Skip to main content

Me ndihmën e institucioneve ju kanë vjedhur pronë prej 1 milion euro!?


Vëllai dhe motra Grana Bogdanovska  dhe Jovica Stoilkovski nga Kumanova janë gëzuar para 16 vitesh kur kanë kuptuar se janë trashëgimtarët të pronës së gjyshit në vlerë me një milionë euro.  Por kur kanë nisur procesin e denacionalizimit të pronës, kanë kuptuar se dikush që ka lidhje në Gjykatë por edhe në Komisionin për denacionalizim i ka shfrytëzuar dokumentet e tyre dhe e ka grabitur pronën. Prej këtu nis beteja për trashëgimtarët me institucionet qeveritare, të cilat në vend që t’i mbrojnë ato, i kanë mundësuar palës tjetër të shit pronën, që deri tani është ri-shitur disa herë me qëllim që të ndërlikon rastin dhe ta bën drejtësinë e paarritshme.
Drejtesi, gjykata
Në daljen e Kumanovës kah Sveti Nikolle gjendet  zona industriale, ku janë vendosur dhjetëra kompani, uzina, depo, magazina .. Vërehet se industria në periferi të Kumanovës është në rritje të dukshme dhe se çmimi i tokës për metër katror vazhdimisht rritet. Nëse para 10 vitesh pronarët e tokës e kanë shitur për 10 deri 20 euro blerësve të parë që kanë vendosur të rrezikojnë duke nisur biznes, tani metri katror i tokës ku mund të ndërtohen kapacitete industriale, duke marr parasysh se toka është ndërtuese, arrin edhe çmim prej 60 euro. Si rritet interesi i biznesmenëve ashtu rritet edhe çmimi.
Shumë pronarë që kanë prona në dalje të Kumanovës, por nuk kanë kushte për hapje të uzinës, fabrikës ose ndonjë kompanie vendosin ti shesin, pasi që në këtë mënyrë mund mirë të përfitojnë.
Pronari i fundit që ka shitur tokë prej vetëm dy mijë metër katror, tregojnë banorët vendas, ka fituar mbi 100 mijë euro. Pjesa më e madhe e pronarëve e kanë trashëguar tokën prej paraardhësve, ka qytetar që nëpërmjet procesit të denacionalizimit kanë arritur ti kthejnë parcelat, por që gjendja në Maqedoni të jetë unike në çdo kuptim të fjalës, ka edhe pronarë të cilët edhe pse pohojnë se janë trashëgimtarë të pronës dhe sipas Ligjit për denacionalizim toka duhet t’ju takon atyre, 15 vjet nuk janë pronarë të tokës, gjegjësisht ankohen se fuqimëdhenjtë lokal kanë uzurpuar tokën dhe e drejtojnë pa dokumentacion të përshtatshëm!?
Grozde Bogdanovska nga Kumanova vazhdimisht viziton pronën e gruas së tij, Grana, e cila së bashku me vëllain e saj Jovica Stoilkovski, sipas dokumentacionit që e bashkëngjisin janë pronarët e vetëm të pronës prej 16 mijë metër katror në rajonin industrial të Kumanovës. Sa i përket tokës, ai e fsheh gjithë hidhërimin ndaj institucioneve qeveritare dhe individëve që ia kanë uzurpuar pronën dhe i kanë penguar që nëpërmjet procesit për denacionalizim të bëhen pronarë, edhe pse prona është, siç pohojnë ato në pronësi të tyre, kurse Grana dhe Jovica janë trashëgimtarët e vetëm.
Si ka ndodhur që pronarët, në vend se të fitojnë tokën nëpërmjet denacionalizimit, dikush t’ua grabit, ta shet përsëri dhe të përfiton? Sipas versionit të Bogdanovskit, të përkrahur me dokumentacion prej institucioneve kompetente, fuqimëdhenjtë lokal në koordinim me anëtarë të komisionit për denacionalizim, gjykatësve nga gjykata Kumanovare, të punësuar në kadastrën për pronë të patundshme dhe në Ministrinë për transport dhe lidhje e kanë grabitur pronën dhe ja kanë dhënë pronësinë një banori të Kumanovës, fis më të largët të Granës dhe Jovicës, i cili sipas asnjë dokumenti nuk mund të jetë trashëgimtar i pronës, dhe akoma më pak pronar nëpërmjet denacionalizimit. Por, nëse dihet se prona sipas çmimit të tregut vlen dikur rreth 1 milion euro, gjithçka është e mundshme. Për këtë shkak, pohojnë ato, farefisi i tyre ka shfrytëzuar lidhjet me funksionarët lokal që ia kanë mundësuar të merr pronën, edhe pse nuk ka pasur dokumente që vërtetojnë pronësinë. Ata tregojnë se dokumentet i ka siguruar pikërisht nëpërmjet institucioneve që është dashur të jenë në anën e trashëgimtarëve të vërtet.
TË DY PALËT I KANË PASUR DOKUMENTET E NJËJTA
Kur është shpallur Ligji për denacionalizim në vitin 2000, vëllai dhe motra kanë dorëzuar aplikacion që të ju mundësohet pronësia mbi tokën, e përshtatshme për ndërtim të kapaciteteve industriale. Kur kanë dorëzuar dokumentacionin kanë menduar se procedura do të zhvillohet pa pengesa pasi i kanë plotësuar kushtet dhe se nuk do të paraqiten pengesa. Grana dhe Jovica kanë shpresuar se përfundimisht do t’ju ndryshon jeta pasi që kanë ditur se prona që do ta trashëgojnë vlen milionë, veçanërisht pasi gjendet në zonën që në dekadën e fundit është tërheqëse për biznesmenët e fuqishëm financiar.
Gjatë aplikimit, Bogdanovski i ka dorëzuar Komisionit për denacionalizim tapinë (dokumentin e pronësisë) se prona para nacionalizimit ju ka takuar paraardhësve të tij. Që të vërtetojnë se prona është marr nga shteti kanë dorëzuar edhe Akt për marrje të pronës nga ish shteti Jugosllav, pasi që edhe ky dokument ka qenë i domosdoshëm. Ditët kur kanë dorëzuar aplikacionin ju ka munguar vetëm vendimi se janë trashëgimtar të vetëm, gjegjësisht dokument i cili do të vërteton se Grana dhe Jovica janë nipërit të cilëve ju takon trashëgimia në pronë. Por, për disa muaj kanë arritur të nisin procedurën e trashëgimisë dhe me vendim të gjykatës kanë vërtetuar se vëllai dhe motra janë trashëgimtarët e vetëm të pronës. Këtë vendim gjithashtu ia kanë dorëzuar edhe Komisionit për denacionalizim. Në raste të tilla, nëse anëtarët e komisionit kanë tapinë, aktin për marrje të pronës, vendim gjyqësor për trashëgimi dhe njohurinë se askush nuk ka nisur procedurë gjyqësore për të kundërshtuar këtë, atëherë komisioni mund të vendos për disa ditë dhe të denacionalizon tokën.
Por, edhe pse kanë pritur që përfundimisht të bëhen pronarë të tokës, janë befasuar kur e kanë kuptuar se pronat në atë rrethinë shumicave janë kthyer të denacionalizuara, kurse për dosjen e tyre edhe pas dy vitesh nuk ka vendim.
Të shqetësuar nga informata që në vend se të zgjidhet, lënda e tyre ka mbetur në arkivin e Komisionit për denacionalizim, familja Bogdanovski humb besimin dhe hap frontin me institucionet që të fiton atë që i takon. Por nuk  kanë pritur që beteja të zgjatë me vite dhe se në fund do të pësojnë disfatë.
– Kur mendonim se përfundimisht kemi gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe se nuk ka asnjë pengesë për tokën tonë, u ballafaquam me situatë të paqartë dhe kriminele. Pas disa vite ngecje në zbatim të denacionalizimit vajtëm të pyesim pse lënda jonë nuk është zgjedhur dhe përse ne nuk kemi marr tokën sikur qytetarët tjerë. U befasuam kur kuptuam se paralelisht me ne, por sigurisht më vonë, edhe Kiril Mishevski ka dorëzuar aplikacion për pronën e njëjtë, farefis i ynë i cili tani më ka ndërruar jetë, por nuk ka të drejta mbi tokën. Akoma më e tmerrshme ishte informata se përskaj lëndës tonë që është vënë anësh, atij i është dhënë e drejta e pronësisë për tokën në vlerë prej një milion euro – komenton çifti Bogdanovski.
Pronarët e vërtet të pronës, siç tregojnë, nuk e kuptojnë si mundet farefisi i tyre të posedon dokumentet e nevojshme për denacionalizim – vendimin për trashëgimi, aktin për pronë të marr nga shteti dhe tapinë, që familja Bogdanovski i ka pasur në versionin origjinal dhe siç tregojnë askush veç tyre nuk ka mundur t’i posedon. Atëherë kanë dyshuar se aplikacioni është bërë me dokumente të falsifikuara.
– Kur kërkuam nga Komisioni për denacionalizim ti shohim dokumentet në bazë të cilave prona i është dhënë personave tjerë, dhe jo trashëgimtarëve e pamë se faktikisht ato janë dokumentet tona, me informata të ndryshuara. Kjo ishte provë se dikush i ka mundësuar Mishevskit qasje tek dokumentacioni jonë, që pastaj ky ta shfrytëzon në procedurën për denacionalizim. Fakti është se asnjë dokument i tij nuk është origjinal, por të gjitha janë kopje, këtë e dinë të gjithë autoritetet kompetente, kurse akoma më karakteristike është se Akti për pronë të marrë nga shteti është ndryshuar vetëm për një numër, kurse të gjitha të dhënat tjera janë të vjedhura. Me këtë bëhet e dukshme se dikush nga komisioni i ka mundësuar farefisit tonë të vazhdon me lëndën, edhe pse ai nuk ka pasur  asnjë dokument origjinal – e dëshpëruar nga institucionet, tregon Grana Bogdanovska.
Pas kësaj, është e qartë se pse komisioni me vite ka heshtur për lëndën e Bogdanovskit. Ajo vetëm më ia ka dhënë dikujt tjetër, dhe më lehtë ka qenë të fshehin dosjen. Veç kësaj, Mishevski ka poseduar vendimin për trashëgimi, por për pronë tjetër, kurse gjatë denacionalizimit komisioni e ka përfshirë edhe pjesën që i takon vëllait dhe motrës, familjarëve të tij.
VENDIMET E GJYKATËS NË KUMANOVË
Të ballafaquar me situatën e re dhe të përgënjeshtruar nga Komisioni për denacionalizim, Bogdanovskit kanë pritur institucionet tjera të veprojnë me drejtësi dhe se do të tejkalohet mospërputhja në zbatimin e ligjit, por gjithashtu kanë pritur që të dënohen ata për të cilët do të konstatohet që kanë vepruar kundër ligjit. Menjëherë pasi kanë marrë vendimin për denacionalizim, Mishevski, gjegjësisht pasardhësit e tij, kanë filluar të shesin tokën. Kjo për Bogdanovskit është shenjë që familjarët e tyre e kanë ditur që toka është e kontestuar dhe që trashëgimtarët e vërtetë janë të tjerë dhe për këtë shkak kanë vendosur shpejt ta shesin.
Për këtë shkak, që të mundohen të ndalojnë shitjen e tokës, Bogdanovskit kanë ngritur padi për anulimin e vendimit për trashëgimi të konkurrentit të tyre dhe kanë sugjeruar masë të përkohshme me të cilën do të ndalohet tjetërsim dhe ngarkim të tokës për të cilën akoma ka pasur procedurë. Gjykata në Kumanovë pjesërisht e ka pranuar kërkesën e tyre dhe ka vendosur që jo të gjitha 16, por vetëm 8 mijë metra katrorë ju takojnë që t’ju transferohen me obligim. Por këtu paraqitet pengesa tjetër. Kadastra nuk ka dashur t’ua transferojë ato metra katrorë pasi që në dokumentin e gjykatës nuk është definuar qartë për cilat 8 mijë metra katrorë prej tërë hapësirës bëhet fjalë.
Bogdanovska dhe Stoilkovski janë munduar edhe me një padi ta arrijnë tek e vërteta, por atëherë gjykata i ka refuzuar me arsyetim që rasti vetëm më ka vendim. Nga ana tjetër, Mishevski ka arritur të shënojë të dhënat e veta si trashëgimtar dhe pronar i tokës në Kadastër, gjë për të cilën Bogdanovskit dyshojnë që është bërë në mënyrë joligjore me keqpërdorim të të punësuarve. Përveç kësaj, Bogdanovskit thonë që edhe gjykata, si dhe komisioni, i kanë mundësuar Mishevskit qasje ndaj dokumenteve, gjegjësisht i kanë lejuar të merr vendimet e tyre për trashëgimi të cilat ai pastaj i ka përdorur si të vetat.
– Pasi që nuk arritëm të siguromë drejtësi edhe nëpërmjet gjykatës, gjegjësisht kur e pamë që edhe gjykatësit atje janë të përfshirë në manipulimet me tokën, shkuam në teren. Atje, kompanive të cilat kanë blerë parcela nga toka e kontestuar, ju treguam që prona është e jona dhe që ka konteste gjyqësore dhe që ata i kanë paguar të holla pronarit të gabuar. Ata u sollën sikur janë të befasuar, edhe pse është e mundshme që edhe dikush prej tyre të jetë i përfshirë në këtë mashtrim. Menjëherë pasi i njoftuam, për disa ditë ia shitën tokën kompanive tjera dhe kështu rasti u ndërlikua edhe më tepër. Pastaj, pas një viti, kur disi arritëm ta detyrojmë gjykatën  të lëshojë masë të përkohshme për ndalim të shitjes së tokës, e tërë prona ishte shitur disa herë, e me këtë u ndërlikua edhe më tepër kërkimi ynë për të vërtetën – rrëfen Bogdanovska.
Praktikisht, me shitjen e disahershme të tokës është bërë ngatërresë, dhe tani autoritet edhe nëse duan të zbulojnë të vërtetën dhe tokën t’ua kthejnë pronarëve të vërtetë, do të jetë shumë e vështirë, madje edhe e paarritshme. Ekziston mundësia që me dëmshpërblim t’ju kthehet ajo që kanë humbur Bogdanovska dhe Stoilkovski. Por bëhet fjalë për shumë të madhe dhe parashtrohet pyetja nëse ekziston dikush në gjykatë që do të merr vendim për dëmshpërblim prej një milion euro për tokën dhe të holla shtesë për humbjet tjera që kanë pësuar trashëgimtarët 15 vitet e kaluara si pasojë e asaj që nuk kanë poseduar tokën. Pa marrë parasysh që dokumentacioni dhe e drejta, sipas asaj që thonë, është në anën e tyre. Nëse gjykata e bën këtë, do të duhet të pranojë që institucionet kanë fshehur, gjegjësisht në mënyrë joligjore kanë penguar që trashëgimtarët të menaxhojnë me tokën e tyre.
AKUZIMET PENALE NË AJËR
Pas betejës së dështuar ligjore dhe njohurinë që ekziston një rrjet i tërë me persona të përfshirë në vendosjen e ardhmërisë së tokës, trashëgimtarët kanë vendosur të ndjekin penalisht të gjithë që kanë pasur kontakt me lëndën, kurse gjatë kësaj nuk kanë vepruar sipas ligjit, gjegjësisht sipas tyre, kanë mbrojtur personin të cilit pa të drejtë për trashëgimi dhe pa dokumente i kanë mundësuar të marrë tokën. Në vitin 2008 janë ngritur padi kundër gjykatësve M.M. dhe S.I. të cilët kanë qenë të angazhuar në rastet civile në gjykatën e Kumanovës dhe kundër anëtarëve të Komisionit për denacionalizim. Të gjithë janë të denoncuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit.
Duke marrë parasysh që njëra prej padive me sugjerim për masë të përkohshme për ndalim për tjetërsim dhe ngarkim të tokës së kontestuar është dorëzuar në tetor të vitit 2005, kurse gjykata ka vepruar në gusht të vitit 2006 dhe me këtë gjykatësi i cili ka vepruar sipas lëndës i ka mundësuar të paditurit në periudhë prej 10 muajsh të tjetërson tokën për të cilën është hapur procedurë dhe me këtë të pengon kërkesën e trashëgimtarëve, ata konsiderojnë që ekzistojnë elementet kyçe të veprës penale.
Njëri prej gjykatësve, S.I. ka marrë Vendim për trashëgim me të cilin Kiril Mishevski ka trashëguar tokë e cila vetëm më ka qenë e trashëguar nga Grana Bogdanovska dhe Jovica Stoilkovski. Me këtë gjithashtu është përmbushur përmbajtja e veprës penale. Trashëguesit e tokës këtë e quajnë shoqërim kriminal, pasi që ka rreth dhjetë persona të përfshirë nga disa institucione shtetërore. Më e keqja është që nuk kanë si të luftojnë kundër tyre pasi që institucionet i mbrojnë të punësuarit e vet. Për këtë shkak paditë e tilla nuk kalojnë lehtë dhe refuzohen.
Të pafuqishëm dhe duke mos ditur çfarë tjetër të bëjnë, Bogdanovski ka raportuar rastin në Transparensi Intërneshënëll, me shpresë që do të interesojnë publikun dhe diçka do të ndryshojë në këtë rast. Nga organizata, e cila vazhdimisht lufton korrupsionin, dyshojnë se është e mundshme që edhe avokati i Bogdanovskit të ketë udhëhequr keq lëndën , pasi që në këto raste, praktika tregon që shpesh edhe kjo ka qenë shkaku për dështim të të drejtëve, madje ka pasur edhe raste ku avokati i të dëmtuarve ka qenë i lidhur me anën tjetër vetëm për të fshehur rastin dhe t’ju mundësohet përfitim atyre që janë më të fuqishëm.
Kjo është edhe një tregim për atë se si lidhjet e individëve me të punësuarit në institucione, të cilët duhet të mbrojnë qytetarët, mund të vendosin për fatin e njerëzve, kurse të dëmtuarit assesi mos mund të provojnë të drejtën pa marrë parasysh se sa e drejta është në anën e tyre. Prandaj në Maqedoni raportuesit e veprave penale akoma nuk kanë trajtimin e duhur dhe si rrjedhojë edhe më tej bartin pasojat, si që tregon edhe rasti i Bogdanovskive. Në vend që autoritetet të kërkojnë të punësuarit në administratë të cilët nuk e zbatojnë ligjin, ata bëjnë të gjitha që të mos lejojnë qytetarët të realizojnë të drejtën e tyre.
EDHE EKSPERTIZA GJEODEZIKE KA QENË E KOTË  
Gjatë zhvillimit të kontesteve gjyqësore është bërë edhe ekspertizë e Entit gjeodezik në Shkup, që e ka konfirmuar se Akti për marrje të tokës nga ana e shtetit ka qenë në emër të babait tëGrana Bogdanovskës dhe Jovica Stoilkovskit dhe asnjë personit tjetër. Sipas rezultateve, askush tjetër nuk ka mundur të bën denacionalizim të tokës përveç vëllait dhe motrës. Por pikërisht ato nuk mund ta bëjnë pasi dikush i pengon 15 vjet.  Veç kësaj, me ekspertizën është konstatuar se paraardhësit e Mishevskit, në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar ia kanë dorëzuar tokën shtetit dhe kanë marr tokë në vend tjetër.
GJYKATA SUPREME KA VENDOSUR SE NJË KONTESTE E RËNDOMTË DHE E QARTË TEPËR VONOHET
Rasti me tokën ka nisur disa konteste gjyqësore.  Ata janë drejtuar Gjykatës së shkallës së parë në Kumanovë, Gjykatës së Apelit në Shkup, kurse një kontest ka arritur deri te Gjykata Supreme në Shkup. Kjo gjykatë ka konstatuar se rasti me denacionalizimin është i qartë dhe i thjeshtë dhe se nuk ka pasur shkak pse të zgjatet dhjetë vjet. Por pikërisht shtyrja e rastit ka kontribuar që disa persona të përfitojnë dhe të krijojnë ngatërresa me tokën, kurse pronarët mos të dinë kujt t’i drejtohen dhe si të kërkojnë drejtësinë.  .
MISHEVSKI: PRONA ËSHTË E IMJA DHE KJO KA PËRFUNDUAR
Djali i Kiril Mishevski, Çasllav, me të cilin arritëm të flasim në telefon, pohon se Bogdanovska dhe Stoilkovski nuk kanë asnjë lloj prone në rrethinën e Kumanovës, gjegjësisht se ajo tokë nuk i takon gjyshit të tyre.
– Ne paditemi më shumë se 10 vjet dhe tërë kohën drejtësia dhe vendimet e të gjitha gjykatave të mundshme janë në anën time, edhe pse për momentin unë nuk mundem t’ua tregoj, unë i posedojnë dokumentet që vërtetojnë se unë jam trashëgimtar i pronës. Nuk është e vërtet se ka pasur manipulime dhe se dikush ka pranuar mitë, veçanërisht jo gjykatësit, pasi ku kuma mundur unë të manipuloj lëndën? Të gjithë e dimë se ky rast ka përfunduar. Vetëm do të theksoj se paraardhësit e tyre nuk kanë pasur asnjë prone atje dhe për këtë shkak ky rast ka përfunduar për mua. Familjarët e mi nuk kanë të drejtë as të padisin më dikë, as  të nisin ndonjë procedurë dhe tani ju ka mbetur të shkojnë prej organizate në organizatë dhe gazetarë dhe të flasin për rastin. Toka është e regjistruar edhe në kadastër, dhe pjesa më e madhe nuk është shitur. Kjo pronë është ndarë qysh në vitin 1952 dhe janë përcaktuar trashëgimtarët, unë nuk e di se çfarë më shumë duanëGrana dhe Jovica. Një gjë është e qartë, unë nuk kam marr pronën e huaj pasi ajo tokë gjithmonë më ka takuar mua, kurse ata le të bëjnë çfarë të duan. Me të vërtet nuk e di çfarë duanë prej meje dhe deri kur do të vazhdojnë të pretendojnë se janë trashëgimtarë, duke marr parasysh se institucionet shtetërore mua ma kanë dhënë tokën – na deklaroi Çasllav Mishevski.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit