Prof.dr. Eshref Ymeri
Kush është
Prof.dr. Hajri Shehu
Ka lindur më 10 qershor 1942 në fshatin Vlosh të qarkut të
Dibrës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Peshkopisë. Gjatë
vitit 1961 ka qenë student i Istitutit të gjuhëve lindore në Moskë. Pasi
Hrushovi i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ai u kthye në atdhe
dhe në vitin 1965 i përfundoi studimet e larta në degën e gjuhës angleze të
Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në
periudhën mes viteve 1965-1966 dhe 1968-1970, ushtroi detyrën e mësuesit të
gjuhës angleze në qytetin e Peshkopisë. Meqenëse gjatë kësaj periudhe kishte
shfaqur interesim të veçantë në lëmin e studimeve gjuhësore, drejtori i Institutit
të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli Kostallari, u interesua në
strukturat përkatëse shtetërore për ta tërhequr në Institutin në fjalë. Kjo u bë
e mundur në vitin 1971, kur ai filloi punën në sektorin e leksikografisëtë Institutit
të gjuhësisë dhe të letërsisë pranë Akademisë së Shkencave. Në këtë Institut ai
punoi vite të tëra (1971-1993, 1997-2010), deri sa doli në pension.
Është për t’u përmendur fakti që
prof.dr. Hajri Shehuështë marrë intensivisht edhe me përkthime nga anglishtja në
shqip dhe me redaktime përkthimesh nga arabishtja në shqip në Organizatën Ndërkombëtare
Islamike të Ndihmës (International Islamic Relief
Organization), e cila e ka rezidencën në Arabinë Saudite dhe një zyrë në Shqipëri.
Këtë lloj aktiviteti e ka ushtruar në vitet 1993-1995. Si një specialist i shkëlqyer
i gjuhës angleze, prof.dr. Hajri Shehu pati tërhequr edhe vëmendjen e katedrës
së gjuhës angleze të Universitetit të Tiranës, e cila e ftoi në detyrën e
pedagogut të anglishtes në vitet 1995-1997.
Gjatë viteve të punës në Institutin e gjuhësisë dhe të
letërsisë, prof. dr. Hajri Shehu vendosi lidhje me Shtëpinë botuese të
Oksfordit (Oxford University Press). Ai është anëtar i Euroaleksit (Shoqata
Evropiane e Leksikografëve), si edhe i “Alex Nash Fellowship of Albanian
Studies” pranë Universitetit të Londrës.
Prof. dr. Hajri Shehu ka një aktivitet mjaft të pasur
shkencor. Ai është bashkautor dhe autor i 22 fjalorëve të gjuhës shqipe dhe të
fjalorëve anglish-shqip, shumica të botuar dhe ca në dorëshkrim që po
përgatiten për në shtyp.Është autor i disa monografive dhe i më shumë se 40
artikujve shkencorë, kushtuar problemeve të gjuhës së sotme letrare shqipe, të
leksikologjisë, të leksikografisë dhe të fjalëformimit, të botuar në revista të
tilla shkencore, si “Studime
filologjike”, “Studia albanica”, “Gjuha jonë”, “Gjuha
shqipe”, “Lexicography” (Oxford).
Prof.dr. Hajri Shehu është autor i disa zërave për Fjalorin
enciklopedik shqiptar, si edhe i më shumë se 30 referateve shkencore që i ka
mbajtur në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, në Katedrën e gjuhës shqipe
të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në
sektorin shkencor të Akademisë ushtarake.
Aiështë autor i disa kumtesave shkencore, të cilat i ka
mbajtur në konferenca dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare që janë
zhvilluar në Tiranë, në Prishtinë, në Ohër, në Oksford, në Teheran etj.
Duhet theksuar fakti që Prof.dr. Hajri Shehu ka skeduar fjalë
të gjuhës shqipe nga 100 mijë faqe librash të ndryshme për pasurimin e fondit
leksikor të gjuhës shqipe pranë Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë. Në të
njëjtën kohë, ai ka drejtuar dhjetra ekspedita gjuhësore në shumë qëndra banimi
të vendit tonë për vjeljen e fjalëve të panjohura nga thesari i gjuhës së
popullit.
Meqenëse në vitet e para të punës së tij pati ushtruar detyrën
e mësuesit të gjuhës angleze, ai i ka kushtuar vëmendje punës për përgatitjen e
teksteve mësimore. Ai është autor i disa teksteve të gjuhës angleze për shkolën
fillore. Në shumë organe ai ka botuar një sërë artikujsh studimorë, kushtuar mësimdhënies
në shkollë. Në shtypin e përditshëm dhe periodik ai, gjithashtu, ka pasë botuar
shumë artikuj popullorë-shkencorë, kushtuar përsëri mësimdhënies në shkollë.
Puna përkthimore dhe redaktoriale ka qenë një pasion i përhershëm
në veprimtarinë shkencore të Prof.dr. Hajri Shehut. Ai ka përkthyer dhe
redaktuar 10 mijë faqe nga letërsia islame. Në disa revista ka botuar “Treguesin e Kuranit”, artikuj studimorë
dhe parathënie për librat që i kushtohen Kuranit. Ai, po ashtu, është autor
artikujsh publicistikë dhe reportazhesh, të botuar në disa organe shtypi.
Për të kënaqur kërshërinë e lexuesve,nga aktiviteti shkencor
i prof.dr. Hajri Shehut, të pasqyruar në jetëshkrimin e tij, këtu poshtë po
rendis vetëm listën e fjalorëve, të përgatitur si autor dhe si bashkautor, që përbëjnë
një kontribut të jashtëzakonshëm në leksikografinë shqipe dhe në leksikografinë
dygjuhëshe.
“Fjalor shumëvëllimësh i gjuhës shqipe”, vëllimet II, III (vepër në
dorëshkrim) (bashkautor)
“Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980 (nderuar me çmimin e
Republikës) (bashkautor/shkronjat D
(pjesërisht), E, Ë, F, P/ pjepër / prridhje, V/ 270 f.)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984 (bashkautor / 165 f.)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984 (sistemim e përpunim i
frazeologjisë së gjithë Fjalorit / mbi 4000 njësi)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë, 2002 (bashkautor / 216 f.)
“Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2004 (bashkautor / 314 f.)
“Fjalor i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006 (bashkautor / 179 f.)
“Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollën) (vepër për shtyp) (bashkautor)
“Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollarë të vegjël) (vepër për shtyp)
(bashkautor)
“Fjalor i
termave të artilerisë (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe bashkëredaktor)
“Fjalor i
termave të prapavijës (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe
bashkëredaktor)
“Fjalor
themelor i termave të bujqësisë”, Tiranë, 2006 (bashkëredaktor)
“Fjalor
anglisht-shqip i fjalëve të urta” (vepër në dorëshkrim) (redaktor)
“Fjalor
frazeologjik sinonimik anglisht-shqip” (vepër në dorëshkrim) (autor)
“Fjalor
anglisht-shqip” me rreth 400 emërtime bimësh (vepër në dorëshkrim) (autor)
“Fjalor
arabisht-shqip”, Tiranë, 2009 (bashkëredaktor)
“Fjalor
anglisht-shqip”, Tiranë, 2010 (autor /
834 f.)
“Fjalor
persisht-shqip”, Tiranë, 2010 (bashkëredaktor)
“Fjalor me
fjalë e shprehje popullore nga Ujemuja”, Tiranë, 2014 (autor / vepër për shtyp)
“Fjalor
tematik bashkëbisedimor anglisht-shqip (vepër në dorëshkrim)
“Fjalor
anglisht-shqip i thënieve dhe i njësive frazeologjike” (bashkautor me të birin,
Bledarin; vepër për shtyp)
“Fjalor
xhepi anglisht-shqip dhe shqip-anglisht” (bashkautor me të birin, Bledarin;
vepër për shtyp)
Gjatë kohës
që ka punuar në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, prof.dr. Hajri Shehu
ka gëzuar respektin e të gjithë kolegëve-gjuhëtarw. Respekt të veçantë ushqente
ndaj tij drejtori i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli
Kostallari, i cili e vlerësonte së tepërmipër punën e tij këmbëngulëse, të
heshtur dhe me cilësi të lartë.
E kam njohur
profesor Hajriun që gjatë viteve studentore. Takimet tona kanë qenë dhe janë mjaft
të shpeshta që kur ai vazhdonte punën në sektorin e leksikografisë të Insitutit
të gjuhësisë dhe të letërsisë. Më bënte shumë përshtypje, ashtu si edhe deri
tani, natyra e tij e heshtur, modestia shembullore, ngohtësia e shpirtit. Me
vite kisha krijuar bindjen e patundur se ai i përket sërës së njerëzve që quhen
“heronj të heshtur”. Dijet e tij në
lëmin e gjuhë shqipe dhe në gjuhën angleze janë me të vërtetë enciklopedike.
Vitin e
kaluar, Prof.dr. Hajri Shehu botoi një vepër shkencore mjaft të rëndësishme, që
përbën një tjetër kontribut me shumë vlerë në fushën e studimit të leksikut dhe
të leksikografisë së gjuhës shqipe. Vepra titullohet: “Studime për leksikun dhe leksikografinë e sotme shqipe”. Librin e
ka botuarQendra e studimeve albanologjike, Instituti i gjuhësisë dhe i
letërsisë. Shtypshkronja “Kaltrina”. Tiranë, 2015. Vepra ka një vëllim prej 364
faqesh. Recezent i librit është prof.dr. Thanas Feka.
Në vijim i ftoj
lexuesit të njihen me përmbajtjen e recensionit.
Sinsinati, Ohajo
24 mars 2016
****
*******
****
Agjencioni Floripress
SEP
18
Prof. Dr. Hajri Shehu : “FJALORI FRAZEOLOGJIK RUSISHT-SHQIP" I PROF. ESHREF YMERIT VEPËR MADHORE E LEKSIKOGRAFISË SONË DYGJUHËSHE
*******
Prof.dr.
Thanas Feka
Qendra e Studimeve Albanologjike
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë
Hajri Shehu
Studime për leksikun dhe leksikografinë
Tiranë, 2015
Përmbledhja
“Studime për leksikun dhe për leksikografinë e sotme shqipe” e prof. dr. Hajri Shehut
përfshin mbi pesëdhjetë artikuj, pothuajse të gjithë të botuar në revistat
shkencore “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe” etj. Tematika e
saj është: I. Çështje të leksikut popullor me vlerë letrare potenciale; II.
Çështje të fjalëformimit në gjuhën shqipe; III. Çështje të sintagmatikës; IV.
Çështje të kulturës së gjuhës; V. Kritikë leksiko-logjike; VI. Kritikë
leksikografike etj. Siç shihet, studimet dhe artikujt mbulojnë një tematikë të
gjerë e të larmishme.
Çështjet e
shtruara në këto studime e artikuj analizohen e shqyrtohen me kompetencë
shkencore. Përmendim, p.sh., studimin për sindajshtesat në gjuhën e sotme
shqipe, tek i cili, nëpërmjet analizës së një lënde konkrete, autori jep
mendimin e vet për pyetje të tilla themelore, me karakter teorik, si: “A janë
të ashtuquajturat sindajshtesa fjalë të plotkuptimshme jashtë njësisë së
njëfjalëzuar, apo janë larguar nga sistemi i njësive leksikore të gjuhës,
domethënë janë kthyer në morfema me semantikë abstrakte deri në rrafshin
fjalëformues të ndajshtesave? A jemi të vetëdijshëm për kuptimin e tyre
përgjithësues (karakteristik për ndajshtesat), apo për kuptimet e tyre
leksikore si tema motivuese në njësinë e njëfjalëzuar? Në këtë studim ai mban
qëndrimin e vet për njësi të caktuara, si bashkë-,
brenda-, jashtë-, para-, krye-, shumë- etj., duke hyrë në diskutim me
qëndrimin e shprehur se “ato janë shndërruar e po shndërrohen në parashtesa në
të gjitha formimet me to”, se “paraqesin më shumë një lëvizje me drejtim nga
kompozimi në parashtesim, por, pa u larguar shumë nga burimi”. Më konkretisht,
ai pohon se “këto elemente nuk janë gramatikalizuar e as nuk po
gramatikalizohen, domethënë, nuk kemi të bëjmë me fjalë shënuese që janë kthyer
ose që po kthehen në formant; përkundrazi, semantikisht ato ruajnë mëvetësinë”.
Po ashtu, i njëjti qëndrim mbahet për këtë problem edhe në studimin “Formimet
me gjymtyrë të parë temën vetë- në
gjuhën e sotme shqipe”. Në studim shqyrtohet gjerësisht nga pikëpamja
leksiko-semantike grupimi më i madh paradigmatik i formime-ve me vetë-. Rritjen e numrit të këtyre
formimeve në krahasim me periudhat e mëparshme të zhvillimit të gjuhës letrare,
autori e lidh jo vetëm me faktorë brendagjuhësorë, por edhe me ata
jashtëgjuhësorë. “Vetë zhvillimi i sotëm i prodhimit, mekanizimi dhe
automatizimi i tij sjellin nocione të reja. Nga ana tjetër, dihet që shoqëria
ushtron ndikim rregullues mbi gjuhën letrare nëpërmjet përpjekjesh sistematike
e të vetëdijshme jo vetëm për pasurimin e saj, por edhe për pastrimin e saj të
mëtejshëm nga ndikimet e huaja të panevojshme. Formimet me vetë- e përmbushin këtë synim, pasi shumë njësi të huaja, madje
edhe ndërkombëtarizma me elementin auto- janë
kalkuar për të mbuluar emërtime nga fusha të ndryshme të shkencës e sidomos të
teknikës”. Në punim dallohen e analizohen ndarazi formimet me vetë-, kur ky përbërës zbërthehet me
emrin e gjinisë femërore vet / e, -ja
(vetëqortim) dhe me përemrin vetvetor vetë
(vetëveproj). Një analizë e detajuar bëhet për rastet e mundshme e të
pamundshme të bashkimit të vetë- me
foljet sipas diatezave përkatëse, të cilat shërbejnë në këtë rast edhe si
kritere për të dalluar formime e kalkime të parregullta foljore.
Për
vëzhgimet dhe përfundimet me interes të veçantë shkencor mund të përmendim
midis të tjerave, edhe studimin “Rreth shtimit të fjalëve të përbëra në gjuhën
e sotme shqipe”. Shtimi i këtyre njësive analizohet mbi bazën e valencave të
brendshme e të jashtme. Më konkretisht, nënvizohet qartë se mundësia për të
formuar fjalë të përbëra kushtëzohet nga valenca e të dyja temave që hyjnë në
kompozitë, por, në radhë të parë, nga tema e përsëritshme, që është gjymtyrë e
parë e njësisë: sa ajo hyn në lidhje me gjymtyrë të tjera, cila është mundësia
për të formuar vargje leksiko-semantike.
Nisur nga
pasqyrat e nxjerra nëpërmjet analizës statistikore të fjalëve të përbëra në
“Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), të krahasuara me ato që janë
nxjerrë nga “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), autori pohon se shtim më të madh
kanë pasur kompozitat mbiemërore e pas tyre, ato emërore, sepse edhe temat
emërore e mbiemërore në përbërje të këtyre kompozitave kanë valencë më të lartë
në krahasim me temat e tjera që u përkasin pjesëve të tjera të ligjëratës. Mbi
bazën e krahasimit të të dhënave të pasqyrave të hartuara për kompozitat e
Fjalorit sipas pjesëve të ligjëratës, nxirret edhe një përfundim tjetër:
“Valenca e lartë e temave emërore dhe mbiemërore përcakton edhe prirjet e
zhvillimit të mëtejshëm të fjalëve të përbëra në gjuhën e sotme shqipe. Kjo do
të thotë, - thekson ai, - që edhe në të ardhmen klasa e mbiemra-ve dhe e emrave
do të ketë prirje për t’u shtuar më shumë me njësi të përbëra. Është,
gjithashtu, e rëndësishme të theksohet, - shton më tej autori, - se ky shtim i
mbiemrave dhe i emrave të përbërë sjell në tërësi rritjen e kategorisë
leksikore të emrit dhe të mbiemrit në gjuhën e sotme letrare shqipe, madje jo
vetëm për etapën e tanishme të zhvillimit të saj, por edhe për të ardhmen”.
Një tjetër
trajtim shkencor me interes i është bërë leksikut me burim popullor me vlerë
letrare potenciale për gjuhën e sotme shqipe në disa artikuj studimorë:
“Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe leksiku popullor me vlerë letrare
potenciale”, “Rreth disa vlerave letrare potenciale të leksikut popullor për
gjuhën e sotme shqipe” etj.
Në
artikullin e parë nënvizohet fakti se një ndër veçoritë dalluese të këtij
Fjalori është se ka përfshirë në fjalësin e tij një numër të konsiderueshëm
njësish leksikore popullore me prejardhje krahinore, të panjohura ose pak të
njohura deri atëherë në gjuhën letrare. Është një zgjidhje krejt e ndryshme nga
ajo e shumë fjalorëve shpjegues të gjuhëve të tjera, si të rusishtes, të
bullgarishtes, të rumanishtes etj., të cilët leksikun popullor me burim
krahinor e pasqyrojnë vetëm mbi bazën e përhapjes së tij të gjerë, tej kufijve
vendësorë, ose mbi bazën e përdorimit të tij mjaft të gjerë në gjuhën letrare,
sidomos në letërsinë artistike. Kjo zgjidhje origjinale është mbështetur në
parimin udhëheqës më të përgjithshëm për zgjedhjen e fjalësit, sipas të cilit
“vlerësimi i çdo fjale-leksemë (për ta futur ose jo në Fjalor) duhet bërë, në
radhë të parë, jo sipas burimit dialektor, as sipas burimit letrar, por sipas
vlerës së saj objektive në strukturën leksikore të shqipes së sotme letrare”.
Në artikullin e dytë autori është ndalur në
fushat leksikore që kanë gjetur mjaft vend në këtë Fjalor, si: leksiku
etnografik, leksiku profesional (emërtime për vegla, mjeshtëri e zeje të
ndryshme popullore, procese pune me këto vegla e pajisje, pjesë të tyre etj.),
leksiku etnobotanik dhe etnozoologjik etj.
Një analizë
e imët leksiko-semantike e fjalëformuese u bëhet edhe njësive leksikore që
emërtojnë ngjyrat në studimin “Rreth emërtimeve të ngjyrave në gjuhën shqipe”.
Në studim sillet e shqyrtohet një pasuri e madhe e këtyre emërtimeve në shqipe.
Ai mund të futet ndër studimet e rralla në literaturën gjuhësore, që analizon
këtë pasuri leksikore të shqipes në përbërje të fushës konceptore të ngjyrave.
Për kulturën
e gjuhës janë disa artikuj: “Rreth fjalëve angleze ose me prejardhje nga
anglishtja në gjuhën e sotme shqipe”, “Për anglicizmat në mjetet e sotme të
informimit masiv”, “Disa probleme të gjuhës së folur të mjeteve të informimit
masiv”, “Për fjalët e huaja të panevojshme në mjetet e informimit masiv”, “Edhe
një herë për gjuhën e televizioneve dhe të radiove tona” etj. Autori analizon
shkencërisht qëndrimin ndaj anglicizmave. Për të përcaktuar gjuhësisht në
mënyrë objektive vendin që huazimet angleze zënë a mund të zënë në gjuhën e
sotme shqipe, autori shtron disa kritere, të cilat mund të vlejnë njëherazi për
të gjitha huazimet: 1- a jepet fjala e huazuar angleze a me prejardhje nga
anglishtja me mjetet fonetike të shqipes e sipas drejtshkrimit të saj; 2- a
mund të sillet në kategorinë leksiko-gramatikore përkatëse të shqipes; 3- a
është aktive fjala e huaj, domethënë, a bën pjesë ajo në shtresën aktive, pak
aktive apo pasive të leksikut e të terminologjisë; 4- ç’jep më tej nga
pikëpamja fjalëformuese, domethënë ç’valencë të brendshme ka: a shërben si temë
për formime të reja, a vijnë prej saj kalke, gjymëkalke etj.; 5- ç’sjell nga
pikëpamja kuptimore: ç’semantikë zgjeron; a rikuptimësohet në gjuhën shqipe,
domethënë, a zhvillon kuptime të reja; a krijon varg sinonimik me fjalë të
tjera të gjuhës ose a i zgjeron më tej të tilla vargje; a kemi ndikim semantik
në sinoniminë vendëse, domethënë, a lind ndonjë kuptim i ri ose ngjyresë e re
kuptimore, stilistikore si rrjedhojë e induksionit semantik; 6-cila është
valenca e jashtme e fjalës së huazuar a me prejardhje të huaj, cila është
mundësia e bashkëlidhjes së kësaj fjale në ligjërim etj. Bazuar mbi këto
kritere, autori jep në artikujt e vet edhe një pasqyrë të gjerë me anglicizma
të nevojshëm e të panevojshëm për gjuhën shqipe.
Artikujt për
leksikografinë janë të shumtë. Ata mund të klasifikohen në dy grupe: 1- artikuj
problemorë, si: “A duhet të përfshihen dialektalizma e krahinorizma në një
fjalor shqip - gjuhë e huaj?”, “Për një fjalor të përgjith-shëm dialektor të
gjuhës shqipe”, “Fjala bashkë me fjalën”, “Për një fjalor drejtligjërimor të
gjuhës shqipe”, “A duhet botuar një fjalor shkollor i gjuhës shqipe?” etj.; 2-
disa artikuj recensionues për disa vepra leksikografike, si “Fjalor i
antonimeve në gjuhën shqipe” i M. Samarës, “Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit
(Oxford Albanian-English Dictionary) i L. Njumarkut, i botuar në një variant më
të shkurtuar edhe në Revistën Ndërkombëtare për Leksiko-grafinë (International
Journal of Lexicography), “Fjalor arabisht-shqip” i S. Tomçinit, “Fjalor
persisht-shqip”, hartuar nga një grup autorësh etj. Veçanërisht në artikullin
“Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit” të L. Njumarkut bëhet një analizë e imët
leksikografike e shqyrtohen objektivisht arritjet dhe mangësitë e këtij Fjalori
dygjuhësh.
Një vend të
rëndësishëm zënë edhe artikujt recensionues për disa monografi me karakter
leksikologjik, si: “Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme” e J.
Thomait, “Parafjalët në shqipen e sotme” e M. Samarës, “Termi dhe fjala në
gjuhën shqipe” e A. Duros, “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor në
viset veriore të Shqipërisë (në përqasje me të folmet e tjera të gjuhës
shqipe)” e S. Pepës etj.
Një shkrim
më i veçantë, por, sigurisht brenda tematikës së përgjithshme të kësaj
përmbledhjeje është “Profesor Androkli Kostallari - personalitet i shquar i
shkencës dhe i arsimit”. Është një vlerësim i merituar për veprën e tij
studimore në nivel europian, për udhëheqësinë e tij shkencore në krye të
Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e brenda tij, të Sektorit të
leksikologjisë e të leksikografisë, për punën e tij dinjitare në shërbim të
studimeve shqiptare.