Qytetarët shqiptarë janë tepër të shqetësuar, për faktin që financiarisht shpenzojnë shumë pagesa për shërbimet e telefonisë celulare edhe pse paguajnë sipas tarifave të përcaktuara në tabelat e çmimeve, të miratuara nga AKEP. Këto pagesa, arrijnë deri në dy herë vlerën e shpenzimit gjatë bisedave që konsumojnë qytetarët shqiptarë, në raport me kuotat e shpallura të vlerës së bisedave të telefonisë celulare. Shqiptarët psh, blejnë 200, 300, 500 ose 1 mijë lekë impulse rimbushje kartash telefonike prej kompanive celulare dhe realisht, kjo pagesë u zbret në 600-700 lekë bisedë reale, mbasi kompanitë celulare abuzojnë me këto shpenzime, duke zhvatur qytetarët.
Konsum financiar impulsesh, sipas interesave të kompanive celulare
Katër kompanitë celulare që veprojnë në Shqipëri, konkretisht “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus”, zhvillojnë biznes impulsesh telefonike, duke operuar në tregun e konsumit sipas interesave të tyre, duke mos iu nënshtruar ligjit mbi të ardhurat dhe fitimet e deklarueshme. Këto kompani, kanë tashmë fuqinë e plotë, të lirë e të pakontrollueshme, për të përcaktuar se sa impulse konsumojnë qytetarët shqiptarë. Edhe pse ka tarifa të përcaktuara prej AKEP për koston e një impulsi bisede, kompanitë celulare nuk e respektojnë këtë normë, përkundrazi abuzojnë me të, duke rënduar dhe rrënuar financat e konsumatorit. Të vërtetosh këtë gjë nuk është aspak e vështirë. Mjafton të rimbushësh kartën e celularit në katër kompanitë “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus” me vlerë 200 lekë, 300 lekë, 500 lekë e 1000 lekë dhe pasi nis bisedat, rezulton se nuk ke zhvilluar aq bisedë sa është vlera reale e kartës rimbushëse, por shumë më pakë se vlera e saj. Këtë zhvatje të “padukshme” të lekëve q paguan për kartë rimbushëse telefonie celulare e organizojnë kompanitë celulare, me ndërhyrje në asgjësimin e impulseve që në fazën e nisjes së bisedës, asgjësim që në fakt janë vlera financiare të paguara nga konsumatorët. Afro 1 muaj më parë, këtë abuzim e ka denoncuar dhe shoqata e konsumatorit shqiptar, duke publikuar mënyrën dhe sasinë e vjedhjes së impulseve të bisedave prej kompanive celulare. Por pas këtij denoncimi, nuk ka patur asnjë reagim as prej kompanive dhe as prej institucioneve qeveritare që monitorojnë shërbimin e këtyre kompanive. Praktika e kompanive celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus”, tashmë njihet se cila është: ato zhvasin qytetarët shqiptarë me vlerën e konsumit të impulseve të kartave rimbushëse, pa llogaritur këtu taksën 20% TVSH.
Qeveria nuk kontrollon abuzimin ndaj qytetarëve
Në unison të plotë me njëra tjetrën, kompanitë celulare, kanë vendosur standard “format” abuzimi në vjedhjen e vlerës financiare të konsumatorit shqiptar nëpërmjet pagesë-shpenzimit të vlerës financiare të bisedave telefonike. Kjo tashmë nuk është diçka e panjohur, përkundrazi është një “rregull” që qytetarët e njohin, por që nuk kanë asnjë fuqi vepruese për ta ndalur. Në drejtim të katër kompanive celulare, qytetarët shqiptarë kanë dërguar shumë ankesa e denoncime, por që nuk kanë marrë asnjë përgjigje, mbasi kanë “trokitur” tek abuzuesit. Dhe sipas provave, abuzues janë kompanitë celulare, të cilat vazhdojnë të zhvatin qytetarët shqiptarë pa asnjë shqetësim e kontroll prej institucioneve ligj-zbatuese, duke u përgjysmuar vlerën reale të masës financiare, të paguar për njësi kohë bisede. Siç e theksuam, nëse në kompanitë celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus” paguan psh., 1 mijë lekë kosto e kohë bisede, realisht rezulton të realizosh vetëm 600-700 lekë kosto kohë bisede. Sipas llogarisë, rezulton që 300-400 lekë të “humbasin” gjatë bisedës, por që në fakt kanë si destinacion llogarinë fitimprurëse vjedhëse personale, të kompanive celulare. Kush mban përgjegjësi për këtë vjedhje? Në kompanitë celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus”, nuk të jep askush shpjegime, madje të shpërfillin sikur të mos kesh të drejtë. Këtë shqetësim, qytetarët e kanë përcjell dhe në organet qeverisëse shqiptare, por siç dihet, prej andej, tamam si prej kompanive celulare, vazhdon të manifestohet indiferencë dhe shpërfillje e plotë. Sipas logjikës ekonomike dhe praktikës së biznesit, qeveria duhet të kontrolloj konsumin real të shërbimit telefonik celular të katër kompanie “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus”, ashtu siç kontrollon dhe bizneset e tjerë që veprojnë në Shqipëri, madje deri tek shitësit e farave e bananeve. Psh, dje ne ishim në një nga fabrikat e birrës në Tiranë. Atje kishin zbarkuar shërbimet tatimore, të cilët kontrollonin sasinë e prodhimit, sasinë që dilte në treg dhe sasinë e shitur të këtij produkti. Madje, inspektorët, arritën deri aty sa të numëronin dhe shishet e birrës që mbusheshin me birrë, shishet që dilnin skerco, shishet e thyera dhe ato të që gjendeshin në magazinë, si prodhim i depozituar dhe si prodhim i mbetur stok. Pra, kontrollonin bilancin prodhim-skarco-treg. Ndërsa për katër kompanitë celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus”, po ky sektor tatimor e monitorues, nuk ka asnjë kontroll se sa impulse tregtojnë këto kompani, sa impulse mbeten, sa impulse hidhen në treg etj. Këtë mungesë kontrolli dhe matjeje të vlerës prodhim-shitje e paguajnë qytetarët shqiptarë, me abuzimin që këto kompani bëjnë në unison me njëra tjetrën në lidhje me vjedhjen e impulseve që shesin dhe vjedhin.
Reagime
Ardit Nazeri
Kompanitë celulare na zhvasin në impulset që blejmë nëpërmjet kartave rimbushëse telefonike, por dhe në numrat që prenotojmë me kontratë mujore. Unë psh., kam katër numra telefoni, në të katërta kompanitë celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus”. Të katërta kompanitë celulare, po më vjedhin impulse telefonike, pra me po zhvasin vlerë lekësh. Një kartë rimbushëse me 1000 lekë, më rezulton në fund me 700-800 lekë kohë bisede.
Vehbi Abedini
Gjendemi përballë një vjedhjeje të organizuar e të pakontrolluar nga shteti. Kompanitë celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus” nuk janë kompani shërbimi, por qendra abuzimi në kohën e bisedave dhe në vlerën e mesazheve. Kemi dërguar ankime në këto kompani, por nuk na vjen asnjë përgjigje. Ne ankohemi deri në institucionet qeveritare, kompanitë celulare vazhdojnë të na vjedhin, ndërsa shteti hesht dhe bëhet palë me vjedhjen e tyre.
Sefedin Kola
Vetëm se numrat e telefonit celularë më nevojiten për komunikim, se ndryshe do t’i kisha mbyllur fare numrin e telefonit. I kam provuar të katërta kompanitë celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus” dhe të katërta me kanë rezultuar me abuzime në vlerën e kartës për kohën e bisedës. Unë paguaj psh 300 lekë kohë bisede, por flas vetëm për 150 lekë kohë bisede. Troç, po na zhvasin dhe askush nuk ndërhyn edhe pse ankohemi për këtë vjedhje publike.
Dritan Belo
Kjo vjedhje e unifikuar mes të katërta kompanive celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus” duhet të marrë fund. Është detyrë e qeverisë shqiptare që të nis kontrollin dhe të frenoj këtë abuzim. Nuk kemi gjetur asnjë mbështetje deri tani, përkundrazi jemi shpërfillur, sikur të jemi ne hajdutët dhe jo kompanitë celulare “AMC, “Vodafon”, “Eagle” dhe “Plus”. Është skandaloze, që të paguash 1 mijë lekë kohë bisedë dhe të bisedosh vetëm 600 ose 700 lekë! Nga: Përparim Halili