2013-10-27

Unioni ballkanik, shëmbëlltyra e re e “bashkim vëllazërimit” të dështuar


Nga Dr. Sulejman ABAZI (NESHAJ) 


Serbi – Shqipëri – Mali i Zi – Maqedoni – Bosnje Hercegovinë. Ku është shteti i Kosovës në këtë “strukturë” politike? Prej këtyre vendeve, vetëm Republika e Shqipërisë është anëtarë e NATO-s. Çfarë problemesh ka Kosova sot me faktorin ndërkombëtar? Cila është e ardhmja e pavarësisë së saj brenda këtij “unioni”? Cilat mund të jenë pasojat e krizës së fshehur në Bosnje Hercegovinë! Si do të mund të sillen shqiptarët brenda krizës etnike në shtetin e Maqedonisë dhe brenda shtetit të Serbisë! Kujt i intereson të ketë nisma të tilla me natyrë politike në rajon?! Qëndrimi politiko-diplomatik i Republikës së Shqipërisë. Ka një të vërtetë në këto synime: Normalizimi i marrëdhënieve në rajon është në interesin e të gjithë shteteve dhe popujve. Të gjithë potencialet rajonale duhet të jenë të bashkuara kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve të llojeve të ndryshme, reformimi i sistemit politik tranzitor, ndërtimi i marrëdhënieve të ndërsjellta për të përfituar nga njeri tjetri në interes të integrimit rajonal, me synimin që të gjithë shtete e Ballkanit jugperëndimor të parapërgatiten për t’u anëtarësuar në BE. Me veprime të përbashkëta të paanshme, kjo do t’i pëlqente kujtdo që do ta shikonte këtë nismë politike në këtë kontekst. E parë në fokusin e synimeve dhe kërkesave politike dhe strukturore, të filozofisë që tenton të veprojë brenda këtij “Unioni”, gjykojmë se ai është i papranueshëm për shumë arsye strukturore dhe në veçanti, për tendencat drejt integrimit politik, pasi ka dekada të tëra që tashmë opinioni politiko diplomatik rajonal dhe ndërkombëtar është bindur se, teoria e “bashkim vëllazërimit” e kovaçit Tito ka dështuar.
Shumë kohë më parë, kur doli koncepti i “Federatës Ballkanike”, u gjykua se ish Jugosllavia dhe Bullgaria mund të integroheshin midis tyre, për shkak të të qenit popullsi sllave, por brenda kësaj “federate” nuk e gjenin askund veten popullsia shqiptare e coptuar në 5 shtete dhe në 8 pjesë. Nëse sot kjo filozofi politike do të veprojë, nuk mund të pritet askund ndonjë gjë e mirë, përkundrazi. Ky veprim do të sjellë shumë probleme me popullsinë shqiptare në Kosovë, Kosovën Verilindore, Maqedoni dhe Mal të Zi, pa anashkaluar këtu popullsinë në Sanxhak. Me sa duket, duke e ndjerë këtë reagim gjithëshqiptar, është tërhequr në këtë ndërmarrje politike edhe komisioneri Fyle, i cili “nuk shikon ndonjë gjë të keqe nga ky Union”!! Kaq mendjelehtë duhet të jenë këta komisionerë, që me qëndrimet e tyre prej interesave nga vendet që vijnë, jo vetëm nuk i shërbejnë politikave integruese, por shpesh bëhen ithtarë të dezintegrimeve me pasoja për vetë BE-në. Nisma të tilla që mbështeten edhe nga Fyle, nuk i ka praktika as vetë BE brenda strukturës së saj. He, he, ta hedhim një herë, mbase e hanë shqiptarët!
Rrotull këtij konstatimi do ta trajtojmë këtë analizë politike, për të kuptuar përfundimisht se, në këto nisma politike të humburit janë shqiptarët, veçanërisht Kosova. Analiza demografike e territoreve të këtij “unioni” e nxjerr popullsinë sllave dominuese (veçanërisht popullsinë serbe), ndërsa shqiptarët, boshnjakët, malazezët kalojnë në një pakicë të dukshme. Nëse për boshnjakët dhe malazezët kjo nuk do të përbënte ndonjë problem, për popullsinë shqiptare kjo situatë do të ishte shumë denigruese, në kufijtë e skllavërimit. Ky veprim politik rajonal do ta kthente në nivelin “O” pavarësinë e Kosovës.
Të kërkosh ta ndërtosh bashkëpunimin rajonal në krijimin e strukturave të reja politike drejt shkrirjes, është e papranueshme. Kjo mënyrë do të nxisë pa diskutim më tej konfliktet midis popullsive, të cilat sot nuk janë në raporte të drejta etnike, pra, akoma kanë probleme të kufijve dhe të të drejtave të tyre nacionale. Synimi absurd që trajtohet në bazën e këtij “unioni”, që këto shtete të shkojnë drejt BE-së të pajtuara dhe me marrëdhënie të normalizuara, nuk mund të funksionojë. Këtu jemi akoma në Ballkanin e trazuar. Një tjetër qëndrim politik evropian nuk ka se si të mos u bëjë përshtypje shqiptarëve, kur ata përballen me deklarime tendencioze nga vetë komisionerët se “Shqipëria dhe Kosova do të jenë vendet e fundit të Ballkanit që do të pranohen në BE”!! Këto marrëzi politike tanimë të pranuara, nuk mund t’i mashtrojnë opinionin shqiptar dhe vetë institucionet përfaqësuese shqiptare brenda dha jashtë hapësirës etnike. Pra e thënë shkurt: Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina do të pranohen më përpara në BE se sa shtetet shqiptare. E bukur dhe kjo, kur paracaktohen synimet politike të komisionerëve fobistë mbi radhën e pranimit, duke mos respektuar përpjekjet e këtyre shteteve për të plotësuar kushtet dhe standardet, por duke i klasifikuar anëtarësimet në preferencat personale të vetë komisionerëve.
Ky konstatim sigurisht kërkon më shumë argument, por nuk është qëllim në vetvete në këtë analizë. Gjithsesi, a mund të thotë komisioneri Fyle pse popujt sllavë në Ballkan na qenkan më të privilegjuar që të futen më përpara në BE dhe shqiptarëve ju është paracaktuar të futën atëherë, kur ndoshta vetë BE mund të jetë shpërbërë si strukturë kontinentale? Vërtet mendojnë këtë komisionerë të kollarisur mirë se, Serbia u demokratizua kaq shpejtë, veçanërisht në psikikën e popullit të saj, ku nacionalizmi dhe antishqiptarizmi janë akoma në kufijtë maksimalë?! Fyle dhe të tjerë politikanë në BE e dinë se, shkenca është instanca më e lartë dhe serioze që kërkon respekt. Edhe politika është shkencë, por jo në të gjithë rastet. Ka shumë raste kur politika është art, por arti nuk është shkencë. Brenda këtyre raporteve, cilësia këtu është vlera e evolucionit mendor dhe në këtë proces problemet dhe fenomenet nuk qëndrojnë përherë në vend. Fyle dhe personalitete e tjera të BE-së e dinë se shqiptarët nuk janë më ata të para viteve 97-të. Duhet kujtuar herë pas here edhe pse është pak bezdi, që komisionerët evropianë duhet ta dinë se në shtete të tilla si Serbia, forca udhëheqëse shpirtërore brenda politikës është ortodoksia, e cila nuk është aspak indiferente ndaj politikës që zhvillohet në instancat më të larta të shtetit të Serbisë.
Edhe një parashtrim të thjeshtë.
Pse pikërisht këtë propozim e ka bërë republika e vogël e Malit të Zi?! Ministria e jashtme e këtij vendi u ka dërguar zyrtarisht kërkesën shteteve të projektuara për këtë “union”. Kjo shkresë ka mbërritur edhe në Ministrinë e Jashtme të ish qeverisë shqiptare. Mali i Zi bëri shumë përpjekje deri sa u shkëput nga Serbia, dhe tani na del se i paska ardhur sërish dëshira të jetë në një strukturë politike me Serbinë!! Çfarë i duhet federate Malit të Zi me 36 për qind të popullsisë serbe brenda tij?! Po kujt i duhet kjo federatë? Sigurisht që ky hap politik dhe diplomatik për Malin e Zi është i porositur dhe i nxitur. Ata që e kanë nxitur këtë ndërmarrje politike, shpresojnë se Serbia mund të kthejë sytë nga perëndimi dhe ta shkëpusin atë nga ndikimi i Rusisë. Le të shpresojnë, ashtu dëshirojmë edhe ne. Ndoshta mendojnë se, në një “federatë ballkanike”, mund t’ja shfryjnë identitetin Serbisë, por kjo është një lojë shumë e rrezikshme dhe me pasoja. Nëse mendohet kështu, ndryshe mund të mendojë politika e Serbisë në të ardhmen, e cila e shikon fitimprurëse këtë “union” për shumë arsye. Interes të madh kanë pasuritë e mëdha e të çmuara të Kosovës, dalja në Adriatik nëpërmjet Malit të Zi, fuqizimi i potencialeve me Republikën Serbcka brenda Bosnjes, lidhja e drejtpërdrejtë me aleatin jugor Greqinë nëpërmjet kanalit lundrues në projektim Moravë – Vardar – Selanik etj.
Brenda këtij “unioni” do të dominojnë dy popullsi, popullsia sllave dhe popullsia shqiptare dhe dy gjuhë, ajo serbo – kroatishte dhe gjuha shqipe. Raportet brenda këtij “unioni” shkojnë në 60 për qind me 40 për qind në disfavor të popullsisë shqiptare në Ballkan. Mirë që e kërkojnë këtë “union”, por atij i duhet edhe emri. Si do të quhet ky “union” nëse do të realizohet?! Ky territor që tentohet të futet në këtë bashkim politik, përkon me hapësirën Ilirike të Ballkanit. Mos vallë këtu duhet të gjendet zgjidhja, për ta çrrënjosur termin “Ballkan” me një histori të trazuar, një term i ri, mbetje e Perandorisë Osmane? Këtë e ka propozuar kohë më parë dijetarja e madhe shqiptare, Nermin Vlora. Këtë duhet ta pranojnë sot të gjithë shtetet që janë të shtrira të territoret ilirike. Historia e sjell të vërtetuar që edhe serbët dhe maqedono – thrakasit brenda kësaj popullsie janë shkrirë shekull pas shekulli. Në trajtimin e këtyre problemeve duhet të mbizotërojë një gjuhë kolektive, ku të pranohen kushtet e të gjithë palëve, pa asnjë paragjykim. Vetëm kështu mund të funksionojë ideja e proceseve integruese brenda rajonit. Çdo rrugë tjetër imponimi nga lartë, e njëanshme, e diktuar dhe pa raporte balancimi, është e rrezikshme dhe me pasoja. E thënë shkurt: Me ndërmarrje të tilla mbështetur në mendje komisionerësh me kombësi të ndryshme, BE në vend që të vërë vetullat, do të nxjerrë sytë.
Sipas informacioneve të shpërndara në opinionin shqiptar, rezulton se qeveria Berisha e ka dhënë miratimin për këtë “union”. Kjo, si dhe në shumë raste të tjera, është thika pas shpinës së Kosovës që dhuron ish kryeministri shqiptar. Kjo është tradhëtia e fundit që kjo qeveri i ka lënë dhuratë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tashmë nuk është e udhës të merremi më prapësitë e qeverisë që iku, por se çfarë mund të bëhet për të shpëtuar nga një palë kthetra të reja me mbështetje të vjetër shekullore, që po përgatiten t’i hidhen në fyt Kombit Shqiptar. Diplomacia dhe politika shqiptare mendojmë se është në lartësinë e duhur të analizës dhe trajtimit të këtyre problemeve. Si Legjislativi dhe Ekzekutivi, e deri tek institucioni i Kryetarit të Shtetit, e kuptojnë që kjo është një lëvizje e kamufluar politike, ku interesat e shqiptarëve rrezikohen seriozisht. Institucionet përfaqësuese shqiptare si në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup janë në gjendje të dallojnë plotësimin e standardeve evropiane në mënyrë të pavarur dhe të anashkalojnë bashkime të tilla politike me pasoja të rënda për ardhmërinë. Gjykoj se, edhe pozicioni i politikës dhe diplomacisë shqiptare në rastin konkret, do të jetë adekuat dhe do të përkrahë ato elementë integrues rajonalë që nuk cënojnë vlerat e pavarësisë së Kosovës, drejt sovranitetit të saj. Ky qëndrim përkon në përgjithësi edhe me mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në rajon. Diplomacia shqiptare e kupton se, ndërmarrje të tilla politike në këtë pjesë të Ballkanit bëhen më shumë me synimin drejt Bosnje Hercegovinës, e cila realisht është e ndarë në pjesën serbe dhe atë kroato – boshnjake. Nëse shkohet drejt këtij “unioni”, Bosnje Hercegovina merr fund si federatë. Të gjithë e kuptojnë se me lëvizje të tilla në Ballkan, të gjitha gravitacionet politike do të përfundojnë në Beograd. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë, duke vlerësuar të gjithë mundësitë tona politike, ekonomike e sociale për integrimin e plotë gjithëshqiptar dhe duke respektuar të gjitha ato standarde që na çojnë me dinjitet drejt BE-së.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...