SHKRIME PËR KATËR LIBRA
Shkruan HASAN HASANI
KUR HIJA E VDEKJES BËN ROJE MBI KOKË
Din Mehmeti: “Vajet e shiut”, botoi “Jeta e Re”, Prishtinë, 2010
Vdekja si kategori fiziologjike, filozofike dhe religjioze është një proces nëpër të cilin do të kalojë çdo qenie njerëzore. Nëse me vdekjen fiziologjike kuptojmë fillimin e shthurjes së organizmit përkatësisht me humbjen e aftësive të organizmit, vdekja nga aspekti filozofik paraqet fundin e ekzistencës së njeriut si qenie e gjallë, ndërsa vdekja nga aspekti religjioz është ndarja e shpirtit nga gjësendi (trupi) material. Këto kategori të fenomenit vdekja që në kohët antike u bënë objekt shqyrtimi e analize, shpjegimi dhe interpretimi. Sipas Platonit vdekja është çlirimi i shpirtit, ndërsa Lajbnici mendon se vdekja s’është gjë tjetër veçse rezultat përfundimtar i procesit involutiv. Kurse Shopenhaueri mendon se vdekja është vetëm vdekje e vetëdijes së njeriut. Filozofët ekzistencialistë Marsel, Kamy, Sartër, Hajdeger, Jespers mendojnë se i vetmi problem i njëmendët i filozofisë është vdekja. Madje, sipas tyre vdekja është fundi i ekzistencës se njeriut.
Edhe në letërsinë botërore vdekja si fenomen filozofik, po edhe fiziologjik e religjioz u bë objekt frymëzimi nga autorë të ndryshëm, prozatorë e poetë, e sidomos këta të fundit u ndalen më shumë duke e trajtuar vdekjen si fenomen filozofik të mveshur me figura të ndryshme, shpesh lakonike, pa ia përmendur emrin. Janë të njohur poetët si Lorka, Edgar Alan Po, Oktavio Paz, Borhesi e shumë të tjerë.
Të njëjtin zbërthim vdekja e përjeton edhe të shkrimtarët shqiptarë, duke filluar nga bejtexhinjtë që këtë e zbërthejnë si kategori fetare e deri në ditët tona. Sidomos, letërsia bashkëkohore, ajo e shekullit njëzet, e përfaqësuar nga At Gjergj Fishta, përkatësisht në gjysmën e dytë të këtij shekulli brumoset më shumë se çdo gjë tjetër me artin letrar, kush duke e shikuar nga kënvështrimi pesimist, e kush tjetër edhe vetëm si fenomen të shkëputjes nga jeta e vërtetë për të kaluar në jetën e amshueshme. Në Kosovë, në veprat e shkrimtarëve të ndryshëm (më shumë tek poetët) vdekjen e gjejmë të pranishme, në poezi e në prozë, si te Azem Shkreli, Beqir Musliu, Anton Pashku, Fahredin Gunga e të tjerë.
Edhe te poeti Din Mehmeti, autor i gjashtëmbëdhjetë vëllimeve poetike me poezi për të rritur, vdekja zë një hapësirë bukur të gjerë në vargjet e tij për më shumë së një gjysëm shekulli, kohë kjo që ky poet u mor aktivisht me shkrime përkatësisht poezi. Madje në vitin 1978 Din Mehmeti botoi vëllimin poetik “Ikje nga vdekja”, ku një vend të rëndësishëm zë fenomeni i vdekjes si kategori qoftë letrare, qoftë edhe filozofike. Megjithatë, këtë më të theksuar e gjejmë në librin e tij të fundit me poezi, të cilin poeti e shkroi katër-pesë vite para vdekjes, poezi këto që u përgatitën nga vetë autori sa ishte gjallë dhe u botuan (vdiq më 12 nëntor 2010) pak ditë më vonë kur u nda nga jeta, pra në fund të dhjetorit të vitit 2010 dhe mban titullin “Vajet e shiut”, me gjithsej 62 poezi. Një pjesë e këtyre poezive u shkruan gjatë viteve 2009-2010 në spitalin e Gjakovës, ku poeti viteve të fundit ishte vizitorë i shpeshtë, meqë sëmuarja po e bënte të veten, kështu që edhe vdiq në moshën 81-vjeçare, kohë kjo kur vdekja i bënte roje mbi kokë.
Figurativisht poeti DinMehmeti qysh në vitet shtatëdhjetë u “mundua” të ikte nga vdekja, madje këtë e bëri me sukses, por ja, një ditë vie koha kur çdo qenie njerëzore që ka lindur, duhet edhe të ndahet nga ajo (jeta) dhe deshe s’deshe duhet të përqafohesh me vdekjen. Pa iu kthye këtij motivi në retrospektivë në librat me poezi të shkruara për pesëdhjetë vjet nga poeti Din Mehmeti, ne në këtë udhëtim poetik do të shpalojmë vetëm librin e fundit “Vajet e shiut”, që siç u tha, u botua pas vdekjes së poetit. Dhe që në poezinë e parë të këtij vëllimi poetik, pra në poezinë “Jeta” të cilën poeti e shkroi më 10 shkurt 2010 në spitalin e Gjakovës, në gjashtë vargjet e para Dini drejtpërdrejtë na jep atmosferën ku nëpër dyert e spitalit hyjnë e dalin njerëzit ditë e natë, ndërsa roja humb durimin dhe nuk flet me askënd, kështu që pasojnë vargjet: “Kur nata mbështjell spitalin / Me çarçaf të zi / Shfaqen hijet e të vdekurve / Nëpër pavijone nëpër dhomatr të sëmuarëve / Shikojnë fytyrat e tyre zverdhake / Sytë e tyre të lodhur flasin përçartë”, me çrast shfaqet qartë koncepti i poetit për gjithë atë që zjen brenda këtyre dhomave, pavioneve, sallave të operacioneve, aty pra ku shfaqen hijet e të vdekurve, fytyrat e zverdhura, sytë që flasin përçartë e shumë skena të tjera njerëzish të sëmurë. Poeti e mbyll këtë poezi me vargjet: “Në mëngjes jeta zgjohet herët / Me një buzëqeshje të shndritshme / U jep frymë të sëmurëve / Derdh mbi ta gaz e shpresa / Për të shpëtuar të mundurën”, ku sheshazi del në skenë optimizmi i poetit, qoftë edhe i brishtë që njerëzit e bartin me vete për tërë jetën. Kjo poezi është edhe Prologu i tërë këtij vëllimi poetik, poezi kjo ku më së miri shprehet gjithë ajo që ndrynte Din Mehmeti në shpirtin e tij poetik.
Din Mehmeti, i njohur si poet i fuqishëm i vargut dhe i metaforave, edhe në këtë libër të fundit të tij, derdhi tërë shpirtin poetik në këto vargje që i përshkon hija e vdekjes, mjegulla e sëmurjes, përi i jetës në përfundim. Këto i gjejmë sidomos të poezitë e ciklit të parë “Ishte kohë e rrufeve” siç janë poezitë “Jetë”, “Art i bardhë”, “Këndojmë e lutemi”, “Njeriu numër”, “E bardha në të zezën”, “Më e shtrenjta është ngrënë”, “Njeriu i bardhë” (kushtuar Dr. Rifat Lilës), “Herë në të djathtë, herë në të majtë”, “Kur të vish tek unë”, “Njerëz të flakur nga rëniet”, “Pëlcitje”, “Arti i ri i vdekjes” e shumë të tjera që paraqesin gjendjen e rëndë shpirtërore të poetit Din Mehmeti në shtratin e vdekjes. Megjithatë, poeti Din Mehmeti gjen forcë që pikërisht vdekjes t’i këndojë me vargje pa iu trembur syri, por si një shpirt i dehur në fjalën dhe metaforën që e mbante për zemre, e lartësoi edhe këtë, pra vdekjen, në vendin ku e kishte, duke e marrë si proces biologjik nëpër të cilin duhet kaluar, ashtu siç kaluan njerëzimi në shekujt në vijim. Për poetin e shtruar në spital, ku viteve të fundit shpesh u gjend si banor i tij, çdo gjë ishte e bardhë, edhe mjekët, edhe motrat, korridoret dhe muret e dhomave, ëndrrat dhe mendimet, ilaqet dhe injeksionet, antibiotikët dhe diklofenët, dhembjet dhe klithjet, amdje edhe vdekjet… Pra, çdo gjë ishte e bardhë. Poeti me vargje të bukura, me shprehje të figurshme, me metafora dhe epitete portretizon vetveten: “Në një dhomë të spitalit / Unë vetë i gjashti / Të bërë shportë nga injeksionet”. Kjo ishte gjendja edhe shpirtërore edhe fizike e poetit Din Mehmeti, të cilin kahdo që e kthejnë, e tmerronin hijet e të sëmurëve që luftonin me jetën dhe vdekjen. Këtë e dëshmojnë edhe këto vargje: “Nga zhgënjimet thurim ëndrra / Për të fluturuar diku larg / Për të mos u kthyer më” (vj. “Këndojmë e lutemi”), “Motrat më shikojnë flasin diç mes veti / Zverdhën skuqën dhe ikin shpejt” (vj. “Njeriu numër”), “Të lirë ma lë një shteg / Për të arritur në Kodrën e Bardhë” (vj. “Më e shtrenjta është ngrënë”). Këto vargje të shkëputura tegojnë si e shihte, si e përceptonte, si dyluftonte, si e çmonte vdekjen poeti Din Mehmeti.
Shikuar ciklet e vëllimit poetik “Vajet e shiut” hetojmë zhytjen e poetit në vargjet që aromosin dhembje, vdekje, sëmurje, pakthim… Shohim hijen e vdekjes që rri mbi kokë, që bën roje natë e ditë. Këtë e dëshmojnë titujt e cikleve: “Ishte kohë e rrufeve”, “Të gjithë e kërkojnë vdekjen përpara”, “Terri mbretëria e përjetshme e njeriut”, “Ora e vdekjes” dhe “Vajet e shiut”. Këtu, shëtitja nëpër vargjet e ciklit të dytë “Të gjithë e kërkojnë vdekjen përpara”, nxjerr në dritë vargje të frymëzuara thellë, vargje të cilat jemi mësuar t’i lexojmë edhe më parë në poezitë e Din Mehmetit ku hija e vdekjes sikur fshehet nëpër metafora e askund nuk del sheshazi, por që lexuesi e heton këtë hije. Në katërmbëdhjetë poezitë e këtij cikli vetëm te poezia “Si të ik nga ti” (lexo nga vdekja) ku figurativisht poeti pohon se kjo (vdekja) më vjen pas si hije e lules, madje m’i merr shikimet, ëndrrat dhe zhgjëndrrat duke m’i strukur në rrudhat e thella të ballit… Dhe në fund, në mbyllje të poezisë, megjithatë poeti e thotë troç: “E kur vdekja troket në derë / Më mbulon me rrezet e syve tu / Atëherë vdekja ulërin / Duke ikur nga unë”. Shpirti i poetit nuk arrin të qetësohet, kështu që vdekja kafshon me dhëmb të zi si një kafshë e zezë.
Në këtë vazhdimësi duhet lexuar edhe ciklin “Ora e vdekjes”, një poemth i vogël prej pesë këngësh kushtuar të vëllait më të ri, Halitit, i cili u nda nga jeta disa vjet para se t’i bashkohej edhe poeti Din Mehmeti. Është kjo një elegji që pikon nga shpirti i poetit, fjalët që stolisin këto vargje janë të zgjedhura, kanë peshë plumbi. Kjo elegji kalon kufinjtë e personales. Vargjet përgjithësojnë kohën për të cilën flet poeti… Kohë kjo ku bashkëbiseduesit (vëllezërit) e shikojnë historinë në sy dhe vargjet shpërthejnë: “… plumbi i pushkës / Nuk më shpon s’ka zjarr që më djeg / S’ka lumë që më mbyt njeriu s’duhet / Të vdes për së gjalli pa i zbrazë të / Gjitha fjalët pa kënduar një këngë / Pa shkrepur asnjë pushkë pa e bërë për / Kosovën asnjë luftë na thoshe se / Jetën duhet ta fitosh…”
Edhe dhjetë poezitë e ciklit të fundit “Vajet e shiut” sipas të cilit u pagëzua edhe ky vëllim poetik poezish, Din Mehmeti vazhdon këngëtimin e viteve të mëparshme, sepse “në fund të ëndrrave të thara / ku fillon hiri i jetës / E bardha e ngjyros të zezën / E zeza të bardhën”. Nëpër këto vargje figurativisht lundron hija e vdekjes që poetit i rrinte mbi kokë. Edhe kjo hije e tetëdhjetë e një vjetëve të cilës poeti ngadalë po i dorëzohej, po i dorëzohej këtij dimri që po arrinte në fund të shikimit të poetit.
Meqë në këtë qasje timen u ndala kryesisht të vargjet e këtij vëllimi poetik ku flitet, gjykohet, interpretohet vdekja si fenomen nga një shpirt i dehur poetik, siç ishte shpirti i poetit të çiltër Din Mehmeti, këtë do ta ilustroj me katër vargjet e fundit të librit, nga poezia poashtu e fundit “Zog mendimi” ku thotë: “Dua të fluturoj lart në qiell / Të ndërroj formë / Këngë shiu të bëhem / E të bie mbi tokë” (sipas datës 3 maj 2010, poezia e fundit e shkruar nga poeti) paraqet Epilogun poetik të Din Mehmetit dhe veprës së tij poetike.
Pikërisht ky është mendimi dhe interpretimi që poeti Din Mehmeti i bën vdekjes, këtij akti të fundit të jetës, siç u shpreh poeti Azem Shkreli në vitet gjashtëdhjetë se “Jeta dhe vdekja/ Dy dyer mbi të njëjtin prak”, e që poeti Din Mehmeti, ashtu siç pohon edhe në këto vargje, fluturoi në qiell duke ndërruar vetëm formën… Dhe, nga atje (jeta e amshueshme), do të shndërrohet në shi pjellorie për të ringjallë jetën mbi tokë, për t’i dhënë jetës shpirt.