Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Lençe Ristevska, në konferencën e sotme për shtyp, për pyetjen e Portalbit, se çfarë po bëhet me rastin “Monstra”, njoftoi se janë duke i dëgjuar hetimet dhe se ende nuk ka diçka të re, raporton Portalb.mk.
“Nuk ka ende diçka të re, jemi duke i dëgjuar hetimet”, tha Ristevska.
Më 12 shkurt, Prokuroria Speciale në krye me Katica Janevën ka deklaruar se është e njohur me rastin “Monstra”. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Janevës, Lençe Ristevska në pyetjen e Portalbit se kur ky rast do të hetohet nga Prokuroria Speciale, njofton Portalb.mk.
“Edhe pse nga mbrojtja kanë parashtruar kërkesë që të merret në duar tona rasti “Monstra”, ne ende nuk kemi kërkuar nga Prokuroria për ti marrë materialet e kësaj lënde dhe më tej të ndërtojmë qëndrimin tonë për këtë lëndë.” tha Ristevska.
Në pyetjen e Portalb, se a është e vërtetë pohimi i avokatit se Prokuroria Speciale është mirë e njohur me rastin “Monstra”, ndihmësja e Janevës, Lençe Ristevska pranoi se janë të njohur me rastin por nuk kanë dërguar kërkesë zyrtare për ta marrë atë në duar.
“Jemi duke bërë disa kontrolle dhe shqyrtime dhe kur do të dorëzojmë kërkesë në Prokurori do t’ju tregojmë” tha Ristevska, njofton Portalb.mk.
‘Monstra’, familjarët presin hetimet e prokurores speciale
Pas takimit me anëtarët e prokurorisë speciale, familjari i të akuzuarve për rastin ‘Monstra’, Haki dhe Fejzi Azirit, Bedri Ajdari shprehet skeptik ndaj shqyrtimit të këtij rasti nga ky grup duke thënë që ata nuk disponojnë asgjë nga materiali që është dorëzuar prokurores speciale, njofton Portalb.mk.
“Ne u takuam me prokurorin Trajçe Pelivanov i cili është në grupin e prokurores speciale, dhe i thamë të gjitha ato që kemi për të thënë, mirëpo ende nuk dihej se a do të merret në shqyrtim rasti, pasi që dëshmitë ende nuk ishin dorëzuar. Dy ditë pas takimit tonë, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev dorëzoi materialet e përgjimit dhe na informuan se është hapur hetim lidhur me rastin. Mirëpo unë sërish jam pak skeptik sepse ne nuk posedojmë asgjë nga materialet e dorëzuara. Tash nuk e dimë si do bëhet shqyrtimi, por po të kishim materialet do dinim nëse prokuroria anashkalon ndonjë pjesë apo ndonjë gjë të rëndësishme. Tani gjithçka varet nga prokuroria speciale”