Thellohet skandali me projektin që parashikon krijimin e Unionit Ballkanik, i quajtur ndryshe dhe Jugosllavia e Re. Në nismat që parashikon ky union, diskriminohet Kosova, ndërsa në plan të parë vihen interesat serbe. Në nismat e rëndësishme ekonomike nuk përfshihet Kosova, ndërsa anashkalohet edhe Shqipëria. Megjithatë, skandali më i rëndë qëndron në faktin se pas këtij projekti zhbëhet pavarësia e Kosovës. Më konkretisht Serbia i kërkon Shqipërisë të firmosë marrëveshjen, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Sipas marrëveshjes së fshehtë, e aprovuar nga qeveria e Sali Berishës në Malin e Zi, Kosova thirret të jetë pjesë e unionit me status të ndryshëm me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pra, Serbia e fton Kosovën jo si shtet të pavarur, por si pjesë të saj. Me pak fjalë, Kosova është përjashtuar defakto nga Unioni Ballkanik me vendim të Serbisë. Megjithatë, ky projekt antishqiptar, i rrezikshëm dhe skandaloz, nuk po hidhet poshtë ashtu siç e meriton. Në marrëveshje, Kosova trajtohet si një vend i dorës së dytë, me status të paqartë. Më konkretisht, Serbia dhe Mali i Zi kanë deklaruar që Kosova mund të marrë pjesë në "Union" në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB dhe sipas parimit të neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Pra nisma serbe e nënvleftëson dhe anashkalon shtetin e pavarur të Kosovës si subjekt të së drejtës ndërkombëtare dhe e trajton jo të barabartë me të tjerët, por si shtet të kategorisë së dytë. Pra, Shqipërisë i kërkohet të jetë pjesë e një unioni, ku dy shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, nisma është hedhur për diskutim kur në fund të vitit 2013, është nënshkruar marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Në këtë kuadër, Unioni Ballkanik minon marrëveshjen Serbi-Kosovë. Megjithatë, nisma është mbështetur nga Komisioneri Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle. Ky i fundit e ka mbështetur nismën, edhe pse plotëson vetëm kërkesat dhe interesat e serbëve. Në takimin në Nju-Jork, përveç ministrave të Jashtëm të rajonit, kanë qenë edhe ambasadorët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dhe Komisionari Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle, ku është rënë dakord në parim.
Kosova kundër Jugosllavisë së Re
Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet kategorikisht kundër projektit serbo-rus, i mbështetur edhe nga qeveria e Sali Berishës, për Unionin e Ballkanit Perëndimor, pas të cilit fshihet ringjallja e Jugosllavisë së Millosheviçit. Madje, Kosova shprehet se është tejet e shqetësuar nga kjo nismë e rrezikshme për të ardhmen e saj. Reagimi ka ardhur nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka hedhur poshtë iniciativën e Malit të Zi për planin e quajtur (Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor), pjesë e së cilës janë: Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia. Hoxhaj tregon se shqetësimi i palës kosovare, fillimisht ka hasur në çështjen gjeografike, të cilën e përfaqëson kjo iniciativë, e që janë shtete ish-jugosllave dhe të cilat si grup krijojnë perceptimin e një lloj krijese post-jugosllave. Po ashtu, ai thotë se dyshime ka edhe për natyrën dhe vetë karakterin e kësaj nisme. “Ne kemi mbajtur qëndrimin se kjo nismë të mos jetë vendimmarrëse dhe të mos ketë institucione që do të linin përshtypjen e një integrim koheziv të këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto shtete duhet të integrohen në BE si adresë e vetme”, thotë ai, duke shtuar se ka shqetësime edhe lidhur me draft-dokumentin e kësaj iniciative, projektet e propozuara, qendrat e ndryshme institucionale, prej bashkëpunimit parlamentar, policisë dhe sundimit të ligjit e deri te bashkëpunimi kulturor dhe arsimor, ku, sipas ministrit Hoxhaj, po krijohet përshtypja e një përqendrimi dhe shpërndarje jo të balancuar në mes shteteve. “Konkretisht të gjitha projektet janë të koncentruara kryesisht në Mal të Zi, Bosnjë Hercegovinë dhe në Serbi”, thotë ai. Si rrjedhojë, Hoxhaj thotë se pikënisja e palës kosovare në këtë takim ka qenë se duhet të ketë kujdes, sepse nismat e tilla në rrafshin funksional mund të krijojmë dublifikime të iniciativave ekzistuese dhe në rrafshin e opinionit publik krijojnë keqkuptim për qëllimin e tyre.