LETRA PËR VAJZËN TIME - LEDIN
Shkruan: Fatbardha Demi
LETRA E PARË PËR LEDIN ( * )
Mbasi mbylla telefonin, me mëndje, vazhdova të arsyetoj me veten time duke të folur ty. Le të shikojmë Francën dhe Shqipërinë, vënde ku jetojnë dhe formohen këta dy popuj, që simbas mendimit tënd, ndryshojnë shumë për nga formimi kulturor.
Mbas kolonializimit të kontinentit Aziatik, Afrikan dhe Amerikan, Franca kish shekuj që milte pasuritë e këtyre popujve. Këto pasuri u shkrinë për ndërtimin e kështjellave, rrugëve, qyteteve, për ekonominë dhe ushtrinë e saj.
Me këto pasuri, ajo zhvilloi artet dhe kulturën, ndërtoi opera dhe teatro, shtypë-shkronja dhe shkolla. Begatia e vëndit krijoi kushte të lakmueshme për ajkën e mendimtarëve dhe artistëve europianë që u derdhën drejt Parisit, ku nëpër sallonet aristokratike dhe skenat madhështore, i shfaqnin talentet e tyre. Kultura franceze është në një farë mënyre edhe produkt i kulturës europiane.
Ndërkohë Shqipëria ishte nën sundimin e fuqisë më të egër e më të prapambetur (nga ana e zhvillimit) ushtarake të kohës. Në një kohë kur i rëmbeheshin djemtë e vegjël dhe rriteshin në gazermat e jeniçerëve me frymëzimin ndaj perëndisë sulltan.
Ata ktheheshin në fanatikë të tij dhe bashkë me të rinjtë që sistemakisht rekrutoheshin me forcë, çoheshin si ushtarë në të katër anët e perandorisë gjigande osmane, shpesh edhe kundër vëllezërve të një gjaku.
Pasuritë e saj, rrëmbeheshin nga pushtuesi dhe në vend sundonte mjerimi.
Deri në çlirimin e vëndit nuk kish asnjë institucion kulturor përveç shpirtit të vet. Dhe pikërisht me folklorin e tij, kësaj skene pa kufi, shqipëtarët kultivuan artet, aty shtypën gazetat dhe gdhëndën historinë e tyre. Aty, ata krijuan pasuri të pallogaritshme letrare e muzikore, vizuale dhe etnografike, aty edukuan dhe arsimuan bijt e tyre.
Kur iluminizmi francez botonte kryeveprat e tij që ndriçuan errësirën mesjetare, shumë vite me vonë në kohë, Rilindasit shqiptarë, këta pishtarë të mendimit tonë filozofik dhe kulturor, syrgjynoseshin nga terrori turk ose aratiseshin larg Shqipërisë e librat e tyre digjeshin e lexuesit burgoseshin.
Kur Balzaku skicoi fytyrën meskine të shoqërisë aristokratike e borgjeze të kapitalizmit fillestar francez, në Shqipëri nuk lejohej të shkruhej gjuha shqipe dhe mësuesit e saj janë vrarë dhe burgosur.
Mjeda nga mërgimi shkruante:
Nje kto gjuhë që jam tuj ndie
Janë të bukra me themel
Por prap kjo [shqipja] si djell pa hije
Për mue t`tanave ju del
Për ironi të fatit, edhe sot në shk.20 - 21 po vriten ata që tregojnë për vlerat e gjuhës shqipe siç ndodhi me arvanitasin Aristidh Kola [«Gjuha e Perëndive»]
A ka më mizori kulturore se sa, kur në kohën e sundimit turk në Shqipëri ishin hapur 5000 shkolla të huaja, turke, greke, sllave, italiane, të presekutohesh e të mbyllej e vetmja shkollë fillore në gjuhën shqipe në Korçë apo simotrat e saj të më vonshme?
A do të lulëzonte kultura franceze po të mos shkruhesh gjuha e saj?
Në kohën kur Napoleoni pushtonte mbretëritë europiane dhe s`la muze e shtëpi pa grabitur veprat e artit, që sot e kanë bërë Luvrin muzeun më të pasur të botës. ( Lexoni: Museu i Luvrit - Sh.B ) Pasardhësit e atyre legjioneve që vranë e prenë, marrin të ardhura prallore nga turizmi, të cilat i shfrytëzojnë për të zbukuruar dhe fuqizuar ekonomokisht Francën. Ndërkohë, në Shqipëri, edhe ato që mbeten pas shkretimit romak, i përlau greku, austro-hungarezi dhe italiani. Mjafton të kujtojmë që në lashtësi, kur Athina dhe Roma kishin kasolle prej druri, në Epir lulëzonte një qytetrim i përparuar në ndërtime arte e kulturë.
Ishin pellazgo-ilirët ata që ndërtuan veprat monumentale të Romes. ( Shikoni e lexoni për: pellazgo-ilirët - Sh.B ) Edhe sot muri Aurelian [perandor ilir, sepse Roma ka patur 42 perandor ilir] përshkon qëndrën e saj. Në qytetin e Pirros kishte 1052 statuja madhështore që zbukuronin rrugët e që u rrëmbyen nga legjionet romake dhe sot zbukurojnë muzeumet e botës me emërtimin: "romake".
Shqipëria u dogj, u grabit dhe me 1913 u copëtua, por shpirti i shqiptarit e tregonte përherë vitalitetin e tij.
Në fillimet e shk 20, me t’u krijuar shteti i ri shqiptar, një nga ligjet e para të tij ishte ay mbi të drejtën e votës të femrave, në një kohë kur Franca e shkolluar dhe e emancipuar ja njohu këtë të drejtë shumë vite më vonë.
Fati qe më i zi për shqiptarët pas luftës së dytë botërore. Për ironi të fatit, përsëri na ra për pjesë socializmi më i egër i kohës.
Le ta krahasojmë Rusinë, djepin e socializmit, dhe Rumaninë, me vendin tonë.
Tek ne, njerëzit u zhveshën nga gjithshka: nga e drejta e pronës, fjalës, e mendimit të lirë [bile as rrobaqepëset nuk lejoheshin të punonin në shtëpitë e tyre] pra populli u bë ushtar i shtetit. Në Rusi ekzistonte prona private, ekonomia e kufizuar fshatare dhe tregu i lirë. Njerëzit lëviznin lirshëm brënda kampit socialist. Po kështu edhe në Rumani, edhe nën diktaturën e Çausheskut, liria e pronës dhe personit qe e madhe në krahasim me ne.
Kjo jetë e ashpër plot privime dhe denigrime vazhdon edhe sot e kësaj dite, mjafton të kesh parasysh faktin e dhënies së vizave, pamundësia e së cilës e bën popullin e shkretë «të marrë detin me këmbë».
Kujto faktin që ne çamërit nuk kemi të drejtë as të njohim vendlindjen e të parëve tanë që ndodhen në një shtet «demokratik» ku edhe ata çamë që kanë mbetur s’guxojnë të flasin shqip, e ku shqiptarët për të gjetur punë, u detyruan të ndrojnë emrin.
Të gjitha këto, e kanë egërsuar e varfëruar shpirtin tonë në kohë. Disave ju janë errësuar sytë dhe merren me të gjitha pisllëqet. Por mos të harojmë se profesorat dhe organizatorët e këtyre pisllëqeve, janë pinjollët e vëndeve të kulturuara e demokratike dhe kriminaliteti shqiptar nuk ja kalon atij italian, rus, rumun apo aziatik etj.
Dje dëgjova në media se para disa vitesh fallcifikatorët më të mëdhenj në botë të dollarit kishin qenë bullgarët.
Gjithashtu të mos harojmë se kanë kaluar vetëm 15 vjet nga dita kur u çliruam nga diktatura, që për historinë e një vendi është një kohë e papërfillshme për ndryshime shpirtërore të një populli. E megjithatë, sot emra shqipëtarësh dëgjohen në shkollat më prestigjoze, në skenat më me famë, në nivele të larta punësimi në fusha të shkencës dhe ekonomisë, në vende të para të sporteve të ndryshme etj.
E me gjithë ato që ka hequr e heq ky popull i shkretë e me merita të pallogaritshme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet europiane e me gjerë, arrihet deri aty sa disa nga bijtë e tij të flasin me neveri për të, e të mos dëshirojnë të takojnë mundësisht asnjë shqiptar aty ku jetojnë e të mos shkelin në vendin e tyre, në atë tokë ku lindën fillesat e filozofisë, letërsisë e kulturës botërore, asaj kulture që grekërit padrejtesisht [po jo për shumë kohë sepse të vërtetat historike, vetë shqiptarët do t’i bëjnë të njohura vetes dhe botës] i quajnë si të vetat.
Ledi, për sa më sipër, mos mendo se nuk vlerësoj kontributin dhe vlerat e mëdha të popullit francez si dhe ndihmesën direkte dhe indirekte që na kanë dhënë në fusha të ndryshme në kohë. Gjyshi, sikurse edhe breza të shumtë të rinjsh të shumë vëndeve, u shkollua dhe u ushqye nga kjo kulturë e madhe, por kur flasim për disa dukuri të popujve, apo duam t’i krahasojmë në ditët e sotme, duhet të shohim edhe të vërtetat dhe kushtet historike të kaluara dhe të sotme të tyre.
Të përqafoj, Mami
Tiranë, Nëntor 2006
( * ) Ledi - emrin e ka Kledia.
________________________________________
LETRA E DYTË PËR LEDIN
Ledi, me qënëse akoma në mëndje më vërtiten fjalët e tua, po vazhdoj bashkëbisedimin me ty. Nuk je ti e para që të habit veshja shumë elegante ndoshta edhe ekstravagante e vajzave të Tiranës si dhe vështirësitë e mëdha nga seksi i fortë për tu punësuar.
Dua të të flas për lëvizjen e hipive që përfshiu rininë e viteve 60 - 70, nuk mund të them me saktësi datat, gjithë Evropën dhe kontinentin Amerikan.
Nga një konservatorizëm që e rrethonte rininë në familje, shoqëri, kulturë, ku bota ecte simbas një kodi moral të përcaktuar e të kultivuar nga familja, shkolla dhe shoqëria, papritur u kuptua se mund edhe të mos pranohesh ky kod.
Rinia u rebelua kundër normave dhe i la udhë të lirë individit, mënyrës së tij të të menduarit e të vepruarit pa u varur nga "aprovimi" i shoqërisë.
Kjo nuk erdhi menjëherë, por shumë gradualisht. Kjo ndodhi shumë më herët në art ku individë të caktuar pikturuan me këndvështrime individuale dhe stile të pa praktikuara më parë duke i dhënë përparësi ndjenjës dhe imagjinatës dhe jo formës e stileve të përcaktuara nga shkolla të ndryshme.
Kështu në Francë dhe në vënde të tjera me pakë, u shfaqën impresionistët e ryma të tjera simotra në pikturë, letërsi etj.
Ky rebelim u çfaq edhe në muzikë, ku rymat e reja të të bërit muzikë, e sidomos ato që vinin nga baza popullore [si ajo afroamerikane] dalngadalë pushtuan klubet e sheshet, e më vonë radiot e skenat.
Ritmi dhe lëvizja, ishte kushtrimi i brezit te ri kundër një kodi të përcaktuar i kujdo fushe qoftë. Ishte thirrje për liri të përgjithshme të individit!
Të kthehemi tek këta të rinj "rebelë" ndaj çdo gjëje të traditës që përqafuan «të kundërtat» e saj.
Ata zgjatën flokët, braktisën shkollën, familjen dhe u veshën si deshën. Nuk njihnin asnjë normë morale dhe endeshin sa nga një vend në tjetrin duke tërhequr nga pas edhe fëmije të lindur "me shokë" rebelë.
Me gjithë reagimin e shoqërisë, ata vazhduan jetën e tyre nomade deri sa erdhi momenti, që kjo lëvizje, goxha masive, u shua dhe u konsiderua nga vetë ata e padobishme për një jetë të shkurtër siç është kjo e njeriut.
Sepse bota kishte ecur përpara, e ata kishin mbetur mbrapa.
Edhe sot gjen aty - këtu individë "hipi", por rinia e sotme zor se do të përqafojë këtë kthim në primitivitet, në emër të rebelimit e të lirisë së individit.
Në fakt, normat ose t’i quajmë kodet e modeluara dhe të pranuara nga të gjithë, kanë evoluar në kohë. Për këtë u desh një kohë e gjatë sa të konturoheshin, prandaj dhe individë të caktuar në art, vendosën të rebeloheshin. Kështu edhe në arkitekturë u ndërtuan objekte me stile nga më të pabesueshme për kohën, si kisha me formë trekëndëshe, galeri e muzeume cilindrike, shtëpi me mure prej xhami dhe pallate që qëndronin mbi këmbë betoni etj.
Një nga përfaqesuesit e këtij modernizmi qe edhe Korbyzje, me pallatin qytet që ndodhet afër teje. Kjo lëvizje në ndërtim ka qënë shumë pozitive, sepse eksperimentonte dhe futi në përdorim shumë materiale dhe koncepte të reja ndërtimi. Gjithashtu fshiu nga praktika, ndërtime të ngjashme që i bënin të mos dalloheshin p.sh. Parisin me Marsejën apo Bukureshtin ku ke studiuar dhe që jo më kot e therisnin "Parisi i vogël".
Pra, për mendimin tim, në ndërtim por edhe në arte, këto lëvizje qenë të frutshme. Siç kam lexuar këto kohët e fundit në një libër: "Të gjithë krijuesve u duhet diçka që të rebelohen". Por për lëvizjen e hipive, kjo qe një përvojë e hidhur, vlera e vetme e së cilës ishte, që kjo rrugë nuk duhesh ndjekur dhe se "kodet" e shoqërisë kanë vlerat e tyre
Një "rebelim"por në një formë më të lehtë u çfaq edhe në Shqipëri pas viteve 90, kur rinia u përfshi nga avujt e lirisë e të vetveprimit.
Mbas kaq dhetëvjeçarësh, ku sundonin normat e rrepta familjare, shoqërore e shtetërore, ajo pa përpara vetes portën e hapur të një shteti në dekompozim dhe nga shëmbulli i lëvizjeve masive në Europën lindore pas rënjes së murit të Berlinit, pa pyetur njeri zgjati mjekrat e flokët, u shkëput nga familja e vendi, dhe u nis nëpër rrugët e botës shpesh edhe pa një lekë në xhep.
Ky rebelim, që i kushtoi shumë sakrifica e dhimbje, dallohet nga rebelimi i rinisë europiane, sepse thelbësore tek rinia shqipëtare nuk qe të çlirohej vetëm nga disa norma shoqërore dhe të fitonte të drejtën e vetvendosjes së fatit të vet. Rebelimi i rinisë sonë, qe dëshira për të njohur boten e "ndaluar", për të përfituar nga mundësitë e këtyre vëndeve që të siguronin jetën dhe mireqënjen e tyre dhe të familjeve që lanë.
Pra veshja dhe mënyra e re e të sjellurit, qe një rebelim i dorës së dytë, anësor dhe u realizua kur u krijuan edhe kushte financiare e mbasi u bë një farë emancipimi i shoqërisë. Në vitet e para të demokracisë kishte edhe raste, kur për të siguruar këto, vajzat e reja afruan kundrejt pagesës trupin e tyre.
Sot, duke ecur rrugëve të Tiranës, në oboret e shkollave, lokale e qëndra të punës, shikon vajza dhe djem të veshur me lloj lloj rrobash.
Të lind pyetja se këtu ka më shumë lluks dhe ekstravagancë se nga bashkëmoshatarët e tyre që shihen në rrugët e Europës. Mos është një shprehje e shijes së tyre të keqe?
Nuk do të thoja se ekstravaganca e vajzave tona, ua kalon atyre që shohim në qytetet jashte shtetit. Për këtë mjafton të ulesh në ndonjë shesh nja dy orë. Jo më kot e nisa me historine e hipive. Rinia sot do ta ndjejë veten të lirë për të vendosur për veten e saj.
Sigurisht liria është një e drejtë e demokracisë. Pra, le ta shijojnë atë, siç e shijuan dhe e shijojnë edhe rinia europiane. Rinia e jonë e ka gjetur, kështu besoj unë, ekujlibrin midis asaj që dëshiron dhe normave të shoqërise sonë, jo më kot të huajve që kalojnë këtu u bien në sy vajzat tona.
A nuk ështe pak e shtrënjtë kjo liri për xhepat tanë?
Sigurisht, por shqiptari tradicionalisht është tërhequr nga e bukura. Mjafton të kujtojmë se Bajroni thoshte se gjëja më e shtrenjtë në Shqipëri është kostumi kombëtar.
Dua të të vë në dukje edhe faktin se çdo mënyrë e të veshuri apo të sjelluri, kërkon të ketë përpara vetes një model apo një bazë edukuese.
Të rinjtë europjanë kanë traditë në ketë drejtim nëpërmjet revistave, shtëpive të modës e sidomos komunikimit me vëndet e tjera, sepse siç e di, ata kanë mundësi të udhëtojnë pa vështirësi në çdo cep të botës.
Në këtë mënyrë mësojnë dhe konfrontohen me njëritjetrin.
Rrethimi që i bëhet rinisë shqipëtare, e lë të izoluar dhe pikë referimi për të mbetet televizori dhe mallrat që mbushin dyqanet. Siç dihet, nga ekrani shpesh shohim veshje ekstravagante, sepse ekrani ka edhe rolin e tij komercial dhe tendenca e artisteve është të duken ndryshe nga të tjerët.
Mendoj se, siç u zhduk ose u ralluan nga rradhët e të rinjve mjekrat dhe flokët e gjata, koha dhe ngopja me "lirinë" do t’i bëj vajzat të dëgjojnë më shumë edhe moralin e shijen e shoqërisë brënda dhe jashtë vendit, të mësojnë nga mënyra europjane por edhe të krijojë shijet e veta.
Sa për vështirësitë në punësim, po t’i referohesh statistikave europiane dhe amerikane, do të shohësh se sa të vështirë e kanë femrat në ambjentet e punës dhe jo me kot luftuan deri sa u aprovuan ligje kunder abuzimeve seksuale në punë.
Shtetin tonë, akoma nuk mund ta quajmë "demokratik" dhe femrat tona akoma nuk janë të ndërgjegjesuara se duhet të luftojnë për të drejtat e tyre. Siç thotë populli "po s’lufon nuk fiton". Asgjë nuk vjen vetvetiu dhe me pakënaqësira dhe aq më keq, duke përbuzur vëndin tënd, nuk ndryshon gjë.
Pra duhet te shpresojmë se kjo kohë e nevojshme të jetë sa më e shkurtër, sepse fati i atij që vjen më mbrapa, është se ka modele të gatshme përpara.
Sot, fjala rebelim nuk është shumë e goditur për rininë shqiptare. Më e saktë do të ishte fjala eksperimentim, përvojë.
Të rinjtë kanë nevojë të kalojnë përvojat e tyre, para se të përcaktojnë mënyrën e tyre të të veshurit e të të sjellurit. Duhet të njohim rrugët që ndoqën të tjerët para nesh e të heqim gjyslykët e zeza kur shohim të rinjtë tanë apo veten, sepse po vazhduam vetëm me "qarje-sharje" do të na bëhet sëmundje, e jeta e trishtuar.