2011-06-02

Pse u bë i madh At Zef Valentini?!


Nga Violeta Murati


At Zef Valentini
At Zef Valentini, dje, për herë të parë promovim dinjitoz në një takim mes albanologëve dhe përfaqësuesve françeskanë; 11 botime të reja plotësojnë 20 volume në shqip nga seria e studimeve albanologjike të priftit jezuit që iku nga Shqipëria në vitin 1943, duke marrë me vete gjithë veprën, pjesa dërrmuese e së cilës fle në arkivat evropiane, ndërsa në Shqipëri nuk ekziston asgjë nga sekuestrimi komunist; heshtja 50-vjeçare nuk është kompensuar në këta 20 vjet, konkluzioni: asnjë studiues për këtë vepër, nuk është i përfshirë në asnjë program shkollor dhe universitar. Një doracak që shoqëron veprën na njeh me vlerësimin e këtij albanologu nga personalitete të huaja e shqiptare, disa prej të cilëve i botojmë më poshtë
Një doracak i botuar përkrah 11 vëllimeve të At Zef Valentinit, që përmbushin kështu 20 volume nga puna e tij jo shteruese me studimet shqiptare, ndihmon për të kuptuar se kush ishte ky jezuit, që la Shqipërinë më ‘43. Sikur mos të largohej në këtë moment, veprat e tij jo vetëm se nuk do të botoheshin, por dhe ai vetë do të ishte varur nga regjimi komunist. Këtë fjali të fundit na e thotë Willy Kamsi, i pranishëm dje në promovimin e vëllimeve të reja nga At Zef Valentini. Ky albanolog, albanofil me famë qartësisht ndërkombëtare, na thuhet se pavarësisht këtyre 20 volumeve, pjesa më e madhe e veprës së tij “fle nëpër arkivat e bibliotekave dhe në raftet e shtëpive të ndryshme botuese evropiane”. Për 50 vjet vepra e tij “u zhduk”, u la krejtësisht në heshtje. “Nuk ishte e lehtë të bëheshe facto, dhe i besueshëm, për t’iu imponuar institucioneve për t’i kushtuar vëmendje At Zef Valentinit”. Këto ishin fjalët e botuesit të “Plejad”, Ndriçim Kullës, kur në pak minuta ka treguar sa shumë vite iu deshën për të bindur ministër pas ministri për këto botime që njihen për herë të parë në shqip, duke kujtuar se kemi të bëjmë një nismë private, sikur të ishte një institucion shkencor. Pse konsiderohet i madh At Zef Valentini?! Për ta marrë direkt përgjigjen, pa hyrë në 20 volumet e tij, bibliografia e librave të botuar përfshin: “Ligji i maleve shqiptare”; “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”; “Familja në të drejtën tradicionale shqiptare”; “Fiset e Shqipërisë së Veriut (organizimi i tyre shoqëror dhe politik); “Të drejtat e Shqipërisë etnike”; “Sprovë për një regjistër historik të Shqipërisë”; “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë (313-395); “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë (395-700)”; “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë (1060-1560)”; “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë (1571-1941)”; “Shënime për historinë kulturore shqiptare”; “Nomenklator (fjalor bibliografik iliro-shqiptar)”; “Shënime mbi regjimin e vendqëndrimeve venete në Shqipëri”; “Ma i pari kuvend i studimeve shqiptare”; “Statusi personal në Shqipëri në epokën e Skënderbeut”; “Liber Brevium i Papa Kalistit III”; “Traktat për vargnimin e shqipes”; “Shëtitje historike në Shqipërinë e Veriut”; “Metrofani, kanonet trinitare”; “Domus Ecclessiae: arkitektura e shenjtë kishtare ilirike”; “Poliektri i Kornejit”; “Sauli i Alfierit”; “Akte shqiptaro-juridike” (në dy vëllime); “Akte shqiptaro-venete” (në 30 vëllime) etj. Pra, siç shihet, është një listë e gjatë, që rrallëkush mund t’i afrohet nga bibliografia. Në fund të jetës, kur ishte i shtruar në klinikën e spitalit të Milanos, mësojmë se në duar kishte vëllimin e 26-të “Act Albania”, gati për botim, por nuk arriti ta përfundonte. Gjithë ky volum pune në studime albanologjike kishte konkluzionin: Aftësia e shqiptarëve të mendojnë edhe në sensin juridik. Studimi i historisë shqiptare, sidomos ana kanunore juridike, të drejtës zakonore – për studiuesin Willy Kamsi përfshin me gjithë meritat pse At Zef Valentini duhet të quhet i madh! Kamsi na tregon se e ka njohur nga afër priftin, nga lidhjet familjare, dhe prej tij nxjerr mendimin pse ishte “autonom”. At Zef Valentini “ishte i pavarur, në konkluzione i pandikuar prej ideologjive, por që janë “të pleqnueme në mendjen e tij”. At Valentini, një jezuit italian, që erdhi shumë vite para luftës, kur ishte shumë i ri, e mësoi shpejt gjuhën shqipe. Kjo e bëri që t'i dedikohej si asgjë tjetër shqipes, aq sa ishte e vështirë që ta njihje nga një klerik shqiptar i zakonshëm. Kamsi na kujton se ai gjithnjë thoshte “ne shqiptarët”. Është domethënëse kjo, për të kuptuar më pas përfshirjen e tij në fushën e studimeve ku do t’i kushtohej me zemër përditshmërisë shqiptare. Por, i kufizuar vetëm në mjedisin katolik të Shkodrës dhe atë që rrethonte, mundohej të dilte jashtë këtij qerthulli. Për të dalë nga kjo gjendje nga viti 1932 drejtoi revistën “LEKA” deri më 1943, së bashku me të, revistën “Lajmtari i zemrës së Krishtit”. Kishte ngjitur të gjithë hierarkinë e duhur të studjuesve shqiptarë të kohës, derisa 1941 punoi madje edhe "si këshilltar e sekretar i përgjithshem i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare".
Kulmin e arrin me projektin më madhor të gjithë jetës, korpusit gjigand prej 30 vëllimesh, të mbledhura e të dokumentuara mes mijëra e mijëra skedash biblioteke, të titulluar "Akte albane-venete të shekullit XIV-XV", që përmbledh një numer prej 5000 dokumentesh që, sipas vellimeve, datojnë që nga viti 1301 deri në vitin 1447. Martin Camaj nga Mynihu e cilëson "botimi i këtyre dokumenteve po bën mjaft bujë në rrethet shkencore gjermane duke bërë që At Zef Valentini të konsiderohet sot historiani më i madh i kohës, jo vetëm në Shqipëri por njëri nga më të mëdhenjtë në gjithë Gadishullin Ballkanik". Vite më pas erdhi përndjekja nga Shqiperia e pas Luftës, nën argumentin se "kish guxuar të monopolizonte kulturën shqiptare” apo si “spiun i vjetër i SIM-it e Gestapo-s", - sicç shkruan vetë At Valentini në kujtimet e tij.
Si gjithë jezuitët e tjerë, trashëgimia e të cilëve qëndronte në arkivat e françeskanëve, në kohën e diktaturës u shkatërrua, duke u sekuestruar në mënyrën më çnjerëzore dhe antikulturore që njihet - kujton Kamsi.
Mendohet se dorëshkrime të tjera të At Zef Valentinit mund të jenë në Palermo, pasi aty ka dhënë mësim gjuhën shqipe për arbëreshët e atjeshëm dhe kohët e fundit në Milano kur ishte i sëmurë në klinikë.
Asnjë studiues deri tani nuk është marrë me këtë punë voluminoze. Çfarë na thotë një prej tyre, Willy Kamsi, janë ca fjalë të kursyera e të pakta, për shkak tani të moshës, por duke përjashtuar edhe kohën e komunizmit kur nuk kishin kurrfarë kontakti me veprën. Por sot për sot nuk ka studiues të kësaj vepre.
I vetmi aktivitet organizuar deri tani për At Zef Valentinin është i vitit 1999, në Shkodër prej Willy Kamsit, ku kujton se në revistën “Fenix” në katër numra ka botuar shkrime të albanologut. Në universitetet tona ky autor nuk njihet, as në shkencat juridike, as historike, dhe as letrare. Rektori Dhori Kule vetëm sa e zuri në gojë këtë fakt, por se kur do të ketë një vullnet konkret për t’i përfshirë plejadën e albanologëve në kurrikula nuk dha. Mbyllja është se etërit e albanologjisë janë shumë, po nuk njihen nga institucionet shkencore, me një fjalë si At Zef Valentini, nuk është bërë gjë tjetër veçse vepra e tyre është “shfrytëzu dhe ësht’ sha”!

***
Papa Pauli VI, Romë 1968
Më 25 prill të vitit 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Papa Pauli VI, në Romë, ndër të tjera foli edhe për At Zef (Giuseppe) Valentinin, duke thënë: “Shqiptarë! Duajeni At Zef Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon pa prerë për të njohur përpara botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka vënë çështjes suaj mendjen dhe zemrën e vet”.

Ernest Koliqi
Nga “Njeriu Valentini”, në “Shejzat”, 1970
Fatkeqsisht, dallgë tronditëse idesh kundërshtare, e ndërprenë veprën e fillueme nga brezi që u shfaq plot vullnet preterits në skenën kulturore e politike t’Shqipnis në fillimet e viteve Tridhetë.
Me të ra barrierat e fundme të nacionalizmit me frymëzim evropian, sundimtarët e papritun të vendit lëshuen akuza të rànda ndaj At Valentinit dhe veprës së tij. Nga ana tjetër nuk kursyen asnji prej tyre individëve që s’e pranonin doktrinën e tyne asgjësuese t’cilësive njerzore e kombtare. Si reagoi At Valentini përballë tanë kësaj mosmirënjohjeje? Tue vazhdue qetësisht aktivitetin e tij në fushën e albanologjisë. Nën veshjen e një nacionalizmi të markës aziatike sot bahen orvatje me nënshtrue instinktin jetik të races shqiptare që arriti me shpëtue në shekuj t’errët tue ruejtë të paprekun kultin e traditave.
Por profetët e rremë mashtrojnë veten: karakteri shqiptar i farkëtuem në shekuj nëpër shtërngata e fatkeqësi, as edhe këtë here nuk do të përulet. Do t’i rikthehet autoktonisë e atëherë edhe ndihmesa e dhanë nga At Valentini për kulturën dhe jetën e vendit tone, do të ketë mirënjohjen e meritueme prej atyne që e duen popullin me gjak shqiptari dhe shpirtin e tij.
Ai sot asht ma i madhi albanolog i gjallë. Por historia e Shqipnis do ta kujtojë mbi të gjitha si shkencëtar, që i dashunuem me objektin e studimeve të veta, Shqipnin, me një përkushtim të hapun ndaj rreziqeve e kërkoi dhe e gjeti ndër arkiva e biblioteka, në kujtesën kolektive e jetën e popullit, manifestimet e lashtësisë së tij fisnike, asaj fisnikërie që e ban të dejë popullin shqiptar për me pasë nji vend me vyrtytet e tij të veçanta etnike në gjinin e kombeve europiane.

Prof. Peter Bartl
Mbi veprën historike të Xhuzepe Valentinit (Shejzat, 1970)
Duket thuajse e pamundur që të kesh parasysh plotësisht në një përmbledhje të shkurtër publikimet e panumërta të Xhuzepe Valentinit, që kanë si objekt çështjet e historisë shqiptare.
…Në një periudhë edhe më të hershme shkon përpjekja e Valentinit për të hartuar një kronologji të historisë së shqiptarëve. Do të ishte shumë e dëshirueshme që të vazhdonte ky mjet ndihmës shumë i nevojshëm për shkencën e historisë.
Në tre deri katër vitet e fundit profesor Valentini ka shpalosur një aktivitet botues shumë të madh me serinë e botuar dhe e themeluar prej tij “Acta Albaniae Veneta”.
… Nëse seria do të jetë një herë e plotë gjendja e burimeve për një hulumtim kritiko- shkencor të periudhës së Skënderbeut do të jetë më e përshtatshme sesa tani, ku mund të flitet për botimin disi të pasaktë dhe të paplotë të Jovan Radoniçit.
Sidomos në mënyrë intensive G. Valentini, u mor me të drejtën zakonore të shqiptarëve… ai arrin në përfundimin e përligjur sipas mendimit tim se ishte mungesa e një autoriteti të vërtetë shtetëror, ai detyrimi moral falë të cilit u krijuan normat tradicionale ligjore.
…Me të drejtë, ndryshe nga studiuesit e deritanishëm, kryesisht mendimi i përhapur në Shqipëri, i cili e çmon kategorikisht në mënyrë negative sundimin venedikas në Shqipëri, Valentini arrin në përfundimin se “për ato kohë, sundimi venet ishte një rregjim i dëshirueshëm, ose të paktën i tolerueshëm për të shmangur të keqen”.
...Ky vështrim i shkurtër, siç shpresoj, ka treguar sesa e gjerë dhe e shumanshme është vepra historike e Giuseppe Valentinit. Si asnjë tjetër ai ka shfrytëzuar njohuritë e tij të shkëlqyeshme dhe ka hartuar një tablo të historisë shqiptare, e cila është e çliruar nga tendencat nacionaliste. Atij i duhen uruar shumë vite të tjera të pasura me krijimtari që të mund të realizohen projektet e tij shkencore, në dobi të hulumtimit të historisë dhe të popullit shqiptar, historia e të cilit duhet të shkruhet ende në shumë fusha.

Prof. Giuseppe Gradilone
“Giuseppe Valentini dhe letërsia shqipe”, (Shejzat 1970)
Giuseppe Valentini, me një dashuri të ethshme e gjithnjë në rritje, shoqëruar nga një ndërmarrje rigoroze kulturore, u nxit në njohjen e thellë të çdo manifestimi të jetës së popullit shqiptar, të gjuhës, të zakoneve etnike, të historisë politiko-sociale, me rezultate të till në çdo disiplinë sa të konsiderohet sot me të drejtë një mjeshtër i albanologjisë.
Madje, prania e figurës së tij prej studiuesi në fusha të ndryshme të shkencave humane, e bën të kotë çfarëdolloj orvajtje për ta klasifikuar produktin e tij shkencor në mënyrë përfundimtare.
Por, pa dyshim, përgatitja e spikatur dhe vepra prej historiani dhe etnografi, përbëjnë parakushtin e rëndësishëm të formimit të një metode personale në kritikën letrare shqiptare.
Trajtimi i prurjeve të traditave kulturore dhe historike, nga më të moçmet në kohë deri te më të hershmet, në literaturën shqiptare, e cila në këtë mënyrë zhvellon gjithnjë e më shumë përvoja, motive dhe rryma që e kushtëzojnë qoftë në lindjen ashtu dhe në zhvillimin e saj: ja, çfarë është në thelb metoda valentiniane.
Falë kësaj natyre të veçantë metodologjike, mund të pohojmë pa grimë dyshimi se studimet e tij konstituojnë një hyrje të mrekullueshme në njohjen e problematikës së letërsisë shqiptare dhe të autorëve të saj, duke përbërë një kontribut të spikatur në historiografinë kritike shqiptare...   

Martin Camaj
Recension, “Shejzat” 1970
 “Botimi i këtyre dokumenteve po bën mjaft bujë në rrethet shkencore gjermane duke bërë që At Zef Valentini të konsiderohet sot historiani më i madh i kohës, jo vetëm i Shqipërisë, por njeri nga më të mëdhenjtë e gjithë Gadishullit Ballkanik”.

Martin Camaj
“Studime albanologjike,ballkanologjike, bizantine dhe orientale” 1986.
... Veprat e Zef Valentinit përmbajnë nji numër të madh emna vendesh, fisesh e familjesh apo vëllaznish shqiptare. Vetëm mbledhja e dokumentacioni tyne historik asht ndihmesë kryesore për kthjellimin e historisë të popullsisë shqiptare mbrendë e jashtë kufijve.

Prof. Maximilian Lambertz:
Recension në “Sudost-Forcshungen”, periodik i Instutit të studimeve te historisë dhe kulturës së Europës Orientale, Mynih, 1959
Valentini në veprën “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”, ka lënë listën më të plotë të fiseve dhe vëllaznive shqiptare, të shoqëruar me saktësime të çmuara mbi vendodhjen e tyre të sotme dhe dokumentimin e tyre historik. Përgjatë trajtimit të kësaj liste ai bën shpesh orvajtjen e lidhjes së emrave të fiseve shqiptare me ato të fiseve ilirike, hipotezë kjo që gjen miratimin tim të plotë…” 

Dr. Carmelo Capizzi
Recension i “Akte Shqiptaro-venete”, vëllimi XII), në “Studime për Lindjen e krishterë”, 1970
Vit pas viti, me një zell vërtet të pashoq, me një durim të mrekullueshëm e me një dashuri e kopetencë shkencëtari, aktiviteti i tij i drejtonte energjitë e veta kah asaj që do të ishte projekti më madhor i gjithë jetës, korpusi gjigand i mbledhur e të dokumentuar mes mijëra e mijëra skedash biblioteke, i titulluar “Akte shqiptaro-venete të shekullit XIV-XV”, një kompleks ky sa monumental aq edhe i gjithanshëm, rigorozisht shkencor, që përmbledh një numër prej 4000 dokumentesh që, sipas vëllimeve, datojnë që nga viti 1301 deri në vitin 1447. Larg cdo krahasimi, ai përfaqëson panoramën gjerësisht më tërësore dokumentare që ekziston deri më sot për historinë e Shqipërisë.

Dr. Carmelo Capizzi
Recension mbi librin “Ligji i Maleve Shqiptare”, (Shejzat 1969)
Ky vëllim, së bashku me përshkrimet e Gjeçovit e të misionarit italian Ernesto Cozzi mbi Kanunin, (të mbledhur dhe sistemuar nga Valentini), shoqëruar me dokumentacionin historik të “Akte shqiptaro-juridike”, të punuar po nga Valentini, formojnë bazën themelore për njohjen e thellë dhe shkencore të këtij aspekti magjepës të traditës shqiptare.

Dr. Attilio Vaccaro:
At Giuseppe (Zef) Valentini (1900-1979): albanolog dhe bizantinist. (Studime mbi Lindjen e Krishterë, Romë, 2008)
Ai, i cili shfaqi një interes të madh për Shqipërinë e për historinë e saj, së cilës i njohu karakterin autonom, qe shkencëtari At Xhuzeppe Valentini, një albanolog i jashtëzakonshëm, i njohur nga të gjithë ata që merren me studimin e kulturës shqiptare, por edhe nëpër ambientet historike, letrare dhe fetare ndërkombëtare. Me anë të prodhimit të stërmadh shkencor, ai kontribuoi në mënyrë vendimtare në zhvillimin e studimeve bizantine dhe të Albanologjisë moderne.
Nuk ka aspekt të historisë Mesjetare shqiptare dhe arbëreshe që të mos ketë ndjerë penën studiuese të Valentinit. Ai qe jo vetëm më pjellori, por edhe më i zhdërvjellti i albanologëve italianë, që arriti t’i shohë lidhjet midis popujve të Adriatikut në një rrafsh të epërm të këndvështrimit historik, të dokumentuar në mënyrë madhështore, në një nga veprat e tij monumentale, nga më të rëndësishmet, siç është “Acta Albaniae Veneta” (Akte shqiptaro-venete).

Prof. Ignazio Parrino
nga “At Zef Valentini: Shënime biografike”, në “Shejzat”, 1970
Valentini arriti në Shqipëri në një kohë kur misionarët jezuitë tashmë e quanin të konsoliduar pozitën e tyre në gjirin e katoliçizmit shkodran. Megjithatë, me mprehtësinë dhe intuitën që e karakterizonte, ai e kuptoi menjëherë se veprimtaria e tyre vërtitej e gjitha brenda qerthullit katolik shkodran, pa e kapërcyer gardhin e tij dhe pa hyrë në lëmin e gjerë të lëvizjes kulturore dhe shoqërore që kishte nisur të shpërthente në Shqipëri, pas viteve 20-të. Këtë hop cilësor jezuitët do ta bënin vetëm më vonë, në fillim të viteve 30-të me botimin e një reviste me qëllime të qarta dhe të prera filozofike, letrare e social kulturore, që ata e quajtën L.E.K.A. Është pikërisht kjo revistë ku At Zef Valentini do të dëftojë gjithë pasionin e tij për shkencë, gjithë aftësitë e tij mendore, gjithë vetitë e tij si studiues me përgatitje të thellë e të gjerë, që kapte skajet e erudicionit të ndriçuar nga kultura e tij humaniste, veshur me petkun e largpamësisë dhe origjinalitetit të spikatur të talentit të vet, sidomos në dyert e fushave të shkencave shoqërore.
Asokohe në Shqipëri numëroheshin rreth 170 revista me veprimtari të përcaktuar në fusha të ndryshme të kulturës dhe fesë. Por kriteret nga të cilat nisi punën Zef Valentini qenë goxha të larta në krahasim me ato të të tjerëve.
Dalloheshin kryesisht artikujt që filluan të përfaqësonin filozofinë dhe teologjinë, letërsinë dhe historinë, ekonominë dhe të drejtat politike e morale; pra, praktikisht të gjithë argumentet e nevojshëm për ringjalljen dhe zhvillimin e ambjentit shqiptar. Ky nivel mjaft i lartë filozofiko-shoqëror i shkrimeve, pati në fillim kritikë të shumtë që i mëshonin faktit se ai do të sillte moskuptimin e artikujve e të lëndës në përgjithësi, në një kohë kur përkundrazi, ishte pikërisht ky stil ai që filloi të ngjallte kënaqësinë dhe entuziazmin e lexuesve, duke i shtyrë gjithnjë e më tej caqet e zhvillimit të tyre kulturor, e duke i bërë ata të ndiheshin krenarë që kishin nisur të arsyetonin në nivelin me të cilin trajtoheshin nga kjo revistë argumente të ndryshëm të realitetit shqiptar...
Qëllimi i tij kryesor ishte sistemimi në mënyrë të qartë i periudhave më të trazuara të historisë shqiptare, nëpërmjet sitës së një kontrolli të saktë të dokumentacionit. Për këtë arsye, ai ndërmorri fushata të shpeshta kërkimesh arkivistike në Itali, veçanërisht gjatë verës, duke filluar që në vitin 1932 në Arkivin Civil të Padovës, më 1934-35 në atë të Ambasadës së Spanjës në Romë pranë Selisë së Shenjtë, nga 1935 deri më 1938, frekuenton dendur Arkivën Sekrete të Vatikanit dhe atë të Shtetit në Venezia. Më 1939 shkon në Napoli, ku viziton Benedeto Kroçen, asokohe filozof me famë botërore, duke i kërkuar atij tregues shpjegimor për Arkivën e Napolit dhe një letër rekomandimi për drejtorin e këtij arkivi...
Madje tregohet se ai s’u zmpraps së vazhduari kërkimet e tij si inspektor i Arkivës historike të Korfuzit më 1942, edhe pse gjatë shfletimit të materialeve i duheshin mjete të posaçme mbrojtëse nga infeksioni që mund t’i përhapte mortaja e një lloji të veçantë që shkakton “lunga” të mëdha në trup e që mikrobin e saj mund ta mbajë të mbijetuar për shekuj të tërë...
Ia vlen të theksohet një karakteristikë a dhunti e veçantë e Valentinit: rregulli i përpiktë mendor në të cilin çdo ide për aq sa është e mundur nga pikëpamja njerëzore, shoshitet, kontrollohet e zinxhirëzohet racionalisht me të gjitha të tjerat...

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...