2012-05-23

“Historia e Evropës Juglindore nga mesjeta deri tek e sotmja”


Universiteti i Prishtinës duhet të fusë në kurs serbishten apo ndonjë gjuhë tjetër sllave, ka propozuar historiani gjerman Konrad Clewing. Ai u ka bërë thirrje historianëve të lidhen dhe të bashkëpunojnë më shumë, derisa ka folur për barrierat gjuhësore midis tyre. Para studentëve e studiuesve të mbledhur në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Kosovës, Clewing ka ligjëruar për atë se pse duhet të shkruhet historia e Evropës Juglindore. Para se të niste të shtjellonte ligjëratën e tij, historiani gjerman ka pranuar se tema të cilën e ka zgjedhur të ligjërojë, në shikim të parë mund të duket e ngjashme me atë që kishte ligjëruar Oliver Jens Schmitt para një muaji. Por Clewing - i cili është bashkautor me Schmittin në librin “Historia e Evropës Juglindore nga mesjeta deri tek e sotmja” - ka thënë se nuk është rastësi që të dy i preokupon tema e njëjtë.



“Sido që të jetë, nuk bëhet fjalë për sulm frontal të koordinuar në mënyrë nacionalo-historiografike në të cilën mënyrë shumica e kolegëve të pranishëm hulumtojnë historinë. Mu për këtë nuk është ‘komplot antishqiptar’ sepse Schmitt dhe unë nuk jemi marrë vesh paraprakisht për temat që do t’i ligjërojmë”, ka thënë ai.



Evropa Juglindore në kontekstin territorial



Duke zbërthyer bazën përmbajtjesore të ligjëratës për historinë e Evropës Juglindore, Clewing fillimisht ka tërhequr vërejtjen që ky rajon nuk e përfshin vetëm Ballkanin. “Evropa Juglindore nuk është thjesht vetëm Ballkani. Përveç territorit në jug të Danubit dhe Savës përfshin së paku edhe hapësirën rumune dhe Kroacinë. Sipas ndërlidhjeve dominuese në pikëpamje të ndryshme kohore, kësaj hapësire i bashkëngjiten edhe e tërë Hungaria historike dhe Sllovenia”, ka thënë Clewing, derisa ka shtuar se nuk janë të paktë ata hulumtues seriozë që marrin vetëm Ballkanin si hapësirë reale historike për të bërë hulumtimet e tyre. Sipas Clewing, nacionalsocialistët në politikën e tyre nuk kanë folur aq shumë rreth Evropës Juglindore, por më shumë i janë referuar si Juglindje.

“Diskursin ‘Evropë’ nacionalsocialistët e kanë ndjekur qëllimisht edhe për t’u dalluar nga qasja amerikane dhe nga ajo ruse, nga Bashkimi Sovjetik dhe nga tendencat e tyre sunduese ndaj Gjermanisë. Rreth këtij diskursi nuk është hulumtuar sa duhet; do të thoshim fatmirësisht, sepse, përndryshe, do të vihej në pikëpyetje edhe vetë nocioni ‘Evropë’ nga bashkëkohanikët e sotëm”, ka thënë ai.

Mes tjerash, historiani ka folur edhe për një përparësi që ofron historia e Evropës Juglindore - atë të krahasimit më intensiv.



“Shqiptarët janë gjithçka tjetër, pos një ‘popull pa histori’”



Dominimi i historisë nacionale brenda Evropës, sipas Clewingut nuk është karakteristike e Evropës Jugore dhe nuk është as veçori e prapambeturisë.

“Historia nacionale dominon në shkallëzim gradual në të gjitha vendet e kontinentit tonë”, ka thënë ai. Historiani gjerman po ashtu ka thënë se gjendja e burimeve për epokën e paramodernes në Evropën Juglindore është jashtëzakonisht e keqe, sidomos deri në vitin 1800.

“Së paku është jashtëzakonisht e komplikuar. Në krahasim me Evropën Qendrore, për mesjetën dhe kohën e hershme të re, ekzistojnë vetëm disa akte administrative, shumë pak arkiva kishtare dhe thuajse gati fare pak ego-burime, të cilat mund të na ofronin ndonjë informacion mbi të menduarit dhe të vepruarit”, ka thënë ai.

Kur ka folur për arkivat, ai është ndalur veçanërisht për rastin e shqiptarëve.

“Shqiptarët janë gjithçka tjetër pos një “popull pa histori“. Ata kanë një histori të gjatë dhe jashtëzakonisht fascinuese. Por deri rreth vitit 1900 shqiptarët më shumë se të gjithë popujt e tjerë janë një “popull pa akte“. Po e përmendi këtu vetëm rëndësinë e posaçme të gojëdhënave”, ka thënë Clewing, derisa ka shtuar se ego-burimet në Kosovë hasen më vonë se te fqinjët.

Sipas tij, vetëm në dekadën e fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë janë futur edhe burimet greke, serbe dhe bullgare që janë publikuar sidomos nga institutet prishtinase.

“Por gati krejt tjetra qëndron në arkivat osmane, tek të cilat një joosmanist sikur unë mund të arrijë qasje vetëm në kooperim me osmanistët. Pjesërisht vazhdon edhe kompleksiteti gjuhësor i arkivistëve madje edhe pas vitit 1912. Kjo vlen posaçërisht për Historinë e Kosovës brenda epokës së saj jugosllave për të cilën përpos shqipes duhet të mund të lexohet edhe serbisht apo serbokroatisht”, ka thënë Clewing.



Serbishtja - gjuhë e domosdoshme për ekspertët



“Por si do të jetë në të ardhmen? A duhet këtu Universiteti i Prishtinës që të ndërmarrë diçka që për ekspertët të cilët në të ardhmen do të kenë nevojë për njohuri të tilla të fusë serbishten apo ndonjë gjuhë tjetër sllave si kurs?”, ka pyetur Clewing, derisa ka dhënë përgjigje të prerë: “Mendoj se po”.

Në ligjëratën e tij në Prishtinë, historiani gjerman nuk ka lënë pa komentuar as raportin praktik mes historiografive brenda dhe jashtë rajonit, të cilit i është referuar. “Duket shumë më mirë sesa në kohën e shkrimeve të historiografive të veçanta nacionale”, ka thënë ai. Megjithatë, sipas Clewingut, për bashkëpunim praktik ka një barrierë gjuhësore që nuk mund të mohohet. “Në njërën anë kjo barrierë duket ashtu që në fakt vetëm veprat e përkthyera në një gjuhë të Evropës Juglindore japin rast për diskutime dhe debate. Perceptimi i këtyre veprave më pastaj është i pajisur me mosbesim”, ka thënë Clewing, derisa ka marrë shembull librin “Kosova një histori e shkurtër” të Noel Malcolmit, që u përfol si pamflet politik apo publicistikë joshkencore nga historianët serbë. Në mesin e shembujve me të cilët ka argumentuar mendimin e vetë, Clewing, ka përmendur edhe kolegun e tij Schmitt. “Dua vetëm të përmend që është shumë qesharake që një historian i mrekullueshëm, i cili në Perëndim në mos për asgjë tjetër, atakohet si albanofil i pretenduar, për disa këtu rebelonte për një terror antishqiptar”, ka thënë Clewing. Historiani gjerman nga Instituti për Studime të Evropës Lindore dhe të asaj Juglindore në Regensburg të Gjermanisë ka thënë se për të përmirësuar këto, nuk duhet të pritet. “Në dhjetë vjetët e ardhshëm do të jetë shumë vonë. Të kapim sa më shpejt shanset e tilla dhe të tjera për hulumtimet e tona”, ka qenë ftesa e Clewing.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...