2013-11-02

Edhe Qeni nuk kafshon nganjëherë e nuk është Njeri


NGA FLORI BRUQI




Ali Podrimja u lind më 28 Gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, ku pati një fëmijëri të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Stili poetik[redakto]
Ali Podrimja
Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit Serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitojë lirizmin dhe ndenjën poetike, por pa mundur të dalin krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional.


 Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi tërë jetën. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re".



Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:

Qaj rrafshi im i dashur, qaj! 
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një...

Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).

Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut.

 Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë.

Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.

Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz.
Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.
Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

Podrimja është gjetur i vdekur në Francë disa ditë më parë ku po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë "Voix de la Méditerranée" në qytetin e Lodève. I kishte humbur kontaktet me zyrtarët dhe kolegët e festivalit që nga 17 korriku në mbrëmje, ndërsa me familjarët dhe kolegët në Prishtinë, kishte kontaktuar për herë të fundit me 18 korrik në mëngjes..









Ali Podrimja


Poezia dhe vasha

Ajo shkruante poezi erotike
U ngjante vitrazheve, frymës
Kish shpirtin dhe bukurinë engjëllore

Para se të bënte dush
Plaçkat i hidhte nëpër sallon
Dhe shikonte trupin në pasqyrë

Mos ka mbetur edhe diç

Mund të ndërpritet komunikimi
Mes saj dhe atij tej xhamit
Që shikonte me sy të mjegulluar

Ne bisedonim për të bukurën
Dhe sensibilitetin njerëzor
Për kohën që na mungonte

Atë që prekte shkaktonte vërshime, tërmete
Dhe atë zërin e brendshëm
Që duhet mbrojtur

Një nga një ia ktheja plaçkat
Para sa kohësh të shpërndara
Në hapësirën blu

Dëshironte të ndjejë zgjimin e trupit
Të shëndetshëm, të pastër
Ç’të heqë më dorë e Krijuesit

(2010)


HARTA E GRISUR

Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
e të qenit tonë

Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atdheu e sa dete e lagin

Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im

Shalues të ri një kalë kërkon
Gryka e vdekjes nuk kapërcehet
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues

Dherave lë nga një gur varri
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
Në rroba të zeza

Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve lëkurë linte e ndrite pikagjaku

Ulërinte kopeja e ujqve të tërbuar

Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë

Hapet harta e grisur e atDheut

(Pragë, 1986)


Fusha e Zezë

Ku të lëshoj rrënjë
E të bëj pakëz hije
Se varre e varre e varre
Mbi to zgjohemi e dashur
Shkundim dritën e verbër
Të lexojmë fundin e ëndrrës
Nën një qiparis

(2005)

Maratoni nga Iliria

Është një engjëll që na mbron
Se kujt Maratoni nga Iliria
Do ia kumtojë lajmin
Se në Ulpianë
U gjet tërfili me katër fletë

(1999)

Tek ia kaloja Akilit

Këmbëzbathur zbres Malit të Vetëtimave
Qetësinë përrallore të Villa Walbertës
Ta hap në Gadishullin Ilirik
Çast të lumtur të kujtoj nga Golgota
Në shpinë Breshke Arbërie
Akilit tek ia kaloja

(Feldafing, 23.7.1992)

Gjarpri, bukuria

Mbyta gjarprin të hy në kohën time
Ç’po më dendëson zbrazëtia nëpër
huqet e mia

Diku në botë

Po qe se nuk të shkruaj
miku im i dashur dhe
Po qe se nuk ma dëgjon zërin
Merr një karafil
e ma kërko varrin
diku në botë
se vajta pas Lumit

(Ulpianë, 1982)

Një lozë seç loton

Tatëpjetë Golgotës zbret
hija e Njeriut
Është Çami, këngëtari i verbër i Sulit
Me një vravashke ndritë
rrugën e errët
Kërkon shtëpinë në lagjen Plaka
dhe varret e të parëve
Buzuku do të men
për komandant Arvanit
Nën çati seç loton lozë e tharë.

(Athinë, 1986)

G u a s k a

Dikur ishte shfaqur Shkretëtira
Dhe kisha dëgjuar vajin e Burrit të Dheut

Kisha përvjelë pantallonat
Pas zërit të fyellit isha nisur

Nga fundi i mistershëm tej horizontit
I' guaskë seç e kishte nxjerrë Uji i Madh

Kisha filluar ta hapë dhe Guaskë pas Guaske
Zbuloja fatkeqësitë e dherave të Arbërisë.

(Vlorë, 1992)

Litari i ankthit

E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë

Si dele nuk i dilet në pazar
Nëpër fjalë seç dridhet
Midis dy qytetërimeve e zënë

Nuk e mban litari as e lëshon
Në konferenca ndërkombëtare
Kallëzohet si përrallë

E s’e lëshon as e mban një litar

(Ulpianë, 9.10.2000)


Lufta Ime

Ra nata, tej vringëllin
Kur te duan me ndëshkojnë
Ligji nuk ekziston për mua
Timin prandaj e shkruaj
Thyej xhamin e errët
Mes meje e forcës së verbër

(Këln, 1 nëntor 1998)

Vaji për Kosovën

Na pate apo te kishim

Ne toke as ne qiell
mori e uruar

Hap shuplaken dhe peshoj
Piken e gjakut tënd

(Munih, 1998)

Dridhme

Ne Kosove
Vetëm vdekja
nuk vonon

(Munih, 1999)

Mjerimi njerëzor

Edhe Qeni
nuk kafshon
nganjëherë
e nuk është Njeri

Po Njeriu
nuk le gjë
pa gëlltitur
e nuk është Qen.

(Prishtinë, 1980)


KOMETA E HARRUAR

Gjithnjë e më pak i ngjaj vetes
Dje e varrosëm poetin Jamarbër Marko
Tirana e zbrazur dhe më bëhej se
një peshkaqen kërkonte gjahun e vet

Jam i huaj gjithnjë e më shumë
Me kockë e mish më kapërdinë zbrazësia
E kërkoj gurin tim dhe ik
nga Uji i Madh që rrah brigjet e mia

Nuk besoja se kaq shumë vetmi
Tjerret metropoleve shqiptare
Ku ndonjë mbret i minjve
Hedh dhe duqin e fundit të cigares

Duhet ikur duhet ikur miku im
Para se t’më zërë nata e thikave

Në Lesbos tek kërkoj Safon
Kokën e poetit të panjohur nga Australia
E pashë si fluturonte në qiellin grek

Komet e harruar nga koha e Homerit.

(Lesbos, 8/09/2010)


HARTA E GRISUR

Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
e të qenit tonë

Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atDheu e sa dete e lagin

Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im

Shalues të ri një kalë kërkon
Nuk kapërcehet gryka e vdekjes
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues

Dherave lë nga një gur varr
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
në rroba të zeza

Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve linte lëkurë e ndrite pikagjakut

Kopeja e ujqve të tërbuar ulërinte

Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë

Hapet harta e grisur e atDheut

(Pargë, 1986)

FLUTURIMI I FUNDIT

Paqen e përjetshme ma fale imZot
Kërkoj një vend të vë kokën
Mbi bos dheu ku shirat
nuk pushojnë

Në kujtesë të mbyll fluturimin e
fundit të fluturës
Para fjalës e shpirtit
tek digjen në flakën e qiriut

Faleminderës imZot që nuk më turpërove
mua rebelin e mbretërisë së përhirtë
qe ik tek fishkëllon andej fryma

(Ulpianë, 1998)

DËGJOHET `I KAMBANË

Jeta nuk është
Është vdekja
Që fshihet pas
Therres së vet

Pret të troket
Diku dëgjohet
`i kambanë

(Berlin, 1989)




UNË BIRI YT

Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.




EPIKA

Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s'kam të qesh me veten e tepruar...
Miq,

Kosova është gjaku im që nuk falet!




ANKTHI

Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë...

Caqet e tua herët t'i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m'i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje...

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë

e ngrirë n'ajër?
Nipave ç'tu them për këngën time të vdekjes?
- Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t'më
kish mbirë!

Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim - toka e mallkuar..




ME JETUE

Tim bir, Lumit
Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kozmos.
Metafora e Jetës Sime

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

plaga ime
le të marrë
frymë thellë




ME QENË

Të jesh shqiptar
e vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është

Të jesh shqiptar
e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është

Shqiptar të jesh
botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur

Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë




TI DHE UJI

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s'mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.




NJË NATË NGA NETET PA GJUMË

Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?...
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!...

Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut.....
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!




PARISI, VENDLINDJA

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndërrat do t'i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t'i lajmë sytë, duart lythore,
do t'i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t'i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t'i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s'do t'i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.




RËNKIMI

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.

Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;

Pragje thyer e konaqe mbyllur...
Për gjithkë e për askë vrarë jemi...

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.

Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.

-----------------------------------------------------------------------

1.

Erdhi furishëm dhe u fut në jetën e shqiptarëve si meteor. Rrëmujshëm, së bashku me një brez të talentuar e të guximshëm, nisi në fillim të viteve ‘60 një epokë të re, të paparë më herët, moderne. Erdhi të bënte një jetë tjetër, një art tjetër, një civilizim tjetër fare në një tokë të lënë prapa të tjerëve. Erdhi me një filozofi të çuditshme jetësore, me një synim - të jesh i pari, në maje. Edhe kur hapej tërësisht me fjalën e tij, i drejtpërdrejtë dhe kish nevojë të prekte tokën po edhe kur mbyllej, se kish nevojë të prekte qiellin duke prodhuar mjegullën semantike si shumësi kuptimore, ai nuk shterej asnjëherë. Poet me një talent të rrallë, i paparashikueshëm e gjithmonë befasues, jokonvencional e çrëmdomtësues, Podrimja është shndërruar në një klasik të gjallë të poezisë shqipe duke u bërë emri më i njohur, më i përkthyer dhe personaliteti më i shquar që përfaqësonte kulturën shqiptare në botë. Shqiptarët kishin gjetur shkrimtarin e vet, i cili për disa decenie diti të artikulonte ambiciet e tyre çlirimtare në një mënyrë që vetëm ai dinte t’i kuptonte e t’i shumëfishonte, kurse të tjerët kishin gjetur te Ali Podrimja poetin që befasonte në një mënyrë origjinale dhe që shpërndante në botë një mesazh humanizmi të paparë nga një zonë tektonike urrejtjesh e katastrofash njerëzore.



2.

Poeti Ali Podrimja ka ndërtuar një figurë në një varg monumental këtu e 40 vjet më parë, Kosova është gjaku im që nuk falet! Është simboli i emblematizuar i fazës së parë të shkrimit e që do të ketë më vonë rol të rëndësishëm në interpretimin e tërë opusit letrar të këtij poeti, i cili insiston prej fillimit që kjo të jetë një heraldikë kryesore e këtij vendi.

Kjo figurë e ndërtuar si përngjasim i hapur mbi një strukturë arketipore që ka parasysh një trashëgimi dhe një besim të njohur dhe të çmuar, është një pozicionim apodiktik me insistim të ndërthurjes së ligjëratës me argumentim bindës e që nuk lë hapësirë për luhatje. Kosova e vënë pranë një përngjasimi të hapur me gjakun që s’falet, është një ngritje retorike që të kujton ndërtime të hershme zmadhuese me insistim bindës.

Ky varg më vonë do të bëhet një topos shumë i fuqishëm në jetën kulturore dhe shoqërore të Kosovës. Figura do të gjejë edhe lidhje të shumta shtesë, me referenca të qarta në jetën shoqërore të Kosovës që do të shkojnë deri në denotime precize të identifikimit të masave në kohë dridhjesh të ashpra për tërë popullin. Unë nuk di ndonjë varg tjetër kaq monumental të ndonjë shkrimtari shqiptar që ka arritur të bëjë identifikim aq të fuqishëm të strukturës figurative të folësit me pritjen spektakulare të marrësve dhe për një kohë aq të gjatë. Aq më tepër, mund të thuhet se ky është nga vargjet që është ridimensionuar e risistematizuar me qindra herë për këto 40 vjet e që shpreh fuqinë e artit për të marrë dimensione shtesë në kontekste të ndryshme.

Vargu Kosova është gjaku im që nuk falet do të jetë çelës për interpretimin e zhvillimit të mëvonshëm të këtij autori dhe pranimi me të njëjtin intensitet nga lexuesi për një kohë kaq të gjatë.

Me këtë varg poeti ka lidhur që në fillim një kontratë të besueshme me lexuesin e që do të funksionojë si marrëveshje e fshehtë edhe atëherë kur autori do të ekonomizojë tej mase gjuhën, edhe atëherë kur do të vështirësojë tepër natyrën komunikuese të gjuhës dhe do ta reduktojë deri në ekstrem ngarkesën informative të mesazhit në favor të nëntekstit.

Ky është vargu emblemë, të cilin e njohin fëmijët në shkolla dhe të cilin e kanë bërë çelës mësuesit për të depërtuar në poezinë e tij të mëvonshme, e cila shumë herët ka lënë këtë retorikë dhe ka marrë rrugë që ka qenë e vështirë të ndiqet, mos e pamundur nga lexuesit e tij të fillimit.

Në vitet ’70 Ali Podrimja ndërton një tip tjetër gjuhe dhe kështu një fazë tjetër në krijimtarinë e tij që mund të quhet fazë e ekonomizimit maksimal të shprehjes dhe e komunikativitetit të vështirësuar. Kjo është fazë e ngritjes cilësore të Ali Podrimjes. Autori lë një traditë shkrimi, bën shmangie të madhe stilistike dhe me shmangien e vet bën që të krijohet një shmangie e madhe në poezinë shqipe në përgjithësi. Është ndoshta kryesori që i ka dhënë guxim këtij tipi të gjuhës, që i ka dhënë frymë dhe që është shumë e çuditshme, i ka dhënë një fuqi jo të zakonshme identifikuese dhe receptuese në një mjedis jo shumë të përgatitur për të komunikuar me një strukturë të tillë gjuhe.

Nuk mund të shpjegohet lehtë si ka gjetur marrësin në hapësirën kulturore të Kosovës, të para 30 vjetësh kjo strukturë gjuhe dhe këto simbole kaq të largëta. Vetëm kontrata e lidhur në mes të autorit dhe lexuesit që në fillim të fillimit dhe e mbajtur fshehur për këto 40 vjet ka mundur ta shpëtojë situatën. Do thënë se poezia e Ali Podrimjes ka funksionuar gjatë tërë kohës, madje edhe atëherë kur ka qenë skajshmërisht e qethur nga shenjat lokale. Mund të jetë që nuk ka komunikuar me tërë përbërësit e vet dhe mund të jetë që është kanalizuar ndonjëherë jofatlumnisht në mesazhe dhe lidhje referenciale të varfëruara e stereotipe, po për të komunikuar nuk ka pushuar asnjëherë.

Libri “Lum Lumi” (1982) dhe poezia që ky autor krijon gjatë viteve ’80 janë një shmangie stilistike, si rezultat i kredos së tij krijuese për të sjellë vazhdimisht diçka të re në skenën letrare. Siç është e njohur, që shmangiet e suksesshme zakonisht shfaqen njëherë në nivel të gjuhës, Ali Podrimja lë strukturën e gjuhës së ekonomizimit të skajshëm të viteve ‘70 dhe imponon me drejtpërdrejtshmërinë e gjuhës kolokuiale që i afrohet më shumë gjuhës së komunikimit të automatizuar, por që nuk preket asnjëherë nga ajo dukuri e rrezikshme.

Me librin “Lum Lumi”, Ali Podrimja do të heqë dorë nga simbolet e kërkuara që rrezatojnë konotacione të largëta, si dhe nga fshehtësitë shumështresore të miteve dhe aktualizimi me sens i tyre. Këtu shfaqet një kthim introvert kah një dhimbje personale që godet unin e tij, djalin dhe familjen. Kjo ka larguar Podrimjen për një çast nga preokupimi i tij i njohur dhe nga shikimi i gjerë, të cilin e trazon vetëm një fat i madh i etnisë. Po edhe në këtë rast poeti është pritur fuqishëm nga marrësit pavarësisht se në kohën kur shfaqet libri priste mesazhe të qarta për fatin e kombit.

Me librin “Lum Lumi”, Podrimja ka treguar se është mjeshtër i shkëlqyeshëm i zhvendosjes dhe alternimit të konteksteve nëpërmjet ndërtimit të hapësirave dhe nënhapësirave. “Lum Lumi” është shembulli më i mirë se si mbindërtohet një dhembje e thellë individuale në një brengë të madhe për grupin dhe më në fund për fatin e racës njerëzore.

Fund i gëzuar është libri, ku Podrimja zhdërvillen edhe më tej gjuhën kolokviale, por që thellon dukshëm ndërthurjen e ironisë në një përmbysje totale të koncepteve me një drejtpërdrejtshmëri mahnitëse të artikulimit. Shqiptime siç janë: fajtor është shqiptari, unë jam egërsirë, unë jam qen, shënojnë nivelin më të lartë të ironisë, me ç’gjë autori ka arritur të rrënojë e të përmbysë atavizma të ngarkuara gjatë, me dhunë e destruksion njerëzor. Vetëm me këtë përmbysje, me këtë kthim tejet të drejtpërdrejtë në veten e parë, autori ka mundur t’i shpëtojë rrezikut permanent që të zhytet në vorbullën e helmimit të gjuhës.



3.

Bal, Ti s’erdhe në këtë jetë të ndryshosh vdekjen, Ti erdhe në jetën tonë të ndryshosh jetën dhe kishe besim të madh se mund ta ndryshoje atë rrënjësisht edhe kur prekje gjëra që s’lëvizen dot nga dorë e njeriut. Dhe bëre një jetë majave duke vënë limite të larta për gjithë ata që do vinë pas teje në këtë truall. Njeriu vjen të bëjë një jetë dhe Ti krijove një botë, një botë krijuar nga gjeniu. I ke dhënë kuptim jetës së të tjerëve, e ke pasuruar me gjenialitetin tënd të papërsëritshëm. Ti ishe besimtari i fundit nga të mëdhenjtë që besonin se me poezi mund të ndryshonin botën. Ti kishe besim të palëkundur ashtu si shumë të mëdhenj para teje. Prandaj Ti nuk bëje gjë tjetër, vetëm poezinë. Ti ishe vetëm poet se kishe besim se vetëm poezia mund të ndryshojë jetën. Jetoje si poet, silleshe si poet dhe mbylleshe nganjëherë si poet në misterin tënd dhe ne s’kuptonim gjë nga mjegulla jote gjeniale.

Ti, besimtari i madh e i palëkundur që besoje se mund të ndryshoje jetën, kurrë nuk ke provuar të ndryshosh vdekjen. Ashtu mospërfillës, ta zëmë, burri e bën diku vdekjen shkruan kritiku letrar prof.dr.Basri Qapriçi.


---------------------------

Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.




Prishtinë,02.11.2013                                                                                  Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...