Shkrimtarja Flutura Açka gati përmbledhjen poetike “Ftesë për flirt”, një libër midis erotikës dhe sociale. Ende pa dalë libri, ajo është cilësuar si lirike erotike e brishtë, e pabindur…A do të përsëritet historia si me librin e poetes Rita Petro?! Flutura Açka shprehet se libri është erotikë dhe jo erotikë pornografike, dhe dalja e botimit të tij është shtyrë prej muajsh nga zhurma e “Vrimës”
Flutura Açka është nga shkrimtaret më aktive, si autore, por edhe e angazhuar në debatet sociale e politike në vend, duke mos qëndruar indiferente në situata që shpesh kanë përfshirë jo pak në debate mediatike. E vendosur shpesh “jashtë” këtij sistemi ku jetojmë, Açka ka ndërtuar në njëfarë mënyre edhe letërsinë e saj. Rasti i fundit, romani “Kukullat”. Por, te ky rrëfim totalisht kontroverse, shkrimtarja heq “make up”-in e njerëzve pas ekranit përmes një kirurgjie letrare mbi realitetin. “Mua më është dashur shumë të shkëputem nga Flutura për të zbuluar atë pjesën që është dhimbja njerëzore e gruas që ne nuk e kuptojmë. S’e kuptojmë këtë realitet kaq të zymtë, e injorojmë dhe në harrojmë se këto pjesë janë bashkë me jetën. Shkruaj për gruan që po plaket dhe në fakt nuk ka jetuar. Kjo është tema që më ka shqetësuar”. Kjo është një çast nga gjithë bisturia e shkrimtares, për ta perceptuar pse në këtë fillim vit ajo bën gati një botim të ri, të quajtur “Ftesë për flirt”. Është përmbledhje poetike midis erosit dhe gjendjes, si rezistencë femërore.
Erdhëm me një parantezë të gjatë për të pritur mbi arsyet e Açkës mbi këtë vëllim poetik, që mund të jetë flirt erotik, që iu ndodh përditë grave shqiptare, por mund të jetë ftesë për flirt politik, që ju ndodh përditë burrave të politikës shqiptare, por dhe çfarëdo tjetër situatë që e vendos qenien tonë në lëkundjet morale, asaj që është e erës së hershme, të mirës e së keqes.
Duke tejkaluar këto marrëdhënie Açka thotë për “Mapon”, se “ftesa” e saj “për flirt” ka kuptim shumëdimensional. Një pjesë janë poezi erotike, këmbëngul të thotë se janë “erotike e jo pornografike”, si ajo e “Vesit të burrit”, poezi e publikuar në 2008.
Botimin e ka pasur gati për panairi e librit që u mbajt në nëntor 2015, por e shtyu duke parë që poezitë e koleges së saj, poetes Rita Petro bënë shumë zhurmë duke “e detyruar” ta shtynte për në janar të këtij viti, 2016-ën. “…”A shkruan poezi më”, më pyesin shpesh miq e gazetarë. “Po, shkruaj, por i hedh rrotull, s’di se ku, nëpër rrëmujën time të letrave. Sa poezi mbase do të mbesin harruar nëpër blloqëza. Këtë fat mund të kenë edhe tregimet e mia; ngaqë poezinë dhe tregimin e shkruaj me dorë. Por këtë radhë vendosa t’i kthehem dashurisë sime të parë. Nuk është aq pa drojë kjo tufë poezish të përmbledhura në këtë libër që do ta prezantoj së shpejti. Kjo, sepse poezia është aq e brishtë dhe aq ‘e pabindur’, sa ç’është edhe e paqtë”, – mbërrin në këtë dalje të re Açka në rikthimin si poete.
Por libri është i ndarë mes erotikës dhe sociales. Një cikël të saj është prezantuar për herë të parë në revistën letrare, “Poeteka”, në numrin e 35. Për këtë poezi, botuesi i saj Arjan Leka është shprehur se si një grua e fortë, që shkruan një roman denoncues si “Kukullat”, ka brenda saj edhe një lirikë erotike kaq të brishtë.
“Të jesh lexues poezie, është fat, sepse jo të gjithë janë. Por të jesh autor poezish, është bekim. Çfarë do të na mbesë nga kjo rrekje? Kur shkruajmë poezi, nuk e mendojmë, sepse shkruajmë siç ndiejmë…”, shkruan Açka duke na dhënë për botim dy poezi nga përmbledhja “Ftesë për flirt”. Për të kaluar në një tjetër atmosferë, Açka na lë poezinë “Aht..”, që flitet me një frymë. E pakuptueshme fillimisht, por poetja e shpjegon me frymëmarrjen e durimit me gjithë “Aht-in e këtij kombi durimshumtë!”
No comments:
Post a Comment