Begzad Baliu
GJENDJA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE DHE PERSPEKTIVA E TYRE
1. Çështje të historisë së kërkimit
Një shekull më parë, saktësisht në vitin 1897, Faik Konica
tër¬hiqte vërejtjen për varfërinë letrare të letrave shqipe, duke shtuar
se ajo nuk kishte më shumë se pesë a gjashtë libra cilësor .
Ky konstatim për letërsinë shqipe nuk do të dukej shumë i
rën¬dësishëm për kohën tonë, sikur të mos ishte përpjekja e parë për të
sjellë sintezën e plotë të pasurisë histori¬ko-letrare në letrat shqipe
dhe sikur ky vlerësim të mos na bëhej sino¬nim i mendimit tonë kritik
për gjendjen shkencore të studimeve alba¬nologjike, sot, një shekull më
vonë.
Pas këtij konstatimi të Faik Konicës, përpjekjet për të vlerësuar
shkencën dhe kulturën shqiptare nuk kanë munguar, por ka munguar
për¬pjekja për të organizuar atë në nivel të institucioneve shkencore
kombëtare dhe të instituionalizuara. Në vitin 1940, bëhet përpjekja e
parë për të themeluar një institucion shkencore, i cili do të merrte
për¬sipër jo edukimin arsimor, misionin e të cilës e kryente Normalja e
Elbasanit, po kërkimin shkencor, përkatësisht institucionalizimin e tij
në shkallë kombëtare. Po në këtë vit organizohet ne Tirane një Kon¬gres i
Studimeve Shqiptare, në të cilin merrnin pjesë, përveç shqip¬tarëve,
edhe albanologë të shquar, sado për fat të keq, vetëm të pro¬veniencës
italiane. Nga ky kongres lindi Instituti i Studimeve Shqip¬tare me
qendër në Tiranë .
Pas Luftës së Dytë Botërore, janë bërë përpjekje sistematike për
formimin e institucioneve arsimore dhe shkencore në fushë të
alba¬nologjisë. Në të njëjtën kohë janë organizuar takime shkencore për
të caktuar orientimet teorike, metodologjike dhe madje ideologjike të së
ardhmes së shkencës shqiptare.
Në vitet 1948–1952, në Tiranë dhe në Prishtinë, janë bërë
për¬pjekje për të parë gjendjen e studimeve (më shumë ideore) brenda
in¬stitucioneve shkencore në Tiranë dhe në Prishtinë, me theks të
ve¬çantë të ardhmen e shqipes standarde.
Në vitin 1962 organizohet Konferenca e Parë e Studimeve
Al¬banologjike, në të cilën bardi shkencor dhe ideologjik i
kryeprojekteve albanologjike kombëtare Androkli Kostallari përvijonte në
krye¬referatin e tij sintezën e madhe, drejtimet, fushat dhe kufijtë e
stu¬dimeve alba¬nologjike, ndërsa veç tjerash premtonte se do të
bëheshin objekt studimi edhe vepra e “atyre shkrimtarëve të njohur të së
kaluarës, si Gjergj Fishta, Faik Konica, Zef Skiroi etj.” Pavarësisht
nga ky prem¬tim, sikur dihet, veprat e disa krijuesve dhe rezultatet e
disa pro¬jekteve jo vetëm nuk do të studiohen, por do të bëhen objekt
harrese dhe sulmi. Institucionet shkencore në Tiranë do të bëhen
strumbullar i disa prej projekteve të mëdha shkencore, si: Kongresi i
Drejtshkrimit, Konferencat e studimeve ilire etj., por nuk do të arrijnë
të dalin nga gëzhoja ideologjike e sistemit, dhe më shumë se
reflek¬tuese ato u bënë refuzuese
të arritjeve të reja.
Në këtë rrjedhë, në Tiranë institucionet shkencore, arsimore dhe
kulturore shënojnë një mbyllje të jashtëzakonshme brenda kufijve
po¬litik dhe ideologjik, duke përjashtuar madje edhe letërsinë e shkruar
në Kosovë nga Historia e letërsisë shqipe e gjysmës së dytë të
sheku¬llit XX , ndërsa të njëjtin mision kryejnë edhe studiuesit
shqiptarë në Europë dhe Amerikë. Ndonëse vërehen hapa të rëndësishëm
bashkë¬punimi dhe komunikimi, sidomos në përpjekjen e përbashkët për
shqipen standarde, pikërisht në këtë dekadë vërehen hapa tepër të
veçantë për projektimin separatist të kulturës shqiptare. Mirëpo,
rea¬gimet edhe kësaj here nuk kanë munguar. Në fushë të gjuhës shquhet
insistimi i Profesor Idriz Ajetit që në Seminaret e albanologjisë të
projektojë kontekstin ballkanik dhe ai i Profesor Rexhep Qosjes për
projektimin evropian të gjuhës, letërsisë dhe përgjithësisht kulturës
shqiptare. Profesor Rexhep Qosja, që në vitin 1969, veç tjerash kishte
shkruar traktatet për studimet albanologjike, in¬stitucionet dhe
perspektivën evropiane të tyre , që mund të quhen edhe përgjigje
koncepteve të Androkli Kostallarit të paraqitura në Kon¬ferencën e parë
të studimeve albanologjike (1962).
Po në këtë periudhë, në Kosovë bëhen përpjekje individuale dhe
kolektive për të dalë nga rrethimi. Në vitin 1968 rihapet Instituti
Alba¬nologjik dhe po këtë vit organizohet Konsulta Gjuhësore e
Prishtinës. Në vitet ’70 themelohet edhe Universiteti i Prishtinës,
ndërsa në vitin 1974 fillon punën Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën,
Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në fushë të ndërkombëtarizimit të
albanologjisë Seminari paraqet institucionin më të rëndësishëm nacional,
përmes të cilit bëhet i mundur popullarizimi i albanologjisë si shkencë
dhe histo¬risë e kulturës shqiptare si pjesë e kulturës universale. Po
në këtë kohë hapet edhe Akademia e Shkencave në Prishtinë dhe në Tiranë.
Përpjekjet për të vlerësuar e rivlerësuar studimet albanologjike dy
dekadat e fundit janë bërë kryesisht në fushë të historisë dhe të
letërsisë, me qëllim të çlirimit të saj nga konceptet ideologjike .
2. Vendet dhe institucionet
Duke iu kthyer edhe njëherë identifikimit të hapësirës ku janë
krijuar institucionet shkencore dhe arsimore në fushë të albanologjisë,
duam që njëkohësisht të bëjmë edhe një sistemim të tyre historik dhe
kronologjik. Sikur është konstatuar shumë herë deri më tash, nga gjysma e
dytë e shekullit XX, institucionet e kërkimeve albanologjike nga
hapësira e kolonisë se arbëreshëve të Italisë dhe nga hapësira
gjermanofone e Austrisë dhe e Gjermanisë kaluan në hapësirën shqiptare:
Tiranë, Prishtinë, Shkodër, Shkup e kështu me radhë.
Në Tiranë, tashmë një gjysmë shekulli, ku më parë e ku më vonë,
janë themeluar: Universiteti i Tiranës, Akademia e Shkencave e
Shqi¬përisë, Qendra Enciklopedike, Instituti i Gjuhësisё dhe i
Letërsisë, Fa¬kulteti i Gjuhëve të Huaja, Instituti i Folklorit,
Instituti i Historisë, In¬stituti i Arkeologjisë dhe revistat shkencore:
Buletini i Universitetit të Tiranës, Studime historike, Studime
filologjike, Iliria, Kërkime folklorike etj. Një qendër po kaq e
organizuar në fushë të albanologjisë, madje me një traditë të fortë gati
njëshekullore në fushë të filologjisë, po në të njëjtën kohë u bë
Shkodra. Në këtë qytet të Veriut të Shqipërisë me kohë u themeluan
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Biblioteka “Marin Barleti” dhe më vonë
Seminari i Albanologjisë, Muzeu i Shkodrës, Seminari ndërkom¬bëtar
“Shkodra në Shekuj”. Brenda tyre u botuan disa revista dhe kolana
shkencore: Kolana e
botimeve të trashëgimisë, kryesisht e botimeve para Luftës së Dytë
Botërore e Kishës Katolike, Buletin shkencor, Pheonix, Hylli i Dritës,
Kolana e seminarit “Shkodra në shekuj” etj. Pas rënies së komunizmit
shkollat e larta pedagogjike u kthyen në universitete. Në Elbasan u
themelua Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, dhe filloi botimi i
Buletinit të Univer¬sitetit; në Korçë u themelua Universiteti “Fan Noli”
dhe filloi botimi i Buletinit të Universitetit, ndërsa tash së fundi po
punohet për themelimin e një qendre të studimeve ballkanike; në
Gjirokastër u themelua Universiteti “Eqrem Çabej” dhe filloi botimi i
Buletinit të Uni¬versitetit, ndërsa në Vlorë u themelua Universiteti
“Ismail Qemali” dhe filloi botimi i Buletinit të Universitetit.
Të një moshe me disa nga institucionet e larta arsimore dhe
shkencore me të Tiranës janë edhe disa nga institucionet arsimore dhe
shkencore të Prishtinës. Nga fillimi i viteve ’50 në Prishtinë kanë
filluar të themelohen disa nga institucionet më të rëndësishme
shkencore: Universiteti i Prishtinës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e
Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Histo¬risë së
Kosovës, Arkivi i Kosovës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë
dhe Kulturën Shqiptare. Brenda tyre janë botuar dhe kanë fituar moshën e
pjekurisë edhe disa nga revistat më të mira shkencore në fushë të
albanologjisë: Studime, Vjetari, Filologjia, Kosova, si dhe seria e
revistave Gjurmime albanologjike dhe Gjuha shqipe.
Ndonëse të përshkuara nga një trysni e skajshme politike, në Shkup,
e më pas edhe në Tetovë, janë bërë përpjekje për të organizuar
institucionet shkencore dhe arsimore. Brenda Universitetit të Shkupit që
nga vitet ’50 funksionon Katedra për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe,
ndërsa brenda saj janë të organizuara drejtimet studimore për pedagogji
dhe për përkthyes e inter¬pretues në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Në
gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase studiohet dy dekadat e fundit
edhe në Universitetin e Tetovës dhe në atë të Europës Juglindore në
Tetovë e tash së voni edhe në Shkup. Në të tri qendrat nuk ka ndonjë
aktivitet të dendur shkencor në fushë të albanologjisë edhe pse në
Universitetin e Europës Juglindore funksionon një Qendër e Kërkimeve
Shkencore, ndërsa kohëve të fundit ka zënë të organizohet Seminari i
Gjuhës Shqipe edhe nga Universiteti i Tetovës. Në këtë rrjedhë duam
të theksojmë se brenda hapësirës ish-jugosllave albanologjia studiohet
edhe ka një traditë të mirë sidomos në Seminarin e Albanologjisë në
Beograd, themeluar nga linguisti i njohur i përmasave ballkanike Henrik
Bariq, pastaj në Podgoricë sapo është themeluar Fakulteti i Mësuesisë, e
në Ulqin ka një revistë (Lemba) themeluar më shumë se sa një dekadë më
parë, e cila albanologjinë e ka bërë mision dhe vizion në këtë hapësirë.
Studimet albanologjike sot, as nga aspekti historik as nga aspekti i
arritjeve shkencore nuk mund të merren me mend pa njohjen e kërkimeve
shkencore në hapësirën italiane dhe gjermane.
Në Romë që nga mesi i shekullit XX funksionin Katedra e Gjuhës dhe e
Letërsisë Shqipe e Universitetit tё Romёs (1957) dhe pranë saj
Instituti i Studimeve Shqiptare, ndërsa rol të rëndësishëm zë njëra prej
revistave shkencore dhe kulturore e mjeshtrit të madh të letrave shqipe
Ernest Koliqit, Shejzat (La Pleidai). Në Palermo vepron Katedra e
Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, themeluar në vitet 1930–1931, nga
historiani i letërsisë Gaetano Petrotta. Brenda saj ndërkaq dalin tri
kolana botimesh: Albanica me 27 vëllime; kolana Studi i testi albanesi
me katër vëllime; kolana e sapohapur Balcanistica me dy vëllime të
botuara. Brenda këtij institucioni rëndësi të posaçme ka projekti BESA
për mbledhjen dhe digjitalizimin e leksikut të veprave të autorëve
arbëreshë; si dhe të projekteve të hartuara në kuadër të ligjit të
miratuar në vitin 1999 mbi “Mbrojtjen e të drejtave te pakicave
gjuhësore në Itali.”
Në Napoli kemi Universitetin e Napolit “L’Orientale”. Brenda tij kemi
katedrën e gjuhës shqipe në të cilën ligjërohet lënda e gjuhës dhe e
letërsisë shqipe dhe filologjia shqipe. Titullari i lëndëve Profesor
Italo Costante Fortino është edhe drejtor i Departamentit të Evropës
Lindore, ku bëjnë pjesë të gjitha gjuhët e lindjes: shqipja,
hungarishtja, rumanishtja, serbishtja, maqedonishtja, greqishtja,
rusishtja, bullgarishtja, çekishtja etj. Puni¬met shkencore botohen në
kuadrin e departamentit. Posa¬çërisht për shqipen del revista voluminoze
Albanistica. Një lektorat i gjuhës shqipe gjendet edhe në Kozencë,
ndërsa në Universitetin e Leçes albanologjia është organizuar në shkallë
të Katedrës.
Studimet albanologjike janë formuar, janë organizuar, janë bërë
shkencë më vete dhe kanë arritur përmasat e studimeve europiane, që nga
mesi i dytë i shekullit XIX me shkollën austro – gjermane. Sot ajo
studiohet në Munih (Munich) pranë Institut für Vergleichende und
Indogermanische, Sprachwissenschaft sowie Albanologie, Departement II
für Sprache und Kom¬munikation, Fakultüt für Sprach- und
Literaturwissen¬schaften. Ludwig – Maximilians - Universität München. Në
Munih botohet edhe vjetari shumë i pasur me studime albanologjike:
Indogermanische Forschungen, një nga kolonat më të rëndësishme të
historisë së albanologjisë të shekullit XX. Edhe në Leipzig (Lajpcig)
gjuha shqipe mësohet në kuadër të Katedrës së Ball¬kanistikës, ndërsa në
Vjenë (Wien), albanologjia është mësuar e vazhdon të mësohet në
Institutin e Indoeuropeistikës të Universitetit të Vjenës. Në Vjenë
botohet në gjuhën
gjermane revista për histori, kulturë, letërsi e politikë Dardania, të
cilën e drej¬ton ish-lektori i gjuhës shqipe në këtë qendër Skënder
Gashi.
Ndryshe nga shumë qendra ku shqipja mësohej dhe studiohej në
përmasa të studimeve ballkanike dhe europiane, por se sot aktivitetet
rreth saj janë zbehur, në qendrat universitare dhe shkencore në Poloni,
ky interesim shkon duke u zgjeruar. Në këtë vend shqipja ekziston si
lektorat sot në tre institucione edu¬kuese në Poloni: në Universitetin e
Torunjit “Mikollaj Kopernik”, në Universitetin e Varshavës, pranë
Shkollës së Gjuhëve Lindore është mësuar për dy vjet në filialin e
Universitetit “Adam Mickievic” tё Poznanjit, i cili quhet Collegium
Europaeum Gnesnense, dmth. Kole¬gji Europian në Gniezno. Në këtë shtet,
vendin e mëparshëm të bardëve të albanologjisë: Cimohovskit,
Profesoreshës Savicka etj., po e zë një brez i ri, në mesin e të cilëve
edhe një shqiptar, Rigels Halili. Po kështu mund të thuhet edhe për
qendrën e studimeve albanologjike në Universitetin e Sofjes. Në këtë
institucion
të lartë universitar ekziston Dega e Ballkanologjisë, e krijuar në
vitin 1994 në Fa¬kultetin e Sllavistikës së Universitetit të Sofjes
“Shën Klementi i Ohrit” pranë Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme nën
udhëheqjen e Profesoreshës Petja Asenova. Albanologët e kësaj qendreje,
drejtuar nga Profesoresha Rusana Bejleri, kanë krijuar edhe web-faqen
elektronike, ku botohen studime, recensione dhe tekste letrare, në
gjuhën shqipe dhe në gjuhën bullgare. Në këtë krah të studimeve
albanologjike bie edhe njëra nga qendrat më të fuqishme të studimeve
albanologjike dhe ballkanologjike në Shën Petërsburg (Sankt-Peterburg),
ku shqipja është organizuar në nivel të Katedrës së Gjuhës dhe të
Letërsisë Shqipe dhe ku vendin e bardëve të studimeve albanologjike, si
Agnia Desnickaja e brezi i studiuesve të saj, po e zë një brez i ri në
krye me studiuesin e përmasave ballkanike Profesorin Rusakov.
Ndonëse në përmasa më të vogla dhe madje kryesisht në nivel
lektoratesh të mësimit të shqipes standarde, albanologjia studiohet edhe
në disa qendra të Europës qendrore, perëndimore dhe në Amerikë. Gjuha
shqipe mësohet në Londër, pranë Degës së Studimeve Sllave dhe të Europës
Lindore, ndërsa po në këtë qytet punë të mirë në hulumtimin, studimin
dhe botimin e veprave në fushë të albanologjisë bën Instituti i
Studime¬ve Shqiptare, drejtuar nga studiuesi dhe editori Destan
Bejtullahu. Gjithashtu, lektorati i gjuhës shqipe funksionon edhe në
Universitetin e Arizonës, ndërsa Katedra e Gjuhës Shqipe edhe në Paris.
Deri më tash, në Budapest për më se një gjysmë shekulli kurset e shqipes
i ka organizuar filologu i përmasave ballkanike Ishtvan Shvits (István
Schütz).
Një shtrirje më vete ka marrë mësimi dhe studimi i gjuhës shqipe
edhe në institucionet arsimore e shkencore të Greqisë. Në Selanik, pranë
Institutit të Gjuhëve Ballkanike, krahas gjuhës serbe, bullgare, ruse
dhe rumune, mësohet edhe shqipja. Në Janinë dhe në Follorinë kemi
lektoratet e shqipes, ndërsa në Athinë ka zënë rrënjë të mira Shoqata
shkencore “Lidhja Filologjike Shqiptaro-Greke”, brenda së cilës del edhe
revista shkencore Albanogrekica.
3. Orientimet
Shkenca e albanologjisë i ka tejkaluar tashmë disa çështje, që
vetëm disa dekada më parë i konsideronte themelore në projektet
na¬cionale të saj.
3.1. Në fushë të historisë:
albanologjia problemin e dikurshëm të gjenezës së popullit shqiptar
e konsideron të mbyllur dhe të pranuar në institucionet ndër¬kombëtare
pa domosdoshmërinë e mitizimit të saj; çështjen e formimit të kombit
shqiptar tashmë e diskuton në kontekst të identitetit të saj evropian;
projektimin e historisë së popullit shqiptar e konsideron jo si një
histori të Shqipërisë, që në të vërtetë ishte histori e kufijve
shtetë¬ror e politik, po si një histori kombëtare e popullit shqiptar në
kufijtë e saj etnografik. Brenda këtyre kritereve metodologjike pritet
të rea¬lizohet projekti i ri i historisë së popullit shqiptar,
enciklopedisë së po¬pullit shqiptar etj., ndonëse për shkaqe të caktuara
në periudhën tran¬zitore të kësaj kohe në Tiranë kanë përfunduar të
ashtuquajturat pro¬jekte kalimtare Historia e popullit shqiptar deri në
vitin 1912 dhe Fjalori enciklopedik shqiptar.
3.1.1. Tema të reja:
rihapja e çështjes shqiptare; studimet për historinë dhe çështjen
çame; rikthimi i epokës së Skënderbeut (në 600-vjetorin e lindjes);
mbështetja në literaturën ballkanike (përkthimet); kërkimet e Robert
Elsies në arkivat dhe bibliotekat e proveniencës Perëndimore, kërki¬met e
Musa Ahmetit në Arkivat e Vatikanit, kërkimet e Iliaz Rexhes në Arkivat
e Turqise, kërkimet e Dhori Qiriazit në Arkivat e Greqisë, kërkimet e
Oliver Shmitit në arkivat italiane dhe austriake, paraqesin kontribute
të veçanta në kërkimet e kësaj fushe.
3.2. Në fushë të gjuhësisë:
albanologjia ka tejkaluar studimin me çdo kusht të problemeve
gjuhësore me karakter historik dhe madje me metodologji historiciste,
ndërsa gjithnjë e më shumë merret me çështje pragmatike të nevojave të
saj: fjalorët elektronikë, fjalorët terminologjikë, diskutimin e
stan¬dardit gjuhësor në kontekst të rrethanave të reja, problemin e
standar¬dizimit të onomastikës etj. Qendrat e studimeve albanologjike në
Pri¬shtinë tashmë janë pjesë e projekteve mbarëkombëtare, sikur është
Komisioni Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, në të cilin tash sa kohë po
diskutohen jashtë prirjeve ideologjike dhe dogmatike disa çështje të
standardit të shqipes, ndërsa pas disa vitesh pune një komision
eksper¬tësh në shkallë Kosove i ka dhënë fund draftit të parë të
standardizimit të emërvendeve të Kosovës.
3.2.1. Botimet:
botimi i Atlasit Dialektologjik; përfundimi i botimit të veprave të
Çabejt në fushë të etimologjisë; seria e botimeve albanologjike në
gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera (anglisht e gjermanisht) të cilat nën
drejtimin e Profesor Rexhep Ismajlit po botohen në Akademinë e Shkencave
dhe Arteve të Kosovës; seria e botimeve të trashëgimisë al¬banologjike
drejtuar nga studiuesja Ledi Shamku në Tiranë; fillimi i botimit të
veprave të Jup Kastratit (Bibliografia albanistike I) ; veprat studimore
në fushë të fonetikës së shqipes nga Profesor Kolec Topalli; studimet
gjuhësore në fushë të shqipes nga Profesor David Luka; botimi i veprave
të Kole Ashtës Leksiku historik i gjuhës shqipe, dhe sidomos botimi e
ribotimi i shumë fjalorëve dygjuhësorë: anglisht-shqip, italisht-shqip,
gjermanisht-shqip, greqisht-shqip e anasjelltas, paraqesin disa nga
arritjet më të rëndësishme në fushë të gjuhësisë shqiptare etj. Një
fjalor i madh hungarisht-shqip, i Profesor Ishtvan Shvic (Istvan
Schvici), i cili pritej të botohej shpejt, tashmë edhe pas vdekjes së
autorit ende gjendet në dorëshkrim.
3.3. Në fushë të letërsisë:
përveç kthimit të autorëve të ndaluar, në Tiranë është zgjeruar
metoda shkencore e studimit, ndërsa në Prishtinë gjithnjë e më shumë,
madje edhe nga brezi i ri i studiuesve, po provohet i ashtuquajturi
“studim personal” i autorëve dhe veprave letrare. Studimet letrare në
Tiranë shkojnë drejt ristrukturimit brenda teorive bashkëkohore të
kërkimeve evropiane, ndërsa në Prishtinë drejt prirjes për të ndërtuar
prirjet e studiuesve të veçantë, sado ato edhe më tej mbeten në nivel të
përsiatjeve dhe sikur thuhet të “kërkimit të esencave”.
3.3.1. E veçantë:
studimet tekstologjike për letërsinë arbëreshe të Matteo Mandalasë
dhe projekti BESA për mbledhjen dhe dixhitalizimin e veprave të autorëve
arbëreshë, drejtuar nga Profesor Françesko Altimari; kërkimet e dr.
Zymer Nezirit në Fondin e Eposit të Uni¬versitetit të Harvardit, etj.
Mbi tridhjetë vëllime me ligjërata e studime të Seminarit Ndërkombëtar
për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqip¬tare paraqesin arritjet më të
reja në fushë të studimit, konferencave dhe kërkimeve postkomuniste në
fushë të albanologjisë.
4. Revistat
Kanë përfunduar “misionin” e tyre letrar: Jeta e re, Nëntori,
Jehona, Fjala, Drita etj., dhe vendin e tyre kanë zënë: Përpjekja, Mehr
Licht!, Poeteka, Sfidë, Ars, Fjalа, Aleph. Është rikthyer edhe Hylli i
Dritës.
5. Perspektiva e kërkimeve albanologjike
Nëse perspektiva e studimeve albanologjike varet prej per¬spektivës
së kërkimeve shkencore në vende dhe arkiva shkencore, si dhe prej
metodës së studimit të tyre, atëherë kërkimet albanologjike, përveç në
hapësirën e njohur shtetërore dhe shkencore të Shqipërisë, Kosovës,
Maqedonisë dhe Malit të Zi, duhet drejtuar edhe në hapë¬sirën etnike,
gjuhësore dhe etnografike të banuar nga shqiptarët në Greqi; në arkivat
mesjetare dhe antike greke; në hapësirën etnografike dhe gjuhësore e
shqiptarëve në Itali, si dhe në arkivat shtetërore, kishtare, shkencore
dhe kulturore të tyre; në arkivat shtetërore dhe kishtare të zonës
bregdetare të Kroacisë; në Arkivat Shtetërore Turke dhe në Arkivat e
Vatikanit, ku po bën kërkime kryesisht studiuesi Mu¬sa Ahmeti. Pranë
Arkivave të Vatikanit dhe Arkivave të Turqisë është me shumë interes që
të themelohen edhe Institutet shkencore na¬cionale, të cilat do
të merreshin vetëm me kërkimet e kësaj natyre.
Në gjuhën, letërsinë, folklorin, historinë dhe etnografinë
shqip¬tare ka shumë interes të bëhen kërkime në disa qendra shkencore të
Evropës Qendrore: Vjenë, Grac, Mynhen dhe sidomos në fondin “Ga¬ngala”
të Kopenhagës. Biblioteka Mbretërore e kryeqytetit të Dani¬markës
(Kopenhagë), në të cilen gjendet edhe Koleksioni “Gangala” (sipas
lektorit të shqipes Giuseppe Gangala, 1898–1978), mund të për¬mbysë
konceptin për themeluesit gjerman të albanologjisë shkencore. Arbëreshët
mund të bëhen jo vetëm prijës të letërsisë së romantizmit dhe mbledhës
të folklorit e përshkrues të etnografisë shqiptare, por edhe themelues
të shkencës së albanologjisë në gjysmën e parë të shekullit XIX, brenda
të cilës hynë edhe teoria e prejardhjes ilire të popullit shqiptarë e të
gjuhës shqipe.
Në kërkime të dorëshkrimeve të panjohura deri më tash apo të
identifikuara ndërmjetshëm, përveç veprave të shkruara para Buzukut, në
historinë e re, gjetja e dorëshkrimit të Fjalorit etimologjik të
Nor¬bert Joklit, sigurisht paraqet interes të madh për albanologjinë.
6. Rikthimi te Faik Konica
Pas reagimit të lexuesve për konstatimin e tij se “letërsisë
shqi¬pe nuk kishte veç se pesë a gjashtë vëllime të holla”, Konica
“për¬mirësoi” mendimin e tij, duke u përgjigjur se kur kishte konstatuar
një vëllim kaq të varfër të letrave shqipe nuk kishte menduar për
per¬sonalitetet, por për veprat. “Kultura kombëtare kishte shumë
per¬sonalitete të rëndësishme që nga ana kombëtare shqiptare janë me
rëndësi, – “por ne, – shtonte Konica, – patëm për qëllim të theksojmë
vetëm ato vepra që kanë vlerë me vete.”
Kush do të kundërshtonte sot mendimin e Konicës një shekull më
vonë, po të përpiqeshim të bënim një vlerësim të kontributeve tona
shkencore të karakterit nacional. Nëse sot konstatojmë se kontributet
shkencore nacionale nuk janë veç se një numër më i vogël vëllimesh, se
ato që kishte theksuar Faik Konica një shekull më parë dhe se në mesin e
atyre veprave të rëndësishme nuk janë as veprat themelore: Fjalori i
madh i gjuhës shqipe, e të mos flasim për Fjalësin kombëtar të shqipes
(ndërkohë që në kohën e Konicës shqipja kishte në dorë¬shkrim Fjalorin e
Kristoforidhit dhe madje Fjalorin etimologjik të Gustav Majerit); se në
vend të Enciklopedisë nacionale kemi Fjalorin e vogël enciklopedik; se
në vend të Historisë së popullit shqiptar kemi gjysmën e parë të saj; se
në vend të Historisë së letërsisë shqipe kemi disa pjesë të saj; se
ende nuk kemi një vepër akademike për letërsinë
popullore, etnografinë, muzikologjinë, arkeologjinë, se edhe
Gramati¬kën e shqipes standarde nuk arritëm ta botojmë të plotë; se edhe
ai nu¬mër i vogël leksikonësh të botuar deri më tash janë rezultat i
punës individuale të disa “iluministëve”, po jo edhe punës shkencor të
insti¬tucioneve shkencore, të cilat janë themeluar pikërisht për këto
synime, si do të reagonin sot individët dhe institucionet shkencore.
Duke e ditur që më parë se edhe ndaj këtyre konstatimeve reagime do
të ketë edhe një shekull pas reagimeve që iu bënë Faik Konicës,
dëshiroj të përgjigjem që më parë: në kohën tonë, kemi jo vetëm
individualitete të shquara shkencore, kulturore, filozofike, letrare
etj., por kemi edhe institucione shkencore kombëtare: akade¬mike,
universitare, shkencore, institute të specializuara etj., të cilat, kudo
me emrin e tyre i nderojnë popujt e qytetëruar të botës, por edhe këtu
fjalën e kishim për ato vepra themelore, të cilat i mungojnë shkencës së
albanologjisë, dmth. shkencës nacionale.
8. Në vend të përfundimit
Nëse rezultatet e reja të studimeve albanologjike varen prej
perspektivës së kërkimeve shkencore në vende të ndryshme dhe arkiva
shkencore, si dhe prej metodës së studimit të tyre, atëherë kërkimet
albanologjike, përveç në hapësirën e njohur shtetërore dhe shkencore të
Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, duhet drejtuar edhe në
hapësirën etnike, gjuhësore dhe etnografike të banuar nga shqiptarët në
Greqi; në arkivat mesjetare dhe antike greke, në hapë¬sirën etnografike
dhe gjuhësore e shqiptarëve në Itali, si dhe në arkivat shtetërore,
kishtare, shkencore dhe kulturore të tyre. Në arkivat shte¬tërore dhe
kishtare të zonës bregdetare të Kroacisë, në Arkivat Shtetë¬rore Turke,
në Arkivat e Vatikanit, të Rumanisë, të Bullgarisë, të Aus¬trisë, të
Rusisë dhe të Egjiptit, Greqisë. Pranë Arkivave të Vatikanit dhe të
Turqisë është me shumë interes që të themelohen edhe
Institutet shkencore nacionale, të cilat do të merreshin vetëm me
kërkimet e kësaj natyre.
RESUME
THE STATUS OF ALBANOLOGY AND ITS PERSPECTIVE
If the new outputs of Albanology depend on scientific research in
other countries and on their archives, as well as on methodology, then,
besides Albania, Kosova, FYROM and Montenegro, the Alba¬no¬logy research
must be extended also in the Albanian ethnic, linguis¬tic and
ethnographic area in Greece, in the medieval and ancient Greek archives,
in the Albanian ethnographic and linguistic area in Italy, as well as
in their state, church, scientific and cultural archives. It is
indispensable that research must be carried out in the Croatian Riviera,
in the Turkish, Rumanian, Bulgarian, Austrian, and Russian state
archives, as well as in the Vatican archives.It is of much interest the
establishment of national scientific institution in the Vatican and
Turkish archives, that would deal exclusively with this kind of
research.