2016-03-24

Gjuha e Perëndive

"Gjuha e Perëndive" një libër studimor që përpiqet të hedhë dritë mbi lashtësinë e Pellazgëve. Autori i këtij libri është arvanitasi i madh, Aristidh Kola


Gjuha e Perëndive.jpg

Duke u bazuar në studimet e tij personale, por edhe në ato të studiuesve të tjerë, që kanë pasur lidhje me çështjen pellazgjike dhe me tezën e gjuhëve indoevropiane, ai konstaton se populli Pellazg është jo vetëm paraardhës i ilirëve, por edhe i grekëve dhe shpërndarës i qytetërimit në pjesën më të madhe të botës. Pellazgët, si populli më i qytetëruar, nuk ua dhanë elementët e qytetërimit të tyre vetëm grekëve, por edhe fenikasve, babilonasve dhe popujve të tjerë.


“Gjuha e perëndive” e Aristidh Kolës – vizion mendimtari apo hipotezë shkencore.

Në mesin e librave, që trashëgojmë prej Aristidh Kolës, pa më të voglën mëdyshje, “Gjuha e Perëndive”, ka një vend të veçantë: -Sepse rimerr tezën e rilindësve dhe të një mori figurash të përbotshme mbi origjinën pellazge të shqiptarëve, si dhe të mundësive të gjuhës shqipe për të shpjeguar kuptimin e miteve, që kanë emërtuar Zotat; -Sepse fatin e arbëreshëve e merr si të pandarë nga fati i Greqisë. -Sepse hipotezën për të lidhur origjinën e shqiptarëve me pellazgët e ndërthur, me gjasë me botën pellazgjike, shoqëruar me parashtrime mitologjike, historike, arkeologjike dhe sidomos gjuhësore.

Bota pellazgjike, me gjasë pluhuri kozmik, një pasqyrë e paraqytetërimit greko-romak, që vazhdueshëm përndizet në mite, gojëdhëna dhe fjalë, pra duket dhe zhduket, ka zgjuar interes herë pas here. qysh nga shekulli XIX. Pjesë e këtij vështrimi që dikur ka zgjuar interes, e pastaj është fashitur, është lënë mbas dore, është edhe libri “Gjuha e Perëndive” i Aristidh Kolës. Mëdyshja e autorit, sesi do të pritej libri, na vjen qysh në hyrje, kur shprehet: … me bindjen se ishte fjala për dokumente historike të pakundërshtueshme të shkencëtarëve të katedrave e riprodhojnë me mentalitetin e tyre prej dhaskali, pikërisht ashtu siç mbjellin në mendjen e fëmijëve tanë mësuesit se mitologjia hebraike është e frymëzuar nga perëndia dhe është e pakundërshtueshme, kurse mitologjia greke është diçka si në përrallat arabe.

Në një kohë kur duhet theksuar se gjithë përmbajtja dhe substanca e botës së Greqisë së vjetër fshihet në mitologjinë greke (2003: 12), duke paralajmëruar kështu se ku fle enigma. Pikërisht, kjo rrethanë amorfe, gati-gati e një qëndrimi pasiv ndaj librit, e sidomos ndaj problemit pellazg, që herë pas here, ndizet dhe fiket, bëri që librin, me të gjitha parashtrimet e veta, ta vendosim në një situate të debatueshme. Pra, libri “Gjuha e Perëndive”, në këtë qasje dhe ligjëratë, do të vështrohet në dy rrafshe:

Së pari: Si një vizion mendimtari mbi botën e lashtësisë, qytetërimin greko-romak, që buron prej mitologjisë, e cila mundësoi artin e lashtësisë, në letërsi, pikturë dhe skulpturë, ndërkaq që vetë mitologjia është vatra për të kundruar qytetërimet më të hershme, pra edhe botën pellazgjike, të cilën autori duket se e njeh deri në detaje.

Së dyti: Trajtimin e një problemi, që prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e studimeve, mbase më tepër të një hipoteze të përqasjes dhe kthjellimit të mugullimave të kohës, me gjasë edhe të yllësisë pellazgjike, që megjithatë jo rrallë, vërtitet me përndritjet e një meteori.

Duke cekur gjenezën e zotave

Libri “Gjuha e zotave”, fillimisht botohet në greqisht në Athinë, në vitin 1989, ndërsa në vitin 2003, plotësohet ëndrra e autorit, duke u botuar në gjuhën shqipe, me titullin “Gjuha e Perëndive”. Titulli në gjuhën shqipe, të shpie tek formulimi i Dhimitër Kamardës, kur shprehej: Gjuha Arvanitase është gjuha e Perëndive, që duket se shërben si shtysë parake për autorin për të kërkuar pikërisht në këto shtigje. Libri “Gjuha e Perëndive”, është konceptuar në 17 krerë të gjatë, ku merret në shqyrtim bota qysh në zanafillë dhe tentohet që të bëhet lidhja me perënditë e botës antike, duke kërkuar rrënjët e tyre në arvanishten/shqipen. Pjesë integrale e këtij libri, pa mëdyshje janë edhe hyrja, epilogu, bibliografia, ku janë përfshirë 103 zëra, që përbëjnë një literaturë të përfillshme.

Atëherë, duket se vizioni i mendimtarit, lidhet ngushtësisht me praninë e botës mitologjike, që ngjiz dhe zbukuron letërsinë antike. Mirëpo shumëçka sot e gjithë ditën mbetet enigmë dhe e pashpjeguar. Libri “Gjuha e Perëndive”, për problematikën e gjerë dhe kahjet kërkimore, në verifikimin e misterit pellazgjik, e kapërcen vizionin e mendimtarit dhe, përfshihet në qasjen e shpjegimit të misterit të botës pellazgjike, dhe diçka më tepër, përfshihet në shtjellat e një hipoteze të parashtruar para dhe pas Aristidh Kolës. Megjithatë, nuk duhet harruar rregulli se fillesat e kërkimit shkencor nisin me shtjellime hipotetike. Prandaj hipoteza, mbi gjasën e përcaktimit të emrave të perëndive me anë të arvanishtes/shqipes, në shqyrtimet e Aristidh Kolës, ecën mbi parashtrime historike, arkeologjike, mitologjike dhe sidomos gjuhësore.

Thelbi i qasjes, pikëmbështet në shtjellimin e prejardhjes së fjalëve, e kërkimit dhe shënimit të rrënjëve të lashta, përmes etimologjisë, që në disa herë nuk qëndron, e në jo pak raste bart një thelb konceptual të autorit, që i kushtoi kësaj çështje vite kërkimore. Duke i vështruar më në brendësi trajtesat e librit “Gjuha e Perëndive”, të sjella gjithnjë me anë të qasjes etimologjike, kontributi kërkimor, gjendet i qarkëzuar nga prania e dy parimeve: A – Rruga e zgjedhur që përmes shpjegimit të origjinës së emrave të perëndive të lashtësisë, bazuar në fjalët e arvanishtes/shqipes, shoqëruar me përqasje me gjuhët tjera, të lashta dhe moderne, është e njohur edhe më parë dhe diku ka dhënë rezultat.

B – Përfundimet ku arrin autori, të natyrës kërkimore dhe shkencore, varësisht dritëhijeve në shpjegimin e pluhurit kozmik pellazg, për ta rikthyer problemin pellazg në tryezën e debatit si hipotezë, nuk vijnë plotësisht të formësuar, në të gjitha rastet dhe trajtesat, sepse vetë problemi pellazg vijon të trajtohet si një hipotezë dhe vijon të mos ketë hapësirën e mjaftueshme, sidomos në institucionet e shpallura si shkencore. Prandaj në këtë sipërmarrje tepër të ndërlikuar, në kuptimin e shpjegimit të botës së Zotave me anë të arvanishtes, pra të gjuhës shqipe, vihen re dy prirje:
- Përpjekje për të mbërritur tek gjeneza e fjalës, përmes krahasimit të secilit nga emërtimet e perëndive, që e gjen shpjegimin në gjuhën arvanitase, pasi është sjellë fjala në disa nga gjuhët e tjera. Në morinë fjalëve, si më të argumentuarat duken këto raste: - fjala Kaosi: hap-zgjeroj; - Di, që kanë kuptimin e dritës e ndriçimit, që vjen në këto forma: Ditë-pjesë e kohës që ka dritë, Dihet-gdhihet, domethënë bëhet ditë (di), udi-u gdhi, Dieg-djeg, diget-digjet, pra ndriçon, Di-njoh, mësoj, domethënë ndriçoj mendjen time; midea-mendime, arvanite: med(ment)-mendja, truri, mendimi, krahaso Mentor, këshilltar i ditur i Odhiseut; tamël-amëlt, mialt-mjaltë; Afërdita-ofra-të Homerit, afron dita-vjen dita, afërdita-është afër dita dhe Afrondita-po vjen dita, d.m.th drita etj.

- Nga ana tjetër, në këtë shqyrtim etimologjik, kemi edhe raste, që nuk të bindin deri në fund, në krahasimet me gjuhët e tjera, e sidomos në këmbënguljen për t’i lidhur vetëm me arvanishten/shqipen, si në fjalët: nëna, e krahasuar me disa nga gjuhët e hershme dhe të tanishme; Apollon-latinisht Apollo, me një rrënjë të qëndrueshme Ap-, që do të thotë prapa, përsëri, gjene etj.

Hipoteza e shtruar, për të cekuar gjenezën e Zotave, duke u mbështetur mbi fjalorin e arvanishtes/shqipes, që theksohet nga autori edhe në Epilog: Siç treguam, panteoni i Olimpit u ndërtua këtu, në këtë vend të Ballkanit dhe rrënjët e tij i ka thellë në shekuj dhe mijëvjeçarë, pavarësisht se me zhvillimin e regjimeve mori pamjen konkrete dhe të realizuar që na ruajti Homeri dhe Isiodi (2003: 313). Afërmendësh, në hapësirat e këtij teksti, nuk është se merr përsipër që të jap përgjigjen përfundimtare, rreth gjenezës së Zotave dhe të gjuhës së tyre, por jep kontributin e vetë, në disa aspekte gjuhësore dhe historike, për ta marrë në shqyrtim, hipotezën e botës pallazgjike.

Shumica e albanologëve, për shumë kohë, rrënjët e arbënorëve/shqiptarëve, në shumicën e trajtimeve të tyre, i kanë lidhur me ilirët. Krahas kësaj teze, shpesh herë të argumentuar, me dëshmi arkivash dhe shenja të mirëqena arkeologjike dhe historike, mbi origjinën ilire të shqiptarëve, duke nisur nga shekulli i XIX, e në vazhdim, në studimet historike, gjuhësore dhe arkeologjike, është hedhur edhe hipoteza e origjinës pellazge të arbënorëve/shqiptarëve, që kundrohet si e tillë nga figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, nga J. De Rada, S. Frashëri, P. Vasa, Z. Jubani, etj.

Madje, nga studimet e albanologjisë së huaj, por edhe asaj shqiptare, E. Çabej, S Anamali, V. Cimochovski, S. Konda, Dh. Pilika, P. Zheji, Xh. Katapano, R. d’ Angely, “Enigma”, V. Dorsa, E. Gatti, J. Milaj, Zh. K. Faverial, Mathiu Aref, George F. Ëilliams, H. Inalçik, A. Ducellier, A. Benac, P. Cabanes etj. , gjatë shekullit të njëzet është hedhur edhe hipoteza e pranisë së një paraqytetërimi, pra atij pellazg, që ndërkaq ka gjasa që të ketë mundësuar vetë ekzistencën e qytetërimit grek dhe romak, pra europian, gjithnjë sipas përfundimeve të këtyre të fundit.

Shënim: Kjo kumtesë u mbajt në konferencën shkencore për 70-vjetorin e lindjes së Aristidh Kolës. Kumtesa interesante janë lexuar edhe nga prof. Nasho Jorgaqi, Irakli Koçollari, Kolec Traboini, Dorian Koçi, etj).


******


Aristidh P. Kola u lind më 8 korrik 1944 në Leontari (Kaskaveli) të Thivës, rrethin e Tebës dhe kishte dy motra dhe një vëlla. Një fëmijë i vëmendshëm që nisi të shkonte pas të atit që ishte ikonograf në kishat e Thivës. Ky djalë ishte fort i dhënë pas artit, por edhe pas gojëdhënave të gjyshërve arvanitë. Gjente në to shumë cilësi që nuk i shihte përreth. Ajo çfarë i bënte përshtypje ishte se ndjehej një fare droje në të folurën arvanite në publik. Mësuesit ishin shumë të rreptë dhe kësisoj shqipja e vjetër e folur prej tyre strukej për t’u përdorur në shtëpi. Por edhe emrat e fshatrave po tentohej të ndryshoheshin, sepse ishin emra arvanitë. A mos ky lloj ndalimi, (një komision i Helsinkit raportonte se fëmijët arvanitë rriheshin prej mësuesve grekë kur flisnin në gjuhën e kombit prej të cilit e kishin prejardhjen), mos vallë pra ky ndalim ngjalli revoltën e Arit të vogël (kështu e quanin të afërmit e miqtë)?! Në intervistat e mëvonshme ai tregon episode të fëmijërisë e jetës shkollore, por edhe çfarë po ngjiste me këngët e vallet arvanite të cilave edhe tekstin kishin nisur t’ua kthenin në greqisht. Mbaroi gjimnazin e Thivës në vitin 1963 dhe më pas vazhdoi studimet për jurist në Universitetin e Athinës, Fakultetin Juridik, të cilin e përfundoi në 1968. Në këtë vit bën një përpjekje për të vazhduar studimet pasuniversitare në Francë bashkë me shokun e tij Niko, që për pak u kushtoi burgun. Për shkak të situatave të turbullta nga demostratat dhe revoltat e studentëve parisianë u ndaluan nga policia franceze dhe i detyruan të kthehen sërish në Athinë ku ushtroi profesionin e juristit. Në vitet ’80-të, Aristidh Kola do të linte profesionin për t’u marrë me pasionin e jetës së tij; studimet historike, traditat, folklorin dhe gjuhën arvanitase që ishte gjuhë e fëmijërisë së tij dhe e rrënjëve të tij arvanitase. Aristidh Kola ishte shumë i apasionuar edhe pas arteve, njohës i muzikës klasike dhe popullore, piktor amator i admirueshëm, kjo për shkak të traditave familjare. Babai ishte piktor ikonash, po ashtu dhe motra e tij, ka bërë emër si piktore ikonografe në Gjermani, gjithashtu dhe i vëllai Jorgo ushtroi të njëjtin profesion, si ikonograf. Falë aftësive vëzhguese dhe analitike si dhe njohjes së arteve, që në studimet e para arvanitase do të kishte sukses të plotë. Libri i tij i parë “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” u botua në Athinë në vitin 1983, duke njohur 12 botime në greqisht deri më sot dhe duke u bërë, krahas librit të Kosta N. Birit po për arvanitët, libri klasik që hyri masivisht në çdo familje arvanitase në Greqi. Autori i ri fitoi një popullaritet të madh tek arvanitasit dhe në rrethet studimore. Që nga viti 1986 e deri në vitin 1995, ai u zgjodh vazhdimisht president i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë. Në vitin 1989 boton librin e dytë studimor “Gjuha e perëndive” në përpjekje për të shpjeguar fjalët dhe shprehjet e mitologjisë greke me ndihmën e të folurës arvanitase. Atë libër Aristidh Kola e konsideronte si shtesë e librit të tij madhor “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”. Në vitin 1995 boton librin me temë aktuale “Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”, që do të përkthehej më pas në gjuhën shqipe duke u bërë një nga librat më të shitur e të kërkuar në vitin 1998 në Shqipëri. Në vitin 2002 (pas vdekjes) do të botohej i përkthyer në Shqipëri edhe libri i tij “Arvanitët”. Aristidh Kola ishte edhe themelues i Qendrës së Studimeve Arvanitase “Marko Boçari”, të cilën e drejtoi në shumë vite. Bashkë me kompozitorin dhe muzikologun Thanasis Moraitis, Aristidh Kola do të ishte organizatori i festivalit të parë me këngë arvanite, më 15 dhjetor 1986, nga e cila do të dilnin kasetat dhe disqet e para. Më 7 mars 1998 do të organizohej po nga këta edhe festivali i dytë, nga i cili, në vitin 1999 do të qarkullonte një kompakt disk me titull “Trëndafilat e shkëmbit” i edituarshumë herë e me një sukses të jashtzakonshëm. Botoi fillimisht revistën “Besa” si organ të “Lidhjes Arvanitase”, të cilën e drejton deri në vitin 1995 (34 numra) dhe pas ndërprerjes së saj, krijoi shtëpinë botuese “Thamiris” dhe revistën e re dymujore “Arvanon” 1998-1999 (në 8 numra). I ngarkuar tej mase me punët studimore, detyrohet të ndërpresë botimin e revistës “Arvanon”. Në vitin 2000 boton librin “Antonio Bellusci dhe magjia e gojëdhanave popullore”. Janë të shumtë librat e shkruar, por të pabotuar të Aristidh Kolias, ndër këta “Zeusi pellazgjik dhe mashtrimi indo-europian”, “Kadmos dhe Alfabeti”, “Marko Boçari” -roman biografik, “Poezi dhe tregime”, e të tjera vepra mbetur në dorëshkrim. Aristidh Kola u sëmur krejt papritur më 24 maj 2000 dhe të mërkurën e 11 Tetorit 2000 në mbrëmje, jeta e tij u shua duke lënë pas gruan Nansi, vajzën Polikseni, djalin Pano, si dhe veprat që shkroi të cilat e bëjnë emrin e tij të pavdekshëm në historinë e arvanitasve. Aristidh Kolës i është dhënë nënshtetësia shqiptare gjithashtu është dekoruar nga shteti shqiptar me çmimin “Ismail Qemali” dhe, pas vdekjes u nderua me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Një rrugë në Tiranë, në rajonin e Saukut mban emrin “Aristidh Kola”.

(Nga libri “Aristidh Kola” Kolec Traboini, f.17, bot. Pantheon Books, Tiranë, 2014)

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...