndërhyrja e kujdestarit që rojës t’i ulen “nervat” dhe të kemi mundësinë që të komunikojmë me ndonjë student. Nga ana e kujdestarit na bëhet e qartë se mund të presim në korridor ose jashtë, se në dhoma ndalohet kategorikisht hyrja. Pas shumë minutash pritjeje, gjejmë një student të sapoardhur. Gentian Hodo, nga qyteti i Skraparit, është një student i ri. Ka 20 ditë që banon në godinën 23 dhe nuk është mësuar ende me mënyrën se si jetohet larg familjes. “Normal, e kam pak të vështirë, shkollën e mesme e kam kryer në Skrapar dhe kam jetuar gjithmonë me familjen dhe kjo më bën të shkoj çdo fundjavë në shtëpi”, – shprehet Gentiani. Lidhur me kushtet se si jetohet në konvikt, Genti (ashtu siç e thërrasin shokët), stonon pak dhe menjëherë shpreh rezervat e tij. Genti na tregon se “dhomat duken mirë, por s’ka shumë hapësirë”. “Jemi tre çuna dhe duhet të përshtatemi në një dhomë të vogël dhe vetëm me dy dollapë të ngushtë, s’kemi ç’të bëjmë”, – shprehet ai për gazetën. Lidhur me kushtet e tjera ai përmend se nuk ka ndonjë ankesë dhe se pastrueset e bëjnë punën tyre. Duke i uruar suksese në degën që ai ka fituar (Histori), i premtojmë se shqetësimin e tij do ta bëjmë publik edhe për Drejtorinë e Qytetit Studenti. Vazhdojmë duke kërkuar një godinë që strehon vajza dhe ja ku jemi te bujtina 24-25. Hyjnë dhe dalin aq shumë, vajza se e kemi të vështirë t’i drejtohemi ndonjërës për t’i marrë një prononcim. Dhe siç duket, Enkeleda është një studente e vjetër dhe nuk ka “turp” që të flasë për mediat. Ajo vazhdon studimet master për Gjuhë-Letërsi dhe është viti i katërt që jeton në godinën 24. Kushtet në konvikt, sipas saj, nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim, përveç ngjyrave. “Të njëjtat kushte, vetëm ngjyra e konviktit ose e ambienteve brenda ndryshon. Tarifa ka dy vjet që rritet, por kushtet mbeten të njëjta”, – thotë Enkeleda për gazetën. Enkeleda vë theksin te një ndryshim rrënjësor në konvikte, pasi në një dhomë rrinë aq shumë studentë, sa është e vështirë të jetohet. “Ne jemi katër goca në një dhomë dhe kemi shumë problem për hapësirë. Dhomën e përdorim vetëm për të fjetur ose për të qëndruar në krevat dhe për të lexuar shkojmë në sallën e studimit”, – përmend ajo. Duke vazhduar ankesat e saj, Enkeleda, si pa dashje, na thotë që “me hapësirën që na është lënë, vitin tjetër ndoshta do flemë si te dhoma …, ku 2 goca flenë në një krevat”. Pa dashur të na tregojë më shumë për këtë dukuri, që duket se lidhet me shkaqet ekonomike, Enkeleda si shumë të rinj të tjerë kërkon ndryshime dhe rindarjen e studentëve nëpër dhoma.
Krizë, por lokalet… të tejmbushura
Duke lënë godinat e strehimit, drejtohemi në atë që studentët e quajnë “qendra e Qytetit Studenti”. Menjëherë bien në sy lokalet ngjitur me njëri-tjetrin, që duket sikur rivalizojnë se kush do t’i tërheqë më shumë studentët. Dhe, siç duket, të gjithë ia kanë arritur qëllimit. Pavarësisht se është ora 10 e paradites, lokalet janë të tejmbushura. Kudo shikon të rinj që shijojnë kafen e mëngjesit. Pas lokaleve bien në sy qindrat e internetit dhe “Play Station”-at. Janë disa dhe kanë zënë ato pak hapësira që kanë mundur. Pronari i një “Play Station”-i na tregon se puna ecën mirë dhe shumë djem pas mesditës qëndrojnë për disa orë duke luajtur futboll dhe gara me makina. Edhe qindrat e internetit duke se janë një mënyrë për të shtyrë kohën, pasi që në orët e para të mëngjesit ka me dhjetëra studentë që hyjnë e dalin. Dikush për të bërë ndonjë printim apo fotokopje, ndërsa të tjerët për të kontrolluar faqen më të klikuar, “Facebook”. Godinat janë të rrethuara me gjelbërim dhe e bëjnë më të lehtë shëtitjen e studentëve, sidomos në këto ditë me diell. Në dalje të Qytetit Studenti qëndron një gazetashitës. “Eee, ku duan t’ia dinë për gazeta studentë, – na drejtohet ai, – ndonjë rast të rrallë, kur ka lajme të forta për arsimin, gazetat më shumë i blejnë të moshuarit dhe moshat e mesme”, – thekson gazetashitësi. Kur largohesh, ky qytet të lë një mbresë të rrallë. Janë të shumtë ata njerëz që kanë jetuar aty dhe do të donin të riktheheshin edhe një herë, të përjetonin edhe një herë të qenët “studentë në Qytetin Studenti”.