Akademiku Muzafer Korkuti është kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili vjen në këtë post pas atij në nënkryetarit që ishte për 4 vite. Gjatë kohës kur ka qenë nënkryetar i ASH-së, prof. Muzafer Korkuti ka qenë një ndër zërat më opozitar, i cili ka folur hapur për problemet e mëdha të ASH apo dhe ato që dolën gjatë manifestimit të 100 -vjetorit të Pavarësisë. Dy ditë pasi u zgjodh kryetar i saj, prof. Korkuti tregon se emergjente është rikthimi pranë Akademisë i 4 Instituteve, ai i Historisë, i Gjuhësisë e Letërsisë, i Arkeologjisë, i Kulturës Popullore, që sipas tij janë thelbësor për punën e ASH. Në intervistën dhënë për gazetën, kryetari i ri i Akademisë pranon se ky institucion është politizuar ndër vite, dhe tregon se tashmë ASH duhet të kërkojë pavarësi politike dhe ekonomike, që do ti shërbejë shumë kërkimit shkencor.
-Dy ditë më parë ju u zgjodhët kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Cilat janë hapat e para që ju do të nisni në drejtim të punës suaj?
Për 4 vjet unë kam qenë në funksionin e nënkryetarit të ASH dhe ne kemi punuar si staf akademik, mbështetemi mbi punën dhe përvojën që kemi punuar në katër vjet. Por natyrisht kjo na mëson dhe çfarë duhet të bëjmë në 4 vitet e ardhshme. Siç e kam vënë dhe në platformën ku konkurron çdo kandidat, në gjërat kryesore që unë jam përqendruar vëmendja ime është në rritjen e nivelit shkencor të të gjitha veprimtarive. Kur them këtë kam parasysh botimet e ASH, që është dhe objekti kryesor i punës së Akademisë. Ne kemi botuar sipas mundësive që kemi pasur, herë më shumë dhe herë më pak, por çështja e mbështetjes financiare mbetet. Çështja themelore për ne mbetet cilësia e botimeve shkencore, është prioritet. Në dy drejtime duhet parë cilësia, por jo rastësia të çojë te tema, por të ketë një ecuri të logjikshme të problemeve që trajtohen, më pas mbështetja dokumentare e temave, dhe duhet të preferojmë temat e tipit monografik, studime afatgjata dhe të thella. Kjo jo vetëm se çon në rritjen e cilësisë, por ka dhe një vlerë tjetër, që të mënjanojnë studiuesin nga pikëpamjet politike të momentit. Pra një studim i thellë nuk mund të bjerë lehtë në politizim, sepse humbet thelbin, dhe kjo duhet të jetë një nga drejtimet, që nuk mund të arrihet menjëherë, por gjithnjë duhet të jetë në plan të parë të veprimtarisë së ASH. Nga përvoja e këtyre viteve mua më ka shqetësuar shumë kjo gjë. E kam theksuar jo pak se në drejtimin e ASH do të kërkohet pavarësi dhe mbështetje financiare. Një studim i thelluar, i dokumentuar, i shpëton influencave politike. Nuk mund të kesh studim serioz të influencuar nga pikëpamjet politike.
-Në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës prej disa vitesh funksion një Këshill Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, i cili ka zhvilluar disa takime mes gjuhëtarëve. Ndërsa debati mbi drejtshkrimin e gjuhës shqipe ka sjellë jo pak reagime, cili do të jetë qëndrimi juaj në lidhje me kërkesën për të pasur ndryshime?
Që nga viti i kaluar, por dhe gjatë këtij viti është arritur në një mendim më të pranueshëm, që shqipja standarde është pranuar nga të gjithë, që me Kongresin e Drejtshkrimit të 1972 është arritur këtu. Sot ne duhet të zbatojmë standardin, kjo është detyra jonë. Këtë duhet ta bëjë arsimi, shkolla, shtypi, etj, duhet ta zbatojnë, siç ishte dhe deklarata e kryeministrit të ardhshëm, që duhet të ketë redaktorë gjuhësorë, por të ketë dhe korrektorë. Unë jam bashkuar me mendimin e prof. Jorgo Bulos, që deklarata e zotit Edi Rama i dha fund anarshisë në gjuhë. Ti zotëri sot do të zbatosh standardin, shkenca do të ecë. Këshilli Ndërakademik do ta studiojë gjuhën shqipe, ashtu si do të ketë dhe të tjerë studime si në fushën e historisë, etj, por shqipja standarde nuk do të preket dhe rëndësi ka që standardi të zbatohet. Në këtë ç’rregullsi që ka sot dhe në këtë liri të tepruar që ka secili për të shkruar duhet të ketë dhe kontroll.
-Pohuat se shqipja standarde nuk duhet të preket, kërkoni dhe kontroll në zbatimin e saj. Sipas jush, si duhet të jetë ky kontroll për gjuhën?
Instituti i Gjuhësisë që para 5-6 vitesh ka bërë projekt për një “polici gjuhësore”. Pse ju jeni të shqetësuar, që një ndërtim pa leje prish urbanistikën, dhe kur prish gjuhën shkruan si të duash ti? Cënon gjënë më themelore të kombit dhe unë të mos mbaj qëndrim? Jo. Duhet mbajtur qëndrim. Duhet patjetër që të ketë “polici gjuhësore”, kjo kërkesë është bërë me kohë. Për financat ka kontrolle nëse ka shkelje, vjen kontrolli dhe nuk të lejon, ka ligje, ndërsa me gjuhën mund të bësh ç’të duash? Gjuha është e shenjtë për çdo komb. Në çdo institucion siç duhet të ketë redaktorë duhet të ketë dhe një grup tjetër, që mund ta quajmë polici gjuhësore. Ky grup do të bëjë kontrolle dhe duhet të gjobisë nëse nuk zbatohet standardi, por dhe me masa të tjera. Askush nuk ka të drejtë që të mos zbatojë shqipen standarde. Të gjithë shtetet kanë rregulla, pse të mos i kemi dhe ne.
-Një tjetër debat që përfshiu studiuesit dhe historianët kanë qenë dhe ndryshimet në historinë e Shqipërisë. Cili do të jetë qëndrimi juaj edhe për këtë çështje?
Nuk doja të futesha në hollësira të tematikës. Kjo është një proces i gjatë dhe procesi të çon në rezultate. Nuk flasim për gjëra imediate. Nëse në atë tematikë që ka sot Instituti i Historisë ka bërë një studim fondamental dhe të mbështetur, kjo është rruga, pra çdo gjë e thelluar në studime dhe baza shkencore, ky është modeli.
-Reforma në Akademinë e Shkencave dhe kërkimin shkencor që u ndërmor 5-6 vjet më parë, nisi me krijimin e një komisioni qeveritar, nën drejtimin e z. Myqerem Tafaj. I përbërë nga një staf i gjerë profesorësh e specialistësh të fushave të ndryshme, të cilat në grupe pune e sipas fushave, bënë diskutime e tërhoqën mendimin nga shumë institucione e stafe akademike, por vendimet që u morën nga qeveria për riorganizimin e kërkimit shkencor ishin krejt tjetër nga sa ishte sugjeruar e propozuar nga specialistët. Sa ka ndikuar kjo në gjendjen që ka sot ASH, ku u shkëputen dhe institutet?
Pas një diskutimi shumë të gjerë që diskutoi atëherë komisioni që u mor me reformën në ASH dhe me shkencën në tërësi, arriti në konkluzione shumë të mira, dhe e kam thënë dhe më parë se për fat të keq nuk u zbatua asnjë nga porositë e specialistëve. Ky ka qenë defekti i asaj reforme. Tani pas 4 vitesh kjo reformë që u ndërmor tregoi se ka defekte, ku para 3-4 muajve dhe ata vetë e kuptuan. Sot, këtë po e kuptojnë dhe hartuesit e zbatuesit e reformës. Para disa kohësh qeveria mori vendim që Instituti i Fizikës Bërthamore të shkëputet nga Fakulteti i Shkencave dhe t’i japë status të veçantë. Por koha tregoi se ASH nuk mund të funksionojë pa institutet. Nuk e kam fjalën që të krijojmë po atë numër me 14 institute si dikur, por duke parë dhe duke vepruar, për të krijuar atë që është më emergjente.
-Me cilësinë e kryetarit të Akademisë së Shkencave, cilët janë institutet që ju i cilësoni si emergjente që të jenë në ASH?
Mendoj se janë Instituti i Historisë, i Gjuhësisë e Letërsisë, i Arkeologjisë, i Kulturës Popullore. Me këtë duhet të merret dhe Akademia, pasi këto janë pjesë të çdo kombi.
-Keni qenë nënkryetar i Akademisë së Shkencave, në shumë raste keni qenë dhe zëri më kundërshtues ndaj vendimeve apo politikave që ka ndjekur qeveria e mëparshme dhe jo vetëm në drejtim të ASH?
Pas heqjes së instituteve nga ASH, defekti më i madh ka qenë me fondet për ASH, pas kësaj Akademia nuk pati shumë mundësi për misionin e saj. Ne kishim dëshirë që pas botimit të Enciklopedisë në tre vëllime, për ti shërbyer opinionit të huaj që të bëhej një vëllim për Enciklopedinë me një material që përshtatej me lexuesin e huaj, të ishte në anglisht, por ne nuk kishim mundësi financiare që ta bënim këtë gjë. E theksoj këtë, sepse ishte një kërkesë për ti dhënë përgjigje Enciklopedisë Maqedonase apo dhe Enciklopedive të tjera. Prandaj botime të tilla si në gjuhën shqipe apo dhe në gjuhën e huaj janë po aq të rëndësishme. Ne sot kemi vetëm një revistë që del për shkencat teknike me numër të kufizuar dhe “Studio Albanika”, që del në frëngjisht dhe “ISBN” në anglisht. Këto janë të pamjaftueshme, është e domosdoshme që një shtet i vogël të botojë dhe në gjuhë të huaj. Dhe kur ishte 100-vjetori ne nuk patëm mundësi të realizonim disa botime, ndërsa qeveria i dha buxhet dhe Federatës “Vatra”. Qëndrimi i një qeverie ndaj Akademisë së Shkencave shihet në mbështetjen që i jep kërkimit shkencor, çfarë i jep. Pikërisht shembulli i 100-vjetorit kur mbështeti “Vatrën” me një shumë të konsiderueshme dhe në Akademinë e Shkencave nuk dha gjë, ky është një fakt që tregoi mbështetjen që i pat bërë qeveria ASH, tregoi qëndrimin dhe vlerësimin. Jo vetëm kjo, por dhe heqja e instituteve nga ASH ishin dëmet më të mëdha që iu bë ASH nga qeveria e mëparshme.
-Sipas jush si ka qenë deri më tani bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Kosovës dhe si do të vijojë?
Do të kemi bashkëpunim të ngushtë. Ka disa rezultate, por është e domosdoshme që mes dy akademive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës të përmirësohet ky bashkëpunim. Deri tani nuk ka qenë sa duhet dhe ka çështje që bashkëpunimi mes dy Akademive duhet të shkojë më mirë.
-Gjatë këtyre viteve ndaj ASH jo pak akuza ka pasur për punën që ka bërë. Si e komentoni këtë?
ASH është e Shqipërisë dhe lavdinë e saj ajo e ka fituar me historinë, nuk shikohet në një kohë të shkurtër. Kur flasim për kërkimet albanologjike shqiptare duhet ta nisim që kur filluan, Instituti i Shkencave më 1946 madje dhe më herët. Ne duhet të shikojmë ecurinë e saj, dhe nuk duhet të gjykojmë vetëm 4 vitet që kaluan. Intervistoi: Julia Vrapi