2011-06-02

Si reaguan shkrimtarët ndaj censurës komuniste



Bashkim Kuçuku *

Letërsia shqipe, e botuar në Shqipërinë shtetërore, në vitet '45-'90, dhe letërsia e realizmit socialist, megjithëse në masën më të madhe janë në përputhje dhe e njëjta dukuri, pjesërisht janë të dallueshme, diku me kontraste të zbehtë dhe kufij të mezidukshëm, gjetkë me ndryshime të theksuar e kundërshti, ndarë qartas në problematikë, pikëvështrim, struktura, stile dhe në shkallaret e cilësisë artistike. Ajo nuk është e gjithë e realizmit socialist, sikurse etiketohet jo rrallë nga pakujdesia e mosnjohja, apo, siç barazohet në disa keqinterpretime të ngushtuar, duke anashkaluar qëllimisht, deri edhe vepra të shquara, të mirëpranuara e të çmuara edhe në kontekstin e letërsive të gjuhëve të ndryshme të botës.
Të përbashkëta për letërsinë e botuar brenda shtetit shqiptar kanë qenë rrethanat e pazakonshme e të panatyrshme, të jashtëzakonshme në të cilat është shkruar, si dhe pasojat e tyre. Në to, veç kontekstit politiko-shoqëror e moral detyrues/imponues ishte edhe faktori subjektiv shtesë, përmbi shkrimtarët dhe letërsinë, i quajtur metoda e realizmit socialist, që ka ushtruar një trysni shformuese e tjetërsuese të vazhdueshme. Krahasuar me rrethanat e periudhave të tjera, të mëparshme dhe të mëpasme, faktori subjektiv zyrtar ishte më i rëndësishëm edhe se konteksti shoqëror e letrar, pasi edhe këta shndërroheshin për t'i u përshtatur atij. Krejt sistemi i përftimit ishte i përmbysur, prandaj, edhe analiza e saj, e jo thjesht kritika mohuese en globe, ka vështirësi specifike, të cilat ndërlikohen edhe më, nëse synohet që, mes rrënimeve të djeshme e gërmadhave të sotme, të veçohen vlerat e njëmendta, krijuar me sakrifica e sublimime njerëzore, në kundërshtim me të. Aq e madhe e shumëpërfshirëse ka qenë trysnia e saj, sa nuk ka mundur t'i shmangej plotësisht as krijimtaria disidente, e shkruar dhe e pabotuar, pavarësisht vullnetit dhe përpjekjeve të autorëve. Në pamje të parë, është vështirë të pranohet, më saktë, është paradoksale të pohohet se metoda e realizmit socialist ka ndikuar edhe në ndonjë tipar të krijimtarisë disidente. Konkretisht, zgjedhja e saj, gjithashtu, e poliideologjizuar, së paku, në vështrimin tonë, ngjan, se është homologuar nën trysninë e realizmit socialist. Për t'i u kundërvënë ndikimit të tij politik dhe ideologjik te lexuesi, dhe për ta tërhequr në anën e vet, edhe krijimtaria disidente është pajisur me të njëjtat mjete ballafaqimi e kundërshtimi.

Qendrimet
e shkrimtareve

Nëse metoda ishte vetcensura, e përgatitur dhe e zbatuar nga të gjithë shkrimtarët që mendonin t'i nxirrnin në dritë veprat, censura ishte ndalimi me urdhër, në duar vetëm të grupeve të caktuara të specialistëve. Në këtë mënyrë përputhej e duhej të përputhej subjekti krijues me rrethanat dhe metodën, si kusht sine qua non i asaj lloj letërsie, mirëpo shpesh nuk përputhej. Pavarësisht nga totalitarizimi i saj, qëndrimet e shkrimtarëve kanë qenë të ndryshëm:
1. Disa e përqafuan metodën me bindje dhe i qëndruan besnikë, kryesisht, shkrimtarë të ideologjizuar, që erdhën idealistë nga lufta kundër fashizmit dhe morën mësimet e para letrare të specializuara në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe me dhunti të pakta letrare. Si tip krijuesish, të prirur për të ndjekur rrugën e të tjerëve, nga paaftësia për të hapur rrugë vetjake, e për të qëndruar brenda skemave të njohura, edhe pse tashmë të kapërcyera, ata nuk e kishin problem të vegjetonin në skemën e re të realizmit socialist, aq më tepër që ajo u a lehtësonte mjaft të bënin emër dhe karrierë.
2. Disa të tjerë, idealistë të brezit më të ri, edhe pse e përqafuan me bindje dhe u përpoqën ta përdornin si gjedhe pune, dikush më herët e dikush më vonë e panë se ishte e pamundur t'u nënshtroheshin atyre rregullave, ndërkohë, që, kolegë të tyre, pa e kuptuar e pa dashje kishin dalë prej saj.
3. Shumë shkrimtarë të vetëdijshëm për pamundësinë e përdorimit dhe për pasojat në letërsi, për kompromis botimi, e pranuan publikisht, dhe për këtë e propaganduan dhe u shprehën në mbrojtje të saj, shkruan edhe vepra të atij lloji, dhe, nga ana tjetër, sa herë kishin mundësi, shkruanin lirshëm, jashtë dhe në kundërshtim estetik me të, dhe herë pas here edhe në kundërshtim politik.
Si çdo trysni, aq më shumë kjo që ishte totalitare, e gjithanshme, shoqërore e shtetërore, veçanërisht te shkrimtarët e quajtur të kompromisit, pati pasoja të ndryshme psiko-morale, botëkuptimore dhe letrare, në vetëdije dhe në vepra, në vartësi të formimeve, bindjeve, karakterit njerëzor dhe jo më pak të aftësive krijuese. Më dramatikja, pa u ndalur te llojet e tjetërsimeve, ka qenë dyzimi i shkrimtarit (dysia), që do të thotë, - i njëjti shkrimtar kishte qëndrime politike, morale e letrare të kundërt me njëri-tjetrin, karakteristikë e prejardhur dhe e njohur nën çdo censurë, veçse në këtë rast, me përmasa tejet më të mëdha e shumëpërfshirëse.
Prirja e brendshme, që kërkonte të shprehej lirshëm për probleme, në mënyra e trajta të ardhura vetvetishëm, ishte ndryshe, ose, dhe në kundërshtim me metodën dhe censurën, që detyronin një problematikë dhe mënyrë trajtimi të caktuar. Në këtë vërtitje mospërputhjeje të subjektit krijues me rrethanat, për të mbijetuar letrarisht, d.m.th., që vepra të shkruhej deri diku lirshëm dhe të botohej, nuk mbetej veçse ndryshe të mendohej e ndryshe të flitej e të veprohej, sipas rrethanave, e, njëkohësisht, duke e cënuar atë sa më pak. Kështu, shpesh thyhej morali, ndahej vetëdija nga propaganda, vepra letrare nga shkrimet kritike, herë-herë edhe nga qenia, prirjet e dëshirat e tij të njëmendta. Strukturat e parapëlqyera analogjike, simbolike dhe alegorike janë përdorur, pikërisht, për të fshehur këtë dyzim e për ta nxjerrë veprën në dritë. Dyzimi ka qenë karakteristikë e shumicës së shkrimtarëve që shkruanin dhe mendonin botimin, e, për pasojë, në forma e në masa të ndryshme, është shfaqur edhe në veprat e tyre.

Ndeshja midis
realizmit socialist,
realizmit dhe
modernitetit

Letërsia shqipe, kur u shfaq metoda e realizmit socialist dhe letërsia e gjedhes së saj, nuk ishte fushë djerrë e pashkruar fare. Me përvojën shekullore dhe zhvillimin gjinor, me stilet e formësuar, të kthyer në traditë, si dhe me stilet e reja, të çelur në vitet '30-'40 të shekullit XX, veçanërisht me formimin filozofik, filologjik e letrar, klasik, e, në një masë jo të vogël modern bashkëkohor të shkrimtarëve që ishin në apogje, po ashtu, dhe të brezave më të rinj, kryesisht, me po këtë formim, ajo ishte duke frymëmarrë thellë për të vazhduar ecurinë e vet të natyrshme, pas lufte.
Pasi ishin hedhur hapat e parë të formimit teorik dhe të lëvrimit të stilit realist, në rrethana normale dhe njëmendësisht, në kushtëzim prej kontekstit shoqëror e kulturor, sidomos shkallares së zhvillimit letrar, sipas gjasave më e mundshmja ishte të formësohej realizmi, si dhe dukuri e prirje të caktuara të modernitetit bashkëkohor. Mbartja në të e metodës së realizmit socialist, si një ndërhyrje subjektive prej forcave jashtëletrare, çrregulloi krejt procesin, duke krijuar një konfrontim dhe ndeshje të ashpër mes zhvillimit normal e natyror dhe atij të sajuar e të detyruar shtetërisht, e cila ka përshkuar dramatikisht tërë historinë e kësaj periudhe. Në të dhe nëpërmjet vorbullës së saj janë shpërbërë dhjetëra romane, vëllime me tregime, novela e drama, me zanafillë e strukturë realiste, pa llogaritur ato qindra të tjera, të tjetërsuara nga ndërhyrjet e censurës ose të ngjizura e sendërtuar sipas gjedhes së realizmit socialist. Ndërkohë, jo pak të tjera që u shmangën prej saj për të qenë sa më realiste apo në tërësi realiste mund të jenë edhe sot në fondin aktiv, ndërsa, atëherë janë kritikuar dhe ndaluar. Seria e tyre, që pasurohej kohë pas kohe, është një bibliotekë më vete, me interes të veçantë për t'u studiuar në gjenezën dhe sendërtimin letrar. Edhe pse kishin struktura dhe përmbajtje të veçanta, pa ndonjë përcaktueshmëri të saktë, përpara metodës së realizmit socialist dhe censurës së saj, ishin të njësuara, - ato ishin gjedhja e botuar dhe e ndaluar, sepse ishin njëherësh brenda dhe jashtë, për dhe kundër tyre. Sidoqoftë, edhe nga pikëpamja tipologjike mund të grupohen në mënyrë të rrumbullakosur, përderisa përbëjnë, së paku, një linjë krijimi më vete midisore, që, relativisht e afërsisht mund të cilësohet prirja e ndërmjetme, midis realizmit apo disidencës realiste dhe realizmit socialist, kryesisht, e, në tërësi, me lëndë, strukturë, përftesa e mjete karakteristike realiste, përzier me segmente e fragmente të realizmit socialist, duke kryqëzuar një qeniesi të tillë, sa më realiste, aq më e qëndrueshme e cilësore, dhe sa më e realizmit socialist, aq më e paqëndrueshme dhe e dobët. Nuk ka shkrimtar me emër, që, në kohë të ndryshme apo herë pas here, dhe disave shpesh, mos t'u jenë ndaluar vepra të caktuara.
* Studiues

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...