E botuar për herë të parë nga një degë e
Universitetit të Prishtinës, Revista Shkencore Media, nr. 2 [2010] ofron
materiale shkencore për studiuesit e gazetarisë. Një revistë e tillë u
ka munguar deri më tani studiuesve të medieve në Kosovë, e më gjerë. Në
Revistë shtjellohen dukuri të ndryshme të medieve, teori, dhe në mënyrë
shumë të qartë jepen shpjegime për konceptet gazetareske.
Revista ofron artikuj shkencorë, të hulumtuar mirë, në fushën e medieve dhe komunikimit me publikun.
Aty shtjellohen dukuri të ndryshme të medieve, teori, dhe në mënyrë shumë të qartë jepen shpjegime për koncepte gazetareske.
Është vështirë të gjendet ndonjë çështje, e shtruar nga autorët e punimeve, e që nuk ka marrë përgjigje meritore. Ata kanë arritur të zotërojnë temat e trajtuara, me shembuj konkretë, ilustrues dhe me informacion të mjaftueshëm e të shumëllojshëm.
Në tërësi Media 2 ka dhjetë punime shkencore, të realizuara sipas standardeve shkencore.
Autorë të artikujve shkencorë janë personeli akademik i Degës së Gazetarisë, të cilët punën e tyre shkencore dhe praktike e pasqyrojnë në revistë.
Një profil i tillë i revistave shkencore në fushën e medieve deri më tani u ka munguar shumë studiuesve të gazetarisë në Kosovë, e më gjerë. Aty ka edhe punime të autorëve të huaj për fushën e medieve.
Në tekstin e parë, “Media në Kosovë ndërmjet lirisë fiktive dhe kontrollit faktik”, të Milazim Krasniqit, trajtohet tema e lirisë së medieve në Kosovën e dhjetë viteve të fundit. Autori ofron një analizë të ligjeve të Kosovës, të cilat kanë ndikuar në lirinë e medieve që nga përfundimi i luftës, por edhe në avancimin e lirisë së medieve në Kosovën e pas pavarësisë.
Edhe në tekstin e dytë, “Teori tipologjike e gazetarisë”, të autorit Bajram Kosumi, për herë të parë bëhet ndarja e llojeve dhe nënllojeve zhanrore të shkrimeve gazetareske, dhe atë në bazë të dy faktorëve: qëllimit përmbajtjesor dhe strukturës së tekstit.
Në tekstin e tretë, “Komunikimi kulturor global”, të Ibrahim Berishës, po ashtu, ofrohet një analizë përmbajtjesore për historikun e komunikimit kulturor tek shqiptarët, për të vazhduar pastaj deri tek komunikimet moderne ndërmjet popujve.
Ndërkaq, tekstet e tjera janë: “Marrëdhëniet mes gjuhës dhe politikës”; “Integrimi, identiteti, sfidat dhe procesi i rajonalizimit të Ballkanit perëndimor”; “Stili ligjërimor i reklamës në shtypin e Kosovës”; “Ndikimi i reklamuesve në politikat editoriale gjatë fushatës parazgjedhore”; “Mbresëlënës” përballë “i spikatur”?, dhe “Fotografia e gazetarisë”.
Ndryshe, në revistë shkencore janë botuar edhe tekste nga autorë të huaj, por të vlefshme për studiuesit e gazetarisë. Në mesin e tyre janë Bill Kovach, Tom Rosentiel, Patrish Holland, etj.
E, në fund të këtij botimi, redaksia i njofton lexuesit me standardet për botimin e punimeve shkencore në këtë revistë. Sipas këtyre standardeve, në Revistën e Degës së Gazetarisë mund të botojnë punimet e tyre edhe studiues të tjerë, të cilët kanë punime të fushës së medies, të punuara në bazë të standardeve profesionale për revista shkencore.
Në tërësinë e saj, Media 2 është një revistë që mund të përdoret nga kushdo që i intereson njohja e fushës së medieve, por edhe një mundësi për zotërimin e kësaj fushe të rëndësishme të kohës moderne. Përmbajtja dhe rezultatet e kësaj reviste do të duhej t’u hynin në punë, në rend të parë, studentëve të gazetarisë, por edhe gazetarëve që duan të dinë më shumë rreth teorive dhe koncepteve të medieve.