2011/05/29

Gjakatarët e vranë shpirtin poetik madhor të vashës së mitur !






 

  Yllka Domi u lind me 18 gusht 1982, në Gjakovë.U vra me 7 maj 1999, në Gjakovë, nga forcat serbe. Trupi i saj , sikur i mijërave të tjerëve, u mbajt peng në gropa të Sërbisë.U rivarros me ceremoni fetare, bashkë me dhjetë bij të Gjakovës, me 23 dhjetor 2OO3, në kodrën e Cabratit të Gjakovës.

Yllka Domi ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme, ishte besimtare, recituese e dalluar dhe valltare. Kishte prirje për poezi…Ishte çikë për hasret, bija e vetme e Dashurije dhe Afrim Domit, ish-kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës…

Zhorzh Sand: Per heroinen e Kosoves Yllka Domi

Plaget e atdheut te kerkuan rinine
Bllokun e poezive rrembimthi e fute ne xhep
Pushken hodhe supit, nenes i the lamtumire
Vrapove pas shokeve ne gerxhe e shkrepa

Kengen tende te thyer e vazhdon Kosova
Rreth lapidarit shoket flasin me ty
Ti, pellumb i bardhe, vashe e parritur akoma
Flet me heshtjen tende, me te bukurit sy.

 

 Flori Bruqi

 ************

Yllka Domi apo poezia e këputur përgjysmë

Gazetari i njohur Chris Stephen i gazetës The New York Times, pas vizitës në Gjakovë, menjëherë mbas luftës, ka botuar në këtë gazetë, poezinë e Yllkës me titull “Kënga e pranverës”. Poezitë e Yllka Domit, u kallën nga paramilitarët serbë bashkë me shtëpinë e saj, kurse ditari që e mbante me vete gjatë luftës, u zhduk sikurse edhe trupi i saj, prandaj ajo me plot të drejtë mund të quhet një Ana Frank shqiptare. 

Yllka Domi
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Nga Blerim Valla 
 
Asnjë mësimdhënës nuk e paramendon për të gjallë të tij, e as unë, se do ta përjetojë vdekjen e nxënësit apo nxënëses së vet. Aq më larg, se do të marrë pjesë në përcjelljen e fundit për në amshim të ndonjërit prej tyre .

Por ja që në jetë ndodh gjithçka.

Lajmin për vrasjen e ish-nxënëses Yllka Domi, vetëm 17 vjeçare, ma kishin kumtuar shoqet dhe shokët e saj, po ashtu ish-nxënës të mi, menjëherë pas ofensivës së madhe të forcave paramilitare dhe militare serbe në Kodrën e Çabratit, që zgjati prej 7 deri më 11 maj të vitit 1999. Isha i tronditur edhe më shumë kur u mor vesh se trupi i saj ishte zhvarrosur për së dyti nga kanibalët sllavë dhe se trupi i saj i njomë, pas gati katër viteve, (më 2003) ishte identifikuar, në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.

Lajmin për këtë e kishte dhënë, menjëherë pas luftës, gazetari i njohur Chris Stephen në gazetën The New York Times, pasi kishte vizituar personalisht Gjakovën, menjëherë pas luftës . Stephen fill pas kthimit në SHBA, në gazetën prestigjioze amerikane kishte botuar dhe poezinë e Yllkës me titull “Kënga e pranverës”. Dhe sot kur po mbushen 12 vjet nga vrasja barbare e saj, kur lulet e majit kanë mbuluar varrin e saj (nuk e di por për herë të parë ndjehesha disi ndryshe, më i qetë para një varri , mbase duke ditur se më në fund e dija unë dhe të tjerët se ku prehet trupi dhe shpirti i Yllkës), kujtimet më kthejnë para shumë viteve kur Yllka si nxënëse 10-12 vjeçare vinte me fletoren e saj përplot poezi dhe kërkonte mendimin tim për poezitë e saj, duke insistuar të merrte pjesë edhe në orët e shumta letrare që organizoja në atë kohë në shkollën " Mazllum Këpuska".




Dhe Yllka, mbesa e shkrimtarit të njohur gjakovar Kasim Domi (i cili kishte përjetuar edhe Goli Otokun), poezinë e kishte si ajrin, si jetën, si ujin, si bukën dhe nuk ndalej së shkruari.

Talenti dhe puna e saj e vazhdueshme e kishin bërë atë një poeteshë të pranueshme në qarqet letrare të qytetit, duke u shpërblyer me disa çmime letrare nga klubi letrar "GJ . N. Kazazi". Por, të gjitha krijimet letrare të Yllkës, bashkë me ditarin e saj, ishin djegur bashkë me shtëpinë e saj nga barbarët serb në pranverën e vitit 1999. Atë e vranë një vajzë të mitur por nuk mundën ta vrasin kurrë shpirtin dhe poezinë e saj për dashurinë, lirinë, rininë, atdheun, jetën, vdekjen... Po edhe për vdekjen, sepse disi ajo kishte parandjenjë fatin e saj, se do të vdesë, e kjo më së miri del në poezinë e saj të fundit, për të gjallë, "Ti fluturon me dallëndyshet".

Dhe tek pas vdekjes, më 2001, ishte po ky emër në krye të përmbledhjes me poezi të Yllkës, botim i "Lidhjes së Gruas Shqiptare të Kosovës" dhe falë punës së madhe të shkrimtarit Agim Byci, i cili arriti të mblidhte pozitë e saj nga shoqet, pastaj poetes së njohur Flora Brovina, shokët, mësimdhënësit dhe të afërmit e Yllkës. Amanetin e saj të
fundit e kishte lënë mu në këtë libër.

Në vitin 2002, klubi letrar "Gj . N . Kazazi" botoi librin tjetër kushtuar Yllka Domit, me titull "Një yll i pashuar", i cili përmban mbresa e kujtime nga miqtë dhe të njohurit e saj, pastaj krijime kushtuar asaj, si dhe disa poezi të pabotuara deri atëherë të Yllkës, të gjitha këto të mbledhura nga shoqja e saj Zana Bakalli, botuar nga klubi letrar “Gj. N. Kazazi”.
Ajo kishte sens për poezi, për aktrim, për vallëzim, recitim, e mbi të gjitha ishte një princeshë e poezisë dhe e bukurisë.

Për nder të saj, grupi letrar në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës, ku Yllka, deri para vdekjes, vijonte mësimet në vitin e tretë, mban emrin e saj. Për Yllka Domin, si poete shumë e talentuar dhe e cila premtonte shumë, pastaj si nxënëse dhe aktiviste e shumë fushave të artit dhe të kulturës, për virtytet dhe shëmbëlltyrën e saj, pastaj për familjen e poetes dhe martires Domi, e cila bashkë me prindërit e saj kishin dhënë ndihmesë të madhe për luftëtarët e lirisë në kodrën e Çabratit, në Gjakovë, mund të dëgjosh nga të gjitha anët e qytetit vetëm fjalët më të mira.

Ishte ideja e autorit të këtyre rreshtave, që në shenjë nderimi për këtë poeteshë të re shumë të talentuar, qyteti dhe bota letrare në Gjakovë ta themelojë një çmim letrar me emrin e saj, çmim i cili do t’i jepej për çdo vit krijueseve të reja për krijimtarinë e tyre poetike. Kjo iniciativë u mirëprit dhe hasi në mirëkuptim të plotë nga qarqet letrare të Gjakovës, sidomos nga shkrimtari dhe përkthyesi Agim Byci.

Dhe në mitingjet e organizuara deri më tani pas luftës, sikurse që është aktiviteti më i madh letrar në Kosovë, Mitingu i Poezisë, që mbahet çdo vit në Gjakovë, ky çmim, në bashkëpunim me klubin letrar “GJ. N. Kazazi” dhe shtëpinë botuese “Fan Noli“ nga Gjakova, deri tani iu është ndarë tri poeteshave, Abetare Domit, Gentiana Muhaxherit dhe Xhevahire Izmakut.

Ndonëse qysh në vitin 2002, libri me poezi i Yllka Domit “Fluturimi i fundit me dallëndyshet”, është përkthyer në anglisht dhe në gjermanisht nga Agim Byci, edhe sot e kësaj dite, në mungesë të përkrahjes materiale, ky libër nuk është botuar ende. Mbase deri
vitin e ardhshëm, në 13-vjetorin e vrasjes së saj, do të gjendet ndonjë mundësi apo ndonjë donator, dhe ky libër ta sheh dritën e botimit. Ky do të ishte nderi më i madh që qyteti i
Gjakovës do t’i bënte Yllka Domit.

Yllka iku por, na la vlerat e vërteta prej njeriu dhe prej poeteje. Tek eci maje Çabratit dhe tek shkruaj këtë përkujtim për ish-nxënësen time më kujtohen vargjet e fundit të shkruara nga Yllka Domi, "Nuk dua përmendore". Ti Yllka, me veprën tënde, e ngrite përmendoren e lirisë.


*****

Poezi mbi dashurinë, lirinë, jetën dhe vdekjen

Shkruan: Agim BYCI

Janë shumë të pakët emrat që kanë lënë gjurmë në shkrimin letrar pa i mbushur 18 vjeç, Yllka sipas mendimit tim, radhitet ndër të parat, e cila edhe me këto pak poezi që kanë shpëtuar, dëshmoi se kishte talent. Poezitë e mbetura i takonin dashurisë, lirisë, jetës dhe vdekjes. Megjithatë, bëra një radhitje siç pason në libër. Ishte punë e vështirë. S’kisha mundësi, siç ndodh me libra të tjerë, të zgjedh poezi, por vetëm të mbledh. Poezitë dhe shkrimet në këtë libër kanë mbetur gjallë falë memories së nënës Dashurie, shoqeve dhe shokëve të saj, revistave dhe fletores së hartimeve të gjetur gjysmë të djegur në gërmadhat e shtëpisë. Porosia e saj kur i kishte mbushur 12 vjet e 3 muaj, vërtet, duhet të vihet si moto ose mbishkrim nëpër shkolla: “ Rinia shqiptare sot në Kosovë duhet ta ketë jo vetëm si obligim personal dhe familjar, por edhe detyrë kombëtare arsimimin e vet. ” Shpirti i saj ishte i preokupuar me vuajtjet, përpëlitjet dhe nëpërkëmbjen e popullit. Ende nën moshën madhore, por çuditërisht si një “ vunderkind ”, shkruan si një vajzë e rritur, si një nënë me përgjegjësi për Kosovën, lirin, kurbetin dhe porosit djemtë, burrat që të kthehen në vendlindje. Kujt i këndonte Yllka ? I këndonte pranverës, dallëndysheve, këngës së bilbilit, më të dashurve të vet, i këndonte dashurisë, rinisë, lirisë, i këndonte jetës dhe vdekjes, thuajse kishte një parandjenjë se do të vdiste. Dëshironte të këndonte, të jetonte, të dashuronte, ama dikush nuk e linte. Ai dikushi ishte pushtuesi serb, që krijonte pa ndërprerë dhunë, pasiguri, kërcënime… Këto ndijime të ankthit, të pasigurisë dhe të dozës pesimiste i hasim në poezitë, të cilat, siç duket, i ka shkruar pak para se të fillonte lufta. Te poezia “ Ti fluturon me dallëndyshet ”, shfaqet ndjenja dhe mendimet që asocionojnë vdekjen. Aty shihet se poeteshës i ka humbur buzagazi dhe në afërsi i bredh ankthi nga koha e pasigurt që shumë shpejtë do të pasonte. Ishte e vetëdijshme për atë që do të shfaqej befas, e pasi ka përjetuar shumë peripeci, as që i frikësohej vdekjes. Poezia nuk përmban fjalë të forta mbi vdekjen, as rënkime dhe elegji, por ligjëron thjesht dhe qetë për një gjendje të zymtë shpirtërore. Kjo dhe dy poezitë e mëparshme, “ Dashuria s’ka fund ” dhe “ Lotët ”, sikur na kujtojnë ndjenjën e vdekjes në poezitë e fundit që i shkroi Mitrush Kuteli. Me këto poezi është në harmoni edhe “Kënga e pranverës”, që e  botoi gazetari amerikan Chris Stephen. Duket se kjo është një strofë e shkëputur nga poezia “ Ti fluturon me dallëndyshet ”, sepse ka ngjashmëri me strofën e gjashtë dhe të shtatë. Në poezinë “ Valëzimi ” hasim shkallëzime të gjendjeve, të sendeve, të simbolikave dhe të përfytyrimeve, që përmes një deduksioni krijohet gjendja apo përfytyrimi tjtër në harmoni me të mëparshmin. Yllka e shikonte gjithësinë si një konstelacion yjesh, që simbolizojnë dashurinë, si: Hëna, Dielli, Afërdita dhe yjet si gjerdanë. Sikur ta kishte mësuar Lasgush Poradeci. Poezia “ Ylli ” është një lirikë dashurore kozmike në mes të djalit dhe vajzës, ylli që nënkuptohet dashuria, e cila gjithnjë shndrit në zemrën e të dashuruarve. Te poezia “ Lumturia ” hasim një bipolaritet si te Sharl Bodleri, në një çast lumturia, në tjetrin zymtësia. Poezia “ Familjare ” ma përkujton poezinë me të njëjtin titull të Zhak Preverit, por shtjellimi i ngjarjes këtu është aktual, familjar dhe i prekshëm. Poezia “ Malli ” është poezi e durimit. Poezinë “ Bukuria ”, të cilën e lexoi në lokalin “ Rinia ” dhe u dallua me rimën, simbolikën, krahasimet, graduacionet dhe sentencat, e mori poeti Engjëll Berisha ta botojë në revistën “Letrari”. Edhe kjo poezi u dogj, se barbarët serbë i’a vunë zjarrin edhe shtëpisë së tij. Pas një përpjekjeje të madhe, e rikujtuam, e riformësuam dhe e riprodhuam bashkë. Poezia “ Liria ” ishte e shkruar në faqen e prapme të fletëudhëzimit se si duhet të përdoret dhe të pastrohet pushka. Nëna Dashurie thotë se poezia i kishte dy strofa. Strofa e dytë, nuk është më. I vetmi tregim i mbetur është “ Nuk dua ”, që e shkroi kur i kishte 13 vjet e 4 muaj. Tregimi ka një formë letrare, ka ca veti strukturale, ka ngjarjen, ka personazhe. Nga forma e jashtme përmban kronikën, informacionin gazetar. Nga karakteristika e brendshme tregimi shpreh aktualitetin dhe ngjarjet që rrjedhin me kohën. Ndërtimi i tregimit dhe teknika, për moshën e saj, janë mbi nivel. I shkruar në veten e parë, përmban edhe digresione lirike. Gjuha e tregimit është poetike. Bie në sy një rast i rrëfimit në vargje, thuajse e bën me qëllim dhe krijon një ritëm, rimë dhe ndjenjë lirike.
Dielli s’ka rreze,
koha u vrenjt,
zogjtë nuk këndojnë më,
gjithçka u shua
Mendimet në formë të proverbave mbi dashurinë, librin, dëshirat dhe porositë janë të nxjerra nga fletorja e hartimeve, si dhe shkrimi “ Femra shqiptare sot ”. Poezitë, të cilat Yllka i’a kushton dashurisë, përmbajnë dridhje emocionale, fluiditet dhe ndjenjë çiltërsie. Ato shprehin ndjenjat dhe afshin e dashurisë rinore, dëshirën dhe pulsin për jetë, mësim dhe përparim, dëshirën të shpërthejnë hapësirën e robërisë dhe të shijojnë lirinë, kurse poezitë tjera rezultojnë trishtim, revoltë dhe shqetësime të brendshme. Ajo, pos fjalës, gjeti forcë në çastin më të trishtueshëm, kur armiku kërkonte gjak rinor, doli në mal për të luftuar të keqen, për ta sjellë lirinë, lirinë në poezi. Poetesha e re kishte shumë dëshira, por e pengonte pushteti policor serb dhe koha e paraluftës. Si recitatore kishte dëshirë që ora letrare të mbahej e lirë dhe të recitonte vargjet e lira, si valltare kishte dëshirë të vallëzonte vallen e lirisë në qendër të qytetit, si poetesh kishte dëshirë të botonte dorëshkrimet me poezi kushtuar lirisë dhe dashurisë, si aktore kishte dëshirë të jepej premiera e shfaqjes, si erudite kishte dëshirë të vazhdonte gjimnazin në Amerikë, si atdhedashëse kishte dëshirë, e që u thoshte orë e çast më të dashurve të saj, ta shihte njëherë Kosovën të lirë. Pas çlirimit, në shenjë kujtimi, nderimi dhe frymëzimi, meqë ishte dhe mbeti simbol i poezisë dhe i bukurisë, i rinisë dhe i dashurisë, i jetës dhe i vdekjes, shumë krijues sajuan për Yllkën emisione, artikuj, libra, dokumentarë, poezi, këngë, piktorët e pikturuan buzëqeshjen – liri të Xhokondës… Diçka të afërt tragjike kishte me poetin e madh Frederiko Garsia Lorka, të cilin kriminelët fashistë pasi e pushkatuan, e zhdukën trupin e tij dhe kurrë s’u gjet më.
Këtë fat e pati edhe Yllka, por ndoshta më tragjik, sepse pas masakrimit e pushkatimit u varros, pastaj u zhvarros dhe kufoma e saj u zhduk për të mos u gjetur më kurrë. Sigurisht, gjaksorët kishin frikë nga gjaku i ri i poezisë së saj, nga fjala e re e një femre shqiptare që lind dhe ecën drejt shtigjeve të reja të lirisë e të demokracisë.

Shënime për autoren
Yllka Domi u lind më 18.08.1982, në Gjakovë. Pas kryerjes së shkollës fillore, u regjistrua në gjimnaz. Klasën e tretë të gjimnazit nuk arriti ta përfundonte. Emri i Yllkës filloi të bëhet i njohur që nga mosha 12 vjeçare me vjershat e botuara në Zog mëngjesi dhe pastaj në revistën Gjimnazisti. Ishte nxënëse e shkëlqyeshme. Kishte prirje për poezi, por i pëlqente edhe arti, muzika, vallëzimi dhe aktrimi. Si valltare mbeti i paharrueshme me rastin e festës së shkollës, kur shkëlqeu në vallen “Shota”, e cila u dha disa herë edhe në shkollat e tjera. Koreograf ishte simpatizuesi i saj, Meritoni. Si aktore i ra menjëherë në sy aktorit Sylejman Lokaj, i cili e përgatiti shfaqjen “ Romeo dhe Gjulieta ”, e cila për shkak të luftës mbeti pa u shfaqur. Dallohej edhe si recitatore. Në bazë të shënimeve të profesorit Blerim Valla, që ishte shpesh kryetar jurie me rastin e manifestimeve letrare e kulturore, por edhe të shokëve  e shoqeve të saj, si Meritoni, Yllka, Albina, Gentiana, Zana e të tjerë, fitoj çmimin e dytë me poezinë “ Ti fluturon me dallëndyshet ”, me rastin e festës së Flamurit me 28 Nëntor 1998, ndërsa të dytin në orën letrare të quajtur “Pranvera e poezisë”, të mbajtur më 2 prill 1997, me poezinë “ Lotët ”, dhe me rastin e fillimit të vitit shkollor më 13.10.1997 me poezinë “ Çfarë dëshiroj ”, e cila nuk gjendet. Anglishten e dinte, por meqë kishte dëshirë ta lexonte Bajronin në origjinal, ndoqi kurset e gjuhës angleze. Ishte e talentuar, elegante dhe bukuroshe. Pas luftës, gjenerata e gjimnazit në shenjë respekti e kujtimi e zgjodhi mis të gjeneratës. Kur policët ia vunë zjarrin shtëpisë, u dogj gjithçka, edhe përmbledhja me poezi që e kishte në dorëshkrim. I mbetën vetëm dy fletoret e vogla, që i mbante në xhep kudo që ikte nga zjarri dhe nga plumbat e armikut. Këto dy fletore, thonë prindërit, i kishte si bukë, i ruante si sytë e ballit, i bante me vete dhe kujdesej si për foshnjën, që kur të çliroheshim, t’i publikonte. Njëra ishte me poezi, kurse tjetra përmbante ditarin e ditëve të tmerrit e të ferrit. Për fat të keq, edhe ato u zhduken bashkë me trupin e saj. Tragjedi e shumëfishtë ! Gjaksorët e vranë edhe atë, edhe poezitë, edhe ditarin. I vranë tri dëshmitë e mëdha kundër veprimeve të tyre kriminale: ndaj njeriut, letërsisë dhe historisë.
E vranë shpirtin poetik madhor të vashës së mitur !
Vallë, cilat janë ato poezi ? Çfarë shkruhet në ditarin e Ana Frankut shqiptare ? Rrjedh nga një nënë bujare dhe baba të qetë dhe intelektual. Shtëpi patriotike. Gjyshi i saj, Kasemi, për ide kombëtare u dënua dhe vuajti burgun në Goli – Otokun famëkeq. Babai Afrimi u dënua me dy vjet burgim, sepse e formoi qeverinë paralele. Para luftës, kur situata ishte e nderë, ishte ndër të parët, ndonëse i dënuar dhe i ndjekur që e hapi derën për të zhvendosurit nga zonat e luftës. Shtëpia e Yllkës ishte e mbushur me të zhvendosurit nga fshatrat Nec, Shishmon e Junik. Yllka u lexonte të rinjve poezi dhe të vegjëlve u tregonte përralla. Gjatë luftës, kur sipas radhës nëna i përfundonte gjellërat dhe ushqimet për ushtarët e UÇK-së, të cilët gjendeshin në Çabrat, Yllka mezi priste t’u dërgonte duke u përvjedhur nëpër shtëpi, pullaze, mure…
U vra me 7 maj 1999, në sythin e pranverës. Gjaku i saj i njomë ra si vesë mbi lulëkuqet rrëzë Çabratit, të cilat tash, sa herë që lulëzojnë, janë më të kuqe dhe me aromë lirie.

Fjalët e fundit – Babait dhe nënës

E ballafaquar me terrorin, dhunën dhe pasigurinë që i përjetoi vetë, kur e rreshtuan ta pushkatojnë, dhe falë zotit në çastet e fundit i iku vdekjes, kur gjyshit ndër sy të saj ia përgjakën kokën dhe pas pak ditësh vdiq, kur në çdo anë dhunoheshin femrat, kur masakroheshin njerëzit e pafajshëm, fëmijë, gra e pleqë, kur digjeshin shtëpitë dhe i tërë qyteti kundërmonte erë gjaku e shkrumbi, i doli përpara babait, Afrimit, i cili përgatitej të kthehej në mal, dhe nënës Dashurie, që mundohej me mish e shpirt t’i shpëtonte fëmijët, dhe u tha:
“ Babë, merrmë me vete, sepse instruktorja e UÇK-së, Jeta, më ka mësuar se si të përdorë armën. Ashtu siç di ta përdor lapsin, do ta përdor edhe pushkën ”.
“ Mami, unë po largohem me shokë e shoqe. Më mirë të vdes nga plumbi se t’i bie në dorë shkaut. Mami, po ngjitem në Çabrat. E kam afër, moj mami, do hip mbi majë dhe do ta vendos flamurin e lirisë. Gëzim më të madhë a ka, moj mëmë !? Po ti, mos baj dert për vjershat e mia, se pas luftës do të çuditesh sa shumë do të shkruaj ”.
Fotoreporteri Fred R. Conrad jep fotografitë, kurse gazetari Chris Stephen shkruan në gazetën e njohur “ The Neë York Times Magazine ” për vdekjen në rrugën “ Mazllum Shasivari ”.
“ Pas valës së parë të plaçkitjeve, djegieve, përdhunimeve, shkatërrimeve dhe vrasjeve, ka pasuar e dyta prej 7 deri më 11 maj. Poeteshën e re e heshtën përgjithmonë. Kur kishte filluar ofensiva e majit, Yllka, e cila më herët mezi i kishte shpëtuar përdhunimit prej ushtarëve dhe policëve serbë, kishte ikur bashkë me babanë dhe me një grup burrash në pyjet e Çabratit. Kishte vdekur në mal. E kishin kapur rafalet e automatikëve. Trupin e kishin marrë romët, që ato ditë bënin varrimet masive. Ishte hedhur në varrezë masive dhe më pas ishte zhvarrosur sërish, mbase për të shkatërruar dëshmitë e krimeve të luftës. Nuk ishte gjetur më. Mbesa e shkrimtarit të ndjerë Kasim Domi, Yllka, tashmë ishte shkrimtare dhe poeteshë e pranuar, por pjesa më e madhe e punës së saj ka humbur kur shtëpisë i ishte vënë zjarri. Një poemë që kishte shpëtuar mban emrin “Kënga e Pranverës”.
Kënga e pranverës

“ Nuk do të jemi bashkë,
jetërave tona po u afrohet fundi.
Nuk do të njihemi,
bashkë nuk do të takohemi,
do të derdh lot,
duhet ta dish se nuk ka shpresë më për mua,
e kam dashur shpirtin tënd më tepër se veten.
Shkrova për ty kujtimin
që të mund të gjesh prehje.
(Botuar në gazetën “ The Neë York Time Magazine ” nga Chris Stephen, i cili që ditët e para të çlirimit u gjend në Gjakovë. Gjatë vizitës kërkonte në shtëpinë e djegur të Yllkës fletore e dorëshkrime të padjegura.)
Dëshira

Unë dua të këndoj
Dikush më pengon.
Unë dua të jetoj
Dikush s’më lejon.
Femra shqiptare sot
(Këtë hartim Yllka e shkroi në klasën e shtatë fillore kur kishte 13 vjeç e 4 muaj)

Femra dikur ka njohur vetëm vuajtje, e mjera! Ka shikuar vetëm katër muret e mbyllura në një dhomë. Femra asnjëherë nuk ka guxuar të vendosë për fatin e saj, por për fatin e saj ka vendosur dikush tjetër. Meqë atë kohë ishin kushte të tjera, ndaj i kan munduar. Meqenëse femrat shqiptare ishin të pashkolluara, poetët e shquar Haki Stërmilli, Sami Frashëri, Çajupi e të tjerë janë munduar ta thyejnë atë fanatizëm. Femrat së pari duhet të shkollohen, sepse do të bëhen nëna e dijenia dhe edukata i trashëgohen fëmijës, sepse nëna më së shumti merret me fëmijë. Prapëseprapë femra mbeti femër. Femra shqiptare asnjëherë nuk ka ditur se ç’është liria. Por ajo ka qenë e obliguar t’i kryej të gjitha punët, jo vetëm punët femërore, por edhe ato që mund t’i kryej mashkulli. Ato dilnin në ara në diell të madh dhe në shi tërë ditën dhe nuk i shihnin fëmijët e vet deri në mbrëmje.  Fati i femrës së sotme nuk krahasohet aspak me atë të së kaluarës. Tani kanë të drejta të barabarta me meshkujt. Shkollohen dhe punojnë në punë shtetërore dhe bëhen mjeke, inxhiniere e të tjera. Mendimi im për femrën shqiptare nga e kaluara: ishte një krijesë që ta këputë shpirtin.

No comments:

Post a Comment

PREAMBULLA E GJENOCIDIT SERBIAN SOT

          Search within imag                        Shkruan historiani i njohur kosovar :                      Akademik Prof Dr Hakif Bajram...