2013-10-27

Ballistët: Enveri vrau 6000 shqiptarë, Rama dhe Meta nostalgjikë -

Ballistët: Enveri vrau 6000 shqiptarë, Rama dhe Meta nostalgjikë









Me rastin e105 vjetorin e lindjes, ballistët dhe zogistët nuk duan as ta kujtojnë dhe as ta nderojnë diktatorin Enver Hoxha. Ndërsa disa politikanë të vendit shprehen për vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, ballistët dhe zogistët shprehen kategorikisht kundër lartësimit në histori të figurës së diktatorit komunist. Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaron se Enveri vrau 6000 shqiptarë dhe se do të mbahet mend në histori për krimet e tij gjakatare. “Enveri dhe kupola e tij kanë vrarë 4000-6000 shqiptarë në ‘43-44 e deri në ‘45. Enveri ka qenë kriminel. Për ne ai do mbetet kriminel dhe gjakatar. Në asnjë vend të botës nuk janë vrarë kaq shumë njerëz, sado komunist të ketë qenë ai sistem. Meta e Rama, që duan ta vlerësojnë, vijnë nga Partia e Punës, që sot është PS”, u shpreh Alimadhi. Ndërsa zërat për ngritjen e bustit të Enver Hoxhës, Alimadhi tha se nuk mund të nderohet një kriminel. Më tej Alimadhi u shpreh se shqiptarët duhet të heqin dorë nga këto kërkesa të çuditshme, të cilat kanë në qendër nderimin e kriminelëve që kanë kryer krime antinjerëzore ndaj popullit të tyre. Alimadhi deklaroi se populli shqiptar duhet të bëjë kujdes për të mos rënë ‘pre’ e kërkesave të tilla, të cilat kërkojnë të nderojnë kriminelin më të madh të Evropës, siç e cilësoi ai Enver Hoxhën. “Shqipëria është vendi i çudirave dhe shqiptarët gënjehen dhe besojnë përralla shumë shpejt. Të mos harrojmë se Hoxha ishte diktatori dhe krimineli më i ndyrë i Evropës”, tha Adriatik Alimadhi.
Kurt Kola
Ish i përndjekuri, Kurt Kola, në një prononcim për gazetën “Sot”, u bën thirrje politikanëve se nuk u takon atyre të bëjnë historinë e vendit, por vetëm historianët. Kola thekson se diktatori Hoxha vrau të gjithë rivalët, ndërsa politika deri më sot nuk hapi dosjet e komunizmit. Sa i takon politikanëve që mbështesin vlerësimin e figurës së diktatorit Hoxha, Kola tha se ata dhe familjet e tyre kanë patur mbështetjen e Enver Hoxhës. “Ilir Meta dhe Sali Berisha mund të flasin dhe të thonë se duhet vlerësuar figura e tij. Flasin kështu, sepse nuk u ka bërë gjë atyre. Ata u ritën me privilegje, me përkrahje. Kur thonë se duhet vlerësuar, çfarë bëri për 50 vjet? I filloi vrasjet me shokët e tij, me Qemal Stafën. Pjesën më të madhe të tyre i vrau gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. E mbylli më pas me kryeministrin Mehmet Shehu”, u shpreh Kola. Ish i përndjekuri Kola, thotë se Enveri do mbetet i pavlerësuar në histori. “Pse nga Lufta Nacionalçlirimtare mbeti vetëm ai? I vrau të gjithë shokët sepse i kishte rivalë. Enver Hoxha do të mbetet si Neroni i Romës. Politikanët të hapin një herë arkivën, të mbledhin një grup historianësh shqiptarë dhe të huaj dhe më pas të dalin në një përfundim; të vlerësohet apo jo. Por, historinë nuk e bëjnë politikanët, por historianët”, tha ai.
Vlerësimi i Enver Hoxhës
Sa i takon vlerësimit të figurës së Enver Hoxhës, kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar, Marko Dajti, depozitoi një kërkesë në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës për të rivendosur në qendër të Tiranës bustin e diktatorit komunist Enver Hoxha. Në letrën drejtuar këshillit, Dajti u kërkoi anëtarëve të tij ta miratojnë këtë kërkesë për të bërë të mundur reflektimin dhe ekuilibrin e shoqërisë shqiptare. “Shtatorja e Enver Hoxhës, edhe kundrejt 'nxehtësisë' së debateve e diskutimeve rreth periudhës komuniste, mendojmë se do të ishte së paku një moment reflektimi drejt një ekuilibri real të gjithë shoqërisë shqiptare me të kaluarën”, shkruan Dajti.
Roshi: Enver Hoxha, Stalini i popullit të tij
Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, në një prononcim për gazetën “Sot”, vlerëson se Enver Hoxha është xhelati i popullit shqiptar. Roshi thekon se, sot është dita për të përçmuar figurën e diktatorit kriminel Enver Hoxha. Ai u bën thirrje politikanëve shqiptarë, kryesisht nostalgjikëve, që të mos ngatërrohen me të tilla çështje, pasi i takon popullit shqiptar dhe historianëve. “Përfaqësuesit politikë duhet të përçojnë në opinionin publik interesin qytetar në tërësi dhe jo satisfaksionin e tyre shpirtëror apo të njerëzve të fundëm që përfaqësojnë. Në këtë kontekst Enver Hoxha është xhelati i popullit të tij. Ai konkurron vetëm me Stalinin për krimet ndaj popullit të vet. Enver Hoxha përfaqëson antivlerat e kombit të vet, që vazhdojnë të na ndjekin akoma. Sot është dita për të përçmuar figurën e tij dhe për të nderuar viktimat e luftës së tij diabolike; mbi të gjitha për të venë në vend moralin e këtyre viktimave”, u shpreh kreu i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat. Artur Roshi thekon se duhen vlerësuar ato figura që kanë dhënë vlera kombëtare dhe jo Enver Hoxha që do të mbahet mend për krimet e mëdha të komunizmit. “Unë mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të kthejnë sytë nga vlerat e vërteta kombëtare, të cilat janë mohuar dhe vazhdojnë të mohohen në historinë e tij. Përsa kohë me forcën e pushtetit do të shmangen vlerat dhe kontributet e Mit’hat Frashërit, Ali Këlcyrës, Lec Kurtit etj në shërbim të kombit, shqiptarët nuk do të kenë një demokraci reale dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por një demokraci false dhe interesa ekonomike klanore të pushtetit”, u shpreh Roshi. Sa i takon politikanëve që mbështesin idenë për vlerësimin e Enver Hoxhës, një prej tyre është kreu i PDK, Nard Ndoka. Ai ka deklaruar se nuk mund të fshijmë nga historia periudhën e drejtimit të vendit nga Hoxha, ndaj sipas tij, duhet bërë një vlerësim objektiv me të mirat dhe të këqijat që ka sjellë diktatori komunist. Eneida Jaçaj

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...