Shkruan Prof. dr. Hysen Matoshi
Diçka më të konkretizuara, jo vetëm në planin e perceptimit të objektit shkrimor, por edhe të interpretimit të tij, dalin shkrimet e kapitullit Përqasje estetike. Në to shpërfaqet kultura e gjerë tejkombëtare letrare e autorit Mehmetali Rexhepi, qoftë kur merret me interpretimin e veçorive të personazhit, qoftë kur merret me përbërës të tjerë strukturorë, gjithnjë në një përqasje të gjerë kontekstuale letrare.Kompozita treshe artjetëshkrimi përfaqëson konceptin autorial të Mehmetali Rexhepit për skicimin eseistik të jetës dhe të veprës së dy krijuesve tanë, Rexhep Elmazit dhe Beqir Musliut, si përfaqësues të dy prirjeve të ndryshme të poetikave letrare. Vëmendja e autorit të librit Enigma e magjikes nga tradita në kapitullin Metafora e dhimbjes zhvendoset në bashkëkohësi. Tani objekt trajtimi bëhen krijime të autorëve aktualë. Gjeografia e autorëve zgjerohet, megjithëse ruhet një dominim i natyrshëm i autorëve të trevës. Gjithsesi, Ramadan Mehmeti, Shefik Shkodra, Sabit Rrustemi, Sarë Gjergji, Nuri Plaku dhe Hasije Selishta në shkrimet e Mehmetali Rexhepit gjejnë një interpretim, në të cilin, përveç veprën e tyre, e gjejnë pashmangshëm edhe interpretuesin.Kapitulli metakritik, i titulluar si Kureshtje e përmasa të valorizuara, përmbledh kontributet e Mehmetali Rexhepit lidhur me veprat studimore të Shefik Shkodrës, Nuhi Ismajlit, Ilhan Berkut dhe Tahir Arifit. Pasi trajton në kuadër të pesë kapitujve letërsinë, autori i librit Enigma e magjikes gamën e interesimit e shtrin në atë që mund të quhet tematikë përtejletrare, saktësisht tematikë kombëtare. Fillimisht kemi një vështrim për librin publicistik-letrar Joplotënia e lirisë të Ismail Sylës, për të vijuar me tri shkrimet për librat e karakterit publicistiko-historik të Selatin Novosellës, përkatësisht për librat Demonstratat e gjashtëdhjetetës (vëllimi i tretë); Rexhep Mala – Anteu i Lëvizjes ilegale dhe një shkrim përgjithësues për veprimtarinë 45-vjeçare të Selatin Novosellës. Pena që trazoi heshtjen është shkrim i Mehmetali Rexhepit që merr në shqyrtim veprën polemizuese të Bislim Pirevës, si një përgjigje adekuate ndaj falsifikimeve të pseudoshkencës serbe, këtë herë të rishfaqura nën emrin e Radomir Trajkoviqit....
A e ka zgjidhur me këtë libër enigmën e magjikes Mehmetali Rexhepi është një pyetje krejt normale që mund të shtrohet në fund të kësaj fjale. Përgjigjja më e sigurt, duke pasur parasysh karakterin ezoterik të magjikes, është se ky libër, megjithatë, e ka zgjidhur enigmën e magjikes së Mehmetali Rexhepit.