2016-03-24

Reshat Sahitaj, “Mali i ndaluar”, FKA, Prishtinë, 2003



ROMAN I MODERNITETIT

Reshat Sahitaj, “Mali i ndaluar”, FKA, Prishtinë, 2003

Abdyl KADOLLI

Ky është romani i dytë i shkrimtarit Reshat Sahitaj. Ai ka botuar më parë në diasporë romanin “Rruga pa kthim”, më 1983.
Romani “ Mali i ndaluar”është modern jo vetëm nga forma artistike, por edhe nga fryma e modernitetit.
Autori vjen në këtë roman me një intuitë të pasur jetësore dhe letrare.
Ai ka një imagjinatë artistike në perceptimin dhe abstraktimin fenomenologjik, në portretizimin e karaktereve, krijimin e situatave dhe fiksimin e detaleve simbolike.
Romani “Mali i ndaluar” sikur lexohet me një frymë. Ka një magji sugjestive të ligjërimit eseistik e metaforik, me plot befasi dhe fshehtësi, që e bëjnë receptimin estetik një vepër të hapur për t’u rikrijuar në imagjinatën e lexuesit.

Fati tragjik

Drama e fatit të protagonistes Donikë, profesoreshë e frëngjishtes në qytetin tonë të jugut, është subjekt i romanit. Romani fillon me psherëtimin e saj në majë të malit: “ Zot, që të kam bërë?!”- si një klithje ekzistenciale e qenies në kohë dhe hapësirë.
Donika e re mbetet e vetmuar: pa burrë dhe fëmijë. Ajo gjendet në një situatë tragjike e absurde njëkohësisht, kur s’i beson më askujt.
Ajo kërkon më kot fatin e bashkëshortit të humbur, por ai “s’gjendej as me të gjallët, as me të vdekurit”,-thotë autori. Ky është fati i mijëra të zhdukurve tanë si pengje lufte.
Depresionin e saj shpirtëror e shkakton situata tragjike, por edhe pritja e gjatë me harresë e indiferencë të rrethit, që s’e kupton lëkundjen e saj shpirtërore, sepse edhe ai jeton me depresionin moral dhe psikotraumat e luftës.
Rrethi i Donikës është një mendësi primitive e intrigave dhe spekulimeve, që përbuz dinjitetin e saj moral e intelektual.
Ajo ndodhet në makthin ndërmjet urrejtjes së vjehrrisë, kërcënimeve fanatike dhe kurtheve të intrigave. Kjo psikozë bën edhe alienimin e saj në vetminë irracionale.
Në këtë dramë shpirtërore Donika kërkon identitetin e vet në botën reale dhe ireale. Duke kërkuar gjurmët e të shoqit, ajo gjen dashurinë e re dhe përtërit vullnetin për jetë.

Struktura e romanit

Hapësira dhe koha e romanit “Mali i ndaluar” janë të kapshme dhe krejt konkrete. Struktura e romanit ka një shtresim filozofik, psikologjik, estetik dhe artistik njëkohësisht.
Ky roman është ndër romanet tona të pakëta që krijon parabolën ndërmjet botës shqiptare dhe botës së jashtme.
Autori karakterizon atmosferën e pasluftës në Kosovë me episodet e ardhjes së kontigjenteve të huaja ushtarake , incidentit në aeroport, brohoritjeve të fëmijëve, britmës së gruas së traumatizuar, vrasjes së kurdisur të ushtarit rus, agjentit serb, shtëpisë që digjej etj.
Aleni dhe Zhani janë dy figura të ushtarakëve francezë, që vijnë në Kosovë me paragjykime për një vend mesjetar, të egër e primitiv, por edhe vendësit kanë paragjykime për ta dhe i konsiderojnë “miq të armiqve tanë”dhe fajtorë për ndarjen e vendit. Ata janë rivalë në karrierë, por edhe në aventurat e dashurisë.
Hetuesi ndërkombëtar P është mospërfillës ndaj vendorëve dhe indiferent ndaj krimeve. Ai ka ardhur nga Afrika në Kosovë vetëm për t’u pasuruar.
Peizazhi urban në këtë roman është plot paradokse, mistere , reklama e muzikë snobe, një vend pa ligje, ku mbizotëron anarkia dhe krimi.
Mendësia naive karakterizohet me ironinë për profetin modern, që “kishte kërkuar që në Kosovë të ndërrohej krejtësisht klima dhe të mos kishte as verë, as dimër.”
Dashuria ideale dhe martesa në këtë roman janë një antitezë e vetë jetës, një kontrast i së bukurës me të shëmtuarën, sepse e para rrallherë përfundon në të dytën.
Mehmeti, një tip tregtari i naftës, edhe në kohën e pushtimit, ka një dashuri të fshehtë të djalërisë për Donikën dhe për të është në gjendje ta rrënojë edhe familjen. Ai madje kurdis rrjetat e intrigave të rrezikshme deri te rrëmbimi i saj.
Shpresa, grua e martuar dhe me fëmijë, hidhet në aventura duke jetuar me dashurinë e dytë.
Donika njihet me Alenin, por bie në dashuri me Zhanin.
Aleni preferon shtratin e vdekjes në shkretëtirë tek Ana magjike e Xhibutit.

Poetika simbolike

Ligjërimin artistik të romansierit Reshat Sahitaj e shquan spontaneiteti në krijimin e kontekstit semantik dhe të nëntekstit simbolik.
Autori krijon botën magjike të reales dhe ireales, fizikës dhe metafizikës, të vetëdijes dhe ndërdijes psikike.
Narracioni zhvillohet në veten e tretë, por edhe në të parën.
Dialogu funksional motivon veprimet e personazheve në situata konkrete.
Monologu i brendshëm zbërthen reflektimet për misterin e dashurisë, kuptimin e jetës e të vdekjes në mrekullinë e fatalizmit, koincidencës, telepatisë, profecisë etj.
Në këtë procedim autori sjell edhe përvojën artistike të përroit të ndërdijes, psikanalizën në zbërthimin e instinkteve e pasioneve të personazheve.
Të këtilla janë imazhet artistike të fanitjes së Unit të dytë, të figurës së ushtarit dhe të imazhit simbolik të kishës bizantine.
Në poetikën e romanit “Mali i ndaluar” metaforizohen situatat psikologjike.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...