Përkitazi me librin e Engjëll KOLIQIT: IBRAHIMRUGOVA, ARKITEKTI I DARDANISË SË RE – REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Rugova Art, Prishtinë, 2011, f.397
Ibrahim Rugova, dishepulli i paepur i çështjes së Kosovës, studiuesi i letërsisë
e njeriu i kulturës, po bëhet gjithnjë e
më shumë temë interesimi për autorë të ndryshëm. Si një figurë poliedrike e
mendësisë shqiptare, Rugova që në qendër të preokupimit dhe angazhimit të tij
kishte etninë tonë nga anë dhe aspekte nga më të ndryshmet, kësaj radhe na
shpërfaqet me tërë madhështinë e tij, në
librin Ibrahim Rugova, arkitekti i Dardanisë së re – Republikës së Kosovës,
të shkrimtarit, publicistit e gazetarit, Engjëll Koliqi. Ç’është e vërteta, me
këtë libër, autori i sjell kujtesës shqiptare materiale, shkrime, studime
etj.etj. të autorëve të fushave të
ndryshme, të cilët janë marrë me figurën e Rugovës; të Rugovës si njeri,
krijues, kritik letrar e studiues, politikan e misionar i çështjes shqiptare, i
lirisë së Kosovës dhe shtetformimit të saj. Prandaj, hë për hë, në këtë libër
do kemi shkrime nga më të ndryshmet, shumë përmbledhëse, të thukëta e shumë
domethënëse, të cilat figurën e Rugovës do ta përafrojnë edhe më me opinionin e
gjerë. Do hasim këtu figura e personalitete të rëndësishme të politikës
botërore, me të cilët Rugova kishte komunikuar e bashkëpunuar në kuadrin e përpjekjeve dhe angazhimeve të
tija për lirinë dhe shtetësinë e Dardanisë antike, Kosovës.
Jo vetëm shkrime që do na njohin me fëmijërinë e Rugovës dhe gjenealogjinë
e familjes së tij, i gjejmë në këtë libër të Koliqit. Do lexojmë këtu edhe
studime mbi veprën letrare të Rugovës, mbi aktivitetin e tij kulturor e
politik, që bashkë me poezitë e këngët kushtuar atij, na nxjerrin një figurë
vigane, të ngjashme me figurën biblike të Mojsiut. Mbase edhe misioni i tyre qëlloi
të jetë pothuaj krejt i njëjtë, përkundër dallimit në kohë të mijëvjeçarëve:
nxjerrja e popullit nga robëria në liri, rrugëtimi drejt vlerave, drejt të
nesërmes. Si një studiues përplot pasion i veprës dhe i figurës së Bogdanit,
Rugova nuk mund të ishte tjetër, pos një ushtar, udhëheqës misionar i denjë
deri në vetëflijim për të ardhmen e popullit e vendit të tij, njësoj si modeli
i tij jetësor: Bogdani.
Duke përfshirë në brendinë e tij lëndë e fotografi të ndryshme, ky libër i
E. Koliqit na del një libër shumëdimensional, shumëpërfshirës e
shumpërmbajtësor mbi Rugovën, kësisoj dhe një libër, do thoshim, pa gjini, një
libër hermafrodit, por që do pranohet lehtë nga lexuesi edhe për mënyrën e
strukturimit e të mbarështrimit të lëndës së përzgjedhur e të trajtuar këtu, e
karakterizuar nga një shprehje e butë e stil të qartë. Libri, mendoj që do
ngjallë reagimin e lexuesit, edhe për faktin se aty do ndeshim dhe reagimin e sjelljen e disa figurave tona
publike karshi personalitetit të Presidentit Ibrahim Rugova.