
Me
rastin e trembëdhjetë vjetorit të rënies së luftëtarëve të UÇK-së,
Gjeneral major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj në
Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes në Tiranë Akademia
përkujtimore. Të pranishëm ishin Zëvendës Shefi i Shtabit të
Përgjithshëm Gjeneral brigade Sandër Lleshi, Zëvendës Kryeministri i
Kosovës Hajredin Kuqi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të
Armatosura të Kosovës Gjeneral major Imbri Ilfezi, Kryetari i Këshillit
për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut Adem Demaçi si dhe përfaqësues të
Ministrisë së Mbrojtjes, Forcave të Armatosura të Kosovës dhe
Shqipërisë, familjarë, bashkëluftëtarë dhe njerëz të jetës politike e
kulturore.
Tubimi në trembëdhjetë vjetorin e rënies së dëshmorëve u mbajt për të
kujtuar dy nga shtyllat kryesore të luftës çlirimtare, ideologët dhe
veprimtarinë e denjë të çështjes Kombëtare të Kosovës, njerëzit e
mëdhenj që i dhanë krahë të fortë luftës për çlirim, Ilir Konushefci
dhe Hazir Malën.

Në
fjalën e tij përshëndetëse, Zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm
Gjeneral brigade Sandër Lleshi, theksoi se: “Me sakrificën e tyre
dëshmorët realizuan një projekt të madh, atë që konsiderohej e pamundur
prej shume kujt, realizuan një luftë e cila hyri në axhendën botërore
dhe u bë fokus i përpjekjeve ndërkombëtare. Me luftën e tyre arritën
të demonstrojnë një model të ri sjelljeje të shqiptarëve, t’i qëndrojnë
larg krimit, madje duke e përballuar atë me mjaft sakrificë e dinjitet.
Ata nuk e përlyen Flamurin Kombëtar, por ruajtën integritetin shqiptar,
duke i treguar të huajve se shqiptarët edhe luftën dinë ta bëjnë
ndryshe, të pastër. Të gjitha përpjekjet që bëhen sot nëpër kancelari
apo korridore të ndryshme, janë të pasuksesshme. Çdo përpjekje që bëhet
për ta njollosur sadopak sakrificën e madhe, heroizmin e
jashtëzakonshëm të popullit shqiptar është e pasuksesshme për një fakt
të thjeshtë se lufta çlirimtare e Kosovës ishte një luftë dinjitoze
njerëzish që luftonin për liri duke respektuar të gjitha principet mbi
të cilat zhvillohet lufta.” nënvizoi Gjeneral Lleshi.

Të
pranishmit i përshëndeti edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të
Forcave të Armatosura të Kosovës Gjeneral major Imbri Ilfezi i cili ndër
të tjera theksoi se: “Çdo përvjetor na kthen mbrapa në histori për të
kujtuar dhe nderuar ata që nuk kursyen as jetën që ne të gjallët të
jetojmë të lirë. Ky tubim përkujtimor na përkujton edhe një herë se sa e
dhimbshme dhe njëkohësisht sa e rëndë dhe e vështirë ka qenë përpjekja
dhe lufta e gjatë për liri e popullit të Kosovës. Kjo përpjekje dhe
luftë e vazhdueshme në situatën e shtypjes e vuajtjes të shekullit që
lamë pas ka qenë pika që ka bashkuar të gjithë shqiptarët kudo që ishin
rreth çlirimit të Kosovës. Në besimin e plotë te liria dhe e drejta e
popullit shqiptar të Kosovës për të qenë zot në shtetin e vet, Atdheut
ju bënë fli shumë burra të mëdhenj. Lufta e fundit i futi në këtë radhë
dhe luftëtarët e mëdhenj, strategun Ilir Kunoshevci dhe mjekun trim nga
Tropoja Hazir Malaj, të cilët u shfaqën ndër figurat më të mëdha të
luftës për liri të popullit të Kosovës. Figurat e të gjithë atyre që iu
bënë themel shtetit tonë të ri, Republikës së Kosovës, janë përjetësuar
sot dhe kanë zënë vend në kujtesën e kombit. Ata janë bërë pjesë e
historisë sonë të re, pjesë e kujtimit që ndonjëherë edhe mund të na
ligështojë, por që gjithmonë na jep forcë që të mos ndalemi asnjëherë së
ndërtuari, përparuari dhe ruajturi shtetin që u krijua mbi kaq shumë
sakrifica”, nënvizoi Gjeneral Ilfezi.

Në
nder të luftëtarëve të lirisë, dëshmorët e kombit i përshëndeti edhe
Zëvendës Kryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi, i cili foli për
veprimtarinë e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt, për kontributin e tyre
në përgatitjen dhe aftësimin e njësive të UÇK-së. Sipas tij vepra e
madhe dhe sakrifica sublime e dëshmorëve të kombit është një udhërrëfyes
për çdo veprim të institucioneve tona. Kujtimi për ta do të ketë
kuptimin e plotë vetëm nëse Republika e Kosovës, ëndrra dhe synimi i
tyre kulmor do të zhvillohet ashtu siç e kanë dëshiruar ata dhe siç e
synojmë ne, vazhduesit e projektit për shtetin e ri, që synon zhvillimin
dhe ecjen krah me botën e përparuar. Gjithashtu në këtë tubim e mbajti
fjalën edhe Kryetari i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
Adem Demaçi, ku sipas tij, aspirata e tyre ishte që Kosovën dhe
Shqipërinë ta shihnin një. Ata ranë me këtë aspiratë dhe nuk e panë, por
shpresoj që të jetë detyra jonë që ta mundësojmë atë. Në emër të
familjes Malaj, foli vëllai i dëshmorit, Z. Besim Malaj.
Në
përfundim të akademisë përkujtimore, në nder të dëshmorëve të rënë për
liri dhe pavarësi, u organizua dhe një program muzikor me artistë të
njohur nga Shqipëria dhe Kosova.
No comments:
Post a Comment