2011-06-02

Hashim Thaçi i përgjigjet Daqiqit: Pavarësia është minimumi i kërkesave të shqiptarëve



image
  Prishtinë, 1 qershor  - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u është përgjigjur zërave që vijnë nga Beogradi për ndarje të Kosovës, apo ndryshime kufijsh, duke thënë se për asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territoresh dhe nuk do të ketë autonomi në veri, por do të ketë integrim territorial e gjithetnik.
Ai ka ftuar edhe Beogradin zyrtar që ta pranojë këtë realitet dhe t’u thotë troç serbëve të veriut, se edhe kjo pjesë është e Kosovës, raporton Kosovapress.
“Në emër të Qeverisë se Kosovës, të institucioneve dhe popullit të Kosovës, jemi të obliguar dhe detyruar që përsëri të ritheksojmë fuqishëm se në asnjë rrethanë, me asnjë çmim nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territoresh, nuk do të ketë autonomi në veri, por integrim territorial dhe gjithetnik, nuk do të ketë ndryshim kufijsh. Definitivisht Beogradi duhet, dhe e ftoj në emër të Qeverisë së Kosovës që t’u thotë troç serbëve në veri, se edhe ajo pjesë është Kosovë, dhe ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe kryeqytet i tyre është Prishtina. Kjo është ndihmesa më e madhe që Beogradi mund t’u bëjë serbëve në veri”, ka thënë Thaçi.
Me këtë rast, kreu i ekzekutivit të vendit, nuk ka hezituar të aludojë edhe në kërkesa më të mëdha të shqiptarëve, siç është bashkimi kombëtarë, duke i ka bërë të qartë Serbisë se Kosova me pavarësinë e saj ka fituar minimumin e kërkesave të saj.
“Tek e fundit, sot me lejoni që t’iu përgjigjem në emër të Qeverisë Republikës së Kosovës, gjithë ithtarëve të këtyre ideve antihistorike mund të them dhe të anti-perspektivës perëndimore të rajonit, se pavarësia e Kosovës është minimumi i së drejtës historike të shqiptarëve dhe nëse pretendohet të hapen tema çfarë po ngritën së diskutuari medialisht, Prishtina në momentin që do të hap tema, Beogradi nuk do të mund t’i mbyllë kurrë. Por ne jemi të përcaktuar për paqe stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se e ardhmja e Kosovës demokratike dhe multietnike është në NATO dhe Bashkim Evropian, dhe Kosova është e përcaktuar qartë për vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e problemeve teknike në të mirën e dy vendeve dhe popujve.
Deklaratat e kryeministrit Thaçi kanë ardhur pas deklaratave të vazhdueshme të Beogradit zyrtar, përkatësisht zëvendëskryeministrit Ivica Daçiq, i cili në deklaratën më të fundit, ka thënë se Serbia dhe Shqipëria do duhej ta ndanin Kosovën.

*****

Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daqiç, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se Serbia ka bërë gabim të madh, ngase për Kosovën nuk ka biseduar me Shqipërinë, ndërsa sërish ka potencuar se Kosova duhet të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë


image
 
Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daqiç, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se Serbia ka bërë gabim të madh, ngase për Kosovën nuk ka biseduar me Shqipërinë, ndërsa sërish ka potencuar se Kosova duhet të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë.

“Është i nevojshëm përcaktimi i vijës kufitare midis Serbisë dhe Shqipërisë, dhe ky është opsion real. Serbia nuk është dashur të pranojë askënd tjetër si negociator përpos Shqipërisë. A vërtet jemi naivë të mendojmë se Kosova do të ekzistojë si e pavarur, shtet i pavarur?”, ka thënë Daqiç në intervistë për javoren beogradase NIN, transmetojnë mediat kosovare.

Sipas tij, Serbia me luftë ka tentuar të mbrojë Kosovën dhe nuk ia ka dal, ndërsa tash duhet të flitet për ndarje kufijsh “që të mos bëhet vonë”.

“Kjo do të thotë se duhet të bëhet koleksion në kufirin midis dy shteteve fqinje – Serbisë dhe Shqipërisë. Nuk janë shqiptarët popull tjetër në Prishtinë dhe Tiranë”, ka thënë Daqiç, i cili është edhe kryetar i SPS, partisë së Slobodan Milosheviqit.

Ai ka supozuar se Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë, gjë të cilën do ta bënte edhe Republika Srpska me Serbinë.

Daqiç, në këtë intervistë – siç transmetojnë mediat, ka vlerësuar se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit nuk do të zgjidhë çështjen thelbësore për shkak të qëndrimit të BE-së dhe SHBA-ve dhe se pika më e lartë e bisedimeve do të jetë “një lloj autonomie speciale për serbët në veri të Kosovës”.


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...