- I intervistuar nga Ardit Gjebrea në qelinë e burgut të Fushë-Krujës, ai rrëfen se si 15 vite më parë bëri diçka që nuk e kishte imagjinuar kurrë
Për herë të parë pas 15 vitesh, ai e ka pranuar krimin për emisionin “E diela shqiptare” të “Tv Klan”. I intervistuar nga Ardit Gjebrea në qelinë e burgut të Fushë-Krujës, ai rrëfen se si 15 vite më parë bëri diçka që nuk e kishte imagjinuar kurrë.
“Në 2001 unë kam bërë diçka që nuk e kisha menduar as unë, as kush më ka njohur. Kam vrarë dy vetë. Ka 3 versione të ngjarjes, por asnjëri nuk është i saktë.
Alda (vajza që u vra) nuk ka qenë e dashura ime, as nuk i kisha vënë syrin për trafik femrash. Ishim tre çuna që dolëm me tre goca. Synimi im ishte të njihesha me atë tjetrën.
Ka qenë rastësi. Nuk kam dashur ta vras Aldën dhe as Mbarimen (nëna e saj). Unë prindërit e Aldës i njihja, i kam takuar disa herë. Ne jemi takuar në fund të vitit 2000, ishte thjesht shoqëri.
Më pas, unë fillova punë stabël te SHIK-u. Ajo pati një dobësi për mua. Por nuk filloi kurrë si lidhje dhe as vazhdoi si lidhje.
Ishte diçka që nuk e shpjegoj dot. Kam takuar të ëmën, i thashë: Çfarë doni nga unë? Ajo më tha se kishte dëgjuar se vajzën do t’ua çoja në Itali. Më thanë: Zhduku nga Tirana se je tallur me vajzat tona.
Atë ditë (ditën kur ndodhën vrasjet) shkova në mëngjes në punë, ndenja një orë. Shoqja e Aldës më dha një letër. E hapa: “As dua t’i shoh sytë, as dua të kem të bëj me ty”.
Duke shkuar në shtëpi, takova të ëmën, mendova t’i jap letrën. I thashë: Mos shkruaj më letra! Ajo më shau dhe më gjuajti me çantë. Kam rënë përtokë dhe sikur të kem pasur një çelës diku në kokë dhe që nga ai moment çdo gjë është e turbullt për mua.
Nuk mbaj mend asgjë. Është një pjesë e jetës time që nuk mund të them që kjo është e vërteta. Vetëm ika, pistoletën e kisha me vete. Mendoja të vrisja veten. Sot e mendoj se nëse do të veproja kështu, do të kisha bërë 10-fish mëkat. Zoti të fal gjithçka”, ka rrëfyer ai.
15 vjet pas vrasjes së dyfishtë, ai thotë se është penduar.
“Nuk më takon mua të vendos kush vjen në këtë botë dhe kush ikën prej saj. Është një histori që nuk kam dashur ta hap më përpara”, shprehet Marjani.
Vrasja e dyfishtë dhe arratia disavjeçare e Rrokut
Ngjarja ka ndodhur në 29 mars të vitit 2001, kur Marjan Rroku vrau në Tiranë gjimnazisten Alda Canaj dhe nënën e saj, Mbarimen. Në atë kohë, krimi tronditi opinionin publik për nga mënyra e ekzekutimit dhe numri i viktimave. Ish-punonjësi i Shërbimit Informativ Kombëtar u dënua nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana cilësuese të dy femrave.
Pas vrasjes së kryer, Rroku emigroi në SHBA, ku autoritetet amerikane e pikasën disa vite më pas me identitetin e rremë Jeton Mirakaj. Pas 6 vitesh ndjekje, policia amerikane arriti ta prangoste të shumëkërkuarin në zonën e Kuinsit. Marjan Rroku kishte ndërtuar jetën e tij në Amerikë, ku ishte martuar dhe kishte një fëmijë. Menjëherë pas arrestimit në vitin 2010, ai u ekstradua drejt Shqipërisë, ku vijon të vuajë dënimin për krimin e kryer.