Në gjyqin e Teme Sejkos është penalizuar si agjent i të huajve një dëshmor! Për herë të parë, kjo histori u bë publike në numrin e djeshëm të gazetës. Ka qenë diçka e pabesueshme, por gjithsesi e vërtetë. Një nga djemtë e Konispolit, i shpallur dëshmor i Atdheut në vitin 1955, gjashtë vjet më vonë, në gjyqin special ndaj "grupit komplotist" nga çamëria, është deklaruar i pandehur, dhe është akuzuar si pjesëtar i grupit që shërbente për zbulimin grek! Në marrëzitë e procesit të montuar ndaj Teme Sejkos, penalizimi i Izet Osmanit, djaloshit nga Konispoli që disa vite më parë ishte dekoruar se kishte rënë në krye të detyrës, si agjent i zbulimit grek dhe bashkëpunëtor në komplotin për përmbysjen e pushtetit popullor, është njëri nga momentet paradoksale të atij gjyqi të inskenuar nga sigurimi i shtetit. Kjo pjesë e legjendës, e thurur në mënyrë të shëmtuar nga "mjeshtrit" e aktakuzës, pas të cilës qëndronte policia sekrete, u përjetua jo vetëm me habi nga të njohurit dhe bashkëfshatarët e "dëshmorit nga Konispoli". Izet Osmani u fut në zhargonin e përditshëm të tyre si "Krishti çam", duke u bërë objekti i dhjetëra legjendave të padëgjuara më parë. Gjithsesi, gjyqi i inskenuar i ish-komandantit të Flotës dhe dhjetëra çamëve të tjerë, ka pasur me dhjetëra vulgaritete të tilla...
Në periudhën para arrestimeve dhe gjatë hetimit që zgjati rreth një vit, u zbatuan një sërë masash operative për të kapërcyer vështirësitë e procesit të montuar dhe për të ndikuar në krijimin e një opinioni sa më të besueshëm për rrezikshmërinë e komplotit të mbetur në tentativë. Pavarësisht kohës së gjatë të hetimeve dhe angazhimit në të, të ekspertëve më të lartë të policisë sekrete, u duk qartë se procesi bazohej tërësisht në prova të pavërteta. Akuza e prokurorit kundër pjesës së të pandehurve, që e kaluan verën dhe dimrin e vitit 1960-1961 në një përpunim intensiv në qelitë e errëta të burgut të Tiranës pa asnjë mbrojtje ligjore, bëri bujë jo vetëm në opinionin e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm dhe shtoi dozën e dyshimeve për përmbajtjen e akuzave. Të parët që u shprehën skeptik, ishin disa nga gazetarët e huaj që ndoqën procesin gjyqësor që u zhvillua me dyer të hapura. Sidoqoftë, inskenuesit e kësaj kryqëzate, nuk u tërhoqën për asnjë çast nga marrëzitë e tyre, duke e çuar deri në fund aventurën tragjike për Teme Sejkon dhe dhjetëra djem të tjerë nga më të njohurit e krahinës së çamërisë....
Vdekja e mistershme e gjeneral Seitit
Më 26 prill 1960, rreth dy muaj para fillimit të arrestimeve të të ashtuquajturve "komplotistë", u dha lajmi i vdekjes së papritur të Gjeneral Hilmi Seitit, Drejtor i Punëve të Brendshme të Shkodrës. Hilmiu ishte shquar si pjesëmarrës i hershëm në lëvizjen antifashiste dhe si kuadër drejtues i formacioneve të mëdha. Me Hilmiun kam qenë shok. Ai ishte një nga drejtuesit e aftë, trim dhe i guximshëm i organeve të punëve të brendshme. Ishte kjo arsyeja që vdekja e tij u prit me keqardhje e me habi dhe varrimi u bë me një ceremoni madhështore nga populli i Shkodrë, i cili e donte dhe e respektonte sinqerisht. Vdekja e menjëhershme dhe e papritur e Hilmi Seitit, i cili kishte dalë shëndosh e mirë nga shtëpia dhe u kthye i vdekur, krijoi dyshime që ditët e para, por ca më tepër kur filluan arrestimet e të ashtuquajturve "komplotistë" nga zona e çamërisë të cilës i përkiste dhe ai. Në fakt dyshimet nuk ishin pa bazë. Vdekja e paqartë e Seitit para fillimit të arrestimeve të bujshme, nuk mund të konsiderohej si koincidencë, apo rastësi. Teme Sejkua, admirali i Flotës dhe Hilmi Seiti, Gjeneral i Punëve të Brendshme, të zgjuar, trima, atdhetarë të ndershëm e të respektuar nga opinioni, gëzonin simpati jo vetëm në sektorët ku drejtonin, por në mbarë vendin. Goditja e Teme Sejko dhe e shumë çamëve të tjerë, pa fakte të vërteta, nuk mund të bëhej duke qenë gjallë Hilmi Seiti. Prandaj siç dyshohej dhe u përfol që në atë kohë, gjeneral Seiti duhej të ishte viktima e parë e të ashtuquajturve "komplotistë". Në shkrimin "Mbi vdekjen enigmatike të Gjeneral Hilmi Seitit", Pandeli Permeti, ish-bashkëpunëtor dhe shok i tij, pas një analize të gjerë, pohon: "Partia realizoi humbjen e mistershme të tij". Ndërsa Vehip Dojaka ka shkruar se "Gjeneral Halim Xhelo, i cili ka vdekur në burgun e Burrelit, më ka treguar se Hilmiun e thirrën në Tiranë dhe i propozuan një lloj kompromisi, një sakrificë të çamëve në interes të atdheut, por ai e kundërshtoi kategorikisht". (Kombi Nr.5,25 mars 1992). Para disa vitesh e shoqja e Hilmiut, duke më dhënë fotografinë e tij për një shkrim që përgatisja për ta botuar në gazetë, më tha se për të sqaruar vdekjen e dyshimtë të Hilmiut, i kishte kërkuar takim Enver Hoxhës dhe ai e kishte pritur menjëherë. Gjatë bisedës i kishte pohuar se Hilmiun e kishte pasur shok besnik dhe për vdekjen e tij kishte kërkuar t'i paraqisnin sqarime të hollësishme, sipas të cilave, rezultonte se vdekja e tij kishte qenë natyrale. Sakaq Enveri, duke tentuar t'i hiqte çdo fije dyshimi, i ishte përbetuar se për atë dhe fëmijët e Hilmiut Partia kishte detyrime dhe për çdo nevojë t'i drejtohej drejtpërdrejt për ta ndihmuar. Tashmë është plotësisht e qartë si përgatiteshin informacionet zyrtare për të tilla raste dhe si inskenoheshin provat. Gjithsesi, Hilmi Seiti iku papritur nga kjo jetë, duke lënë nga prapa shumë dyshime e dilema...
çfarë pohoi
agjenti "Gjoksi"
Asokohe shumë veta nën zë thoshin se të vërtetën për atë që ndodhi me Teme Sejkon dhe grupin e çamëve të dënuar në gjyqin e majit të 61-shit, e di Braho Emini, ose ndryshe "Gjoksi". Të paktën kështu mendonte një pjesë e banorëve të Konispolit. Koha vërtetoi se ai nuk kishte lidhje me këtë histori, por diçka dinte për lojën e sigurimit të shtetit me Teme Sejkon dhe grupin e çamëve të tjerë, të dënuar me anën e një procesi fars. Po çfarë tregoi e çfarë nuk tha i famshmi "Gjoksi"? Në shtator 1960, kur ishin arrestuar "komplotistët", u përhap një lajm i bujshëm që bëri jehonë në opinion. Ishte kthyer në atdhe një "i arratisur" para shumë vitesh, i cili siç u tha, ishte agjent i sigurimit të shtetit që vepronte në Greqi. Ai thirrej me emrin e koduar "Gjoksi". Vetë Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, e popullarizoi "Gjoksin" në mjaft nga mbledhjet e hapura në rrethet e jugut, si një hero të Sigurimit të Shtetit, i cili me zbulimet e tij i kishte bërë shërbime të mëdha shtetit. U përfol se "Gjoksi" kishte depërtuar deri në organet e larta të zbulimeve të huaja, madje deri në oborrin e Mbretit të Greqisë, ku siç thuhej kishte rënë në gjurmë të komplotit të një koloneli shqiptar, që synonte rrëzimin e regjimit në Shqipëri. Inskenuesit e "komplotit", vunë gishtin se ky duhet të ishte Teme Sejko. Arsyeja pse duhej të ishte pikërisht ai Sejkua kreu i grupit komplotist, u qartësua nga zhvillimi i ngjarjeve të më vonshme. Asokohe flitej se ky "Hero i heshtur", do të dekorohej "Hero i Popullit", po për ironi të aftit "Gjoksi" i famshëm, mbas gjykimit e dënimit të Teme Sejkos e të dhjetëra të akuzuarve si pjesëtarë të "komplotit", përfundoi kasap e shitës mishi në Shkodër ku edhe vdiq. Kush ishte "Gjoksi" që e përdorën gjoja si zbulues të një "komploti"? Ai i përkiste komunitetit çam. Më herët kishte banuar në Sarandë dhe gjatë qëndrimit në Greqi ishte martuar me një greke, të cilën e solli në Shqipëri kur u kthye. Jam takuar me të në ato vite kur erdhi në ceremoninë përkujtimore të festës së Konispolit. E shoqëronte një person i sigurimit sipas thënies së tij. Fillimisht folëm për babain tim që ai e njihte mirë. Pastaj më tregoi për aventurat që kishte bërë në Athinë e deri në Amerikë ku kishte shkuar me mision të fshehtë. E pyeta për historinë e grupit të Teme Sejkos dhe më tha: "Nuk di asgjë për këtë çështje. Të tilla punë i gatuajnë ata që janë lart. Ato janë probleme të ngatërruara me të cilat nuk jam përzier kurrë". Sakaq, më rrëfeu për rastet kur vinte ilegalisht nga Greqia në Shqipëri, për takimet e fshehta që zhvillonte me drejtuesit e sigurimit dhe më tregoi si kishte vrarë një agjent grek që e shoqëronte etj. Atë ditë u takua dhe me një burrë nga fshati Mursi, i cili kur ju prezantua u habit jashtë mase. Ishte përballur me të rastësisht afër Mursisë, në një nga ato hyrjet ilegale nga Greqia dhe mursioti ishte trembur se mos e vriste. "Gjoksi" duke e qetësuar e kishte porositur që mos ta zinte në gojë që ishin takuar bashkë. Në një rast duke qenë me shërbim në në Shkodër, shkova për ta takuar në dyqanin ku shiste mish. Më mirëpriti, por nga biseda nuk dukej i kënaqur dhe më tha se puna e tij tashmë kishte mbaruar. Nuk pyet njeri për hallet e mija, më tha i indinjuar, kam mbetur një cop shitës mishi dhe vetëm kaq. Në fund nuk harroi të më kujtonte që mos të shkoja më për ta takuar se "jemi çemër" më tha e kudo na shikojnë me dyshim. Ky ishte dhe takimi i fundit me të. Doja të mësoja të vërtetën ç'kishte ndodhur me "Gjoksin" dhe cili ishte emri i tij i vërtetë, çfarë dinte ai për regjinë e dramës së Teme Sejkos dhe të çamëve të tjerë, të dënuar sipas akuzës së prokurorit të Republikës, "përgatitën të shpërthente kryengritjen e armatosur për rrëzimin e pushtetit popullor me anën e një komploti të koordinuar me shumë shtete imperialiste dhe revizioniste". Ndërsa Enver Hoxha i ka thënë Kadri Hazbiut që drejtonte Sigurimin e Shtetit pas disa vjetësh se "Procesi i Teme Sejkos është legjendë e çuditshme shumë e dyshimtë".
vijon nesër...
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...