Akademik Eshref Ymeri,PHD
Një deklaratë e Bashës pa bosht
Në
deklaratën e Bashës “Nuk ka kthim pas”, të botuar sot,
17 shtator 2021, në Portalin “Fjala e
Lirë”, më bëri shumë përshtypje
fjalia në vijim:
“Nuk kam
asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket
kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe
aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Domethënë, Basha
nxjerr në pah kontributin e Profesor Berishës për zhvillimin e aleancës me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Po atëherë cila na qenkej arsyeja që
Profesor Berisha duhej përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike?
Sepse kështu dëshironte ambasadorja Juri Kim, e cila, sipas faqes së internetit
“evropaelirë”, 30 korrik 2021,
kërkonte largimin e Berishës nga grupi parlamentar?
Ne e dimë që prapa ambasadores Juri Kim
qëndron Sekretari i Shtetit Blinken, i cili e shpalli Berishën “person të
padëshirueshëm” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por deri tani nuk ka bërë
publik asnjë fakt për afera korruptive të Berishës. Prandaj edhe Juri Kim
vërtitet e vërtitet në takime me Bashën për “armatosjen” e tij kundër Berishës,
por nuk po na nxjerr në shesh të mejdanit asnjë fakt konkret. Nëse faktet i ka,
atëherë le t’i bëjë publike, t’i nxjerrë në sheshin e mejdanit, në mënyrë që
opinioni i gjerë të sqarohet përfundimisht për drejtësinë e vendimit të
Blinkenit dhe të Bashës dhe të mbajë qëndrimin e duhur ndaj Profesor Berishës.
Por në këtë mes ka diçka sa të çuditshme,
aq edhe befasuese.
Në një informacion mjaft interesant, të
botuar në internet më shumë se tre muaj e gjysmë më parë, thuhet:
“Në
rrethet diplomatike, flitet se rreth 200 zyrtarë dhe biznesmenë të korruptuar,
të lidhur me Edi Ramën, janë në listën e zezë, ndonëse emrat e tyre nuk janë
bërë publike ende nga DASH... Edi Rama parashikon se edhe ai një ditë do të
ketë fatin e Sali Berishës, pas largimit nga pushteti. Gjatë këtyre tetë
viteve në pushtet, Edi Rama ka thyer çdo rekord korrupsioni dhe plaçkitjeje.
Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e fundit për zhvillimet në
Shqipëri, thotë se korrupsioni është shtrirë në çdo degë të qeverisjes së Edi
Ramës.Për herë të parë, DASH ka dhënë alarmin se korrupsioni nën drejtimin e
Edi Ramës tashmë është kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Nga
Brukseli ka raporte po aq shqetësuese, ku Shqipëria është përfshirë në zonën e
rrezikut, sa i takon pastrimit të parave të pista nga drejtorët, ministrat dhe
kryebashkiakët e Edi Ramës... Në raportet ndërkombëtare për korrupsionin,
Shqipëria, nën qeverisjen e Edi Ramës, listohet si vendi më i korruptuar në
Evropë dhe ndër më të korruptuarat në botë” (Citohet sipas: “Pse është
tmerruar Edi Rama, ka hallin e fatit të tij apo të ministrave të korruptuar?!
Heshtja dhe një mesazh që paralajmëron tërmet”. Gazeta “Plisi”. Faqja e internetit “gazetaora”. 28 maj 2021).
Nga
ky informacion mjaft trishtues për fatet e vendit tonë që të sëmbojnë në zemër,
vetvetiu, dalin disa përfundime:
Së pari, Departamentit të Shtetit
dhe Brukselit nuk i bëka fare përshtypje korrupsioni i përmasave skanadaloze të
qeverisë Rama gjatë këtyre tetë vjetëve. Madje Blinkenit i bëka përshtypje
korrupsioni i Berishës i shumë viteve të shkuara. Tani hajde të rrimë dhe të vrasim
mendjen se cila qenka arsyeja e vërtetë e vendimit të Blinkenit kundër
Berishës, korrupsioni i Berishës i viteve të shkuara, apo kritikat e tij të
forta kundër Sorosit, mikut të Blinkenit dhe të Ramës?
Së dyti, sipas informacionit të
mësipërm, rezulton se Rama parashikuaka se edhe ai një
ditë do të ketë fatin e Sali Berishës, pas largimit nga pushteti. E
pabesueshme, por realitet. Domethënë, kryepushtetari te ne, që drejton një
qeveri të korruptuar deri në vesh dhe që, për pasojë, e ka shndërruar vendin
tonë në më të korruptuarin në Evropë dhe ndër më të korruptuarit në botë, mund
të vjedhë dhe të plaçkitë sa t’i dojë qejfi sa ka pushtetin në dorë, se nuk do
të ketë asnjë pasojë as nga Departamenti i Shtetit, as nga Brukseli. Pasojat
Rama dashka t’i ketë, demek, pas largimit nga pushtetit!!! Po si shpjegohet që
Departamenti i Shtetit që drejton Blinkeni dhe kryestrukturat e Brukselit nuk
kërkojnë largimin e Ramës nga pushteti? Qytetetarët e thjeshtë të vendit tonë a
kanë të drejtë të dyshojnë dhe të shtrojnë pyetjen: mos vallë korrupsioni
skandaloz i Ramës dhe i qeverisë që drejton ka stërpikur edhe strukturat e
larta të Brukselit, me zgjatime deri te Blinkeni? Dhe mandej Blinkeni apo pasardhësi
i tij do t’u kujtuakan për ndëshkimin e Ramës për korrupsion pas largimit të
tij nga pushteti? Kjo është sa për të qeshur, aq edhe për të vënë ulërimën.
Sepse vjen përfundimi i vetvetishëm për qëndrimin e Perëndimit ndaj
kryepushtetarit shqiptar: vidh dhe plaçkit sa të duash sa je në pushtet, se kur
të largohesh nga pushteti do të mjaftohemi vetëm me një shpallje vendimi si i
padëshirueshëm, se kapitalet e vjedhura nuk do të të preken kurrë.
Së treti, për dijeninë e
ambasadores Juri Kim dhe të shefit të saj Blinken, Profesor Berisha ka
përkrahje dhe gëzon një mbështetje të fortë në radhët e një përqindjeje të
konsiderueshme bashkatdhetarësh. Ai, gjithashtu, gëzon mbështetjen e fuqishme
të shumicës së bashkëkombasve tanë në Republikën e Dardanisë, sidomos pas ndërtimit të Rrugës
së Kombit, e cila i vëllazëroi edhe më shumë qytetarët e dy shteteve tona. Në
atë Rrugë, për fatkeqësinë tonë kombëtare, Rama ngriti trarin e tradhtisë në
hyrje të tunelit të Kalimashit, duke ngjallur pakënaqësinë e shtetasve të
Dardanisë, të cilët janë në mëri me Ramën jo vetëm për shkak të trarit të
tradhtisë, por edhe për shkak të flirteve të tij me kriminelin e Dardanisë
Vuçiç, për nismën e të ashtuquajturit Ballkan i Hapur.
Në
këto kushte, vendimi i Blinkenit kundër Profesor Berishës i lë qejfmbetur me
Shtetet e Bashkuara shumë bashkëkombas të të dyja shteteve tona. Një gjë e
tillë është në dëm të vetë politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, të
cilat, për arsyet që dihen mirë, te kombi shqiptar kanë besnikun më të madh, jo
vetëm në Evropë, por edhe në mbarë botën. Hedhja në mëri e shqiptarëve me
Shtetet e Bashkuara, ka qenë dhe vazhdon të mbetet në rendin e ditës të
trekëndëshit ortodoks Beograd-Athinë Moskë. Prandaj qëndrimi i Blinkenit ndaj
Profesor Berishës më sjell në kujtesë senatorin e ndjerë John McCain, i cili, që në vitin 2014, kur Blinkeni qe
zgjedhur zv.Sekretar i Shtetit, pati deklaruar:
“Në këtë rast, ky individ ka qenë në të vërtetë i
rrezikshëm për Amerikën dhe për të rinjtë dhe të rejat që po luftojnë dhe i
shërbejnë asaj” (Citohet sipas: “Afganistani / John McCain në 2014: Blinken i rrezikshëm për
SHBA”. Faqja e internetit “Syri”. 19 gusht 2021).
Tani, duke u rikthyer te Basha, dëshiroj të
ritheksoj se ai, vitet e fundit, në çdo hap të jetës së tij si polikan në krye
të Partisë Demokratike, e ka vërtetuar se është “tredhur” politikisht që prej
takimit të fshehtë me Ramën këtu e më shumë se katër vjet të shkuara. Ai takim
vazhdon të mbetet njollë e zezë në karrierën e tij politike, ai ka mbetur rob i
atij takimi, është zhveshur tërësisht nga dinjiteti personal, duke mbetur pa
shtyllë kurrizore. Atë e tërheq për hunde Juri Kim, e cila, me qëndrimin e saj
ndaj Profesor Berishës, sipas porosive të Blinkenit, dhe me përkrahjen që i jep
Ramës, të krijon përshtypjen sikur është anëtare e asamblesë së Partisë
Socialiste. Vetë deklarata e Bashës që citova në fillim, dëshmon fare qartë se
ai mori një vendim absurd kundër Berishës, pa u bërë fillimisht publike faktet
për vendimin e Blinkenit, çka dëshmon mungesën e shtyllës kurrizore në formimin
e vet.
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se shqiptarët
duhet të vetëdijëson një herë e mirë, nëse nuk dëshirojnë të shpërbëhen si komb
krejtësisht, se demokracinë në trojet e tyre nuk e sjell as Vashingtoni, as
Brukseli. Ata mund të merren si modele të ndërtimit të saj, por jo si “punëtor
krahu” në shërbim të hapjes së rrugës drejt demokracisë shqiptare. Shqiptarët
duhet “të shpërveshin mëngët” vetë dhe të ndërtojnë një shtet demokratik të
tipit perëndimor, duke nxjerrë në krye të tij intelektualë të zgjedhur, me
dinjitet personal dhe kombëtar. Qoftë Vashingtoni, qoftë Brukseli, nisen nga
parimi hyjnor “ndihmo veten, të të
ndihmoj unë”. Deri tani, sidomos këto tetë vitet e fundit, shqiptarët kanë
dhënë prova boll të mjaftueshme se nuk kanë aftësi për ndërtimin e demokracisë,
për vendosjen e shtetit ligjor, prandaj edhe
pushtetin e kanë rrëmbyer dhe po e përdorin për vetëpasurim lloj-lloj
horrash politikë. Duke ndjekur qëndrimin e shumicës së shqiptarëve, që i kanë
lejuar vetes të shndërrohen në mercenarë të tregut të shitblerjes së votës,
Perëndimit s’i mbetet gjë tjetër, veç t’i urojë ta gëzojnë pushtetin e
kryehajdutëve me nam.
San Diego, Kaliforni
17 shtator 2021