Gjetjet që janë paraparë, janë prezantuar nga komisioni ad-hoc për vlerësimin e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi. Por ato nuk kanë qenë shumë më ndryshe nga ato që i ka deklaruar kohë më Departamenti Amerikan i Shtetit në lidhje me këtë çështje. Presidentja Atifete Jahjaga në një konferencë për media tha se në raportin e hartuar nga ekspertët ndërkombëtar nuk kanë gjetur asnjë shkelje në marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Jahjaga thotë se pasi kanë diskutuar dhe analizuar hartat, nuk është gjetur asnjë shkelje në këtë marrëveshje. “Unë e kam krijuar këtë komision për të gjetur paqartësitë eventuale në këtë marrëveshje dhe për t’i adresuar ato”, tha Jahjaga. “Ftoi institucionet e Kosovës dhe spektrin politik që të reflektojnë dhe t’i marrin parasysh gjetjet tona”, tha Jahjaga.
“Ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje në demarkacion e Kosovës me Malin e Zi, dhe sipas tyre gjithçka është me standarde ndërkombëtare”, ka deklaruar presidentja Atifete Jahjaga.
“Njëkohësisht, komisioni ka vlerësuar, se ky proces është dashur të jetë më transparent, përfshirë familjarizimin e publikut kosovar me procesin e vendosjes së kufirit, ligjet në fuqi, hartat dhe gjetjet gjeodezike”, ka shtuar më tej ajo.
Amerikani Fletcher M. Burton, gjermani Herbert Wilmes dhe britaniku Fred Newton, kanë konfirmuar atë që kishte deklaruar përfaqësia e SHBA-së në Kosovë, më 21 dhjetor 2015. Në njoftimin e asaj dite thuhej se pas një shqyrtimi të hartave të viteve 1940 deri tashti, duke përfshirë edhe ato të përdorura nga komisioni për shënimin e kufirit, Departamenti i Shtetit Amerikan ka ardhur në përfundim që vija kufitare e përcaktuar nga Komisioni për Demarkacion është me një vijë me atë të Kushtetutës së vitit 1974.
“Kufijtë e përshkruar që nga viti 2008 përputhen plotësisht me propozimin e vitit 2015 deri në detaje. Ne konstatojmë se përfundimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit është një kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, thuhej në konstatimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Komisioni ad-hoc për vlerësimin e procesit të demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, që ishte themeluar 15 ditë më parë (më 15 mars) del sot me përfundimet që ka nxjerrë, pas një pune dyjavëshe.
Vlerësimi i tyre i dorëzohet presidentes Atifete Jahjaga, pranë zyrës së të cilës ata edhe kanë punuar. Gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë, tre anëtarët e tij kanë zhvilluar takime të shumta me shumë palë të interesuara rreth demarkacionit dhe kanë zhvilluar vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi
Konferencë për media: Komisioni ad-hoc për vlerësimin e procesit të demarkacionit
https://www.facebook.com/atifete.jahjaga.zprk/videos/984870818268728/