Në pyetjen rreth qëndrimit të tij pas arrestimit të kriminelit Ratko Mlladiq, ministri Hoxhaj ka thënë se ky është një lajm i mirë, mirëpo i vonuar. Sipas tij, arrestimi Mlladiqit ka qenë një obligim që është dashur të kryhet shumë kohë më parë.
“Arrestimi i Ratko Mlladiqit nuk është i mjaftueshëm. Për Serbinë është kruciale të fillojë reformat nga brenda në mënyrë që në këtë vend të implementohen standardet evropiane dhe të normalizohen raportet me Kosovën. Përkundrazi, Serbia po tenton të krijojë tensione jashtë kufijve të saj. Nuk është në interes të Bashkimit Evropian që t’i japë statusin e “vendit kandidat” një vendi që mban probleme të pazgjidhura me fqinjët e tij, siç është me Bosnjën, ku po mundohet që të vejë në pyetje marrëveshjen e Dejtonit ose me Kosovën, ku po mbështet ndarjen e veriut të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Kurse, në pyetjen e “Le Monde” se si e sheh faktin se përkundër nisjes së dialogut Beograd-Prishtinë nën ombrellën e BE-së, Qeveria serbe ka lansuar idenë e ndarjes së Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se dialogu është një instrument i mirë i cili ka për qëllim zgjidhjen e problemeve praktike.
“Ky dialog është i fokusuar në bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes dhe perspektiven evropiane. Kemi të bëjmë me një dialog midis dy shteteve të barabarta. Serbia po e keqpërdor që tre muaj: në çdo takim me përfaqësues Evropian, Qeveria e këtij shteti propozon ndarje etnike. Për ne kjo është vijë e kuqe. Ndarja e Kosovës është një ide shumë e rrezikshme e cila do të kishte një “efekt domino“ në rajon dhe do të prodhonte dhunë dhe jostabilitet”, ka thënë Hoxhaj.
Duke folur rreth mundësisë së dhënies së një statusit special për veriun e Kosovës, ministri Hoxhaj e ka mohuar kategorikisht një mundësi të tillë.
“Absolutisht jo. Një status special do të ishte njësoj sikur të ndërrohet marrëveshja e Dejtonit në Bosnjë. Edhe në vitet e 1990-ta, kur ishim të okupuar nga regjimi serbe vizioni i jonë ka qenë të krijojmë një shtet heterogjen dhe assesi mono-etnik. Etniciteti nuk është më problem në vendin tonë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai po ashtu është shprehur krenar që Kosova po e zbaton planin e Ahtisarit, plan i cili ofron garancitë më të mira për integrimin e minoriteteve.
“Veriu është pjesë e Kosovës. Aty kemi një prezencë të strukturave paralele serbe. Ky është një problem politik. Është misioni EULEX, i cili ka përsipër këtë rajon. Në përgjithësi ky mision po kryen punë të mirë në vend, mirëpo mund të bëjë më shumë në veri. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë presion ndaj Beogradit që të mos flitet më për këto struktura paralele. Serbia nuk mund të ketë ‘një këmbë’ në Republikën Serbe në Bosnjë, ‘një këmbë’ në veri të Kosovës dhe ‘një këmbë’ në Bruksel”, ka thënë Hoxhaj.