2011-06-02

“Lumenjtë e Saharasë” përshkojnë Italinë

                                                 Ardian-Christian Kyçyku


Shtëpia Botuese prestigjioze italiane Zandonai ka botuar në italisht romanin “Lumenjtë e Saharasë”, shkruar nga Ardian-Christian Kyçyku. I cilësuar “rrugëçelës”, “përdorues i rafinuar i stilit” dhe “vegim, përmes të cilit proza shqiptare rigjen rrënjët e përbashkëta me atë evropiane”, libri “Lumenjtë e Saharasë” është shkruar në gjuhën shqipe, në vitet 1986, 1989 dhe 1991, në tri variante. Fabula e librit sillet rreth një të riu jokonformist që mbetet i bllokuar në një qytetth të mrekullueshëm provincial, në breg të Liqenit të Ohrit, në Shqipërinë e periudhës së diktaturës. Një rrëshqitje e papritur dheu prish shinat e të vetmit tren që lidh qytetthin me pjesën tjetër të botës dhe protagonisti nuk gjen asnjë mundësi për të braktisur bukurinë ku pat ardhur për të shpëtuar nga mërzia dhe zhurmat e kryeqytetit. Ai e sheh veten të detyruar të rigjejë veten në kushte krejt të tjera. Bota e dukshme përzjehet me atë virtuale; sistemi i vlerave vegon një përmasë të panjohur, duke nxjerrë në pah një absurd të përthithur e të fuqizuar nga çdo fjalë e thënë apo e dëgjuar, nga çdo ngjyrë, ngjarje, fytyrë njeriu apo vogëlimë e jetës së përditshme. Duke qënë një lloj gjeniu pa kauzë dhe pa vepër, mjeshtër dhe viktimë e ekzistencës, i cfilitur dhe i udhëhequr nga një etje që është vështirë të klasifikohet, protagonisti kalon nëpër një inicjim të paprovuar, nga një ditë e çfarëdoshme në një ditë të Arratisë (mendore, shpirtërore), në një ditë të Rikthimit, në një Shabat, dhe gjithçka përmbyllet me një të diel që vjen në trajtën e një cakimi përfundimtar të qenies njerëzore. Provinca klasike shndërrohet në një fshat global, të mbisunduar nga fjalë që e humbin domethënien, fuqinë dhe qëllimin, ndërsa absurdi i ri, i zbuluar dhe i dëshiruar, i lakmuar nga protagonisti, mbetet i vetmi hap të cilin ai mund ta bëjë drejt Zotit apo drejt vetëshkatërrimit. “Më shumë sesa një roman i bukur, është një roman ndryshe”, shkruan Filippo Maria Bataglia nga gazeta italiane Panorama. Bataglia shton se “prej dhjetë vjetësh, Kyçyku cilësohet si një nga penat e mprehta të dorës së parë të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ndërsa kritiku Gianfranco Franchi shkruan se “Ardian-Christian Kyçyku është një shkrimtar ballkanas, brezi 1969, dygjuhësh i përkryer”. Shkrimtarja Kamela Guza, e cila është edhe përkthyesja e romanit në italisht, në një ese shkruan se “kur e mora për herë të parë në dorë tekstin e ‘Lumenjve të Saharasë’, ndjeva njëherazi lumturi dhe trishtim: lumturi sepse zbulova një libër të madh dhe një autor të madh të gjuhës shqipe; trishtim ngaqë nuk pata mundur ta njihja më përpara këtë autor”. “Lumenjtë e Saharasë ishte gati për shtyp në vitin 1989. E dorëzova dhe, me thënë të drejtën, nuk u befasova që botimi i tij u aprovua. Kritika zyrtare dhe cenzura qenë regjur ta shihnin disidencën vetëm në idetë kryesore të një vepre, në dyfishësinë e ndonjë paragrafi, në tiparet dhe sjelljet e personazheve, por kurrsesi jo në hijeshinë e tekstit, në forcën magjepsëse të stilit”, ka thënë Kyçyku për mediat italiane. “Lumenjtë e Saharasë” për Kyçykun mbetet një roman i së natyrshmes njerëzore, në një botë që është gjithnjë e më e shkretuar, patetike dhe e ngathët, gjithnjë e më larg qëllimit për të cilin është krijuar”. Autor i mbi tridhjetë librash (prozë, teatër, skenarë filmash dhe ese), të shkruara në gjuhët shqip e rumanisht, Ardian-Christian Kyçyku është cilësuar si një zë i pangatërrueshëm i të dyja letërsive –shqiptare dhe rumune.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...