Prof.Dr.sci.Eshref Ymeri
Pas vendimit të qeverisë Nano në
pranverën e vitit 2005 për lejen që i dha Athinës për ngritjen e varrezave,
memorialeve dhe manastireve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, gozhda e
Nastradinit grek filloi të ngulej ca nga ca në trupin e Shqipërisë Jugut. Dhe
tani, pas tetë vjetësh, ajo është ngulur aq thellë, saqë nuk ka darë që ta
shkulë nga vendi.
Pas nguljes mirë të kësaj gozhde të
mallkuar në trupin e një pjese të vendit tonë pa zot, pelegrinët grekë, duke
filluar që nga 28 tetori i vitit 2012, nisën të hyjnë vardar-vardar në
territorin e Shqipërisë së Jugut, për të shënuar nismën e festimeve të përvitshme,
në kujtim të sulmit të trupave italiane kundër Greqisë në vitin 1940. Se në
cilin vend të botës festohet dita e një sulmi që një shtet agresor ka ndërmarrë
kundër tij, këtë mund të na e tregojë vetëm Athina zyrtare!!! Me ritualet që do
të pasojnë gjatë viteve në vazhdim për përkujtimin e 28 tetorit, Greqia u lë të
nënkuptohet brezave të sotëm dhe breznive greke që do të vijnë, se sulmi që
Italia fashiste ndërmori kundër saj, nisi nga një territor grek, siç është
Shqipëria e Jugut. Sepse sipas protokollit Titoni-Venizellos të vitit 1914,
Shqipëria e Jugut është territor grek. Aq më tepër që aty asokohe, më 17 shkurt
1914, u shpall edhe autonomia e Epirit të Veriut, me kryeministër tradhtarin
Jorgo Zografo.
Prandaj çdo vit, më 17 shkurt,
organizatat nazifashiste greke, me partinë nazifashiste “Agimi i Artë” tani në
krye, mblidhen në Athinë dhe përkujtojnë ditën e shpalljes së autonomisë së
Epirit të Veriut, siç u vu re edhe shkurtin që kaloi. Në këtë manifestim të
fundit, si 99-vjetori i shpalljes së autonomisë në fjalë, merrte pjesë edhe
hedhurina e kombit shqiptar me emrin Pirro Dhima, përfaqësuesi i partisë
Demokracia e Re Kristo Janaris dhe përfaqësuesi i qeverisë greke Avram Gunaris.
Me përkujtimet e 28 tetorit të vitit 2013
në Këlcyrë dhe në Bularat në nderim të ushtarëve agresorë grekë, Janullatosi me siguri që e ndien veten shumë
krenar për realizimin e një pjese të mirë të misionit të tij shovinist në Shqipëri.
Politikanët shqiptarë kanë rënë në bark
para Athinës zyrtare. Për hir të kolltukut personal dhe të një firme të fëlliqur
greke për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke filluar nga marrja e
statusit të vendit kandidat, ata, me sa duket, janë gati që jo vetëm Shqipërinë
e Jugut ta kthejnë në “Vorio Epir” grek, por edhe veten ta nxjerrin në breg të
pazarit grek.
Në këto kushte, shtrohet pyetja:
Vallë a do të jetë në gjendje Shqipëria
të nxjerrë në shesh të mejdanit të tillë burra që gozhdën e Nastradinit grek ta
shkulin nga trupi i Shqipërisë së Jugut dhe ta flakin në ujërat e Vjosës, apo
Shqipëria e Jugut, me kalimin e kohës, do të shndërrohet në arenë të një lufte të frikshme civile mes shqiptarisë dhe tradhtisë?
Santa Barbara, Kaliforni
28 tetor 2012