2013-10-27

Dashamir Shehi: Zogu figura kryesore e 100 viteve, Enveri, Ramizi dhe Berisha e gjetën shtetin e ndërtuar

Dashamir Shehi: Zogu figura kryesore e 100 viteve, Enveri, Ramizi dhe Berisha e gjetën shtetin e ndërtuar









Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, në një prononcim për gazetën “Sot”, u shpreh se Ahmet Zogu është figura kryesore e 100 viteve në Historinë Shqiptare. Sipas Shehit, figurat si Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Sali Berisha e gjetën shtetin shqiptar të ndërtuar nga Zogu. “Ahmet Zogu është i vetmi që dha më shumë kontribut për shtetin shqiptar. Më pas, Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Sali Berisha e gjetën shtetin e ndërtuar sepse ua kishte lënë gati Zogu. Vetëm Ahmet Zogu bëri shtet dhe është e vetmja figurë që i mbetet Historisë Shqiptare”, deklaroi Shehi. Figura e Ahmet Zogut është vlerësuar edhe nga kryetari i Partisë Rruga e Lirisë, Kurt Kola, i cili u shpreh se Zogu krijoi shtet duke mos pasur shtet. Sipas tij, Zogu është një ndër figurat kryesore të qeverisjes së vendit në këto 100 vite, që diti të krijonte një shtet modern të asaj kohe. “Ahmet Zogu erdhi në krye të shtetit shqiptar pas 500 vjet perandori turke. Nuk kishte gjuhë, nuk kishte ekonomi. Zogu krijoi shtet duke mos pasur shtet. Bëri një shtet të përshtatshëm me Evropën. Filloi arsimi, u hapën gjimnazet dhe filloi të dërgonte studentë në Evropë, zhvilloi ekonominë. Nisi krijimin e një shteti modern të kohës. Çdo politikan në mënyrë që të mbajë pushtetin do bëjë dhe gabime dhe do sakrifikojë jetë njerëzish. Gabimi i vetëm i Zogut ishte ekzekutimi i 4 figurave politike shqiptare, por mbi të gjitha mbetet burrë shteti”, u shpreh Kola.
Qeverisja
Kryetari i Partisë Rruga e Lirisë, theksoi se qeverisja e Enver Hoxhës dhe kontributi që ai ka dhënë në ndërtimin e shtetit shqiptar ka qenë zero. Kola deklaroi se Enver Hoxha nuk ka asnjë vlerë politike dhe njerëzore. Sipas tij, as Ramiz Alia dhe as Berisha nuk kanë nota pozitive për të mbetur në histori. “Qeverisja e Enver Hoxhës është zero, se zhvillimet që u bënë, i kushtuan popullit shqiptar mijëra të pushkatuar, të internuar. Sa mijëra fëmijë vdiqën në kampet e internimit? Sa grupe vuajtën për 50 vjet? U pushkatuan rreth 100 mijë qytetarë shqiptarë për vetëm 50 vite. Enveri ka sakrifikuar 1/10 e popullsisë. Enveri nuk ka asnjë vlerë politike dhe njerëzore. Ndërsa Ramiz Alia gjatë qeverisjes nuk bëri terror, por bëri krimin më të madh sepse e mbajti Shqipërinë të mbyllur dhe e la në varfëri ekstreme. Po kështu, Sali Berisha pati një mision të ngarkuar nga Ramizi që të drejtonte të djathtën shqiptare. Është e habitshme që një komunist me 25 vite qeverisje të kërkonte që Berisha të udhëhiqte te djathtën shqiptare. Berisha gjatë qeverisjes së tij nuk bëri reformë radikale në sistemin shqiptarë, të hiqte nga administrata ata që kanë kryer krime si janë: policët, prokurorët, gjyqtarët, duke na lënë të fundit për t’u integruar”, theksoi Kola.
Figurat kryesore në 100 vite qeverisje
1.    Ahmet Zogu
2.    Ramiz Alia
3.    Enver Hoxha
4.    Sali Berisha
Roshi: Enver Hoxha, xhelat i popullit
Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, deklaroi se Enver Hoxha është xhelati i popullit shqiptar. “Enver Hoxha është xhelati i popullit të tij. Enver Hoxha përfaqëson antivlerat e kombit të vet, që vazhdojnë të na ndjekin akoma”, u shpreh kreu i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat. Artur Roshi thekon se duhen vlerësuar ato figura që kanë dhënë vlera kombëtare dhe jo Enver Hoxha që do të mbahet mend për krimet e mëdha të komunizmit. “Unë mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të kthejnë sytë nga vlerat e vërteta kombëtare, të cilat janë mohuar dhe vazhdojnë të mohohen në historinë e tij. Përsa kohë me forcën e pushtetit do të shmangen vlerat dhe kontributet e Mit’hat Frashërit, Ali Këlcyrës, Lec Kurtit etj në shërbim të kombit, shqiptarët nuk do të kenë një demokraci reale dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por një demokraci false dhe interesa ekonomike klanore të pushtetit”, u shpreh Roshi.
Dajti vlerëson figurën e Enver Hoxhës
Kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar, Marko Dajti, lidhur me katër figurat kryesorë në 100 vitet e fundit në Shqipëri, vlerësoi figurën e Enver Hoxhës. Dajti u shpreh se qeverisja e Enver Hoxhës dhe kontributi që ai ka dhënë kundrejt kombit shqiptar ka qenë tepër i madh. Sipas tij, Enver Hoxha ka mjaft vlera historike dhe njerëzore. Kreu i PPSHR, depozitoi një kërkesë në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës për të rivendosur në qendër të Tiranës bustin e diktatorit komunist Enver Hoxha. Në letrën drejtuar këshillit, Dajti u kërkoi anëtarëve të tij ta miratojnë këtë kërkesë për të bërë të mundur reflektimin dhe ekuilibrin e shoqërisë shqiptare. “Shtatorja e Enver Hoxhës, edhe kundrejt 'nxehtësisë' së debateve e diskutimeve rreth periudhës komuniste, mendojmë se do të ishte së paku një moment reflektimi drejt një ekuilibri real të gjithë shoqërisë shqiptare me të kaluarën”, shkruan Dajti. Joana Tafa

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...