2013-10-23

BUKUR BUZËQESHIN VARFËRIA DHE VDEKJA!...

Arqile Gjata.JPG


Arqile Gjata ka lindur në qytetin e Vlorës më 24 Qershor 1942. Nga viti 1995 jeton dhe punon familjarisht në Athinë. Gjatë këtyre viteve ka bashkëpunuar me shtypin shqiptar në Athinë duke shkruar reportazhe, artikuj problemore për emigracionin, skica, tregime si dhe poezi. Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve Liter-Art që kryen aktivitetin e saj në Greqi me Kryetar Miho Gjinin (Mjeshtër i Madh) ka detyrën e sekretarit të saj.
Vepra

Në vitin 2000 ka botuar një monografi të shkurtër për arvanitasin Aristidh Kolia.
Në vitin 2005 vëllimin e pare me poezi “Kur trazohet jeta”
Në vitin 2006 vëllimin e dyte me poezi “Kurorë me ngjyra “
Në vitin 2008 vëllimin me tregime “Qyteti që kërkon Muzikë”
Në vitin 2009 Botova vëllimin e tretë me poezi “Gratë e poetëve”.
Ne vitin 2010- Tetor , Shtepia Botuese "LULU" ne SH.B.A botoj vellimin me poezi "Jeta Me Vjen si Poezi" .
Ne vitin 2010- Tetor , Shtepia Botuese "LULU" ne SH.B.A botoj vellimin me ESE dhe mendime kritike me titull " Nje Ese Per Jeten"
Bashkautor në antologjinë poetike “Itaka e Fjalës”, në Antologjinë poetike “Qiejtë e Shpirtit !" Në Vëllimin poetik rumanisht-shqip “Çelsi i Shpirtit”. Revista "Merhr Lihct" No.38 ka botuar nje cikel me poezi .
Po kështu Revista “Hahemus” ka botuar disa here cikle me poezi në rumanisht.





Përfytyrime nëpër vargje...


Të shikosh dëborën dhe erën
kaq afër nëpër fshat e t‘i ledhatosh me duar cung
në këto vise të veriut,
rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave,
që si muzikë-Pop- bredhërijnë
nëpër shtëpitë e fshatit.

Në ish sheshin e Katundit
grinden të humburat melodi
në skamje për kufoma këngësh,
dhe shëmtitë e tyre shëtisin asfalteve
për të qenë të lumtur një çast.

* * *
Kishte sëmundje të keqe...
Sytë i dridheshin nën mbulesën e qerpikëve të gjatë
me bojë dyshimesh shkruar.
Dikush e ngriti në krah deri te frymëmarrja,
që i përgjigjej peshës së tij të lodhur.
Kështu, përsëri zbriti të ndiqte shtëpinë e vet që lundronte mbi lumë.
* * *
Duke ardhur rreth e qark vetes për të parë,
çfarë kam për të lënë peng,
si një mendim i prishur
rrjedhojë e fërkimit me jetën
m‘u tha qëllimi i vetes,
të shkoj te pragu i një kasolleje,
ku jeta ecën shaluar mbi një mëz
për të gjuajtur lepuj.

Ku jam...?!


I pash gjithë ëndrrat e së shkuarës...
Regjistrin e klasës së parë,
Mësueses Krisanthi dorën i putha.

Kundrova dëftesën e të shtatës klasë,
shpërndava mjegullën ngelur mbi dëftesë...
Paskam dhe unë një emër në shkollën e Skelës!

Ku janë ndjeshmëria dhe koha e viteve??

Në librin e gjendjes civile,
jetojmë të gjithë bashkë me familjen,
këqyrur nga heshtja, zgjohem prej pickimeve të punonjëses
kur shkruan mbi fytyrën time.

Unë jetoj në ambiente inerte,
me dëshira,
të gjithë kanë harruar të luajnë me mua
tek rrugicat e vegjëlisë.

Pyes veten, ku jam...?!

Diku aty,
në kujtime të lodhura e buzëqeshje të humbura,
dhimbje të pa mbledhura nëpër dyer.
Gjithçka tretur në humnerën e jetës.

Athinë 21-9-2010


Dëshira ime

Kur dua të shkruaj poezi
vete të puthë disamuajshen Melita,
mbesën e vogël qumështore.

Më pas shkoj e fle me ëndrrat,
në mëngjes puthjen e diellit
mbi shpatulla hedh.

Dëshirë të madhe kam
të thinjem mbi një varg,
të mbetem një gjethe në pemën e ullirit.

24-27 Korrik 2010


Vendi im Kërkëllin Vajtueshëm


Vendi im, jugë e shi,
qielli prerë nga vetëtimat,
Ishull shpërndarë nëpër ujë,
i bukuri, vendi im.
Drejt tij gjithçka fluturuese
kërkëllinë vajtueshëm virgjërinë.

Era dhunshëm loz
për gjatë ditës,
gri, i qulltë qielli, ajri, toka.


Mbrëmjeve
vendi pikëllimë ngjyrash
si mendim në fluturim,
shpend të gjalla firuar nga uria.

Nëpër rrugë të shkara
vendi im
ecën me mushka e xhipa drejt tokave të vjetra
e nëpër det,
njeriu luan monologun e shishes
veshur me gjethe greke a romake.

I lajthitur
nëpër sheshet e fshat-qyteteve
vendi im përtyp i verbër,
ato çka i kanë mbetur nga torba e gjyshërve,
me dëshirë t’i vërë zjarrin pranverës vyshkur nëpër pyje,
ku fëmijë topbore heqin vallen
e Lek Dukagjinit.

20-2-2010 Athinë

...KUR MË PUSHTOJNË BRITMAT

Tani që po shkruaj jam pa rroba...
më kanë zhveshur britmat e kohës
i ngjajë bukurisë së një kopshti zologjik,
mos u çuditni...!

Kur agon dita fryma ime zgjohet nga britmat
që thërmohen, shpërndahen në zhurma
e unë...
notoj lakuriq nëpër detin e qytetit bosh.
Nga trimëria e erës ato janë tinguj klithmash,
në kurthin e psherëtimave, ose
janë trembëse të dashurisë nëpër qiell
atje, ku është shtrati i pafajsisë
e asgjë nuk pipëtinë veç vezullimit,
ku flenë dëshirat, poezia rebele.
Kur ndjejmë të vërtetën e gjërave nga rrjedha e lumenjëve
apo, kur nga etja na vdes jeta
dhe ne të tre...
unë, pika e lotit dhe dashuria
mbetemi të heshtur mes britmave!

10 Shtator 2013

TATJANA NAZIKE!


Kur hëna grimoj hiret nazike
të asaj gruaje...ishte mbrëmje.
Sheshi gumëzhiu nga buzëqeshjet
nuk kishte lule ndër duar kur na erdhi pranë,
ishte vezulluese nga bukuria Tatjana.

Kur e putha në faqe buzët m’u ndezën,
në sytë e saj doja të pushoja
si gjethe peme të rija mbi gjoksin e Tatjanës!

Me siguri...
Po ta prekësh pak më thellë,
do vdesësh nga bukuria!

vjeshtë e parë 2013

BUKUR BUZËQESHIN VARFËRIA DHE VDEKJA!...


Varfëria dorëpërdore me vdekjen
buzëqeshin nëpër heshtje,
në turmë jeton shpirti i tyre primitiv
që thërmohen si buzëqeshjet e akullta plot frikë.

Prej mjerimit ngrihet statuja e vdekësisë
vepër arti skalitur nga duartë e dhimbies
tretur në një shtatore drite.

Djegur nëpër klubet e natës e zyrave të seksit
shfarosen qenje të shëmtuara
dhuratë për tokën
ku varfëria ja ka ënda të jetoj mbi qiell
si top modele të kapin rrezet e thërmiave!

Ajo...
këmbëzbathura krusur mbi shpinë të kohës
ecën si zë krenar drejt sofrës së shpresës
dhe të varfër dhe të pasur tretur buzagaz nën gurë
ku më i miri i të gjallëve i dobishëm për vdekjen
e mjerimi tingëllon si trishtim,
nga lagështia e pritjes është qullur i tëri.
Tetor 2013

MURGESHA MARGARITA


Atmosfera e çdo stine vezullonte
nga bukuria e murgeshës Margarita.
Hapeshin e mbylleshin dyert e dritaret
kur Margarita murgeshë
shkonte në shtratin e kashtës…
Çdo natë zbavitej e çiltër
e ndezur kërkonte të vdiste me sy të mbyllura,
harbuar nga vera e kuqe e epshit
e përflakur
kënaqej nga joshjet dhe përkëdhelitë
ngjyrë mishi!
Margarita me flokë të gjatë,
fytyrë mbushur me nuancë dashurindjellëse
e ethshme,
menduriçkat e veta
ia falte lakuriqësisë së dashurisë.
E vitet shkojnë…
ajo prehet
më e ndritshme.
Fjalët e saj ende thërrasin:
‘’Dëgjojeni zërin e shpirtit!’’

22-5-20013-Vlorë

NGA JETA E NJË GRUAJE...


Sapo mbylli ditarin
ajo ndjente boshllëkun!
Me zë melodioz thirri:
‘’Eh... djalosh!
Ti, që ende nuk di të ecësh
pse më le si një lule
dremitur nga vapa’’!?
***
I ishte sosur durimi asaj gruaje...
Askush s’po i bënte ballë shpirtit të saj
si fushë beteje e vështirë, si zë që nuk dëgjohet
nëpër sy i dridhej një dritë pakënaqësie!

Pa lëvizur nga fotografia e vet,
si gjethe vjeshte ra...
iku bashkë me ditën
pa u dukur në të perënduar!

19 Prill 2013 –Athinë

TË JESH I LIRË


Epilog
Pjesëzë nga letra e një shoqes time...

I dashur...!
Me ndjenja të adhurueshme
të shkruash vjersha përshkënditëse, të bukura
me atë ritmiken energji, dua të dalësh nga pylli
me personazhin tënd!

I dashuri im!
Deri sa të transformosh hapin
si njeri, dua të di ...ku i ke lënë gjurmët?
Të më vish me një poezi ndër duar, të më thuash
-Ku do t’a mbiellë?,
jo për këdo…
kështu lexuesit do ndërrojnë ngjyrë
e unë do të vizatoj buzëqeshjen e vargjeve të tua!






Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...