Urdhëri i Ramizit dhe kundërshtimi i Gramoz Ruçit.
Mbaj
mend se, sapo u rrëzua monumenti, Ramiz Alia më dha urdhër
gojarisht që të ngriheshin në alarm rreth 15 brigada me rezervistë dhe
pasi të komplentoheshin, të niseshin drejt Tiranës. Shumica e
komandantëve të divizioneve apo sekretarët e parë (në atë kohë kishin
edhe funksionin e kryetarit të shtabit të mbrojtjes të rrethit), me të
cilët komunikova për këtë punë, ishin skeptikë dhe e kundërshtuan
ardhjen e këtyre brigadave në Tiranë. Një nga ata që e kundërshtuan
ishte edhe Sekretari i Parë i Komitetit të partisë të Tepelenës, Gramoz
Ruçi. Unë i telefonova Gramozit nisur nga shoqëria që kishim, por ai ma
ktheu: Ne nuk i dërgojmë rezervistët në Tiranë, ata i kemi për të
luftuar kundër armikut në kufi”. Për çudi të
nesërmen Gramoz Ruçi u emërua Ministër i Brendëshëm në qeverinë e
Fatos Nanos. Disa komandantë divizionesh si në Shkodër e në Vlorë
shprehën shqetësimin se këto njësi rezevistësh mund t’i kthenin armët
kundër nesh, prandaj aty për aty e anullova urdhërin për krijimin e
atyre brigadave”. Përfundimisht këto brigade nuk u dërguan në Tiranë,
për arësye se urdhëri nuk u ligjërua me shkrim nga Ramiz Alia, por edhe
pse nuk u përcaktua objekti i ardhjes së këtyre brigadave dhe se çfarë
duhej të bënin. Me kalimin e orëve, ky urdhër sikur u harrua prej Ramiz
Alisë, i cili ndofta ndërroi mendje duke parë komplentimin e dobët,
30-40%. Dhe kjo sepse shumica e rezervistëve nuk prisnin të
mbushnin radhët e ushtrisë, por ata marshonin si refugjatë drejt Greqisë
e Italisë.
Krijimi i Këshillit Presidencial.
Duket
se pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, Ramiz Alia e kuptoi se
ishte i izoluar, prandaj vendosi që edhe formalisht ta merrte në
duart e veta drejtimin e pushtetit dhe u vu në krye të një këshilli
presidencial që përbëhej prej 9 vetash. Në këshillin presidencial, me
përjashtim të Fatos Nanos, emri i të cilit sapo kishte nisur të
shkëlqente, gjithë të tjerët, ose qenë konservatorë të betuar, ose nuk
kishin realisht asnjë lloj peshe në marrjen e vendimeve. Këshilli
përbëhej, (veç Nanos) nga: Haxhi Lleshi- ish Kryetari i Presidiumit të
Kuvendit Popullor, Kleanthi Koçi-Kryetar i Gjykatës së Lartë, Kiço
Blushi shkrimtar, Lufter Xhuveli- pedagog kryetar i partisë Agrare,
Rexhep Meidani-pedagog, Minella Dalani, gazetar në pension, Xhenet Muço,
ushtarak. Menjëherë pas krijimit të tij, Këshilli Presidencial lëshoi
një deklaratë, ku kërcënonte se do të shpallej gjendja e
jashtëzakonëshme, nëse nuk vendosej rendi dhe qetësia publike. Të
nesërmen e rrëzimit të monumentit u hapën fjalë se efektiva të shkollës
së Bashkuar do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të
rivendosnin shtatoren e diktatorit që ndodhej në oborrin e shkollës.
Duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një inciativë spontane, aq më
tepër në një shkollë të tillë ushtarake, ku nuk diskutohej disiplina e
hekurt. Në një thirrje të efektivave të shkollave ushtarake të Tiranës
drejtuar presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, thuhej në
fund se me përmbajtjen e thirrjes u njohën komandat e shkollave
ushtarake dhe janë plotësisht dakort. Kërkesa e parë e kësaj thirrje
lidhej me Enver Hoxhën,
për figurën e të cilit kërkohej që të përcaktohej me anë të një
referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do
populli. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum, dhe pati
njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar, se
vendi po kërcënohej realisht me puç ushtarak.