Në arkivat britanike mbahet një model i vetëm i shënimeve që plotësojnë shfaqjen e parë të operës “Mrika” të kompozitorit shqiptar, Prenk Jakova.
Mbi këto shënime shënohet fillimi i këtij muaji të fundvitit, më saktë 1 dhjetori i vitit 1958, kur u shfaq kjo operë me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi
Në arkivat britanike shënohet se në vitin 1936, Prenk Jakova “Artist i Popullit”, kishte organizuar në Shkodër një bandë të vogël muzikore me 36 fëmijë të vegjël. Midis këtyre fëmijëve, më pas mësohet se dolën figura të mëdha shqiptare si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Rota, Tonin Harapi, Zef Gruda etj.
Gjithashtu në arkivat britanike mbahet një model i vetëm i shënimeve që plotësojnë shfaqjen e parë të operës “Mrika” të kompozitorit shqiptar, Prenk Jakova. Mbi këto shënime shënohet fillimi i këtij muaji të fundvitit, më saktë 1 dhjetori i vitit 1958, kur u shfaq kjo operë me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi. “Mrika” opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, kështu për këtë arsye dhe në vitin 1983, ishin nxënësit e shkollës së mesme artistike që mbante emrin e kompozitorit, të rivinin në skenë aktin e parë të saj më 1 dhjetor 1983. Ky akt më së shumti, dhe më shumë nga arsyet e tjera shënon një fakt të papërmendur më parë, tek i cili shihen disa dyshime nga Byroja Politike e asaj kohe, lidhur me argumentin “duhet riparë”.
Fakti dhe fati i kompozitorit të shquar dhe themeluesit të gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika”, nuk përshkruhet në arkiva si u tejkalua, pos atij shënimi që ishte shënuar pikërisht pas 25 vitesh që nga shfaqja e parë e operës “Mrika”. Diku në këto shënime shkruhet se “Opera e dytë e Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika” e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.
Prenk Jakova që kishte shkruar muzikë zanore, duke filluar që nga kënga e vogël lirike, kënga për pionierë, korale, kantata, romanca, këngë masah dhe këngë të muzikës së lehtë, përpunime të këngëve popullore dhe suita të këngëve partizane, dukej se pikërisht në vitin 1983, kishte trazuar dikë atje lart tek udhëheqja. Në një shënim të shkurtër thuhet se hija e vëllait të tij të lidhur me lëvizjen nacionaliste i kishte lënë këto dyshime të paskëtejme.
“Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.”
Prenk Jakova i lindur në vitin 1917, në familjen e patriotit të njohur shkodran Kol Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920, me sa duket kishte arsye të forta patriotike që iu shuan pas vdekjes së tij tragjike në vitin 1969.
Tonin Harapi shkruan për të: “Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë”. Prenk Jakova ishte një artist i madh, që me gjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.
Me gjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë veten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetëvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë. Prenk Jakova kishte dhe një vëlla tjetër Dedën, i cili ishte fotograf i respektuar në qytetin e Shkodrës.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa autori i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar. Kjo natyrisht përbën një sadisfaksion të madh për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, u lind, jetoi dhe shkroi mjeshtri i madh Prenk Jakova.
Artisti i Madh që erdhi me diplomën e lartvlerësuar të konservatorit të Romës, ku kishte ndjekur mësimet për klarinetë, nuk kishte lënë pas shoqërinë e disa perëndimorëve, britanikë dhe francezë, dhe kishte mbarsur përshtypjet e mbetura nga “Unaza e Nibelungëve” të Vagnerit dhe operat e njohura të Verdit, Belinit, Maskanjit, Puçinit si dhe ishte frymëzuar nga ekzekutimet e rralla të Valter Giesekingut, me muzikë të Moxartit etj. Nga Harapi mësojmë se “Ai ndiqte uverturat e Vagnerit, sinfonitë e Dvorzhakut, uverturat e Bethovenit”. Por ai diti të respektojë dhe artin e sopranos Tefta Tashko dhe pianistes Lola Aleksi Gjoka që do të jepnin koncerte për popullin e Shkodrës, ashtu si ishte brumosur dhe me muzikën e popullit.
U rrit dhe u fuqizua në artin e muzikës mes miqsh të letrave dhe muzikës shqiptare si Mustafa Krantja dhe Llazar Siliqi dhe mes emrash të mëdhenj si Bethoveni, Bahu, Hendeli, Moxarti, Shuberti, Belini, Verdi, Supesë etj dhe ekzekutoi më tej edhe Glinkën, Dargomizhskin etj. Por misteri nis në një bisedë të zhvilluar me një grup shkrimtarësh dhe artistësh në prag të Kongresit të parë të Shkrimtarëve dhe Artistëve në vitin 1957, kur Enver Hoxha iu drejtua Prenk Jakovës duke provokuar: “E keni bërë shumë të bukur. Besoj se tani e keni mbaruar atë”. Tonin Harapi na kujton se Prenk Jakova iu përgjigj: “Në mbarim jam, kam vetëm aktin e fundit”. Dhe ndoshta kjo kishte krijuar një dilemë. Enveri donte të kishte arsye për të thënë se opera shqiptare merr jetë… Po a mund të jetë kjo e vetme? Ai i bënte të gjitha. Bënte rolin e elektricistit, mekanikut, radioteknikut, fotografit me shije të hollë, ndreqësit të instrumenteve muzikore. Pra ai ishte i papërtuar për çdo punë dhe me sa duket, ai e ndjente hijen që i afrohej, Hija që i mori jetën Prenk Jakovës!