2016-03-04

Jaho Salihi: Po të mos ishte Izet Haxhia, Azemi s'do ishte vrarë

21-vjeçari Jaho Mulosmani u vendos në detyrën e shefit të rendit në Komisariatin e Bajram Currit, duke bërë bujë, jo vetëm për moshën mjaft të re, por dhe për faktin se shumë shpejt u kthye në një personazh protagonist në problemet e shumta të trevës së Tropojës me krimin.

Ai nuk plotësonte asnjë kriter për të mbajtur një detyrë kaq të rëndësishme, për më tepër në prag të krizës së Kosovës. Por, Jaho rridhte nga një familje shumë e njohur në Malësinë e Gjakovës.

Mulosmanët kanë qenë vazhdimisht Bajraktarët e Krasniqes, bajrakut më të madh ndër katër bajraqet që përfshihen në rrethin e Tropojës. Në kullën e gurtë të Mulosmanëve është zhvilluar dikur konferenca e famshme e Bujanit nga data 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944. Mulosmanët kishin qenë flamurtarët e Krasniqes në çdo qëndresë të armatosur ndaj invazioneve turke apo serbo-sllave në veri të vendit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, katër komandantë batalionesh të forcave partizane ishin prej Mulosmanëve. Jaho mban emrin e njërit prej tyre, Jaho Sali Mulosmanit, i vrarë në fundin e shkurtit 1944, gjatë një beteje me trupat naziste gjermane.

Ismet Haxhia, ish-shef i Rrugores në Tropojë, vëlla i ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhia, u dënua me 25 vjet burg për vrasjen e deputetit Hajdari, ka thënë më pas se ekzistonte një plan i fshehtë për ekzekutimin e Fatos Nanos. Ish-inxhinieri i minierave hedh poshtë kategorikisht thëniet se vëllai i tij Izeti tradhëtoi Azem Hajdarin





 Pas kërcënimeve dhe përplasjeve të shumta të Azem Hajdarit me krerët e PD, menjëherë pas trazirave të ’97, ai i harron mëritë e vjetra me Berishën dhe vihet sërish në krah të tij... Por shpejt ai vritet në një pritë të ngritur fare pranë selisë së Partisë Demokratike me 12 shtator 1998. Kjo pjesë e tretë e rrëfimit të Hysni Bardhit, njeriut të afërt të Hajdarit, sidomos vitet e fundit të jetës së tij, zbardh shumë dyshime mbi vrasjen e liderit të dhjetorit dhe enigmat pse kjo vrasje nuk është zbardhur ende edhe sot.


Pas trazirave të ’97-ës Azem Hajdari u rikthye sërish në PD. Pse e latë në mes lëvizjen?
Pas trazirave të marsit ’97, u bë koalicioni i partive, dhe u formua një qeveri provizore. Më pas erdhën zgjedhjet. Kjo lëvizja jonë mbeti sepse Azemi u kthye prapë në PD, në fushatën elektorale. Fitoi Partia Socialiste dhe Azemin në datën 12 shtator 1998 e vranë.

Pa shkuar te vrasja, ndërkohë që ai u kthye në PD ju thoshte se si i kishte marrëdhëniet me Berishën, me njerëzit e tjerë të Partisë?
Jo. Shkonin bashkë me Azemin nëpër mitingje. Mbronte gjithnjë platformën e PD. Nuk dilte kundër sepse ishte kohë fushate. Shkonte në një vijë politike për të punuar për PD për të marrë vota. Sepse siç duket ato hapat e tjera ishin të mëvonshme, nuk ishin më momentin e fushatës.

Sipas jush pse e bëri këtë lloj pajtimi Azemi?
Shiko, Azemi kishte një debulesë të jashtëzakonshme për PD dhe Azemi donte që PD të shkonte si në formë dhe në përmbajtje ajo partia e idealeve të dhjetorit. Ishte i vetmi thuajse që luftonte brenda kësaj sepse s’kishte mbetur më asgjë kundër dhe nuk mund ta gjente Azemi veten gjetiu.

Pra ose do të luftonte aty ose do të largohej nga politika...Kështu?
Për Azemin nuk kishte më vend tjetër. Ose aty, ose do të hiqte dorë nga idealet dhe nga sakrificat që bëri dhe të mbetej një hiç siç kanë mbetur shumë të tjerë, ose do të luftonte me këmbëngulje. Ai më ka thënë në një bisedë që kemi pasur një herë duke pirë kafe bashkë, pasi i thashë që “duhet të ruhesh”, ishte pak ditë para se të binte qeveria: Hysni, unë e kam të qartë që 5 jetë të kem nuk di të vdes ndryshe. Mua do të më vrasin.

Por i lutem Zotit po të ketë mundësi të më japë dy gjëra, e para të lind një djalë sa jam unë gjallë dhe t’ia vë vetë emrin Azem, dhe e dyta të kem mundësinë, sepse e di që kur të vdes, të shkoj në varr, të gjithë këta hipokritët që më sulmojnë mua sot, s’lënë gjë pa thënë e pa më bërë, nesër do të vijnë te varri e do të më vënë një tufë ne lule), pra unë te kem mundësi të ngrihem, të ngrihem nga varri, dhe t’i pështyj këta hipokritë.

Siç edhe ndodhi...E kujtoni sot si e morët vesh lajmin e vrasjes së tij?
Ne kishim një shkëputje atë kohë. Azemi po merrej me fushatën, unë kisha ca probleme të miat. Kur është vrarë Azemi, me 12 shtator, unë nuk kam qenë sepse të mërkurën, një ditë përpara, unë varrosa motrën. Kur kthehem të shtunën pasdite në shtëpi marr vesh që Azemi ishte vrarë. E marr vesh nga lajmet. Zbres poshtë te PD, e gdhimë aty. Me 13 shtator kur është sulmuar kryeministria, do të shkonin edhe te Televizioni, kam qenë me të ndjerin Pjetër Arbnori dhe ndonjë tjetër që ishte përpara për t’i ndaluar njerëzit që të mos hynin në Kryeministri, gjë që nuk u arrit, sepse hynë njerëzit në Kryeministri, hynë në katin e parë, ushtarët të gjithë u tërhoqën. Pati disa të shtëna në ajër nga tarraca. Aty është vrarë vetëm Skënder Kalenja aksidentalisht, jo se u vra nga Garda, por u vra me plumb rikoshet, prapa Piramidës. 14 shtatorin e keni parasysh se si u bë.

Kush e organizonte këtë dhe për çfarë qëllimesh, sipas jush?
Janë probleme të thella, nuk mund të flas sepse s’kam qenë prezent. Por di që Jaho Salihi ka thënë një shprehje në hetim atë ditë që është kapur. Unë kisha të njohur edhe në polici. Ka thënë që po të mos ishte Izet Haxhia, Azem Hajdari edhe sot do të ishte gjallë. Izet Haxhia ishte shoqëruesi i Sali Berishës. Azemi ishte kundërshtar. Kishte kundërshtarë që nuk e deshën në PD. Plus që duhej bërë diçka që t’i faturohej Azemit. Dhe s’duhet harruar që dita e vrasjes së tij nuk qe përplasja e parë. Azemit ishte i 5-ti atentat që iu bë.

Në çfarë vendi dhe kohe ia kishin bërë atentatet e tjera? Mund ti rikujtojmë kronologjikisht?
Po. I është bërë në 91-shin atentati i parë në Fierzë.
U kap dhe u dënua me burg për plagosje sepse u plagos edhe një polic. Dhe mbas kësaj të Fierzës ka qenë atentati tjetër që iu bë Azemit në Parlament, atentati që iu bë në Tropojë, atentati që iu bë duke u kthyer nga Shkodra që ishte një atentat i përgatitur mirë.

Në çfarë kohe ishte ky i katërti?
Edhe ky ka qenë në fund shtatori. Azemi shkoi për të parë ndeshje. Ka qenë në 97-ën. Shtator ‘97. Azemi po kthehej nga Shkodra dhe ministër i Brendshëm ishte Ceka atëherë. Nuk ishte e vërtetë që Azemi vinte me armë etj., Azemi ka qenë me djalin dhe me dy shokë për të ardhur. Se cila makinë ishte mbrapa s’kishte të bënte me Azemin, i vinte mbrapa. Dhe në postbllokun në lezhë, ma ka treguar Azemi vetë, në postbllokun në Lezhë që kishte policë, ata ndalonin makinat dhe i kontrollonin, kur vjen makina e Azemit, shohin Azemin dhe ata nuk e kontrollojnë sepse s’mund ta kontrollonin sepse ishte deputet, dihej se kush ishte.

Dhe e lënë të kalojë. Në momentin që e lënë të kalojë siç duket ai që vëzhgonte lëshon një breshëri armësh në ajër, duke krijuar idenë se makina theu postbllokun dhe nuk ndaloi. Dhe vjen postblloku tjetër në Urën e Milotit. Në deklaratat e qeverisë, edhe të Ministrisë së Brendshme edhe të qeverisë është thënë që Azemi, pasi theu postbllokun e Lezhës, ne me forca nga Burreli dhe nga Tirana, i ngritëm një postbllok të dytë në Urën e Milotit.

Është profane ta mendosh se si mundet kjo? Makina e Azemit nga Lezha tek Ura e Milotit mund të vinte për 10 minuta. Tani të çosh forcat nga Burreli dhe nga Tirana, të ngresh dhe postbllokun dhe të jesh gati kur vjen Azemi, është një absurditet nga ana profesionale. Ata s’mund ta ngrinin këtë postbllok të dytë brenda 10 minutave. Fotografuan një armë aty në rrugë dhe thanë që iu gjet Azemit, gjë që s’ishte e vërtetë.
Dhe vijmë pastaj tek 12 shtatori. Ato janë thënë e stërthënë.

Po ju a keni një version tuajin për 12 shtatorin?
Unë kam një version timin për 12 shtatorin sepse thashë, që i duhesh faturuar dikujt. Vetë pjesëmarrja e Izet Haxhisë në atë konfliktin që u krijua në Tropojë atëherë dhe takimi me Azemin në zyrën e Azemit me Muharremin. Dhe Azemi i ka thënë aty në zyrë: Muharrem, ti të jesh i bindur, bëj be me çfarë të duash ti, që Azem Hajdari nuk ka gisht në vrasjen e djalit tënd. Por djali juaj është vrarë nga kjo godinë. Atëherë Muharrem Haklaj i thotë: Azem Hajdari, unë do të iki në Tropojë, sot dy javë më ke këtu dhe do të vish në besën time në Tropojë dhe do të lëvizësh nga të duash ti. Nuk arriti sepse pa kaluar 10 ditë Azemi u vra. Nuk e arriti dot dyjavëshin që të vinte ta merrte e ta çonte në Tropojë.

Megjithatë u tha që e vranë Haklajt...
Unë ju thashë, po të ishte atentati i parë, do ta pranoja. Unë kam pas bërë edhe një shkrim te “Koha Jonë”, bile shumë shokë më thanë që ti je i çmendur që bën këto shkrime sepse do të të zhdukin. Dhe titulli i shkrimit atëherë ishte kur e çoi dosjen Prokuroria në Gjykatë, “Prokuroria çoi ca letra në Gjykatë, jo autorët e vrasjes” dhe bëja përshkrimin pastaj që Azemin e vrau politika. Nuk është për hakmarrje siç pretendohet, sepse radhisja këto që nuk është atentati i parë, por është i pesti.

E vrau politika dhe citoja një thënie të marrë nga Shash, ku flet për veprimtarinë e Mafjas, që kur krimi është i lidhur me segmente të politikës, të pushtetit dhe të politikës, kjo është Mafja. Se ndryshe është një vrasje ordinere ose një krim, një korrupsion. Kur është politika është Mafje pastaj se ka një suport, një mbrojtje. Dhe vrasjet e këtij ishin Mafje, kishin një suport. Dhe mbasi radhis shkaqet dhe pse mbahej shef komisariati ai që duhej të ishte në burg, a mbahesh për t’u përdorur sepse duhej të ishte në burg ai se vrau një person.

Cili ishte ky?
Fatmir Haklaj. Ju mund ta keni dëgjuar këtë që vrau një person. Dhe ai duhej të ishte në burg, faktikisht ai ishte shef komisariati. Në deklaratën për shtyp kur gazetarët e pyesin ministrin e Brendshëm, thuhet që: Ju si e mbani një person me precedentë penalë në krye të komisariatit? (Komisariatit në Tropojë). Dhe përgjigja e Perikli Tetës është kjo: Unë kam kërkuar që të hiqet, por e vërteta është se ai mbrohet nga persona më të fuqishëm se unë. Kam propozuar thoshte për shkarkim, por mbrohet nga persona më të fuqishëm se unë. Kush ishte më i fuqishëm se sa ministri? Sepse ministri bën propozimin, kryeministri vendos. Pra, mbroheshin nga Kryeministri.

Kryeministri ishte Nano...
Po kryeministri ishte Nano. Si ka mundësi që atë natë kaloi makina, iku në Tropojë dhe s’u ndal kurrkund nga asnjë postbllok policie. Përballë Drinit ka qenë drejtoria e Arkivit të Policisë. Aty ka policë roje. Kaloi ajo pa asnjë postbllok, pa kurrgjë dhe iku shpejt në Tropojë.

Makina e vrasësit...?
Po makina e vrasësit. Bënë vrasjen dhe ikën për në Tropojë. Atë shokun tjetër që u vra, Naim si quhesh, e çuan në spital. Edhe ikën. Bënë gjithë ato lëvizje dhe kush s’i kapi. Si ka mundësi që të vijnë nëpër Tiranë, me uniformë, pa uniformë, me makinë policie, të lëvizin nëpër Tiranë gjithë ditën e premte, një ditë para vrasjes, të lëvizin po të shtunën, dhe qoftë SHIK-u qoftë të tjerët të mos kenë asnjë informacion se kush janë këta njerëz që shkojnë e vijnë, shkojnë nga Liqeni, bëjnë takime, hanë drekë e darkë me Izet Haxhinë. Kush janë këta? Atëherë të gjithë këta të lënë të mendosh që këtu ka pasur një mekanizëm.

Sa persona kanë qenë...?
Siç i kanë dhënë sepse unë s’kam qenë aty, kam dëgjuar, por që i kanë dhënë faktikisht kanë qenë dy vëllezërit Haxhia, ka qenë Haklaj me Jaho Salihin, ka qenë dhe një tjetër, ka qenë Naimi nga Fushë Kruja. Kjo ka qenë skuadra. Rrethimi i dytë ka qenë te Rruga e Elbasanit, përballë Parlamentit, ka qenë një godinë me xhama, dykatëshe. Ky ishte rrethimi i dytë, që nëse shpëton rrethimit të parë ta kapte rrethimi i dytë.

Hajdari u vra. Çfarë qëndrimi mbajti PD për këtë vrasje?
Qëndrimi i PD për Hajdarin ka qenë një qëndrim i dyzuar mbas varrosjes së Azemit me ngjarjet e 14 shtatorit. Por më vonë ka pasur probleme të tjera në lidhje me figurën e Azemit. Më kërkojnë ca shokë edhe ishte krijuar një degë e shoqatës së Azemit në Shkodër, por duhej edhe në Tiranë. Dhe në Tiranë ma kërkojnë që ta merrja unë përsipër si mik i Azemit, shok i afërt. Dhe e mora përsipër. Filluam, e krijuam degën e shoqatës. Shkoj në PD takoj Berishën. Thotë: shumë mirë. Thirri Vili Minarollin që ishte kryetar i PD së Tiranës, që të bashkëpunonte për të ndihmuar. Dhe filluam, nxorëm një gazetë “Nacionalisti”, por kishim një sulm nga PD të jashtëzakonshëm.

Pavarësisht se në dukje na përkrahnin. Dhe unë kam shkuar dhe kam takuar Berishën dhe i kam thënë që po na sulmojnë shumë figura të PD, funksionarë të lartë. Më thotë që nuk duhet të mërzitesh se e bëjnë për xhelozi. Po çfarë xhelozie, - i them, - ne s’kemi pushtet, as rrogë të madhe. Ne jemi vullnetarë. Mos u shqetësoni, - më tha. I kam thënë: Doktor Berisha, unë të kam prurë programin e shoqatës së Azemit, ku në fund përmblidhet me tre fraza. Shoqata Azem Hajdari është bartëse e përçuese e idealeve të Azem Hajdarit. Është me PD, por në momente të caktuara, është rebele dhe ndaj PD ashtu siç ka qenë Azemi kur PD nuk është në binarë të idealeve të dhjetorit.

Më tha mua: shoqata shoqatë është, ka strukturat e veta. I them: Doktor, shoqata e Azem Hajdarit është një shoqatë e Azem Hajdarit, jo shoqatë fermerësh domatesh. Megjithatë, unë ika, vazhdonte lufta dhe unë dhashë pastaj dorëheqjen nga shoqata e Azemit. Si kundërpeshë tonën se ne po vazhdonim aktivitetet me gazetën, me konferenca shtypi dhe kërkonim për të mbajtur gjallë frymën e Azemit dhe të idealeve tona dhe e vinim theksin, se ishte periudhë e freskët, të gjendeshin vrasësit dhe skenaristët e vrasjes së Azem Hajdarit. Kjo nuk u tingëllonte mirë. Ne na subvencionin biznese. Dhe ne kur nxirrnin gazetën e shkruanim që filani, me kaq lekë, ka subvencionuar këtë numër.

Tani, anëtarë të PD shkonin nëpër biznese dhe u thoshin që shoqata është e jona dhe lekët financojini në numrin tonë të llogarisë dhe ne ua japim atyre për gazetën. Për të sfumuar shoqatën dhe të gjithë lëvizjen, krijoi fondacionin Azem Hajdari, ku president ishte Pjetër Arbnori. U bë inaugurimin në Hotel Tirana dhe nga ne të shoqatës asnjë nuk ishte ftuar, asnjë nuk pati ftesë. Në këtë kohë dhashë dorëheqjen dhe u tërhoqa, s’u mora më me këtë.

Sot e kësaj dite nuk është zbardhur vrasja e Azem Hajdarit. Pse?
Nuk është zbardhur sepse jo të gjitha gjërat ose më saktë jo të gjitha faktet janë marrë parasysh ose është bërë një hetim real për vrasjen e Azemit. Sepse ai që ishte me Azemin, Neza, që mbeti gjallë, shoqëruesi i Azemit, ai dhe sot s’dihet se ku është. Ai është gjallë. Pas spitalit ushtarak u dërgua jashtë shtetit në Turqi. Është gjallë edhe sot por s’e di njeri se ku është. Prokurori i rrethit të Tiranës, kur në korrik të 98-ës, në Gramsh u kap Elez Haklaj me dy veta të tjerë me makinë me armë, i kapi policia, i arrestoi, dhe ishin në burg në Gramsh.

Prokurori i çështjes thotë se një letër që u ka shkuar në burg atyre thoshte se arrestimin e tyre e ka bërë Azem Hajdari sepse ai ka njoftuar që t’ju arrestojnë se jeni me armë. Kjo për ta drejtuar problemin gjithnjë tek Azemi. Prokurori thotë që këtë e kam bërë të njohur edhe Gjykatës. Pra këtyre të burgosurve, u shkon një letër ku thuhet se Azemi është shkaku që janë burgosur, gjithnjë kjo për të ndezur fitilin e sherrit dhe ndoshta edhe për të përgatitur skenarin e vrasjes së Azemit.

Dhe çuditërisht thotë Prokurori, ishte për t’u bërë gjyqi më vonë, u afrua data e gjyqit shumë shpejt, para 12 shtatorit, u bë gjyqi, dhe atë ditë që është afruar data e gjyqit ka qenë në Gramsh shefi i SHIK-ut dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri Thimio Kondi. Dhe këta u liruan. Prej gjyqit dolën të pafajshëm, u liruan. Ata u arrestuan sepse u kapën me makinë me armë, për trafik armësh, për t’i shitur, pa dokumente. 

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...