Nga: Dilaver Goxhaj
Historia e të dyjave fillon në pranverë, e para në Tepelenën e viti 1942, e dyta në Tiranën e vitit 1998, e para për LANÇ, e dyta për UÇK-në.
Kënga e parë
Historia e kësaj kënge nis në pranverën e vitit 1942. Në një luftim midis njësitit gueril të qytetit të Vlorës me ushtrinë fashiste italiane, vriten dy heronj, ndaj dhe kënga titullohet: “Dy heroj, një ushtri”. Heroizmi i tyre mori dhénë. Në këtë periudhë, shkrimtari dhe poeti Kolë Jakova ndodhej i burgosur në burgun e Tepelenës. Dy-tre ditë pasi kish ndodhur ngjarja epope e Vlorës, poetit Kolë Jakova i mbrin një letër nga Mustafa Matohiti (Hero i Popullit), atëherë komisari i çetës partizane të Kurveleshit, ku i kërkohej një tekst-këngë partizane. Dhe Kolë Jakova tregon: “Pasi ma sollën letrën, fillova me mendu për tekstin e kangës. Në burg më patën leju me e mbajt mandolinën, të cilën ma pat sjellë familja në një nga vizitat e saj, kur unë isha në burgun e Tiranës. Në një nga pushimet e shëtitjes së paradites që banim në kala, (burgu ishte brenda në kalanë e Tepelenës), e hartova tekstin”. (Dhe poeti filloi e recitoi rreshtin e parë të vargut të parë, ndërkohë, ne, dëgjuesit e bisedës, e pasuam në kor: “Dalëngadalë po vjen behari/ Dalëngadalë po na vjen/ Po na vjen, po na vjen / Bota zjen , bota zjen/ Shokët tanë kjo luftë po na i rrëmben…etj”). Pasi mbaruam së kënduari këngën në fjalë, poeti Kolë vijoi:
“Si shkodran që jam, kuptohet që edhe melodinë duhej me e ba vetë. E bana edhe melodinë dhe po e ekzekutoja me mandolinën teme. Kur e mbarova së ekzekituemi me mandolinë dhe tuj e këndu me za të ulën, pash se para meje, kish zgjat kokën nji gjarpën prej një vrimë muri dhe po ndigjonte. Thashë me veti: derisa edhe gjarpni nuk po lëviz vendit dhe po ndigjon me vemendie, kënga jeme kenka shumë e goditun si tekst dhe si muzikë, ndaj dhe fillova me ua mësu të burgosunve të tjerë, të cilët pothuj se ishin që të gjithë të rinj. Për fat, të rinjtë që u bënë më së shumti entusiaztë me atë këngë, u lirun shpejt nga burgu. U gëzova, pasi kënga tash do të përhapej. Mirëpo, pas disa ditësh u pat zhvillu një demostratë në qytetin e Tepelenës dhe mësuam se ata të rinj që e patën mësu ma së miri atë kangë, ishin arrestu dhe dërguar në burgun e kalasë së Gjinokastrës. Epo, thash me veti, humbi dhe kanga jeme.
Pasi dola nga burgu, dola partizan. Në verën e vitit 1944, pasi pat mbaruar lufta për çlirimin e qytetit të Burrelit, ndërkohë që ne partianët po pushojshim në hijet e pyllit, në periferi të qytetit, dhe po këndonim, në një moment dëgjoj se po kandohej kanga “Dalngadal po vjen behari….”. E këndonte një grup partizanësh. Menjëherë brofa në kambë, duke thirrur gjithë gëzim: “Kanga jeme, kanga jeme!”, dhe nuk po mbahesha prej gëzimit që kanga jeme nuk kish humbun. Disa partizanë u befasun e u habitën nga thirrjet e mia, dhe më kapën e më çuan te komandanti i Brigadës Partizane, Shefqet Peçi, duke i thanë se ky partizani kërkon që të na përvetësoi kangën tonë partizane, të cilën kemi më se nj♪ vit që po e këndojmë, duke ia shpjegu se si kish ndodhur grindja e tyne me mua. Komandanti më uli dhe më pyeti se si ishte e vërteta, dhe pasi ia shpjegova në qetësi, thirri komandantin e batalionit, ku unë bëja pjesë, dhe i tha: “Të urdhnoj që partizani poet, Kolë Jakova, të mos lejohet ma me marrë pjesë drejtpërdrejti në luftime. Ky poet dhe muzikant është fat që e kena në brigadën tonë, prandaj kemi detyrë ta ruajmë. Ai duhet të jetoi që të na e ngrejë në piedestalin që i takon luftën tonë heroike”. E falnderova komandantin për “shpërblimin”, por edhe duke i shprehun pikëllimin tem ngaqë nuk më erdhi mirë që nuk do të mersha pjesë direkt në luftime. Urdhëni u zbatu, prandaj dhe jam gjallë e po bisedoj me ju skëndërbegasit sot, pasi luftë ishte…”, e përfundoi bisedën me ne, studentët e Shkollës së Mesme Ushtarake ”Skëndërbej”, shkrimtari dhe poeti i madh Kolë Jakova, në qershorin e vitit 1964.
Kjo këngë këndohej edhe nga luftëtarët e formacioneve të UÇK-së gjatë pushimeve të luftimeve, madje në një rast edhe është filmuar nga Nuri Bexheti, “Hoxha”, si dhe është shfaqur edhe në televizionin e TVSH, Tiranë, dhe nga RTK e Prishtinës.
Kënga e dytë
Kënga e dytë, ndodh përsëri në pranverë, por pas 56 pranverash, në pranverën e viti 1998. Historinë e saj po e marrim të plotë nga libri “Lëvizja”, botim i “Tringa Design” (Tetovë, MK), 2012, faqe 403-405, me autorë Bedri Islami dhe Ibrahim Kelmendi.
“Bedri Islami: Jemi ende në marsin dhe në prillin e vitit 1998. Le të merremi me një ngjarje tjetër, e cila, në dukje, ishte e parëndësishme, por në fakt u bë një gjë jetike, sidomos për të ardhmen. Si çdo ngjarje epike, edhe lufta e zhvilluar në Drenicë, do të kishte jehonën e saj, në mes të tjerave, edhe në këngë, të cilat, kur vijnë në kohën e duhur dhe me frymën e duhur janë, siç e thashë, jetike. Një herë, më duket se ka qenë fillim i vitit 1999, po rrinim në familjen Jashari, tek Baca Rifat, në Mynih dhe djemtë e shtëpisë e pyetën Arif Vladin, këngëtarin e njohur, për këngën e parë që doli menjëherë pas rënies së Ademit, Hamzës dhe të tjerëve. Kënga është kënduar nga Arif Vladi, me tekst të Gjokë Becit dhe me muzikën e Edmond Zhulalit, në mos gaboj. Arifi, ndërsa fliste për këngën, përmendi edhe emrin tënd (të Ibrahim Kelmendit), si nismëtar i saj. Çfarë lidhje kishe ti Ibrahim me këtë këngë? Nuk të kam pyetur asnjëherë, tani, erdhi koha.
Ibrahim Kelmendi: Merita për këngën himn të UÇK-së u takon kryesisht Arif Vladit, Gjokë Becit dhe Edmond Zhulalit. Roli im qe rastësor dhe më vjen turp të tregoj si ka ndodhur. Dy-tre ditë para se të bëhej kënga, kisha bërë një ujdi me vëllanë e Aif Vladit (më vjen keq që nuk më kujtohet emri). Më parë ai kishte qenë polic. Meqë pagat ishin të vogla, e kish lënë atë punë dhe punonte taksist, në Tiranë. Unë e angazhova atë për 50 dollarë në ditë, që të na shërbente, qoftë për të na bartur ne, qoftë për të transportuar ndonjë sasi urgjente të armëve, qoftë për të na gjetur njerëz dhe baza në krahinën prej nga vinte ai, (Peshkopi-Kukës). Në fund të ditës së parë dëgjova nga ai një slogan domethënës për kapitalizmin. Honorarin prej 50 dollarësh ia pagova siç ishim marrë vesh. Ai më kërkoi 57 dollarë. E kundërshtova për 7 dollarët më shumë. U arsyetua se duke na pritur gjatë ditës, në lokale kishte pirë kafe dhe kishte ngrënë sanduiç që i kishin kushtuar 7 dollarë. I thashë – paguaj nga 50 dollarët. Më tha: Zotëri, po të mos isha në shërbimin tuaj, kafe dhe bukë do të pija dhe do të haja në shtëpi, te gruaja ime dhe nuk do të paguaja 7 dollarë. Në kapitalizëm, vetëm mirëmëngjesi është pa lekë, të tjerat i ke me lekë. Më provokoi arsyetimi ndaj ia dhashë 7 dollarët..
Arifi duhet të jetë informuar nga i vëllai se ku mund të më gjente. Ai më njihte qysh në fillim të viteve të 90-ta. Erdhi dhe më tha se ishte koha për të bërë një këngë për UÇK-në. Kishte disa herë që më thoshte dhe prandaj po më bezdiste.Dikur reagova: “Shko, përse nuk e bën këngën!?” Më tha se duhen lekë për tekstin dhe kompozimin. E pyeta sa duheshin. Më tha 700-800 dollarë. Thënë të drejtën, nuk e parashikoja fare rëndësinë e këngës, por që ta hiqja qafe, nxora dhe i dhashë njëmijë dollarë. Menjëherë iku nga tavolina. Të nesërmen erdhi dhe më tha: “Kënga është gati. Do ta dëgjosh?” “Aman, iu përgjërova, më le rehat tani! Nuk dua ta dëgjoj, pa le që nuk marr vesh nga muzika.”
Kaq ishte kontributi im rastësor për atë këngë…….. Sa për rëndësinë e këngës tejet motivuese: “Marshi i ÇK-së”, duhet ta vlerësojnë profesionistët. E falnderoj me këtë rast mikun tim Arif Vladin, që paska përmendur veprimin tim, ndërsa mjetet ishin të Fondit dhe duhen falnderuar donatorët.”