Është konsideruar si vrasja e shekullit që tronditi politikën shqiptare, por edhe si dështim dhe gjunjëzim i drejtësisë para krimit, pas të cilit fshihej dora e zezë e autoriteteve më të larta shtetërore dhe politike. Bëhet fjalë për vrasjen e Azem Hajdarit në oborrin e Partisë Demokratike, funerali i të cilit u përdor nga Sali Berisha në 14 Shtator 1998 për të ardhur në pushtet me dhunë, me anë të një grusht shteti me banda të armatosura. Për 16 vjet me radhë, Sali Berisha, akuzoi Fatos Nanon, Fatos Klosin dhe Skënder Gjinushin për vrasjen e Azem Hajdarit, por nuk pranoi kurrë të sqaronte para drejtësisë rolin e tij në këtë ngjarje si dhe nuk lejoi kurrë që të hapej dosja e Azem Hajdarit. Ndërkaq, 10 muaj pas rrëzimit të Sali Berishës nga pushteti, është e majta shqiptare, ajo që kërkon rihapjen e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit. Nisur nga disa dëshmi që komprometojnë pozitat e Sali Berishës, mazhoranca qeverisëse i kërkon kryeprokurorit Adriatik Llalla të zbardhë vrasjen e Azem Hajdarit si dhe rolin e dyshimtë të Sali Berishës në këtë ngjarje. Ndërsa Berisha ka hedhur në lojë vrasjen e Flamur Pislit nga policia në vitin 1999, shumica në pushtet kërkon të rikthejë në vëmendje çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Kërkesa është artikuluar nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho. “Të hetojnë edhe vrasjen e Azem Hajdarit, thanë e vrau Fatos Nano, e vrau Fatos Klosi, ndërsa ai badigardi i Sali Berishës që është në emigracion thotë jo e ka vrarë Sali Berisha. Politika nuk i zgjidh këto çështje vetëm i ngatërron. Prokuroria punon në kushte shumë të vështira materiale, logjistike, financiare, sa të mungesës së reformave. Por kryesore është se Prokuroria është në presion të madh, prokurorët janë të dyzuar, janë të trembur. Politika gjatë këtyre viteve ka bërë punës e saj, njëri është i majtë, tjetri i djathtë. Prokuroria duhet lënë rehat, duhet siguruar pavarësia reale, që Prokurori të zgjidhet me 3/5, të mos ketë frikë nga ndërrimi i mazhorancave. Këta që ishin në pushtet deri tani e kthyen Prokurorinë në shtab politik. Prokuroria do mbështetur, nuk do trembur që të ecë pozitivisht. Ka ngadalësime në mjaft, çështje, janë bërë çështjet kapicë në prokurori”, ka deklaruar Braho.
Roli i Berishës
14 Shtatori i dha Sali Berishës dimensionet e një diktatori të vërtetë, i cili u identifikua ndërkombëtarisht si rrezik për stabilitetin e rajonit. Pasi u akuzua për eliminimin e kundërshtarit më të përbetuar të tij brenda Partisë Demokratike, Sali Berisha, e përdori vdekjen e Azem Hajdarit për të ardhur në pushtet me dhunë, duke pushtuar Kryeministrinë dhe institucionet me bandat e armatosura. Azem Hajdari, për 8 vite me radhë, ishte rreziku numër një për pushtetin e Sali Berishës. Fillimisht Berisha i hoqi imunitetin, e përjashtoi nga partia, e denigroi, i tha spiun i Sigurimit, vegël e Ramiz Alisë, vrasës, kriminel, trafikant etj., por Azem Hajdari shfaqej më i fuqishëm pas çdo sulmi. Në këto kushte e vetmja formë ishte eliminimi. Ish-truproja e Azem Hajdarit, Marjan Gryka, ka deklaruar se Haklajt erdhën për të vrarë Berishën, por ky i fundit u nxori në pritë Azemin. Azem Hajdari ishte në zyrë me Sali Berishën pak para se ta vrisnin. Azemi u ekzekutua në mbrëmje, me një breshëri plumbash, vetëm pak metra larg selisë së PD.
Fatos Klosi
Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar (Shtetëror), Fatos Klosi, i akuzuar nga Sali Berisha për ngjarjen, ka pohuar se duhet të zbardhet roli i Sali Berishës në rrethanat që çuan në vrasjen e Azem Hajdarit. Klosi ka pohuar se i vetmi që përfitoi nga vrasja e Azem Hajdarit, ishte Sali Berisha. “Personat në fjalë janë akuzuar për trafik armësh drejt Kosovës. Janë arrestuar pas informacioneve të mbledhura. Por, ata janë liruar nga gjykata dhe jo nga prokuroria. U liruan pasi armët ishin në duart e popullit. Institucioni që unë drejtoja nuk kishte asnjë lidhje me lirimin e dy personave në fjalë. Ndërkohë, kryeministri Berisha duhet të qartësojë dhe të sqarojë pozicionin e tij në këtë ngjarje. Berisha duhet të thotë se kush përfitoi nga vrasja e Azem Hajdarit. Pse u ngut të bënte atë deklaratë që bëri menjëherë pas ngjarjes? Kush i programoi dhe i zbatoi trazirat në zyrat e PD?”, ka deklaruar Klosi.
Çuko: Të rihapet dosja Hajdari, të gjenden vrasësit
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko, ka kërkuar rihapjen e dosjes së Azem Hajdarit. Deputeti deklaroi se duhet të gjenden vrasësit dhe bashkëpunëtorët e vrasëse të Azem Hajdarit, dhe të vendosen përpara drejtësisë. “Duhet të rihapet me patjetër dosja e Azem Hajdarit dhe të gjenden vrasësit dhe bashkëpunëtorët e vrasësve dhe të shkojnë para drejtësisë. Vetëm kështu do mund të vihet drejtësia në vendin tonë. dhe jo vetëm për këtë rast, por për shumë e shumë çështje të tjera të cilat janë lënë pezull, ose dosje të cilat janë zvarritur ose nuk janë hapur fare, duke i mbuluar pluhuri”, u shpreh Çuko.
Beqiri: Azem Hajdarin e nxori në pritë Sali Berisha
Kreu i PUK, Idajet Beqiri, ndërsa ka kërkuar rihapjen e dosjes së Azem Handarit, theksoi se më i interesuari për vrasjen e tij ishte ish-kryeministri Sali Berisha, për arsye se donte të bënte grusht shteti. Beqiri deklaroi se Azem Hajdarin e nxori në pritë Sali Berisha, pasi i piketuari për tu vrarë ishte pikërisht ky i fundit. “Më i interesuari për vrasjen e Azem Hajdarit ishte Sali Berisha sepse donte të bënte grusht shteti. Në pritë Azem Hajdarin e nxori Berisha, sepse në fakt ishte piketuar vetë ai, dhe çfarë bëri thërriti Hajdarin dhe aty u vra. Kur u bë gjyqi Berisha nuk e tha këtë”, tha Beqiri.
Dëshmia e Marjan Grykës, ish-truprojës së Azem Hajdarit
“Berisha kishte premtuar se do të bënte të pamundurën sa të vinte në pushtet për rihapjen e zbardhjen e çështjes së ish deputetit Azem Hajdari. Por nuk e bëri dhe nuk po e bën e nuk dëshiron ta bëj, mbasi hapja e dosjes “Hajdari” krijon shqetësime për Berishën. Kujtoj, që të njëjtën gjë kishte premtuar Sali Berisha dhe në vitin 1992, kur deklaroi se do të hapte gjoja hetimet për ngjarjen e 2 prillit në Shkodër, por nuk e bëri këtë akt. “Këtë e di më mirë zoti Berisha. Të gjithë shqiptarët kujtojnë atë ditë të 14 shtatorit, kur Berisha dhe gjithë lakenjtë e tij u vunë mbas shtratit që mbante Azem Hajdarin dhe po thërriste se ‘Nano dhe Gjinushi janë ata që e kanë vrarë liderin e demokracisë’. Koha tregon se në as një moment nuk u vërtetua kjo dhe kurrë as vetë Sali Berisha nuk u ingranua në një hetim të tillë. Përkundrazi, kryeministri, ish-shefi i opozitës në atë kohe, si për “çudi” të të gjithëve nuk mori pjesë fare në procesin hetimor dhe gjyqësor për vrasjen e Azem Hajdarit, por akuzonte kryeprokurorët, herë Arben Rakipin e herë Dhori Sollakun dhe më pas “laviren e bulevardit” (kjo e thënë nga z. Berisha), ish Silvia Konti! Sot Berisha ka në gjirin e tij pikërisht Neritan Cekën, atë që kur gëzonte postin e ish Ministrit të Brendshëm, i bëri atentat 7 here Azem Hajdarit (si në ngjarjen e Milotit, etj)”.
Provat e reja kundër Sali Berishës
“Sot mbas 16 vjetësh mendoj se ka ardhur koha t’i themi gjërat troç dhe pa as më të voglin ngurrim e komplikacion. Unë paraprakisht, dua të bëj me dije të gjithë opinionin publik dhe sigurisht në mënyrë të veçantë ish-kreun e PD, Sali Berisha se do të paraqes në kohën më të afërt 4 video filmime me fjalime, biseda dhe fakte që tregojnë prova “anti-Berishë” në lidhje me vrasjen e Azemit. Aty do të tregohet qartë fakti, se përse Sali Berisha nuk ka dashur kurrë ta zbardhë vrasjen e Azem Hajdarit, gjë e cila ndodh për shumë arsye, por arsyen e vërtetë dhe me domethënëse të këtij mbulimi e di vetëm Saliu. Shembujt janë në mendjen e njerëzve të thjeshtë, pasi vetë Azemi ishte në ballë të shumë demonstrimeve anti-Berishë që atëherë, deri sa u bë njësh me grevën e urisë së minatorëve në 1996 dhe me Sindikatat e Pavarura, për të rrëzuar qeverinë e PD, kur Berisha e përjashtoi Azemin nga PD, e shkarkoi nga funksioni i Kryetarit të Komisionit të Rendit e SHIK-ut, i hoqi imunitetin si deputet. Dhe Azemi u deklarua deputet i pavarur dhe me plot sulme te egra e survejime nga i ndjeri Bashkim Gazidede, derisa arriti kulmin dhe forcat e rendit ndërhyjnë në një takim me sindikatat në Korçë, për ta arrestuar, ku situata degjeneroi deri aty sa Azemi kaloi në përleshje fizike. Urdhri ishte dhënë nga lart, pra nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha i cili synonte të ‘asgjësonte” politikisht Azemin”.