Shoqëria e konsumit na bën budallenj – thotë Adorni, ndërsa Hegelit thekson se përballë artit të kohës sonë është e pamundur të qëndrosh duke u lutur, por ndoshta është i mundur një veprim edhe më i thellë: të reflektosh duke qeshur. Komedia – tragjedia midis Beketit dhe Bekonit si një dëshirë që publiku t’i afrohet dhe ta kuptojë artin. Arti bashkëkohor, si arti i reflektimit ecën nga paraqitja ironiko-tragjike e mosmarrëveshjeve midis nostalgjisë së veprës së subjektit dhe rezultatit të kërkimit të tij, përmes eksperimenteve heroike të avangardave historike që t’i japin zgjidhje deri në dorëzimin ironiko-komik, deri tek vepra si mohim i veprës, tek arti si vdekje e artit, tek arti që nuk mund të çojë përtej vetes, tek arti që nuk plotësohet tek pafuqia e operari-t të vet që të shprehë atë kënaqësi, apo pajtim të subjektit me botën e vet, që edukimi estetik dukej se ia siguronte. Artit që zbarzet kenotikisht. Një rezultat i tillë, vërtet tragjikomik, mbërrin përmes së qeshurës së madhe jokonstruktive të çdo forme apo tregimi, e Qeshur drejt çdo logoje projektuese
Përgatiti për botim Arjan Kallço
Përse zgjodhët Beketin dhe Bekonin?
Massimo Cacciari: Të dy autorët janë figura kyçe të kulturës që ta kuptojmë gjithë artin bashkëkohor, sepse Beketi e çon në pasoja ekstreme arsyetimin që vjen nga bashkëpunimi i tij me Xhojsin, ndërsa Bekoni interpreton në aspektin dramatik konkluzionin e rrymës ekspresioniste në kundërshtim me atë abstrakte.
Do të ndaleni në konceptin e vdekjes së artit?
Massimo Cacciari: Vdekja e artit ka kuptim pozitiv dhe jo negativ. Më shumë sesa vdekje duhet thënë fund, përmbushje e idesë së artit që duhet të bazohet tek ideja e estetikës, e kënaqësisë, e bukurisë që është dhe ideja e Hegelit. Përkundrazi, arti bashkëkohor është i mendjes, i ironisë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, që do të thotë kërkime, eksperimente, aventura. Një arti i gjithi eksperimental, intelektual që punon rreth konceptit.
Në të vërtetë, herë pas here, flitet për vdekjen e artit, veçanërisht aty nga fundi i viteve ’70, kur pas shumë rrymash eksperimentale, dukej sikur arti nuk arrinte të thoshte asgjë të re?
Massimo Cacciari: Ka mbi dy shekuj që arti ka vdekur. Një farë ideje për artin mori fund me Romanticizmin. “Vdiq” sepse nuk ka më veprimtari që ne i quajmë artistike. Është i ndryshëm arti i Beketit dhe Bekonit. Avangardë pas avangarde çojnë në përmbushjen radikale të kësaj idesë së tyre, që nuk ka të bëjë fare me artin e mëparshëm, edhe pse përsëriten, saqë të përzihet në stomak.
Prof. Cacciari ju keni shkruar se artit bashkëkohor i duhet mohuar çdo bukuri, menjëhershmëri, harmoni. Ai që nuk di të marrë pjesë me të qeshurën ndaj këtij arti, kurrë nuk mund ta kuptojë dhe dojë. Një e qeshur që lidhet me dimensionin tragjik?
Massimo Cacciari: Komikja dhe tragjikja lidhen mes tyre dhe ky dimension është shumë i fortë te Beketi. Kur shohim Duke pritur Godonë, edhe mund të qeshim. Kjo ndodh edhe kur e lexojmë Kafkën: paraqitja e jothelbësores absolute, e asaj që s’ka qëllim është komike, por mund të jetë dhe tragjike. Tragjiken që mund ta shkaktojë e qeshura. Kjo është paraqitja artistike sot dhe nga kjo, afëria midis komedisë dhe tragjedisë.
Por e qeshura që ngjallin disa vepra të avangardës, duhet pëlqyer apo mëshiruar?
Massimo Cacciari: Nuk mund të ketë të qeshur për kënaqësi, sepse autori nuk qëndron më lart. Një e qeshur për mëshirë, po.
Dyshamp i dha një goditje të madhe artit, jemi ende në kohën dyshampjane?
Massimo Cacciari: Po, nëse marrim në konsideratë intelektualët e mëdhenj të artit bashkëkohor. Pranohet loja, prandaj nuk mund t’i japësh asnjë kuptim të përcaktuar veprës. U vizatua një ermeneutikë e pafund. Studimi është eksperimentimi i një kulture alternative. Kështu prezantohet objekti dhe është e gabuar ta interpretosh Dyshampin në paraqitjen e objektit (ëc)… jashtë kontekstit. Problemi është prania e pastër e sendit, por çfarë është sendi, ky është misteri.
Arti mbaroi së qëni nevoja më e lartë e shpirtit?
Massimo Cacciari: Nuk ka qenë kurrë. Arti paraqiste nevojat më të larta të shpirtit, kur ishte i lidhur me një dimension fetar, me impenjimin politik…
Besoj se kemi mbetur tek Transavangarda e Bonito Olivës e themeluar mbi konceptin e Nomadizmit. Ku jemi sot?
Massimo Cacciari: Në vitet ’80 në Bienalen e Venecias ishte e rëndësishme ekspozita e Transavangardës, e organizuar nga vetë Oliva. Është stina e fundit që ka kuptim me atë të Artit të varfër. Tani jemi në fazën e përsëritjes, citimit, reflektimit. Arti që përtyp vetëveten. Janë fakte të pashmangshme të evolucionit të artit, por as nuk mund të flitet për evolucion të artit, si të filozofisë. Ka forma të ndryshme të filozofisë dhe artit.
Po Bienalja e fundit e Venecias?
Massimo Cacciari: Është më e keqja e mohimit të vetëvetes, e parë tashmë, e lodhur, pa ironi. E plasaritur.
No comments:
Post a Comment