2011-06-02

Romani "Qaj e qesh" ka një fund të hapur

Andrea Grill është autore austriake e disa librave letrarë, romane, ese, e afirmuar nga kritika letrare e vendit të saj, tashmë e përkthyer edhe në shqip nga Majlinda Cullhaj. Andrea Grill po konfirmohet edhe si përkthyese nga shqipja në gjuhën gjermane.
 
http://www.botasot.info/img/2kultkryesore.jpg
 
Dashuria mes dy njerëzve mbetet në njëfarë mënyre një brendi e përjetshme, jo vetëm e atyre që e përjetojnë atë, por edhe atyre proceseve letrare që e përshkruajnë atë dhe e fiksojnë nëpër libra. Kjo lidhje bëhet më pas e diskutueshme nga lexuesit, e mbetemi gjithnjë me njëfarë befasimi se çfarë ishte ajo dashuri mes dy qeniesh, sa zgjati, përse humbi, çfarë mbeti nga humusi i saj? Në të gjitha kohët, kjo lidhje ekziston, por format e saj brenda edhe një kohe, madje brenda një jete njeriu, variojnë, transformohen, duke na bërë të mendojmë se është pothuaj e pamundur të gjejmë arsyen e kthjellët të tërheqjes apo shtytjes ndjesore mes dy njerëzve, duke na lënë vëzhgues apo aprovues në brigjet e afektit a trishtimit, ku vetëm çaste kujtimesh rrekëtijnë ndonjëherë nostalgjishëm deri në atë ngjitje kur edhe prej më të hidhurave përsiatje mund të marrim një ndjenjë gëzimi a shërimi. Duket se dashuria e shpirtit dhe moderimi i kujtesës janë baza e zhvillimit brendësor njerëzor dhe se jashtë kësaj, gjithë pjesa tjetër mbetet një mjedis i amullt që vetëm tradita e sjelljes e përballon si rregull në vazhdim. Të gjitha këto mendime vijnë pasi lexon romanin "Qaj e Qesh" të autores austriake, Andrea Grill, e cila me një vullnet këmbëngulës e plot frymëzim guxon të hedhë dritë në korridorin ndërlidhës të ndjenjave mes një vajze të re, pothuaj adoleshente, nga Austria dhe djaloshit emigrant shqiptar 21-vjeçar, lidhje kjo që zgjat me vite dhe që merr me vete episode të panumërta social-politike të kohës së tranzicionit shqiptar, pasazhe të së shkuarës komuniste të vendit tonë dhe impresione të reja prej kontakteve të panumërta kulturore, gjuhësore a rrethanore, të dy të dashurve, ku tjetri dhe ti, ai dhe ajo, nuk mund të veçohen qartë, pa marrë parasysh kontekstin nga ku zgjohen. Do të ishte ndoshta një opsion i mundshëm që dashuria të konceptohej si një luftë shenjash, si një atraksion dhe represion i semantikave të origjinave të ndryshme, që kanë për thelb një moral të caktuar, ku edhe ky thelb, kjo esencë, siç thotë Emanuel Kant ka një strukturë antropologjike, rrënja e së cilës është një tipologji e veçantë sublimimi. Është interesante të vëresh si përplasen simbolikat, mentalitetet në marrëdhënie, si luftojnë shenjat femërore ndaj atyre mashkullore, ato të karakterit me ato të vesit, ato të së drejtës, me ato të së drejtës për të pasur gjithmonë të drejtë, ato me burim familjar dhe ato me burim të pavarur dhe individual, ato me burim europian dhe ato me burim të miksuar europiano-oriental, aq sa në një moment të caktuar humbet përjetimi dhe del një pyetje kaq e thjeshtë sa naive përtej çdo durimi: po ku ishte këtu dashuria? A mjafton që kjo luftë shenjash dhëmb për dhëmb të quhet ndjenjë?
Me sa duket edhe këtu një impresion i tillë na bën të besojmë se dashuria mund të jetë edhe kështu, se ka dashuri si lloje aq sa ka edhe njerëz, dhe se në ndërlidhjet e pasioneve njerëzore, përveç asaj që duket tërësisht private, ndodhin realizime kuptimore e perceptive, kundrejt pajtimeve e përplasjeve, të gjitha këto pastaj të vlefshme për kulturw kolektive, nëpërmjet një libri me titullin domethënës "Qaj e qesh". Për mua ka qenë me të vërtetë një ngjarje njohja me autoren Andrea Grill. Ideja se një austriake relativisht e re flet shqip, pothuajse një shqipe të padallueshme nga ajo që flasin shqiptarët, më pati tronditur dhe me pati bërë të besoj se shqipja është një gjuhë që nuk ka për të humbur. Më pas vazhdoi korrespondenca jonë gjithmonë shqip, e cila u shoqërua edhe me përkthimin e një romani që pata shkruar në 2006, "Gruaja Haluçinante", që u botua nga “Otto Muler Verlag”, dhe disa lexime letrare tonat në qytete të ndryshme të Austrisë. Për mua, Andrea u bë një mike që nënkuptonte jo vetëm artin, por edhe transmetimin e tij nëpërmjet përkthimit. Andrea Grill është autore austriake e disa librave letrarë, romane, ese, e afirmuar nga kritika letrare e vendit të saj, tashmë e përkthyer edhe në shqip nga Majlinda Cullhaj. Andrea Grill po konfirmohet edhe si përkthyese nga shqipja në gjuhën gjermane. Temperamenti i saj letrar dhe sinqeriteti i frazës e bëjnë stilin e saj të freskët e të çuditshëm, tepër përzgjedhës ndaj situatës letrare dhe anashkalues ndaj çdo detaji të rëndomtë që do të duhej të ndërlidhë subjektin. Romani "Qaj e qesh" ka një fund të hapur, ndryshe nga romanet klasike. Duket sikur dashuria enigmatike ende vazhdon përtej ndërprerjes shkakësore dhe se nuk do marrë fund kurrë, duke u rivlerësuar në kujtesën e autores, pas çdo moderimi kujtesor, me zgjerimin e horizontit, ku arsyet e padukshme sa vijnë e bëhen më të dukshme.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...