Ortodoksët shqiptarë kërkojnë largimin e Anastas Janullatosit nga drejtimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Pas kundërshtisë dhe kontestimit që i është bërë nga ana e historianëve dhe opinionit publik shqiptar Kryepeshkopit të ortodoksëve shqiptarë, ka reaguar edhe Famulltari i Kishës Autoqefale “Shën Mëria” në Elbasan, At Nikolla Marku. Në një prononcim për gazetën “SOT”, kleriku i Elbasanit ka akuzuar ashpër Anastas Janullatosin duke e cilësuar atë si një shërbëtor të interesave shoviniste greke në kurriz të Shqipërisë.
At Marku u shpreh se Janullatos duhet të largohet nga Shqipëria pasi ka punuar kundër interesave të shqiptarëve. “Nga ana mistike, parimet e ortodoksisë janë të njëjta, por nuk mundet kurrsesi që në krye të Kishës Kombëtare Shqiptare të qëndrojë një shtetas i huaj, i cili i shërben interesave greke duke cenuar Pavarësinë e Kishës Autoqefale Shqiptare që themeloi Fan Noli. Janullatos është një turp i madh i Shqipërisë dhe i politikës shqiptare që e ka vendosur atë në krye të Kishës”, tha At Nikolla Marku. Më tej ai u shpreh se Kisha Kombëtare Shqiptare duhet të drejtohet nga një shqiptar, i cili t’i shërbejë kombit të vet. “Është e papranueshme që ne të na udhëheqë nga ana shpirtërore një i huaj. Anastas Janullatosin e kanë sjellë grekët për të përmbushur interesat e tyre”, tha At Marku.
Statuti
Kreu i Kishës “Shën Mëria”, At Nikolla Marku, deklaroi se emërimi i Janullatosit në krye të kishës është në shkelje të plotë me statutin e vitit 1929, i cili u miratua në Korçë. Në këtë statut parashikohet në mënyrë kategorike që në krye të kishës duhet të vendoset një person me prejardhje dhe gjak shqiptar. Neni 16 i statutit përcakton:
“Kryepeshkopi, Peshkopët, zëvendësit e tyre lokale, Ikonomi i madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, si dhe ndihmësit e zëvendësit klerikë të Kryepeshkopit dhe të Peshkopëve, duhet të jenë prej gjaku, gjuhe, shqiptar si dhe të kenë nënshtetësinë shqiptare”, thuhet në statutin e kishës të vitit 1929 të miratuar në Korçë. Në lidhje me këtë shkelje, At Nikolla Marku shprehet se Janullatosi ka refuzuar ballafaqimin për këtë shkelje duke cenuar pavarësinë e kishës. “Ai e quan veten të pazëvendësueshëm, por duhet të kuptojë që nuk është i tillë. I kemi bërë thirrje, dhe i bëjmë përsëri që ai të vijë të përballet me ne për shkeljen e tij”, tha At Marku. Më tej ai u shpreh se priftërinjtë shqiptarë nuk duhet kurrsesi ta njohin Janullatosin si Kryepeshkop.
“Kryepeshkopi, Peshkopët, zëvendësit e tyre lokale, Ikonomi i madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, si dhe ndihmësit e zëvendësit klerikë të Kryepeshkopit dhe të Peshkopëve, duhet të jenë prej gjaku, gjuhe, shqiptar si dhe të kenë nënshtetësinë shqiptare”, thuhet në statutin e kishës të vitit 1929 të miratuar në Korçë. Në lidhje me këtë shkelje, At Nikolla Marku shprehet se Janullatosi ka refuzuar ballafaqimin për këtë shkelje duke cenuar pavarësinë e kishës. “Ai e quan veten të pazëvendësueshëm, por duhet të kuptojë që nuk është i tillë. I kemi bërë thirrje, dhe i bëjmë përsëri që ai të vijë të përballet me ne për shkeljen e tij”, tha At Marku. Më tej ai u shpreh se priftërinjtë shqiptarë nuk duhet kurrsesi ta njohin Janullatosin si Kryepeshkop.
Nderimi
At Nikolla Marku ka akuzuar politikën shqiptare për atributet që i japin Janullatosit, duke folur me tone mjaft të ashpra në lidhje me nderimin e Kryepeshkopit me “Urdhrin e lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Sipas tij, është një turp i madh për politikën shqiptare e cila nderon persona me ide dhe platforma kundër interesave të popullit shqiptar duke lënë në harresë figura të rëndësishme të Kishës Kombëtare Autoqefale Shqiptare. “Dua të shpreh indinjatën time në lidhje me nderimin e Janullatosit me “Urdhrin e lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Ky nderim i jepet atij dhe lihen në hije figurat të cilat i kanë shërbyer Shqipërisë”, tha At Nikolla Marku.
Kryqet nëpër kodra
Në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, At Nikolla Marku u bëri thirrje të gjithë priftërinjve të mos e përmendnin emrin e Janullatosit si kryepeshkop të Shqipërisë ndërsa në lidhje me kryqet e shpërndara nëpër kodra ai shprehet se janë simbol i interesave territoriale greke. “Komiteti për Mbrojtjen e Pavarësisë së Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare, fton priftërinjtë ortodoksë shqiptarë, t’i bashkohen këtij komiteti me çfarëdolloj mënyre dhe mjeti, për të vendosur në vend statutin e kishës së ndërtuar nga Fan Noli i madh. Vendosja e kryqeve nëpër kodra, po shpjegoj se ato i vendos Janullatosi sipas një harte të vjetër me kufij Perandorinë e Bizantit, pra thjesht bën ndarje territoriale sipas besimit. Një veprim i tillë është shkelje dhe cenim i sovranitetit territorial”, thuhet midis të tjerash në letrën e At Nikolla Markut.
Letra për Janullatos
Disa muaj më parë At Nikolla Marku i adresoi një letër Kryepeshkopit Anastas Janullatos të cilin e fton të përballen për shkeljet e tij dhe veprimet antikombëtare shqiptare duke e përdorur Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare për interesat greke. “Deri tani keni bërë shumë, sepse disa komponentë që duhen përballë organizmave ndërkombëtare, po i realizoni me mendjen tuaj dhe firmat e shefave shqiptarë. Kishën Ortodokse po e paraqisni greke jashtë shtetit, monument varrezash ushtarësh grekë e bëtë në Këlcyrë, emigrantët i detyron shteti grek të thonë jam Vorio Epiriot, disa biznesmenë i keni gati këtu me para, shkolla greke po hapen dhe aty ku nuk ka emigrantë Grekë”, thuhet midis të tjerash në letër.
Fatos Klosi: Janullatos ndihmon ekspansionizmin grek
Në lidhje me debatin e hapur në opinionin publik shqiptar për qëndrimin në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare të Anastas Janullatosit, person me kombësi greke, ka reaguar edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi. Pas reagimit të fortë nga ana e opinionit publik shqiptar si dhe ortodoksëve të vendit tonë, edhe Klosi nga ana e tij mbështet zërat të cilat kërkojnë emërimin në krye të Kishës të një shtetasi me gjak dhe prejardhje shqiptare. Sipas tij, nuk mundtte që edhe pas 20 vitesh demokraci dhe rikthimi të lirive të besimit, në krye të kishës shqiptare të qëndrojë ende një i huaj. Klosi u shpreh se tashmë vet klerikët shqiptarë kanë të gjithë përvojën dhe intelektin për të drejtuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Pavarësisht meritave që ai i njeh Janullatosit në lidhje me ndihmën që ai u dha shqiptarëve për ringritjen e kishës pas rënies së diktaturës, Klosi u shpreh se tashmë ka ardhur koha që ai të largohet. “Unë mendoj se 20 vjet nga rënia e diktaturës dhe e rikthimit të lirisë së besimit është një kohë e mjaftueshme që kuadrot shqiptarë të jenë përgatitur për të drejtuar kishën. Ardhja e Janullatosit në vitin 1992 mendoj se është e justifikueshme për vet rrethanat në të cilat ishte besimi në atë kohë kur nuk kishte përvojë drejtimi. Për sa i përket qëndrimit të stërzgjatur, unë mendoj se kjo është e pajustifikueshme. Këto 20 vite kanë qenë të mjaftueshme që shqiptarët të fitojnë përvojën dhe të drejtojnë vetë”, tha Klosi. Ashtu si pjesa më e madhe e opinionit publik edhe Klosi i bashkohet mendimit se Kryepeshkopi Anastas Janullatos i ka shërbyer interesave të shtetit grek. Sipas tij, ai është vendosur nga grekët për të përmbushur interesat e tyre ekspansioniste. “Në mënyrë të padiskutueshme ai i ka shërbyer interesave greke, pasi siç dihet Greqia është një shtet me ide ekspansioniste”, tha ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.