Edhe mediat serbe kanë shkruar ditët e fundit për pjesëmarrjen e filmit “Shok” në çmimet “Oscar”. Me një shkrim të titulluar “Propaganda shqiptare mbërrin në Hollivud, filmi me temë nga lufta e Kosovës nominohet për “Oscar”, faqja “Kurir” e ka përshkruar “udhëtimin” e filmit kosovar në akademinë e çmimeve të kinematografisë.
Shkrimi i publikuar në “Kurir”
Një film 21-minutësh i një regjisori britanik dhe disa aktorëve shqiptarë u propozua për çmimin “Oscar” në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër.
“Filmi i shkurtër me titullin "Shok", i cili tregon se si lufta në Kosovë dhe Metohi ka ndikuar në jetën e dy djemve, është nominuar për “Academy Award” në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër”, citon “Kurir” faqen “Balkan Insight”.
Sipas drejtorit të filmit, britanikut Jamie Donahue, filmi është xhiruar në Mitrovicë dhe gjoja është bazuar në një histori të vërtetë nga lufta. Ai flet për jetën e dy djemve 12-vjeçarë, pas shpërthimit të luftës në vitin 1998. Ata "përballen me dhunë dhe frikë, çka i vë përpara zgjedhjeve që i kërcënojnë ata dhe komunitetin e tyre".
Arben Zharku, drejtor i Qendrës së Filmit të Kosovës ka thënë se nominimi për “Oscar” është një hap i madh përpara për industrinë e filmit në Kosovë.
"Ky është suksesi më i madh i Kosovës në kinematografi dhe ai tashmë ka hapur derën për pjesëmarrjen e filmave të tjerë të Kosovës në ngjarje të mëdha të filmit", tha Zharko.
Shumë prej aktorëve kosovarë të filmit, sipas Donahue, "kanë pasur përvojë të drejtpërdrejtë luftën".