Policia e Tiranës nëpërmjet një deklarate për shtyp bëri me dije se pas ekspertizës mjeko-ligjore dhe gjinekologjike rezultoi se shtetasja Griselda Zajmi-Rroshi nuk ka qenë kurrë shtatzënë.
"Është bërë ekzaminimi mjeko-ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ekzaminimi Gjinekologjik në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, nga ku rezulton se shtetasja Griselda Zajmi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë", thuhet në deklaratën e Policisë, trasnmeton TCH.
Zëdhënësja e policisë duke bërë një pasqyrim kronologjik të ngjarjes u shpreh se një ditë më parë shtetasi Sajmir Rroshi bëri një denoncim në polici me pretendimin, se kunata e tij, Griselda, shtatzënë, ishte marrë forcërisht në rrugën “Komuna e Parisit” në kryeqytet dhe ishte detyruar të lindte fëmijën jashtë dëshirës së saj.
Po ashtu, sipas këtij denoncimi, fëmija ishte marrë nga persona të panjohur, ndërsa Griselda ishte lënë e lirë pas disa orësh pranë shtëpisë së saj në Kavajë.
Në deklaratë sqarohet se janë marrë disa persona në pyetje duke nisur nga shoqja e Griseldes, një shofer taksie e një punonjës hoteli në Tiranë, pranë stadiumit "Selman Stermasi", të cilët kanë thënë se 28-vjeçarja dukej shtatzënë.
Griselda mësohet se ka qëndruar për disa orë në hotelin pranë stadiumit, e ndërsa ka dalë prej andej ka kërkuar që të shkojë në klinikë me një taksi pasi nuk ndihej mirë.
Hetuesit, të cilët pyetën një punonjës tjetër të hotelit, një tjetër shofer taksie që e shoqëroi Griselden në një klinikë private, e po ashtu edhe mjekët të cilët e kuruan, pasi pacientja ankohej për gjendje jo të mirë shëndetësore, kanë deklaruar se ajo nuk dukej të ishte shtatzënë, e aq më tepër në prag të lindjes së fëmijës.
Ndërkohë, shtetasja Griselda Zajmi ndodhet në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe po merret në pyetje nga Prokurorë të Krimeve të Rënda dhe drejtues të Policisë së Kryeqytetit.
Policia sqaron se në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po punohet më tej, për të sqaruar motivet dhe arsyen e krijimit të kësaj situate dhe alibie.