Sulejman Abazi
-Ishulli ishte konceptuar veç si një bazë ushtarake e superarmatosur, e cila me 162 gryka zjarri kundërajrorë e topa obusë 122 mm, pa përmendur armatimin tjetër, të mund mbante në front zbarkimin e mundshëm të çdo flote që vinte nga përtej detit me fregata, kryqëzorë e aeroplanmbajtëse. Ish-komandanti i kësaj baze, për të paktën 6-të vite me radhë, koloneli në rezervë Sulejman Abazi, rrëfen të fshehtat e ishullit misterioz, i cili mbante në vetvete, ushqime, karburant e municion, për një luftë 6 mujore, të projektuar në hartat e shtabit.
Nga çfarë karriere ushtarake vinit kur u emëruat komandant i Sazanit?
Sapo mbarova studimet në Akademinë e Mbrojtjes në vitin 1986. Para kësaj kohe, kisha shërbyer në Korpusin e Fierit, në Brigadën e Semanit, deri Shef Operativ dhe më pas, në Brigadën e Këmbësorisë në Cakran, si shefi i shtabit. Në ishullin e Sazanit u emërova menjëherë pas përfundimit të studimeve, në 3 korrik 1986. Atëherë sapo kisha mbushur moshën 33 vjeç. Kur shkela në Sazan, ditën që më komunikuan detyrën para efektivit të oficerëve, shkaktova habi për shkak të moshës së re. Ishte bërë traditë që në ishull komandanti apo komisari të ishin mbi moshën 45 apo 50-vjeçare. Komisari, me të cilin m’u dha koha të punoja, ishte 17 vite më i vjetër nga unë. Ndoshta përvoja për një detyrë kaq të rëndësishme dhe me përgjegjësi shumë të lartë më mungonte, por energjia dhe përkushtimi ishin diçka tjetër. Atëherë situata e disiplinës në ishull ishte në kufijtë tmerrues. Vetëm pas 7 muajsh pune intensive, stabilizuam gjendjen dhe arritëm të transmetonim një opinion krejt tjetër në udhëheqjen e lartë të ushtrisë. Ndoshta ndikuan edhe rrethana të tjera. Pa u mbushur viti në detyrë, në shkurt të 1987 u zgjodha deputet i Kuvendit Popullor. Me përkushtim të lartë, për 6 vite punuam të gjithë së bashku, oficerë e nënoficerë në atë pjesë të tokës mëmë, ku për mijëra e mijëra të tjerë ishte “tokë e ndaluar”.
Çfarë fortifikimi dhe potenciali kishte ishulli?
Në ishull, efektivi i kohës së luftës shkonte deri në 2780 vetë, ndërsa për kohë paqe ishte i kompletuar në masën, 45%, një normë e lartë gatishmërie, pa llogaritur këtu forcat e gatshme të Regjimentit i Katër Siluruesve dhe anijeve mbiujëse, të cilat në vitit 1988 u zhvendosën në bazën e Pasha Limanit. Organika e kohës së paqes, në çdo kohë rezultonte e kompletuar 100%. Me mbi 290 oficerë, mbi 100 nënoficerë dhe me 1000 ushtarë aktiv të dy viteve të shërbimit, në një hapësirë aq të ngushtë, detyra në ishull kërkonte përgjegjësi të lartë. Ishulli i Sazanit ishte i vetmi vend në territorin e Shqipërisë, ku lejohej fortifikimi për mbrojtje në rrethim. Në disa rajone mbrojtje batalionesh, vetëm për mitraloza të rëndë dhe automatikë kishte 2840 qendra zjarri dhe një sistem të gjerë tunelizimi për strehimin e rezervave të municioneve, ushqimeve dhe gjithçka tjetër që nuk duhej të ishte në sipërfaqen e tokës. Në sistemin e mbrojtjes rol të veçantë kishte artileria bregdetare, ajo tokësore dhe artileria kundërajrore. Regjimenti Bregdetar i Ishullit ishte me 6 bateri të kalibrit 85, 100 dhe 122 mm top obuz, me një larghedhje nga 11.9 km deri në 24 km. Artileria tokësore ishte e mbështetur në grupin e mortajave 120 mm, bateritë e topave 76 mm dhe në topat reaktivë 12 grykësh, me një fuqi zjarri të madhe. Në mbrojtjen kundërajrore dominonte kalibri 57, 37 dhe 14.5 mm, Ishulli i Sazanit mbrohej nga mbi 162 gryka zjarri gjithsej dhe me një kryqëzim zjarr me bateritë e artilerisë në Karaburun, Zvërnec dhe bregut të Vlorës.
Si bashkëpunonit me komandën e regjimentit silurues, që gjithashtu ishte dislokuar në ishull?
Bashkëveprimi në kryerjen e detyrave nuk ishte vetëm me Regjimentin i Katër Siluruesve, por dhe me aviacionin luftarak, gjuajtës e bombardues, të Kuçovës. Në vitin 1989, sapo kisha mbaruar Kursin e Lartë të Shtatmadhorisë, zhvilluam një stërvitje komplekse me bazë të gjitha forcat aktive të ishullit, Regjimenti i Katër Siluruesve me dy çifte katrash, dy gjuajtës detarë, anije silur-kapëse, dragamina e madhe dhe një çift Mig-19 të Kuçovës. Drejtimin e asaj stërvitje e kisha nën përgjegjësinë time. Stërvitja filloi në orën 06.00 të mëngjesit, në befasi të plotë, aq sa popullsia në Sazan mendoi se diçka e rëndë po ndodhte. Përgatitja psikologjike e trupave dhe banorëve të ishullit ishte e orientuar në një lloj trajnimi në kufijtë e domosdoshmërisë. Efektivin në ishull, në kushte gatishmërie e ndanin sekondat dhe minutat. Këtë e dinë sot të gjithë ata ushtarakë që kanë shërbyer atje, të gjithë ata ushtarë që kanë kryer shërbimin e tyre ushtarak në Sazan. Personalisht, për shumë arsye, këta njerëz që përjetuan vështirësitë e ishullit në të gjithë aspektet, përfshi dhe banorët, për mua janë heronj.
Cila është historia e urdhrit, për mobilizimin e 800 trupave nga Ishulli të cilët duhet të shkonin në Tiranë, menjëherë pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në shkurt 1991?
Nuk e kam ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë në përgjegjësitë e mia ushtarake. Por kjo është e vërtetë. Mora urdhër në organin shifrar që ta kryeja këtë veprim. Nuk i kisha parë pamjet që kishte dhënë TVSH se çfarë kishte ndodhur në sheshin “Skënderbej”. Dëgjoja vetëm lajmet në një radio “Panda” që kisha në tavolinën e zyrës, në krah të dy pulteve të komandim – drejtimit, direkt me Komandantin e Përgjithshëm dhe Ministrin e Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Vendosa ta kundërshtoja atë urdhër. Armikun e prisja nga deti e jo nga Tirana. Kërkova kontaktin telefonik me Ministrinë e Mbrojtjes dhe askush nuk bëhej i gjallë. Kërkova kontaktin me Komandën e Divizionit të Vlorës, pasi Komanda e Ishullit ishte në vartësi të dyfishtë ushtarake. Më doli vetëm një oficer i nivelit të tretë, të cilin e përzura nga biseda. Kokat drejtuese të Vlorës në ato momente ishin të gjithë bashkë, komandanti i Divizionit, sekretari i parë, kryetari i Komitet Ekzekutiv, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme dhe kryetari i Degës Ushtarake. Heshtja më dha të kuptoj se, “topi po më lihej në derë, ndërsa unë kisha marrë një urdhër dhe duhej ta zbatoja”. U mendova gjatë. Pas dy orë e gjysmë vendosa të veproja. Ajo që do të më ndihmonte të dilja faqebardhë në këtë situatë të vështirë, ishte vetëm koha. Vetëm pas tre orë e gjysmë u rreshtua batalioni me 640 ushtarë dhe 85 oficerë. Vendosa hapur para ushtarëve “unin” në çështjet e veprimit. Pas 4 orësh të marrjes së urdhrit, anijet e transportit u shkëputën nga bankinat e bazës detare të Ishullit. Parashikimi nuk më gaboi. Pas 20 minutave lundrim, mora urdhrin në radion e anijes ku isha vendosur që të ktheheshim në Ishull. Isha bindur në ndëshkimin që mund të merrja, por më pas për këtë veprim pati vetëm heshtje. U binda se, gjithkush në atë kohë të vështirë në udhëheqje mendonte vetëm për kokën e vet.
Si u futën në grevë 20 oficerë
Në vitin 1991, në ishull ka ndodhur një grevë, e cila është cilësuar e pashembullt për shkak se grevistët ishin oficerë. Por cili ishte qëllimi i kësaj greve dhe çfarë qëndrimi u mbajt ndaj ushtarakëve? Kolonel Abazi thotë: “Ishte një rast i paprecedent për ligjin, i cili e ndalonte në mënyrë absolute grevën në Forcat e Armatosura. Ishin rreth 20 oficerë të rinj të Regjimentit Bregdetar. Djem shumë të mirë, oficerë të talentuar, që nuk patën asgjë me komandën e Sazanit. Ishte koha e veprimit parapluralist. Atëherë ata djem i kuptova mirë. U bë problem i madh në udhëheqjen më të lartë të shtetit. Po ato ditë më informuan se në hyrje të qytetit të Shkodrës ishte shkruar me shkronja të dukshme për popullsinë: “Të mbështesim grevën e oficerëve të Sazanit”. Edhe pse bisedova me ta gati miqësisht, ata nuk u tërhoqën. Kemi qenë pas disa ditësh të gjithë para ministrit të Mbrojtjes, Ndriçim Karakashi, por ata nuk u tërhoqën edhe pse mund të ndëshkoheshin. Qëllimi nuk ishte ndëshkimi, pasi u kuptua se pas tyre inspironte një synim politik. Ndërhyrja që bëra atëherë tek ministri, për të ndikuar në seancën e pasdites, dha rezultat. Megjithatë greva bëri bujë dhe efektin e saj e realizoi. U bë vetëm një prononcim të nesërmen në gazetën e ushtrisë dhe oficerët u kthyen në detyrë”.
BIO
Dr. Sulejman Abazi (Neshaj) u lind në qytetin e Vlorës në 7 maj 1954. Ka qenë Komandant i ishullit të Sazanit, 3 korrik 1986 – 3 korrik 1992. Ka gradën ushtarake “Kolonel” dhe është diplomuar në Kursin e Lartë të Shtatmadhorisë. Mban titullin “Doktor i Shkencave në Psikologji”. Është autor i 9 librave të botuar dhe mbi 250 komenteve, analizave, opinioneve në shtypin e ditës. Gjithashtu është “Ambasador i Paqes”.
Eksodi, shpëtuam familjen me 19 veta
Në vitin 1991 nisi vala e rrëmbimit të anijeve. Duke rrëfyer se si e menaxhoi situatën në Sazan, kolonel Abazi thotë: “Ishte kohë e vështirë. Popullsia kishte filluar të rrëmbente anijet pa dallim për t’iu drejtuar Italisë. Në dy raste u rrëmbyen edhe anije nga ishulli, në kohën që ato vinin nga Vlora apo Pasha Limani për në Sazan. Në ishull m’u shtua dhe një bela tjetër. U zbrazën portet e Vlorës dhe gjithë Flota e Peshkimit u dislokua në bazën detare të Sazanit për t’i shpëtuar rrëmbimeve. E kemi administruar atë situatë me shumë kujdes e dhimbje, kur shikonim se çfarë sakrifice bënin njerëzit, duke rrezikuar edhe jetën vetëm për të dalë në Perëndim. Në një nga këto ditë të vështira, në Grykën e Xhehnemit u fut një motobarkë e vogël me 19 veta në bord, deri dhe më fëmijë 2 vjeç, të nisur nga Karpeni i Kavajës. Mungesa e orientimit në hapësirën detare i kishte çoroditur dhe era i përplasi në Sazan. U kujdesëm shumë për ta dhe i kthyem shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre. Kam shumë ngjarje të tilla në kujtesë. Kjo ishte Shqipëria e atyre viteve”.
Jeta civile në një bazë ushtarake
Duke folur për jetën e ushtarakëve dhe familjet e tyre në një vend të izoluar si Sazani, ish-komandanti thotë: “Në Ishullin e Sazanit funksiononte një qendër e banuar, me rreth 148 familje. Në vitet 1972-‘74 në ishull u ndërtuan pallate trekatësh, veç ndërtesave ekzistuese, duke e përmirësuar ndjeshëm jetesën. Për banorët e ishulli, rreth 480 vetë, ishte e lehtë sepse ata gëzonin privilegje nga shteti në trajtimin ushqimor, arsimor, të ndihmës mjekësore, të pajisjes me elektroshtëpiake, furnizime të veçanta, me librari, bibliotekë, kinema falas, kopsht dhe çerdhe për fëmijë, shkollë 8-vjeçare (rreth 80-90 nxënës), të trajtuar 100% me bursa të zgjedhura etj. Por për ta ishte edhe e vështirë, sepse nuk mund të hapnin dyert e shtëpive për njerëzit e tyre, veç babait, nënës, motrës dhe vëllait. Për një rast urgjent, duhej të vihej në dispozicion mjeti i shpejtë i lundrimit për të dalë kohë pa kohë në Vlorë. Në çdo rast, banorët përjetonin gjithçka që kishte të bënte me ngarkesat e kërkesave të larta të gatishmërisë luftarake apo të ngjarjeve që kanë shoqëruar situatën në ishull, veçanërisht në vitet 1990-‘92, kohë në të cilën ishulli filloi të lehtësohej nga ngarkesa të tilla. Gjithsesi, e thënë shkurt, jeta në Sazan ishte sa e vështirë, po aq edhe e bukur. Po ju rrëfej një episod të shkurtër. Një ditë erdhi Virgjil Kule me një ekip të TVSH, për disa filmime nënujore. E lashë në shoqërinë e një oficeri të rëndësishëm të shtabit. Ditën e parë Virgjili u shpreh me shumë konsiderata për natyrën, bukuritë e ishullit, trajtimin ushqimor. Ditën e dytë shprehu mërzinë, “se këtu është vend i ngushtë dhe s’ke ku të vesh”. Pasi mbaroi punë, ditën e tretë e uroi oficerin kur u ndanë, “paç fatin të ikësh sa më shpejtë nga Sazani”! Ky ishte ishulli dhe banorët e mrekullueshëm të tij”.
E ardhmja, një pikë turistike
Po në çfarë kushtesh ndodhet tanimë pika strategjike e Sazanit. Ish-komandant i ishullit thotë: “Kam pasur rastin të shkoj disa herë në Sazan deri në vitin 1994, por nuk pranova të shkel më në atë vend për një arsye të thjeshtë. E lashë në një gjendje të stabilizuar dhe nga larg po përjetoja një shkatërrim gradual. Në vitin 1997, në trazirat e mëdha në Vlorë, ishulli u kthye në objekt i grabitjes dhe dëmeve masive nga bandat e armatosura të qytetit. Edhe predhat e topit 122 mm mbërritën në lagjen “Çole” nga Sazani. Një zot e dinte për çfarë i duheshin Zanit ato predha. Më pas ishulli kaloi në kontrollin e italianëve për monitorimin e bregdetit shqiptar nga kontrabanda dhe trafiqet. Në ishull, përveçse një truproje të ushtarakëve shqiptarë, nuk mbeti gjë tjetër. Për prapësitë që kanë ndodhur në atë zonë, kam shkruar para shumë viteve, duke denoncuar shfarosjen që po i bëhet nëndetit nga pasuritë e mëdha. E njoh atë vend me pëllëmbë. Sot nëse Sazani do të futet në projektet e Qeverisë Shqiptare, do të jetë diçka shumë e mirë dhe me përfitime të mëdha. Iku koha e "portës së bregdetit" në mbrojtjen e vendit. Më së pari, ishulli duhet të "lirohet" nga detyrimi i të qenit "objekt i rëndësisë së veçantë" me vendim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ai duhet të bëhet një vend i hapur për qytetarët. Urgjentisht duhet të shfuqizohet prania militare dhe Pika e Kontrollit të Bregdetit, të cilët mund të zhvendosen dhe ta kryejnë atë detyrë diku tjetër, nëse është e nevojshme. Deri tani, nën autoritetin formal të Komandës së Distriktit Detar të Vlorës, në këtë korridor janë kryer vepra të shëmtuara e të dënueshme në aspektin e trafiqeve dhe të zhveshjes së nëndetit nga pasuritë e rralla mijëvjeçare, duke bërë krim të hapur në dëm të pasurisë kombëtare. Ka ardhur koha që, kujdesi në planin perspektiv të trajtimit të Sazanit në kompleksin turistik të Gjirit të Vlorës dhe më gjerë, të bëjë që ishulli me mundësitë turistike që ofron, t’i rikthejë gjithçka që ky popull ka investuar për të, atëherë kur mbrojtja e vendit ishte një detyrim dhe nder për të gjithë ne që kemi shërbyer në atë vend”.
Ishulli, një fortesë e papushtueshme
Për të paktën 6 vite me radhë ai ka qenë jo vetëm banor i ishullit, por dhe komandant i krejt garnizonit ushtarak. Por çfarë ishte ishulli i Sazanit në vetvete, për sa i përket efektit të mbrojtjes si një bazë strategjike? Kolonel Sulejman Abazi shpjegon: “Ishulli i Sazanit, si një “objekt i rëndësisë së veçantë” në kuadrin e mbrojtjes bregdetare dhe mbrojtjes së përgjithshme të vendit, ishte një nga pozicionet prej nga ku kontrollohej porta e Adriatikut dhe e Jonianit, si pika më e avancuar në perëndim të vendit. Në një sipërfaqe të kufizuar, 5.8 km katrorë dhe një perimetër 11.3 km, me rreth 2.8 km katrorë në pjesën lindore të pyllëzuara me pishë dhe pjesa tjetër e mbuluar nga shkurre, që shkonin deri në lartësinë 2-2.5 metra, me një terren shkëmbor në 60% të sipërfaqes së tij, me një sistem rrugor jo fort të mirëmbajtur deri në 60 km, me disa kilometër tunelizime, me një sistem ndërlidhje nëntokësore, me një central elektrik me kapacitet të mbante deri në dy lagje të qytetit të Vlorës, me rezerva karburanti dhe uji të mjaftueshme dhe me shumë elementë të tjerë ndihmues logjistik, ishulli i Sazanit, në planizimin luftarak rezultonte të luftonte 6 muaj në rrethim, pa asnjë ndihmë nga jashtë. Në rezervat ushqimore ruheshin mbi 600 ton miell, që freskohej në çdo 3 muaj dhe një mori artikujsh, që plotësonin për çdo racion ditor deri në 3300 kalori për individ. Rezerva farmaceutike dhe veshmbathjet për kohë lufte i shtoheshin kujdesit që çdo element të ishte i mbështetur sipas përllogaritjeve të bërë nga specialistët. Në vitin 1990 vjen për vizitë në ishull një oficer amerikan, përfaqësues i Atasheut në Vjenë. Ishte hera e parë që kisha të bëja me një oficer të huaj. Shoqërohej nga një nënkolonel të Ministrisë së Mbrojtjes. Kur po i shpjegoja disa të dhëna mbi strukturën ushtarake të Sazanit, midis të tjerash i përmenda “punishten e pilave”. Më pa me habi. “Po, i thashë. Këtu në ishull, në rast lufte ne i prodhojmë vetë burimet e ushqimit për mjetet e ndërlidhjes. Kemi bërë prova dhe ato kanë dalë me shumë sukses”. Nuk e dha veten për habinë e tij. Ky ishte ishulli, një fortesë ushtarake e papushtueshme”.
Në çdo sekondë në ishull, afërsisht 360 vetë ishin në shërbim drejtimi, shërbim roje dhe shërbim kufiri. Ky ishte Ishulli i Sazanit, ku toka, njeriu dhe arma ishin bërë një trup i vetëm. /Leonard Veizi -