Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Arta Dade, vlerëson Italinë dhe Greqinë si partnere strategjike në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Sipas saj, deklaratat e bëra në Prizren nga Kryeministri turk Erdogan, kanë të bëjnë me raportet e shtetit të Kosovës me Turqinë, dhe jo me Shqipërinë.
"Unë nuk dua të flas për terminologjinë, sepse terminologjia në politikën e jashtme lë hapësira për interpretime të ndryshme. Dua t?i referohem asaj çka PS ka shprehur në programin e saj themeltar, elektoral e qeverisës, që partnerët strategjikë, duke iu referuar fqinjëve tanë, janë Italia dhe Greqia dhe në një rrafsh më të gjerë përcaktohet se me Turqinë Shqipëria do të ketë marrëdhënie strategjike. Nisur nga kjo, nuk ka asgjë të keqe nëse ne do të intensifikojmë përpjekjet tona lidhur me diplomacinë ekonomike dhe duke shfrytëzuar çdo hapësirë që investimet e huaja, përfshirë dhe ato turke, jo vetëm të jenë të pranishme në vend, por edhe të konsolidohen mbi bazën e interesit e përfitimit të ndërsjellë", ka thënë Dade për raportet me Ankaranë zyrtare.
Ndërsa në lidhje me deklaratën e kreut të qeverisë turke në Prizren se "Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë", deputetja e PS-së deklaroi: "Lidhur me këtë deklaratë të Kryeministrit Erdogan në Kosovë, që ka të bëjë me kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe Turqi-Kosovë, të cilat përcaktohen nga vetë shtetet respektive, komentet tona do ishin të tepërta. Kosova, si një shtet i pavarur, ka artikulimin e saj në përparësitë e saj në politikën e jashtme, si integrimi në strukturat euroatlantike. Sigurisht, kam ndjekur një numër analistësh për këtë çështje, por praktikisht kjo ka të bëjë me shtetin e Kosovës, dhe jo me Shqipërinë. Unë si kryetare e Komisionit Parlamentar për Politiken e Jashtme, që kam ndjekur dinamikën e zhvillimeve rajonale dhe posaçërisht dhe për Kosovën, do të kisha dëshirë që Kosova të vazhdojë me ritme më të shpejta drejt angazhimeve të saj për integrimin në BE dhe në strukturat euroatlantike. Ishte një lajm i mirë për gjithë shqiptarët që Komisioni Europian ka propozuar që Kosova të nisë negociatat për MSA-në dhe sigurisht kursi i këtij shteti është drejt BE-së"