85-vjetori
Më 21 maj të këtij viti u mbushën 85 vjet nga lindja e prof.dr.Iliaz Fishtës, figurë e shquar e shkencës sonë kombëtare. Ky jubile, në situatën e tensionuar paszgjedhore që po kalon Shqipëria, kaloi në heshtje. Iliaz Fishta ishte një ndër ata që kanë kontribuar për vendin, ndaj në këtë jubile të lindjes e ndiej për obligim që sado në mënyrë modeste, të shpreh konsideratën dhe mirënjohjen time për gjithçka ai ka bërë për shkencën tonë ekonomike dhe veçanërisht për historinë e ekonomisë së Shqipërisë. Iliaz Fishta lindi në Shkodër, më 21 maj 1926, në një familje qytetare me tradita patriotike. Në vendlindje, në Liceun e Shkodrës kreu studimet e mesme dhe pas çlirimit të vendit, në vitet 1946-1950 ndoqi studimet e larta në Institutin Ekonomik Financiar të Leningradit, ku u diplomua si ekonomist finance me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të studimeve u kthye në atdhe dhe punoi në detyra të rëndësishme shkencore në fushën ekonomisë, në institucione qendrore e lokale, ku u angazhua me të gjitha forcat për zhvillimin e përparimin e ekonomisë në sektorë të ndryshëm, duke kryer edhe funksione të larta organizuese e drejtuese, si në Ministrinë e Financave (1950-1953), drejtor i Drejtorisë së Studimeve më Komisionin e Planit të Shtetit (1966-1969), drejtor i Bankës së Shtetit në Shkodër (1969-1973), sekretar shkencor i Institutit të Studimeve Ekonomike dhe shef i seksionit të Historisë në këtë institut, dhe së fundi shef sektori në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave (1979-1991), derisa doli në pension. Pasioni dhe zelli për punën e pajisën Iliazin me një përvojë të pasur, që do të shërbente si një rezervuar i pashtershëm për kërkimet e tij shkencore në fushën ekonomisë. Këtë veprimtari ai e filloi që në rininë e hershme, por e thelloi vit pas viti, duke e finalizuar me studime e botime madhore, nga më të rëndësishmet për historiografinë e ekonomisë shqiptare të shekullit të kaluar, si “Sistemi monetar e i kreditit në Shqipëri 1925-1944”, trilogjia për ndërhyrjen e kapitalit të huaj dhe politikat e saj skllavëruese për Shqipërinë 1925-1939 (vëll. I 1979, vëll. II 1989, vëll. III 1999); monografitë me bashkautorë “Gjendja ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve 1912-1944, prapambetja e saj, shkaqet dhe pasojat” (1983) etj. Krahas kësaj veprimtarie të madhe, prof. Fishta ka qenë ideator, organizator e drejtues në shumë projekte e studime shkencore individuale e në grup, që kanë nxitur e ndihmuar shumë studiues të rinj në punën e tyre kërkimore shkencore. Për afro 25 vjet, prof. dr. Iliaz Fishta ka qenë zëvendëskryeredaktor i disa revistave shkencore si “Ekonomia Popullore”, “Probleme Ekonomike”, “Studime Historike” dhe anëtar i këshillave shkencorë të Institutit të Studimeve Ekonomike dhe të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave. Veprimtaria shkencore e botuese e prof. Iliaz Fishës përshkohet tej e mban nga objektiviteti shkencor e karakteri atdhetar. Kjo veprimtari e bën personalitetin e tij një figure krenare të shkencës shqiptare në fushën ekonomisë, ndërkohë që ka qenë anëtar aktiv i tri shoqatave shkencore europiane në fushën e ekonomisë. Prof. dr.Iliaz Fishta nuk reshti së punuari gjatë gjithë jetës. Për kontributin dhe punën e tij ai ka merituar urdhra e medalje të ndryshme, deri te “Çmimi i Republikës” e Urdhri “Mjeshtër i Madh i Punës”. Vepra e tij i ka shërbyer kohës e do t’i shërbejë vendit e populli tonë edhe në të ardhmen, prandaj në këtë jubile të 85-vjetorit të lindjes, të gjithë shokët, miqtë, bashkëpunëtorët, veçanërisht ekonomistët dhe historianët bashkëkohës, por edhe të brezit të ri, e kujtojmë me respekt, mirënjohje e konsideratë të lartë për veprën e çmuar që na la pas, duke qenë një shembull frymëzues si studiuesi i palodhur, me rezultate të mëdha e gjithnjë modest.http://isbn2book.com/99927-913-1-4/historia_e_ekonomise_se_shqiperise_1944-1960/Dr.Mihal Ziu
No comments:
Post a Comment